Reforma bujqësore ka nisur mbrapsht
Nga Faik Islami, botuar në Shekulli Online, 9 prill 2014
Realizimi i një reforme të thellë në bujqësi duket se do të na marrë më shumë kohë, ose sipas të gjitha gjasave, pritja plot besim se do të lindte një diell, i cili do të ngrohte për të rilindur bujqësinë , duke e zhdukur njëherë e mirë gjendjen katastrofike të saj, do të mbetet vetëm një ëndërr. Kjo është mjaft e trishtueshme për të gjithë ata që ua dinë kapacitetet prodhuese tokave dhe pasurive ujore të këtij vendi. Tërmeti politik i 23 qershorit , i cili supozohej të shoqërohej me “tërmetin” e shumëpritur në bujqësi, për një reformë të thellë, të studiuar në të gjitha detajet, të rrahur gjerë e gjatë me nivelet e katedrave të bujqësisë dhe të ekonomisë si dhe ato akademike, në bashkëbisedim edhe me shumë specialistë të afirmuar, që janë të shumtë në këtë vend, katandisi një si biçim programi të hartuar prej pa pikën e vizionit , i cili nis me skemën e rimbursimit të produkteve që jep sot “bujqësia e neveritshme”.
Më e pakta gjë që mund të thuhet është se askush nuk ia ka haberin reformës që bujqësia jonë e ka kaq të nevojshme. Kemi të drejtë të shprehemi kështu sot kur kanë kaluar gjashtë muaj dhe jo vetëm nuk ka nisur reforma, por nga ana e dikasterit, nuk është paraqitur as një projektligj, asnjë amendim ligjor, asnjë nismë që do t`i hapte rrugën konceptimit të reformës në bujqësi. Një reformë e thellë dhe shumë e nevojshme në bujqësi kërkon një pleksje gjeoinstitucionale në vend të përqendrimit në një hapësirë qendrore mjaft të ngushtë (zonat fushore), e cila ndikon negativisht, sikundër ka ndikuar deri tani në këtë katandisje, të zonave periferike të cilat përbëjnë gati shumicën e resursit bujqësor agropodhues. Pra reforma do të përcaktonte saktë bujqësinë e fortë , bujqësinë mesatare dhe atë të dobët, sipas ekosistemeve të njohura dhe të studiuara në imtësi prej shkencës tonë bujqësore.
Skema e deklaruar deri tani, do të përfaqësojë një katrahurë të vërtetë, mes masës së prodhuesve dhe sekserëve të shumtë, që do të mbijnë për t’u vërsulur drejt qendrave të ashtuquajtura “pika grumbullimi të produkteve. Në vend që reforma të marrë në analize tërësinë e problematikave të një bujqësie të fortë, e cila zhvillohet më së miri në zonat fushore, në tokat me pjellori të lartë, ato të drenazhuarat me tubo qeramike definitive dhe që kanë të bollshëm burimet ujore, ajo merret me cikërrima që nuk i shërbejnë konceptit, që në një zonë të bujqësisë së fortë, reforma të parashikojë dhe hartojë ligje të veçanta nëpërmjet të cilave kjo zone t`i ketë të mbrojtura avantazhet, përparësitë, mbështetjet dhe gjithçka që i duhet, për një prodhimtari të qëndrueshme.
Reforma i konsideron të barazvlefshme të gjitha zonat bujqësore, ndërkohë që çdo zonë e tillë ka specifikat e veta. Ndërkohë, ato duhet të trajtohen me ligje specifike, të cilët do të mund të stimulojnë apo t’u mundësojnë sipërmarrësve, përfshirjen në një prodhimtari të suksesshme agroprodhuese.
Jashtë reformës nuk duhen lënë as fshatrat e braktisura, sepse ato kanë goxha sipërfaqe, me kapacitete të larta prodhuese, për të cilat mund të jetë shumë efektiv ribursimi i atyre produkteve që deri sot nuk trajtohen fare. Po kështu, reforma duhet të trajtonte me detaje edhe zonat me bujqësi mesatare dhe ato me bujqësi të dobët, për mundësitë, aftësitë dhe nevojat e rajonizimit të produkteve, të cilat fare mirë, mund të japin efektivitet të lartë financiar, edhe pse me rendiment të vogël. Si ka mundësi që askush nuk shqetësohet që boronicat e Tropojës shkojnë njëherë në Serbi, ku shtrydhen në lëng, dhe më pas vijnë sërish në Shqipëri. Shqetësimi më i madh është nëse kjo skemë rimbursimi do të shkojë drejt fuqizimit të rajoneve agroprodhuese apo drejt individëve të caktuar që nuk prodhojnë.