Tregu i munguar i teknologjisë

Nga Mikel Qafa, botuar në Shekulli, 24 mars 2014

Në shekullin e 21-të zhvillimet më të reja të teknologjisë na kanë sjellë shumë më pranë ndryshimeve që ndodhin në pjesët e tjera të planetit dhe gjërave të reja që po krijohen e që po i japin tjetër formë planetit dhe mënyrës së jetesës. Populli shqiptar nuk ngelet pas popujve të tjerë në aspektin e njohurive dhe aftësive për t’u integruar me teknologjitë e reja, por problemi qëndron tek fakti se asnjë nga këto shpikje teknologjike nuk kanë patentën e ndonjë kompanie shqiptare. Ishim ndër të parat shtete të Europës që prezantuam teknologjinë “High Definition” të televizioneve, por pas asaj periudhe u vonuam me futjen e tekonologjisë 3D të televizorëve apo 4G të telefonisë celulare. Megjithatë nuk është vetëm Shqipëria që gjendet në këtë pikë; edhe Europa perëndimore e ka ngadalësuar konsiderueshëm hapin e saj në fushën teknologjike. Vendet e Bashkimit Europian tani kanë ngelur në prapavijë krahasuar me zhvillimet teknologjike që po marrin jetë në kontinentin aziatik apo atë të Amerikës së Veriut.

Bashkimi Europian dhe institucionet e tij përkatëse kanë filluar këtë vit që të shpërndajnë dhe të akordojnë fonde me shuma marramendëse për kërkime në fushën e teknologjive të ndryshme. Edhe pse në masë shumë të vogël, qeveria, apo kërkuesit shqiptarë, mund të përfitojnë në një farë mase nga këto fonde. Në vendin tonë ka disa kompani të fuqishme që janë të regjistruara dhe madje kanë edhe patentë për produktet e tyre, por të gjitha këto janë për materiale që nuk përfshihen tek fusha e teknologjisë. Akoma, asnjë shkencëtar apo kërkues që studion në Shqipëri, nuk ka arritur të nxjerrë një patentë për ndonjë produkt. Por as qeveria e tanishme nuk duket të jetë e inkurajuar për të investuar në kërkimet shkencore, sepse për të bërë kërkime në këtë fushë, duhen vite pune dhe kërkimet janë shumë të kushtueshme për taksapaguesit. Kjo do të thotë se frytet e investimeve të qeverisë së tanishme do dilnin në pah pas më tepër se 4 vitesh dhe mbase nuk do t’i vinin në ndihmë qeverisë për të fituar mbështetjen e popullit, sidomos duke marrë parasysh se kërkimet shkencore, edhe pse kërkojnë gjithë atë kohë dhe janë të kushtueshme, mund të realizohen nga një grup i vogël individësh.

Kjo do të thotë se punësimi nuk do ndjente rritje të madhe në fillimin e investimeve, deri sa rezultatet të arrinin fazën për prodhim masiv të produktit, apo të ofrimit të shërbimit. Qeveria shqiptare duhet të përqendrohet më tepër në këtë fushë. Nëpër shkolla mungojnë laboratorët e përshtatshëm për të nxitur edhe studentët më kuriozë për të filluar punën me idetë e tyre individuale. Ndër mënyrat më të mira për të filluar importin e këtyre teknologjive në Shqipëri dhe për të edukuar popullsinë shqiptare mbi këtë industri, do të ishte lehtësimi i kritereve në mënyrë që kompanitë e mëdha teknologjike të afrohen me zyra, apo pse jo edhe me fabrika prodhimi në Shqipëri. Në këtë mënyrë vendi ynë do të ishte në gjendje të krijonte kushtet dhe një forcë punëtore që do të ishte më e aftë dhe trajnimi i këtyre njerëzve do të kryhej nga vetë kompanitë.  Në shumicën e rasteve, universitetet, shtetërore apo private, janë institucionet që prodhojnë dhe bëjnë kërkime në fusha të ndryshme, por kjo nuk ndodh me universitetet shqiptare. Mospërfshirja e Shqipërisë në këtë betejë teknologjike, në të cilën ndodhemi në vendin e fundit në Europë, do i kushtojë shumë më tepër vendit në të ardhmen; do të detyrohemi që gjithçka të zhvilluar ne teknologji ta blejmë nga vendet e tjera. Dhe nëse forca punëtore nuk është e trajnuar, as kompanitë nuk do të jenë të interesuara në tregun shqiptar. Shqipëria nuk ka ndonjë treg të madh përsa i përket shitjes dhe blerjes së mallrave teknologjike, sepse vendi ynë ka në total një popullsi prej veç  3.4 milionë njerëzish, por nëse talenti dhe forca punëtore është e trajnuar, atëherë kjo do të ishte një ftesë për kompanitë e huaja për të investuar apo për të hapur filialet e tyre në vend.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi