Një strategji për vetë Strategjinë e Sigurisë

Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shqiptarja.com, 14 mars 2014

Mbledhja dhe sidomos tematika e fundit e Këshillit të Sigurimit Kombëtar për nisjen e punës institucionale për dokumentin e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare (SSK) përbën një reflektim pozitiv nga gabimet e së kaluarës. Prej 2004 Shqipëria nuk ka dokument tjetër të SSK. Në ligjin bazë (pika 84) theksohet se “Kryeministri inicion rishikimin e strategjisë së sigurisë. Strategjia e Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë rishikohet në një periudhë jo më vonë se 3 (tre) vjet nga data e miratimit të saj” Pra, për të qenë një vend me standard formal në çështjet e sigurisë, do të duhej të kishim një dokument të tillë më 2007, 2010 dhe 2013.

Debati që shoqëroi mbledhjen, qoftë për pjesëmarrjen, qoftë në mesazhet mediatike midis kreut të shtetit dhe ministres së mbrojtjes dëshmojnë të kundërtën e mesazhit të parë pozitiv: se kultura institucionale dhe kushtetuese vijon të jetë e brishtë dhe në funksion të politikës së ditës, – diçka që vjen në kontrast të thellë me vetë konceptin e strategjisë së sigurisë dhe me pritshmëritë prej saj.

Shqipëria mund të ketë luks të bëjë politikë ditore me postin e ndonjë kryetari qarku, me shënimet në FB të politikanëve, me ngjyrat e ndërtesave apo me fotot e politikanëve, me replika shkarkimesh apo histori me furgonë, por një shtet serioz anëtar në NATO dhe aspirant për në BE nuk mund të ketë luksin, hapësirën dhe as kohën ta trajtojë si politikë të ditës edhe interesin strategjik, siç janë konceptet e sigurisë kombëtare. Kur flitet për sovranitetin, mbrojtjen, pavarësinë, integritetin, jetën, pasurinë, zhvillimin ekonomik e demokratik, dinjitetin dhe vlerat, si dhe procesin e integrimit euroatlantik nuk ka shumë hapësirë për intepretime dhe as lojë fjalësh sipas flamujve të shumtë partiakë që ngrihen dhe zbresin me rotacion nga pushteti.

Në këtë pikëpamje sfida për një SSK të re, të plotë dhe integrale përbën një nevojë politike, një detyrim ligjor, një standard i shtetit funksional dhe një tregues cilësor i pjekurisë politike. Tryeza e Presidentit e hapi këtë proces në nivelin më të lartë, ajo e kryeministrit do bëjë punën kryesore dhe në fund, parlamenti do të duhet të marrë një vendim institucional. Deri atëherë ka kohë, por jo kohë për tu humbur. SSK nuk mund të jetë (siç ka qenë) një bashkim termash të kopjuara nga modelet e vendeve të tjera, pa ndonjë domethënie të veçantë dhe pa ndonjë tregues efektiv për problematikën shqiptare.

SSK nuk mund të injorojë sfida e çështje që tejkalojnë terminologjitë e ditës, për të cilat ekzistojnë mite dhe autocensurë për ti bërë publike, nuk mund të jetë produkt i vetëm disa ekspertëve ushtarakë, diplomatik apo civilë, por meriton të jetë një produkt  shumë më cilësor, më përfaqësues, më i konsultuar dhe më praktik. Rreziqet dhe kërcënimet e reja përfshijnë zhvillime teknologjike e sociale, të cilat përpara një dekade nuk njiheshin dhe për të cilat Shqipëria de facto ende është e papërgatitur. SSK nuk mund tu imponohet qytetarëve vetëm si bashkim konceptesh në fushën e mbrojtjes, sigurisë, ekonomisë apo diplomacisë, por duhet të trajtojë çështje që të përfaqësojë sfidat më të mëdha të shtetit dhe shoqërisë, interesat më të qëndrueshme qytetare e shtetërore, jo atë çfarë Shqipëria është, por shumë më tepër, – atë çfarë Shqipëria duhet të jetë dhe mund të jetë.

Natyrisht që me një sjellje serioze dhe institucionale këto pritshmëri mund të përmbushen. Të paktën me fjalë, me akte simbolike, me veprime e vendime institucionale. Ato përbëjnë njërën anë të çështjes, ana tjetër më thelbësore mbetet zbatimi praktik i angazhimeve që shpreh SSK. Nëse analizojmë dokumentin e SSK 2004 dhe zbatimin e saj konkret diferenca është e madhe, pavarësisht se vendi u qeveris nga e majta ose e djathta. Pjesa më e madhe e angazhimeve nuk u zbatuan dhe vetë fakti se pak ditë përpara pranimit në NATO kupola e ushtrisë ishte e shkarkuar me të drejtë për shkak të Gërdecit, është një simbolikë domethënëse.

Siç janë shembuj domethënës praktikat e partisë shtet në vite, personalizimi i institucioneve, problemet me zgjedhjet, korrupsioni i lartë kryesisht politik, sistemi gjysmak gjyqësor, sistemi piramidal i arsimit e shëndetësisë, gropa e madhe ekonomike dhe ajo sociale, humbjet në favor të klientelave politike të pasurive kombëtare, apo vetë procesi i mungesës së demokratizimit real të partive dhe institucioneve përfaqësuese.

Nisur nga ky bilanc Shqipëria ka nevojë të dëshmojë një sjellje tjetër ndaj SSK dhe sfidave reale të saj. Nuk ka vlerë angazhimi për shtet funksional nëse në realitet bëjnë shtet partiak me rotacion, nëse institucionet personalizohen dhe kontrollohen, nëse fjala publike nuk dëgjohet, nëse qytetarët nuk pyetën dhe oligarkia politike/ekonomike arrin konsensus formal në tryezën e presidentit apo në votimin final në parlament.

Nëse palët duan që Shqipëria të jetë vend serioz dhe shteti të bëhet funksional në shtratin e tij kushtetues edhe në vlerat e tij demokratike do të duhet që secili institucion të reflektojnë, fillimisht përmes një analize se çfarë ka ndodhur me çështjet e sigurisë midis viteve 2004-2014, së dyti se cilat janë problematikat korrekte dhe më kryesorja, cilat janë pritshmëritë e ardhshme dhe burimet për arritjen e tyre. Vetë Këshilli i Sigurimit meriton një pozicion tjetër kushtetues dhe funksional, sipas praktikave të vendeve të tjera. Ai sot ka vlerë simbolike dhe askush nuk është përgjegjës për (mos)funksionimin e tij. Projekti i Shqipërisë së nesërme, si shtet dhe shoqëri, kërkon partneritet aktiv dhe konsultim permanent me SHBA dhe NATO, me BE dhe natyrisht edhe me shtetin shqiptar të Kosovës, me shqiptarët në rajon, – diçka që aktualisht nuk ndodh.

Brenda vendit, raportet e qeverive me shërbimin sekret, diplomacinë, forcat e armatosura, institucionet financiare, etj, gjithashtu janë të brishta, të bazuara në interesa të ditës dhe projekte thellësisht partiake, – diçka tipike për vitet e para të tranzicionit, por të papranueshme në stadin e kandidimit për anëtar në BE. Raporti i politikës vendimmarrëse me ligjin dhe qytetarët është i njëanshëm, – ajo vetëm merr, nuk jep llogari, nuk krijon rrethana për drejtësi të barabartë dhe nuk ka sens përgjegjësie.

Në demokraci politika promovon kulturë shtetërore dhe shërben ndaj qytetarëve, në modelin tonë parademokratik politika i imponon shtetit e qytetarit shërbim pa kushte ndaj politikës. Institucionet që duhet të jenë më pak të politizuara, siç janë policia, ushtria, shërbimi sekret, media, arsimi, shëndetësia, entet publike të shërbimit, pushteti vendor dhe administrata, – në vend që të jenë më pak partiake/politike në sjellje, deklarime, gjykime dhe rekrutime, – vijojnë të bëjnë të kundërtën, – diçka që kërkon ndryshim rrënjësor nëse vërtetë palët duan që ky vend të mos ketë një SSK të shprehur formalisht në 20-22 faqe, por të ketë një shans e vullnet minimal për aplikimin real të saj.

Së fundi, ekzistojnë çështje themelore për cilat publiku duhet të pyetet e të dëgjohet. Duhet një strategji për jetësimin real të vetë SSK-së. Dhe të tilla ka, janë të thjeshta dhe mjafton të lexohen e pranohen. P.sh, le tu lëmë qytetarëve të vendosin nëse duan ta zgjidhin vetë Presidentin dhe deputetin, nëse duan që asetet publike të mbeten publike, nëse duan të kenë marrëdhënie strategjike me fqinjët apo ndonjë vend të preferuar të politikanëve të radhës në pushtet, nëse duan Kushtetutë të re apo sistem të ri shëndetësor, social e arsimor; nëse fatet e vendit të imponohen nga oligarkia konsensuale apo nga qytetarët me sovranitet kushtetues, nëse gjysmën e banorëve emigrantë do i trajtojmë si të huaj apo si pjesë të vendimmarrjes politike, nëse do vijojmë të shohim nga lindja e largët apo nga perëndimi modern, nëse duam të ndahemi me dinjitet me të kaluarën, nëse duam një shtet laik në harmoni fetare apo shtet nën kërcënim të çdo rryme periferike fetare, nëse duam të forcojmë identitetin kombëtar  apo nëse duam të kemi një sistem funksional e transparent drejtësie, ekonomike dhe demokracie.

Janë një listë e gjatë sfidash e sjelljesh, për të cilat qytetari aktual shqiptar nuk pyetet, nuk mund të shprehet dhe që përbëjnë sfidat reale të SSK sot, nesër, tre vitet e ardhshme dhe me siguri edhe tre ose më shumë dekadat e ardhshme.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi