Barjaba: Shumica e forcës së punës, jashtë tregut të saj

E vërteta e shifrës 1 milion të papunë.

Pse papunësia nuk ulet megjithë rritjen ekonomike. Një analizë e realitetit shqiptar dhe atij botëror përsa i përket sfidës së papunësisë, një nga më të rëndësishmet sot, nga sociologu Kosta Barjaba në botimin e UET-Press, “Kurthi i papunësisë”

Nga prezantimi i librit “Kurthi i Papunesise” i K. Barjaba

U promovua dje në Universitetin Europian të Tiranës libri “Kurthi i papunësisë” i sociologut Kosta Barjaba, një ngjarje me rëndësi jo vetëm në nivelin e promovimit të një botimi të ri, por edhe për çështjen që trajton. Papunësia, njëmendasi, sot është kryefjala e shumë shqetësimeve në shoqërinë shqiptare dhe autori përveç një analize të realitetit sjell edhe propozimet për ta luftuar këtë papunësi, debati për të cilën nis me shifrat zyrtare dhe joformale të saj, të pranuara dhe të kundërshtuara nga krahët politikë në vend. Të pranishëm në aktivitet ishin ekspertë të ekonomisë, pedagogë të kësaj fushe dhe kolegë të Barjabës brenda dhe jashtë UET.

“Ky libër tenton të shpjegojë papunësinë si pjesë e shumë kurtheve që burojnë nga politikat ekonomike, nga politikat e zhvillimit, nga mënyrat si matet papunësia nga statistikat, nga konceptet që ka për papunësinë, për llojet e saj në vende të ndryshme, për specifikat që ka në Shqipëri. Në përgjithësi të gjitha këto analiza e kanë çuar autorin në një portretizim të papunësisë shqiptare, të shkaqeve dhe njëkohësisht disa argumenteve si kjo papunësi mund të luftohet aq më shumë që sot në Shqipëri punësimi është kryefjala e ditës, por edhe në shumë vende të botës sot përdoret termi “brezi i papunësisë” për brezin e ri që tregon sa problematike është. Ky libër është një kontribut për ta analizuar, për ta kuptuar papunësinë”, – tha gjatë aktivitetit Prof. Dr. Adrian Civici, presidenti i UET-it dhe autor i parathënies së librit.

Papunësia, problemi i të gjithëve

Ka një arsye të thjeshtë që libri i parë për papunësinë nuk është shkruar nga një ekonomist, por një sociolog sipas ekspertit të ekonomisë, Selami Xhepa, ish-këshilltari i kryeministrit për çështje ekonomike. Ai analizoi faktin që tregu i papunësisë është i vetmi treg që i ngre kurth  teorisë ekonomike të ekuilibrit të përgjithshëm, pasi asnjëherë nuk arrin në ekuilibër. “Asnjë teori ekonomike, pra, të paktën në këndvështrimin e ekuilibrit të përgjithshëm nuk është e vlefshme sa kohë që ekonomistët nuk e kanë zgjidhur këtë lloj dileme, por kjo nuk është aq dramatike në krahasim me kurthin ku ka ngecur politika sepse nuk janë thjesht teoricienët e ekonomisë që duhet ta zgjidhin papunësinë, ajo bëhet një çështje e politikave qeverisëse, një sfidë madhore për çdo shoqëri, aq më tepër për vende si Shqipëria, që për shkak të trashëgimisë dhe ndryshimeve thelbësore strukturore të saj papunësinë e ka një prej sëmundjeve më të mëdha që do vazhdojë gjatë”, – tha Xhepa gjatë promovimit të librit të Barjabës. “Fakti që ky libër shkruhet nga një sociolog tregon që papunësia nuk është një çështje ekonomike më shumë sesa një aspekt social për vetë dramat sociale që shkakton si i tillë. Ajo që shikojmë shpesh sot si problem të tranzicionit ka një shkak themelor: papunësinë dhe lufta ndaj saj nuk mund të jetë vetëm një çështje e politikës, as e ekonomisë, por e mbarë shoqërisë sonë”, mbylli Xhepa fjalën e tij mbi papunësinë si një problem mbi të gjitha social, për shkak të pasojave të tij dhe pse shkaqet i përkasin fushës së ekonomisë dhe politikave të ndryshme.

 Paradokset shqiptare të papunësisë

Në librin e tij, Barjaba trajton pikëpyetje të rëndësishme të realitetit shqiptar, si për shembull, si ka mundësi që megjithë rritjen ekonomike, kjo nuk reflektohet në punësim. Adrian Civici u ndal pikërisht në këtë çështje në prezantimin e tij.

“Më ka bërë përshtypje në vitet 2000-2001, në bisedimet me Bankën Botërore kur na thoshin “kujdes se rritja juaj ekonomike është rritje varfëruese”. Neve na dukej pa kuptim kjo, por ata na shpjeguan që kjo është rritja që nuk prodhon rritje të punësimit me të njëjtat ritme siç ecën vetë, që prodhon diferencime territoriale dhe sociale. Fatkeqësisht sot, në 2014, në shumë aspekte rritja jonë ekonomike vërtet i ka pasur këto tipare dhe po të shohësh ecurinë e punësimit në raport me rritjen ekonomike ka një raport të zhdrejtë, që dëshmon që ne duhet t’u bëjmë një radiografi më të thellë politikave tona ekonomike, të gjitha llojeve të politikave financiare dhe mbështetëse që realisht të prodhojnë punësimin e dëshiruar”, tha Civici. Sipas tij, në librin e Barjabës ky shqetësim ekziston dhe analiza e ofruar në të u jep lexuesve mundësinë për të kuptuar problemin e papunësisë, por edhe mundësi zgjidhjeje. Vetë autori, duke folur për shifrën e debatueshme të papunësisë, 1 milion të papunë, që u përdor si kalë beteje i ish-opozitës kundër ish-qeverisë, shpjegon që kjo shifër e llogaritur prej tij ndryshon nga ajo zyrtare për shkak të metodologjisë së ndryshme. Megjithatë, e vërtetë apo jo, sipas Barjabës, në çdo rast qeveria duhet të marrë masa efikase për uljen e papunësisë. Në këtë libër trajtohen edhe tema të tilla si, pse shqiptarët kthejnë sytë te sektori shtetëror edhe për çështjen e punësimit, si dhe sillen modele të jetimit dhe zgjidhjes së kësaj krize.

5 mësimet e Barjabës

Në fjalën e tij, sociologu dhe pedagogu i UET-it, Kosta Barjaba foli për mësimet që kishte nxjerrë nga ky libër edhe ai vetë si autor e studiues:

Mësimi i parë: papunësia nuk mund të zbulohet kurrë plotësisht. Ne mund të hyjmë thellë në rezervuarin e saj, por vështirë të shkojmë deri në fund sepse zhvillohet në forma vështirësisht të kapshme dhe të matshme.

Mësimi i dytë: debati për papunësinë duhet të jetë metodologjik dhe jo politik. Dyshimi im për shifrat zyrtare të papunësisë së regjistruar që vazhdon ende, është dyshim kartezian dhe jo politik dhe do të vazhdojë të jetë i tillë sa kohë ne do t’i referohemi papunësisë zyrtare dhe jo llojeve të tjera siç janë nëpunësimi apo papunësia e fshehur.

Mësimi i tretë: lufta ndaj papunësisë dhe rritja e përpjekjes për punësim nuk është një politikë e njëanshme e një krahu, as e majtë as e djathtë, përkundrazi reforma e tregut të punës kërkon reforma standarde dhe këtë na e mëson përvoja europiane, madje dhe e socialistëve dhe e socialdemokratëve europianë. Nuk mund të ketë të drejta në tregun e punës pa detyrime.

Mësimi i katërt: sistemi shqiptar i tregut të punës dhe mirëqenies sociale është atipik, sepse shumica e njerëzve të aftë për punë gjenden jashtë tregut dhe sistemit të mirëqenies, ata rrisin presionin si përfitues, por jo si kontribues dhe sponsorë të sistemit, kjo shpie domosdoshmërisht në politika rishpërndarëse që priren të frenojnë dinamikën në tregun e punës dhe të frenojnë zhvillimin.

Mësimi i pestë: Varfëria dhe papunësia duke ushqyer njëra-tjetrën shndërrohen në kurthe të zhvillimit ekonomik dhe dëmtojnë demokracinë dhe institucionet e saj. Pabarazia sociale pengon aksesin e barabartë në mundësi të qytetarëve dhe pengon edhe drejtësinë sociale.

Adrian Civici për librin “Kurthet e papunësisë”

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi