Bujqësia, ç’është e ç’mund të bëhet
Nga Besart Kadia, botuar në Mapo Online, 1 maj 2014
Një ndër statistikat më të përmendura nga gazetarët, ekonomistët apo politikanët shqiptarë është mospërputhja mes numrit të madh të të punësuarve në sektorin bujqësor dhe kontributit që ajo sjell në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Kështu, sektori i bujqësisë punëson rreth gjysmën e gjithë të punësuarve në vend dhe kontribuon me vetëm 20% në pasurinë kombëtare. Ajo që mundet të pritet pashmangshmërisht është migrimi i vazhdueshëm i banorëve në zonat rurale drejt zonave urbane. Edhe në rast se ky trend nuk arrin në nivelet e vendeve të industrializuara të Europës, të cilët punësojnë vetëm 4% të forcës punëtore në bujqësi, ato do të shkojnë të paktën drejt nivelit rajonal. Të punësuarit në bujqësi në Serbi e Bosnje janë 21%, Maqedoni 17% e Kroaci vetëm 14%, duke treguar se përmirësimi teknologjik dhe aksesi në sistemin bankar do të ulin nevojën e numrit të madh të krahut të punës në këtë sektor.
Sipas Censusit 2011 dhe 2001, popullsia në zonat rurale është reduktuar ndjeshëm gjatë 10 viteve të fundit me afro 280 mijë banorë, dhe në këto shtatë vitet e fundit me afro 195 mijë banorë, reduktim që, i kombinuar me rritjen e rendimentit të punës në bujqësi, ka sjellë natyrshëm edhe reduktimin e forcës së punës në bujqësi, që është zhvendosur drejt qyteteve dhe punësimit urban. Por ky sektor i ekonomisë nuk mund të zhvillohet njëlloj në gjithë qarqet e vendit; p.sh.: qarku me të ardhurat më të larta vjetore nga prodhimi bujqësor rezulton Fieri, që siguron rreth 14.9 miliardë lekë nga fermat, ku 43% e të ardhurave vjen nga prodhimi bujqësor dhe 57% nga prodhimi blegtoral. Ndërkohë, qarku me të ardhurat më të ulëta nga bujqësia është Kukësi, që siguron rreth 2 miliardë lekë në vit.
Industria e agrobiznesit ka potenciale të pazhvilluara, por ajo ndërkohë është pjesa më e pazhvilluar e ekonomisë shqiptare dhe vuan nga fragmentimi i thellë i sipërfaqes së tokës së punueshme dhe pas një harrese të gjatë, qeveria vendosi subvencionimin e fermerëve, të cilët mbjellin ullinj, agrume, drufrutorë dhe vreshta, vetëm në vitin 2010. Kjo masë është e domosdoshme, pasi vetëm në këtë mënyrë bujqësia shqiptare mund të arrijë të konkurrojë me sektorin bujqësor të vendeve fqinjë, por subvencionimi nuk është zgjidhja afatgjatë. Të dhënat tregojnë se sektori bankar shqiptar gjatë vitit që shkoi kishte në total 547 miliardë lekë hua, prej së cilës sektori bujqësor përfitoi vetëm 1.8%.
Mungesa e theksuar e kolateralit është një ndër arsyet kryesore që ky sektor nuk ka qenë tërheqës për bankat. Në kushtet kur shumë fermerë zhvillojnë veprimtarinë e tyre në parcela me sipërfaqe mesatare 1.2 hektarë, ku titujt e pronësisë janë ende të paqartë e ku aktiviteti kryesor në këtë industri mbetet toka, bëhet i kuptueshëm hezitimi kaq i gjatë i bankave për të rritur huadhënien për këtë sektor. Sipas studimeve, mungesa e sigurisë mbi pronësinë e tokës ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e sektorit, ku më shumë se 20% e fermerëve ndihen të pasigurt përsa i përket pronësisë që kanë mbi tokën e tyre, 57% e të intervistuarve kishin kryer investime për të rritur produktivitetin në tokën e tyre gjatë pesë viteve të fundit dhe 70% e investimeve totale ishin kryer në toka, pronësia e të cilave perceptohej si e sigurt nga ana e fermerëve. Sipas këtij studimi, investimet ishin më të sigurta dhe konfliktet sociale më të vogla në ato toka ku pronarët mund të tregonin se toka ishte në pronësi të familjes së tyre para vitit 1945.
Nga ana tjetër, ky sektor mund të përfitojë nga subvencionimi që mund të marrë nga fondet e BE-së, si p.sh.: Ipard–like. Ky i fundit është një fond i BE-së, në mbështetje të bujqësisë për vendet që aderojnë të jenë pjesë e BE-së. Ky program ofron 8.2 milionë euro në mbështetjen në dy masa kryesore: fermerët dhe agropërpunuesit. Të gjithë personat që dëshirojnë të ngrenë një fermë, apo të merren me agropërpunimin, do të financohen në masën 50-65% nga ky grant, por ajo që është kusht për këtë grant është përpilimi i një plan-biznesi të besueshëm dhe thirrja e bërë në vitin 2012 tregoi pikërisht dhe një dobësi tjetër të këtij sektori, pasi numri i përfituesve ishte më i vogël nga sa parashikohej. Gjithsesi, kthimi i vëmendjes drejt bujqësisë është i pashmangshëm dhe i domosdoshëm për zhvillimin e ekonomisë shqiptare.
Sot ekonomia shqiptare është një importuese neto e produkteve ushqimore, që tregon për një nivel të ulët konkurrueshmërie dhe përfaqëson një nga sfidat kryesore për të ardhmen e ekonomisë. Në vitin 2012, produktet bujqësore mbulonin vetëm 13.75% të importeve ose katër herë më pak se përqindja e mbulimit total në 41%. Pavarësisht këtyre të dhënave, dy gjëra janë inkurajuese: rikthimi i vëmendjes së sistemit bankar, i cili zgjeroi kreditimin për këtë sektor me 7% vitin e shkuar, si dhe rritja e vazhdueshme e eksporteve drejt vendeve të BE-së, të cilat hapin mundësi dhe tregje të reja të pashfrytëzuara më parë.