Nevojë për reformë, jo për propagandë

Nga Faik  Islami/Ish-bashkëpunëtor shkencor, botuar në Shekulli, 24 mars 2014

Cilido që hedh vështrimin fushave, pllajave dhe më tej, sipërfaqeve me  pyjeve të dikurshme, bindet se në Shqipëri nuk ka më  një bujqësi të mirëfilltë. Nuk ekziston më ajo panoramë që mbajnë mend njerëzit e punëve në atë bujqësi. Bujqësia e mirëfilltë realisht ka vdekur! Në këto vite, pas ndërrimit të sistemit, klasa politike, nuk ka ditur dhe nuk po di të bëjnë bujqësi. Ta ngrenë nga rrënimi pa le më ta shpien në gjendjen ku e gjetën.

Bujqësia me ara copa-copa

Ish-kuadratet e fushave të dikurshme, sot janë ndarë e hapërdarë në copa, gjithë gardhe e gjithë ledhe. E nuk mbaron as me kaq, sepse procesi i copëzimeve vazhdon, për shkak të ndarjes së familjeve. Për shkak të  një mentaliteti fshatar, ku çdo pjesëtar i ndarë prej familjes, e do edhe copën e tokës së tij të veçuar,  sikur edhe lëndinë t’i mbetet, për tërë jetën. Ky është realiteti i sotëm ku kemi rreth gati gjysmë milioni copa tokash arë dhe gjysmë milioni individë-pronarë të këtyre copave. Këta individë, pronarë copash toke, shumë herë edhe pa dokumentet përkatës pronësorë, politika dritëshkurtër na i quan “fermerë”! I quan të tillë, për shkak se zotërojnë atë copë toke. Copat e tokave arë, në fushë apo në kodër qofshin, në pllajë apo në fushat brenda maleve, të  mbjella sipas rasteve, apo të lëna lëndina me vite të tëra pa u mbjellë e pa korrë, vetëm në “Shqipërinë demokratike”, quhen ferma. Këto dy nocione, politika shqiptare e këtyre 23 viteve as i ka kuptuar e sa duket as ka ndërmend t’i marrë vesh ndonjëherë.

Mirëpo tërësia e të gjitha copave të tokave arë, të përfytyruara si e gjithë toka arë e këtij vendi, përbëjnë mbi 413.000 hektarë toka ara. Janë ato, që edhe pse të pakta për frymë popullsie, që përbëjnë mjetin më themelor të asaj që quhet bujqësi. Pra ne kemi katandisur bujqësinë në  një tip bujqësie shqiptare,  në “Bujqësinë e arave copa- copa”.  Qeverisësit tanë të këtyre viteve, me sistemin e ri gjetën të gatshme dhe në gjendje pjellorie maksimale mbi 413.000 ha tokë arë. Gjetën ashtu një tip bujqësie model, bazuar në parametra shkencorë sa i përket shfrytëzimit të tokës arë, gjendjes kullosore, livadheve dhe pyjeve. U mbetej vetëm të bënin kalimin( domosdo me ligj të hekurt) e pronësisë nga pronari shtet tek individët pronarë. U bë dhe ligji që i bënte pronarë individët, por ligji për gjënë më të shenjtë në historinë njerëzore, ligji për pronën mbi tokën, u bë më  i neverituri ndër gjithë ligjet e bëra në këto vite. Do të ishte shumë më mirë një ligj i keq, por i  zbatuar mirë, se sa një ligj që  u neveriti njerëzve shenjtërimin e pronësisë mbi tokën. I futi në sherre dhe ndërgjyqësi pa anë e fund. I futi në krime. Ky është njëri prej krimeve më të mëdha të qeverisjeve në këto vite. Ndaj edhe kemi një bujqësi në amulli  pronësie. Amullia e vazhduar në kaq shumë vite u ka neveritur bujqësinë gjithë fshatarëve.

Megjithëkëtë, edhe sikur ligji në fuqi të ishte  zbatuar plotësisht, prapë toka arë e copëzuar në kaq pronarë nuk ofron aspak kalimin në ferma. Për pasojë as edhe pronari i copës nuk mund të jetë një fermer, sepse copa e tij nuk mund të ofrojë kushtet për prodhim bujqësor modern, bazuar në konceptin e ndërtimit dhe të funksionimit të fermës. Copat e tokave arë, me tendencën për copëzime të mëtejshme, bëjnë të pamundur një marrëveshje të domosdoshme të pronarëve, me synim shfrytëzimin e arritjeve shkencore, shfrytëzimin e të dhënave për sipërfaqet e tokave ara, të futjes së mekanizimit, të mbjelljeve proritare, sipas rekomandimeve që do t’i jepte fermerëve të bashkësisë një njësi e observimit  të tregut të brendshëm dhe atij rajonal. Ky tip bujqësie, me ndarjen në copa të tokës arë, shoqëruar nga këta faktorë negativë mbi prodhimin bujqësor, përbëjnë atë tip bujqësie të cilin fjalori enciklopedik modern e ka emërtuar “Tipi i Bujqësisë së Neveritshme”.

(Studiuesi Karl Vittfogel në librin “Despotizmi Oriental” f.4) Bujqësia shqiptare, sot e gjithë ditën përfaqëson tipin e bujqësisë neveritshme. Kryeministri përdori një tjetër emër për situatën, që atij i kanë parë dhe po i shihnin sytë: e quajti “bujqësia e mbijetesës”! Mirëpo sa dimë nga zhargonet e popullit, me fjalën mbijetesë është kuptuar kufiri i fundit i jetesës,  mbajtja e frymës gjallë, shpëtimi i firomës së fundit. E kur jeta  është në firomën e fundit,  njeriut i neveritet vetë jeta. Nga të mos i neveritej jeta  njeriut fshatar, nga një bujqësi, që e shpuri buzë vdekjes? Që jemi në tipin e bujqësisë së neveritshme na e provoi shkoqur edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë kur pohoi pa ju dridhur qerpiku se “deri më sot, prej të gjithë sistemit tonë bankar(“modern”, sh.im), për çdo 100 lekë të kredituara sektorëve të tjerë të ekonomisë, bujqësisë i janë dhënë vetëm një lekë e gjysmë”. Fiks sa një fletë çamçakëzi e pakos  pesëdhjetë lekëshe! Mbi këtë lloj kreditimi të bujqësisë në tërë këto vite paskan grirë sallatë ekonomistët e shumtë që dëngëlisën miletin me idetë e tyre gjeniale?

Turp që dalin akoma mejdaneve e barballosin, kur bujqësia e vendit të tyre, shpresa e vetme për progres është në gjendje të tillë! Mos do ta nxjerri në dritë , tani e tutje, shifra prej 4  milionë euro  si donacion i Komunitetit Europian që reklamon Ministria e Bujqësisë, shtuar kjo shumë edhe me dy milionë euro të kësaj qeverie? Asnjëherë! Nga një lek e gjysmë do t`i bëhen dy  lekë! Haber i madh, doli në selamet bujqësia! Rilindi se iu bënë dy lekë më shumë nga  sot e tutje! Ka ardhur momenti që këtë dramë ta shprehim me zë në kupë të qiellit. E jo thjesht vetëm ta tregojmë me gisht këtë të vërtetë të madhe, por t’i biem kambanës së alarmit se nuk po shohim nisje rruge për një rilindje të bujqësisë. Ndryshe me sapo shohim, kur nuk diskutohet reforma, por forma, për mballosje të  tipit të bujqësisë së neveritshme,  do të kemi edhe më tej, jo më “Rilindjen”, por rivarrim të shpresës! Jemi në këtë udhë, kur nuk po shohim të nisë reforma rrënjësore në bujqësi. Reformë do të thotë ligj. Ligj që nxit sipërmarrjen në bujqësi.  Ligji më i parë i reformës së nevojshme do të ishte ligji, që detyron pronarin ta mbjellë copën e tokës, në të kundërtën atij i hiqet pronësia.

Atëherë çfarë do të  ndodhë? Ai që nuk e punon, për shumë arsye, do detyrohet t`ia  japë me qera atij që do të marrë përsipër të mbjellë, të futet  për të përfituar në sektorin e bujqësisë. Kështu lindin të ashtuquajturit sipërmarrës. Sipërmarrësit e prodhimit, sipërmarrësit e transportimeve dhe sipërmarrësit e tregtimit të produkteve bujqësore- këtë sistem sipërmarrësish, reforma e trajton si një tërësi unike. Sipërmarrësit nuk krijohen nga dëshira por nga objektivi i sigurt, nga pasioni dhe mbështetja e shtetit. Mund të kemi  shumë pak sipërmarrës, sepse shteti  nuk ka asnjë formulim të ligjshëm, për këtë kategori individësh, rolin e tyre, të drejtat dhe detyrimet, mbrojtjen e tyre, masat proteksioniste për produktet bujqësore që do të garantonin sipërmarrësit. Vetëm mbi këtë bazë individët do të guxonin të futeshin në këtë fushë. Sipërmarrja dhe sipërmarrësit në bujqësi  “lindin” vetëm nga një reformë e thellë për bujqësinë.

Reforma do të duhet të trajtojë me ligj mirë dhe në mënyrën e gjithanshme sipërmarrjen  e një bujqësie të diferencuar, të bujqësisë së fortë, në tokat fushore me kapacitet të lartë, për ato të zonave kodrinore me bujqësi të dobët, ku do të duhet stimulimi prej shtetit i prodhimit të tyre, për prodhimet  nga fushat në zonat malore. Reforma që pret bujqësia jonë nuk ka nisur fare në tërë këto vite dhe as që ka hedhur ndonjë hap në këto  6 muaj qeverisjeje. Dhe më e keqja është se nuk dinë të bëjnë reformën. Kur ministri i Bujqësisë u tregon fshatarëve tanë se si kripa e tretur në ujë me një reagent kimik u ndaka në natrium dhe në klor, kjo nuk e ringjall bujqësinë, por e zhyt më tej. Të caktosh  kontroll laboratorik mbi produktet e një bujqësie si kjo jona, e bën të neveritshme skemën korruptive të sistemeve, nga  ku dalin letra me vula “pastërtie” të gjërave të ndyra. Mundet të kemi problem nga produkte që bujqësia e neveritshme hedh në këtë mavri treg, por nuk fillon andej reforma. Reformat nisin nga rrënjët.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi