Shqipëria në fund përjetë

Nga Emin Barçi, botuar në Panorama Online, 8 prill 2014

Para disa ditësh CIA publikoi indikatorët ekonomikë të vitit 2013 për 229 shtete. Në treguesin “fuqi blerëse të barabartë për frymë popullsie (PPP)”, Shqipëria renditet në vendin e 131-të në botë dhe e parafundit në Europë. Ia kalonim vetëm Kosovës!!!

Në fakt, lajmet e publikimit të CIA-s janë:

1) Shqipëria ka humbur garën në Europë dhe qëndron në fund të klasifikimit prej 523 vjetësh.

2) Shqipëria ndihet mirë edhe kështu.

Kur krahasohemi me veten, progresi në këta 23 vjet demokraci dhe ekonomi tregu duken mbresëlënëse. Po aq mbresëlënëse sa krahasimet e regjimit të Enver Hoxhës me atë të Ahmet Zogut. Kur krahasohemi me pjesën tjetër të kontinentit kuptojmë se jemi po ata që kemi qenë 523 vitet e fundit. Kuptojmë se aftësia konkurruese e vendit tonë në këta 23 vjet ka mbetur në vendnumëro. Pse kjo renditje është e papranueshme për një vend si Shqipëria? Sepse askush nuk mund të mohojë disa avantazhe konkurruese të vendit tonë në tregjet rajonale e globale si mosha e re e popullsisë, pasuritë nëntokësore, bregdet të gjatë e të virgjër në pjesën e tij më të madhe, bujqësi të pacenuar ende në shumicën e vet nga mëkatet e modernizmit, fuqi punëtore të lirë etj.

Por Shqipëria nuk ka gjasa të ngjitet në tabelën e klasifikimit sepse shteti, shoqëria dhe sipërmarrja shqiptare nuk e kanë në axhendë të konkurrojnë me malazezët, maqedonasit, boshnjakët, serbët e aq më pak t’u afrohen grekëve.

Publikimi i CIA-s nuk na tha ndonjë gjë të re që ne nuk e dinim këta 6 shekujt e fundit. Ajo që të shqetëson është fakti se lajme të tilla kalojnë si klandestin i trafikuar afrikan në vend që të ndizte sirenat e alarmit, sedrën kombëtare, debatin dhe idetë, konkurrencën dhe bashkëpunimin për qeverisjen dhe klasën politike, për sipërmarrjen, botën akademike, shoqërinë civile, sindikatat, grupet e interesit etj.

Dhe kjo ndodh sepse shteti, shoqëria dhe sipërmarrja shqiptare i janë dorëzuar fatit të humbësit, të dështakut. Ka teori që thonë se elitës sonë kombëtare gjithnjë i ka interesuar një shtet dhe komb i varfër sepse mbi të e kanë pasur të lehtë të krijojnë pushtet dhe pasuri. Dhe fatkeqësisht për këtë ka edhe prova të freskëta si mbledhja e fundit e KEK (Këshilli Ekonomik Kombëtar). Sipas njoftimit zyrtar për shtyp, KEK u mor kryesisht me mbrojtjen e marrëveshjes qeveri-FMN. Në përbërje të KEK janë sipërmarrës ndër më përfaqësuesit të ekonomisë kombëtare, menaxherë dhe ekspertë të shquar vendas e të huaj. Ky forum (të paktën publikisht) u përdor nga qeveria për të përballuar debatin publik të radhës.

Edhe anëtarët e KEK, megjithëse disa prej tyre janë multimilionerë, me sa duket më shumë po kurojnë interesat e tyre për të shtuar ato që kanë, sesa të investohen për një mjedis institucional, politik, ekonomik e social më produktiv, më atraktiv dhe më konkurrues.

Asnjë nga shoqatat e sipërmarrjes nuk foli asnjë fjalë pse Shqipëria vazhdon të mbetet e fundit e klasës europiane, ndërsa nuk lodhen së bërtituri për “monopole” që u shkaktojnë rritje të kostove me 0.0001%.

Asnjë koment, tezë për debat apo iniciativë nga universitetet e kioskëzuara që duan ta kenë mirë me qeveritë për të kapur ndonjë financim publik.

Asnjë iniciativë nga shoqëria civile që qëllim të aktivitetit të vet ka përfitimin e fondeve të donatorëve, dhe jo zgjidhjen e problemeve dhe sfidave të vendit.

Aftësia konkurruese e vendit është një tregues që mbledh brenda të gjitha problemet dhe sfidat me të cilat duhet të përballemi; që nga mirëqeverisja e deri tek optimizimi i përdorimit të tokës. Por ne do vazhdojmë të mbetemi në vend të fundit për sa kohë nuk marrim përsipër përgjegjësi dhe njëri-tjetrin e shohim si burimi tek i cili do fitojmë pushtetin apo lekët e radhës. Ne do vazhdojmë të mbetemi të fundit në Europë për sa kohë duam t’ia hedhim njëri-tjetrit në vend që të konkurrojmë duke bashkëpunuar. Ne do ta humbim garën me fqinjët dhe Europën për sa kohë do vazhdojmë të kemi zili dhe model mashtruesit, abuzuesit, trafikantët, dhunuesit etj.

Si rregull, shkrime të tilla mbyllen me zgjidhje që autori duhet të ofrojë për të mos mbetur thjesht kritizer konstatues. Por që të bësh bukë duhet të paktën miell, ndërsa në rastin e Shqipërisë historia e vjetër dhe e re po provon se prevalojnë krundet. Uroj që këtë herë ta kem gabim.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi