Hapat për një reformë bujqësore
Nga Agim Hoxhaj, botuar në Shekulli Online, 12 maj 2014
Kohët e fundit është diskutuar për bujqësinë si një ndër sektorët kryesorë të ekonomisë dhe rrugët për t’u ndjekur që ajo të marrë rolin e duhur në zhvillimin e vendit. Përderisa, 46.3 % e popullsisë (censusi 2011), banon në zonat rurale, e cila duhet të shfrytëzojë në maksimumin e mundshëm tokën, resurset bujqësore dhe natyrore, atje ku jeton. Bujqësia furnizon një pjesë të rëndësishme të tregut me produkte dhe ka ende shumë kapacitete të pashfrytëzuara, ndaj ky sektor kërkon vëmendje më të madhe. Mund të thuhet pa droje se, në pjesën më të madhe të saj, bujqësia shqiptare, është shumë larg nga ato të vendeve përreth dhe nga ajo se çka kërkon koha. Fshatari , ai që merret me token e tij të fragmentuar ne disa parcela dhe në shumë kultura, është shndërruar në rob të tokës duke përfituar pak ose asgjë nga kjo pasuri e vyer. Fakti që mjaft produkte bujqësore hyjnë në tregun shqiptar nga vende të tjera, produkte për të cilat i kemi kushtet dhe kapacitetet për t’i prodhuar në sasi më të madha dhe cilësi më të mirë, flet për mosvlëresim të këtij sektori si nga shteti dhe nga vete prodhuesit e mundshëm. Bujqësia shqiptare ka dhëna prova se produktet tona janë tregtuar si të preferuar në tregjet europiane. Në 20 vitet e fundit, zhvillimi i bujqësisë, si shumë degë të tjera në vend, nuk u bë sipas rregullave të ekonomisë së tregut nuk u orientua zhvillimi i saj, por iu la zhvillimit spontan. Spontaniteti dhe mungesa e rregullit dhe korrupsioni në bujqësi, i cili filloi që me ndarjen e tokës, kanë sjellë pasoja me efekte negative afatgjate dhe me kosto për bujqësinë.
U nda toka me komisione pas komisionesh, shpesh nga njerëz të paaftë të pa trajnuar ose që mbrojtën interesat e tyre, duke i coptuar parcelat në një farë mënyre saqë, fermeri jo vetëm ka pak leverdi të merret me tokën, por e ka edhe shumë të mundimshme të bëjë dokumentet e pronësisë. Kjo ka bërë që dhe pas kaq vitesh, fermeri nuk u bë pronar legjitim i tokës, në këtë zinxhir burokracish që e ka pushtuar procesin. Nevojitet sa më shpejt të marrë fund zgjidhja e çështjes së pronësisë tokës dhe pajisja e fermerit më titullin e pronësisë. Duke e ndjerë veten pronar i ligjshëm, fermeri do të jetë më i sigurt dhe i gatshëm për të marrë pjesë në iniciativa të përbashkëta. Legjitimi i pronësisë është vetëm një ndër problemet e bujqësisë sonë. Reforma e thellë, por jo e zvarritur deri në pambarim, do ta bënte këtë sektor jetik më tërheqës, jo vetëm për fermerin, por për ekonominë e vendit në tërësi.
Copëzimi në ngastra të vogla dhe shpesh ne forma te parregullta gjeometrike, vështirëson menaxhimin e fermës, pamundëson mekanizimin, rrit kostot e prodhimit, etj. Jo vetëm kaq, por fermeri s’ka interes ekonomik për të kërkuar asistencën e specialistit në bujqësi a blegtori pasi si larmia e produkteve është edhe shumëllojshmëria e problemeve, kështu prodhimi dëmtohet ose del jashtë standardit .Kjo tregon se jemi ne një cikël të gabuar dhe të mbyllur. Nëse fermeri bën llogari dhe përfshin si shpenzim dhe punën e krahut, ferma e tij bujqësore përgjithësisht rezulton me mbishpenzim dhe kjo shumatore është humbje për ekonominë e vendit. Fermerët duhet ta marrin vetë iniciativën e rregullimit të parcelave duke synuar, atje ku është e munduar, të bëhën këmbimet e nevojshme mes njeri-tjetrit, me interes reciprok, me qëllim që toka e fermerit, te jetë sa me pak esegmentuar, mundësisht në një parcelë, dhe parcela te jetë e konturuar sa më në rregull në formën e saj fizike (sipas kushteve konkrete atje ku të jetë e mundshme). Duhet të stimulohen të tilla nisma dhe të mbështeten me aktet e nevojshme ligjore, që rregullimet e mundshme të jenë të shoqëruara dhe me dokumentacionin përkatës. Nevojitet orientimi dhe nxitja nga specialistët e bujqësisë dhe ekonomisë për dobinë afatgjate të këtyre lëvizjeve dhe vullneti i përbashkët i pronarëve për të kuptuar dhe pranuar këto hapa. Gjithashtu, përdorimi i mekanizmit te lehtësive tatimore për parcelat që do të sistemohen, mund të jetë një rrugë për ta stimuluar këtë hap.
Mungojnë , ose nuk funksionojnë strukturat e nevojshme që duhet të orientojnë prodhimin. Nëse në një sezon ka pas kërkesë tregu për një produkt bujqësor, vitin tjetër është mbjellë me shumicë kjo kulturë bujqësore, pa ndonjë orientim të prodhimit. Gjithashtu nuk ka bazë të saktë të dhënash as nga njësitë lokale, as nga shteti apo nga ndonjë strukturë private për gjendjen në bujqësi, sipërfaqet e mbjella, numrin e bagëtive, sasinë e prodhimit, destinacionin, përdorimin e inputeve etj. Mungojnë të dhënat e sakta se sa sipërfaqe e tokës bujqësore është kthyer në troje ndërtimi. Me mijëra familje prej vitesh janë larguar nga zonat rurale dhe janë të vendosur në zonat urbane ose janë në emigracion. Tokat e tyre (të përfituara nga ligji 7501), i japin me qira, i punojnë vet, i lënë djerrë ose ua kanë zaptuar dhe ende këta zyrtarisht, raportohen si popullsi rurale. Sigurimi i një baze sa më reale të dhënash për gjendjen e bujqësisë dhe situatën ku ndodhet, do të ndihmojë, jo vetëm në përcaktimin e politikave për rritjen e të ardhurave prej saj, por dhe për hedhjen e bazave për një zhvillim të qëndrueshëm të këtij sektori në të ardhmen.
U trashëgua infrastruktura bujqësore, në funksion të intensifikimit të prodhimit bujqësor, në përshtatje me ekonominë e centralizuar. Disa nga këto objekte që i kanë shpëtuar shkatërrimit, kanë nevojë për mirëmbajtje dhe duhet rikonceptuar funksionimi i sistemeve në përshtatje me formën e re të pronësisë mbi tokën. Diku, për të zgjeruar sipërfaqen e tokës është mbyllur kanali kullues apo ai vaditës. Madje, ka shumë raste ku mbi to është ndërtuar. Ndryshe qëndron problem te rrjetet vaditëse, ato pothuajse janë shkatërruar me gjithë stacionet e pompimit. Në kushtet e reja të pronësisë mbi token, ndoshta ky është problemi më i vështirë për bujqësinë. Qarkullimi i blegtorisë në rrugë, në qendrat e banuara dhe ato turistike është një çështje që ka te bëjë sa me konceptin e ekonomisë bujqësore, aq edhe me reformimin e këtij sektori dhe imazhin e vendit.
Stimulimi i përdorimit të objekteve ekzistuese apo objekte jashtë qendrave të banuara, futja e mentaliteteve të reja për trajtimin e blegtorisë si dhe ndërtimi i rrugëve të veçanta, për qarkullim për nevoja bujqësore, do te ishin disa nga mënyrat për largimin e tyre nga rruga. Reforma, në këtë aspekt, do t’i vijë në ndihmë dhe zgjidhjes së shqetësimeve që shkaktohen në qarkullimin e mjeteve. Largimi i bagëtive nga rruga dhe përqendrimi në zona të caktuara, qoftë të përbashkëta apo individuale do të kishte dhe një ndikim social në pastërtinë në familje dhe në mjediset e banimit në zonat rurale. Në kushtet mikrofermës, fermerët duhet t’i bashkojë qëllimi, përdorimi sa më i mirë i tokës dhe i aseteve ekzistuese që përfitimet të jenë sa më të mëdha. Nisma e fundit e Ministrisë Bujqësisë, që fermeri të subvencionohet për prodhim të dorëzuar, duke përcaktuar një limit prodhimi, do t’i orientojë ata në krijimin e njësive të përbashkëta, në grupime shoqërie a fisi ose parcelash të afërta, për të rritur kuotat e prodhimit, në të kundërt numri i atyre që do të përfitojnë nga subvencionimi do jetë shumë i vogël.