Marrëveshja e Bashkëpunimit Shqipëri – Kosovë

Fjala e zv/ministres së MZHETS Brunilda Paskali në   Konferencën e CuriaWeb

Të nderuar pjesëmarrës,

Më lejoni në radhë të parë të falenderoj organizatorët e konferencës për organizimin e këtij eventi që ka një rëndësi politike, ekonomike dhe shoqërore, dhe i cili i shërben  forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.

Ky event është një shembull tjeter i konkretizimit të partneritetit ndërmjet dy vendeve tona, iniciuar nga shoqëria civile dhe bota akademike e te dy vendeve, nje event qe do të shërbeje si nxitje e mëtejshme në procesin e integrimit të Shqiperise e Kosoves në nismat rajonale dhe të integrimit Euro-Atlantik.

Integrimi dhe bashkëpunimi rajonal është një proces që forcon lidhjet rajonale mes ekonomive kombëtare. Bashkëpunimi rajonal luan rol kyç në përshpejtimin e rritjes ekonomike, rritjen e produktivitetit dhe punësimit, si edhe në forcimin e institucioneve.

Përvoja e deritanishme ka treguar se rruga më e efektshme dhe e shpejtë e një vendi për rritje ekonomike dhe zhvillim të qëndrueshem, është rruga e liberalizimit të tregtisë në të gjitha aspektet e saj, nëpërmjet lehtësimit të barrierave tarifore, dhe jo-tarifore, ulja e subvencioneve që shtrembërojne tregtinë, lehtësimin e procedurave të licensimit të aktiviteteve tregtare, dhe respektimit me rigorozitet i disiplinave të Marrëveshjeve së OBT-së.

Shqiperia ka tashmë në zbatim marreveshje të tregtisë se lirë me Bashkimin Evropian (pjesë e marreveshjes së stabilizim asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë), vendet e Evropës Juglindore (CEFTA 2006), vendet EFTA dhe Turqinë.

Kosova nga ana tjetër, është pjesë e CEFTA, është në procesin e negociatave tregtare me Bashkimin Evropian, ndërkohë që ka përfunduar negociatat me Turqinë.Procesi i Stabilizim-Asociimit mbetet struktura për udhën drejt Evropës, per vendet e Ballkanit Perëndimor.

Shpreh bindjen se intensifikimi i mëtejshem i marrëdhënieve midis Shqiperisë dhe Kosovës eshte jo vetem në përfitim të dy vendeve tona dhe qytetarëve tanë, por edhe një kontribut i rëndësishëm për stabilitetin ekonomik në rajon, duke provuar vlerën e secilës ekonomi në sjelljen e rajonit si një treg i përbashkët.

Shqipëria dhe Kosova kanë krijuar zonën e tregtisë së lirë ne kuadër të marrëveshjes së CEFTA-s duke qenë i vetmi vend me të cilën tregtia bilaterale është pa tarifa doganore që nga viti 2007. Si pjesë e politikave dypalëshe të hapjes dhe tregtisë pa barriera, ajo  dha rezultatet e veta dhe ka bërë që Kosova të bëhet partneri i dytë tregtar më i rëndësishëm në eksporte që nga viti 2010, vend i cili ka qene tradicionalisht i Greqisë.

Shkëmbimet tregtare me Kosovën janë karakterizuar në përgjithësi nga rritja e vazhdueshme nga viti ne vit, sidomos nga rritja e eksportit. Në vitin 2006 volumi tregtar me Kosovën ka qenë në vleren e 35.2 milion euro, ku eksporti zinte vlerën e 23.8 milion euro edhe importi vlerën e 11.4 milion euro.

Vlen për t’u përmendur viti 2010, ku volumi tregtar arriti vlerën e 98.4 milion euro, ku eksporti zë vlerën e 70.8 milion euro edhe importi në vlerën e 27.6 milion euro.

Sot kemi nje volum tregtar prej 160.5 milion Euro, nderkohe qe në vitin 2012 eksporti me Kosovën zuri 8% të eksporteve me Shqipërine  dhe 67% të eksportit në CEFTA.

Gjatë 10 mujorit të vitit 2013, volumi i shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve është rritur me avantazh për Kosovën. Importet janë rritur me 26% ndaj së njëjtës periudhë të vitit 2012 ndërsa eksportet janë rritur me 3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2012.

Politikat ekonomike të zhvillimit të ndërmarra nga qeveria shqiptare janë të orientuara drejt hapjes së tregjeve Rajonale dhe Evropiane duke synuar gjithnjë e më shumë arritjen e normave dhe standarteve të tregut ndërkombëtar.Politikat tona gjithmonë e më shumë po fokusohen në krijimin e një klime të përshtatshme për zhvillimin e bisnesit, të krijimit të lehtësirave tregtare, në qëndrueshmërinë e treguesve makoroekonomike dhe reformave të tjera ligjore e administrative.

Pjesmarrja e Shqipërisë dhe Kosovës në nismat e Evropes Juglindore dhe vecanërisht në Vendet e Ballkanit Perëndimor, krijon gjithnjë e më shumë hapësira dhe mundësi të reja bashkëpunimi në planin dypalësh dhe rajonal. Gjithashtu ekzistojnë hapësira për të nxitur zhvillimin e projekteve në fushën e sektorit privat, vecanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, në përmirësimin e infrastrukturës së bisnesit si dhe në zhvillimet ekonomike lokale, duke nxitur më shumë suportin  e institucioneve  financiare ndërkombëtare si Banka Botërore, BERZH, etj.

Është shumë e rëndësishme dhe e ndiejme shumë të nevojshme që të bashkërendojmë gjithnjë e më mirë qëndrimet dhe propozimet me interes reciprok.Hartimi i një platforme të përbashkët qeveritare për bashkëpunimin ekonomik e tregtar, do të shërbeje për integrimin dhe bashkëpunimin ekonomik të ndërsjellte midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe do të ishte një hap më shumë drejt integrimit të të dy ekonomive tona edhe pse në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian, Shqipëria dhe Kosova në mënyrë të paevitueshme shkojnë drejt një tregu të përbashkët.

Nënshkrimi në Prizren i marrëveshjes për Bashkëpunimin në Nxitjen dhe Lehtësimin e Tregtisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, shënon një hap përpara i cili do të shërbejë në lehtësimin e tranzitit të mallrave, eliminimin e barrierave jo- tarifore si dhe pengesave të tjera administrative që përbëjne një shqetësim për tregtinë dypalëshe.

Kjo marrëveshje është e fokusur gjithashtu për harmonizimin gradual të legjislacionit dhe standarteve të dy vendeve, në fushen e sigurise së produkteve ushqimore dhe jo ushqimore, shëndetit të bimeve, për masat mbrojtese në importe, antidumping si dhe në fushen e pronësise intelektuale.

Marrëveshja parashikon krijimin e mekanizmave të informimit dhe lajmërimit reciprok për produktet që nuk plotesojnë kërkesat e sigurisë dhe të legjislacionit të pronësisë intelektuale.

Zhvillimi, përmirësimi i sistemit të deklarimit në doganë si dhe thjeshtëzimi i procedurave të tranzitit janë disa nga fushat e bashkëpunimit që jane pjesë e kesaj marrëveshje.

Do dëshiroja të theksoja se Marrëveshja e Bashkëpunimit në Nxitjen dhe Lehtësimin e Tregtisë ndërmjet Republikës së Shqiperisë dhe Republikës së Kosovës do të shërbeje gjithashtu edhe për harmonizimin dhe standartizimin e të dhënave duke përfshire dokumentacionet dhe formatet respektive me qellim  shkëmbimin e tyre ndërmjet Doganave dhe Institucioneve ndërmjet dy vendeve tona.

Eshtë shumë e rëndësishme për të dy vëndet që të bëhet reduktimi i kohës së kalimit në kufi duke bërë eliminimin e barrierave të panevojshme teknike në tregti për produktet jo ushqimore si dhe duke reduktuar kohen e ekzaminimeve fizike të ngarkesave të import/eksportit.

Për zbatimin sa më efikas të kësaj marrëveshje, do të krijohen grupe pune të përbashkëta që do të identifikojne barrierat tregtare jo –tarifore, të cilët do të propozojnë masa për eliminimin e tyre në afatet kohore të përcaktuara.

Nga ana tjeter, konsultimi i vazhdueshëm me komunitetin e bisnesit në lidhje me masat e përbashkëta për eliminimin e pengesave në tregtinë midis dy vendeve tona, do të jetë në fokusin e vazhdueshëm të punës së Qeverisë Shqiptare, dhe në vecanti të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.

Duke mbyllur kete fjale, deshiroj te shpreh bindjen time, se zhvillimi i kësaj konference do të shërbejë si një nxitje e mëtejshme për të konkretizuar projekte të reja bashkëpunimi me Kosovën kryesisht dhe me te gjitha vendet e tjera te rajonit.

Ju faleminderit

 

 

 

 

 

 

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi