Partneriteti Strategjik: Një model për bashkëpunim rajonal

Nga Ditmir Bushati, Enver Hoxhaj, botuar në Shqiptarja.com, 14 janar 2014

Viti 2014 përkon me pritshmëritë e dëshiruara dhe destinacionet tona të përbashkëta. Shqipëria dhe Kosova kanë kaluar nëpër një rrugë të mundimshme dhe me takimin e Prizrenit po jetësojnë vullnetin, dëshirën dhe angazhimin e shumë brezave për t’i dhënë udhë projekteve të përbashkëta me karakter strategjik dhe afatgjatë. Prizreni për ne simbolizon pikëtakimin e përpjekjeve të gjata historike e shtetëformuese dhe qytetin e bashkëjetesës fetare dhe etnike.
Duke vlerësuar rëndësinë unikale të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes dy shteteve tona, më 11 janar, u mbajt mbledhja e parë e përbashkët e dy qeverive. Kjo dëshmon orientimin euro-atlantik të dy  shteteve tona dhe nevojën e adresimit të çështjeve të përbashkëta në mënyrë më të sinkronizuar. Kjo formë e re bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Kosovës është strategjike për ne, stabilizuese për rajonin dhe orientuese për të ardhmen tonë të përbashkët Evropiane.

Shqipëria dhe Kosova nëpërmjet avancimit të ndërmarrjeve të përbashkëta japin kontribut të drejtpërdrejtë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal. E në të njëjtën kohë, shtetet tona do të shërbejnë si promotorë të evropianizimit të mëtejshëm të rajonit tonë.

Në këtë kuptim, me aktin e firmosjes së Deklaratës së Përbashkët për Bashkëpunim dhe Partneritet Strategjik nga kryeministrat Edi Rama dhe Hashim Thaçi, u materializua angazhimi i ndërsjellë dhe afatgjatë për shndërrimin e marrëdhënieve tona bilaterale në një model të ri, në përputhje me praktikat e konsoliduara ne rajon dhe më gjerë.

Mbledhja e parë e përbashkët e dy qeverive që vizatoi linjat drejtuese të bashkëpunimit kapilar në fusha të ndryshme si, politika e jashtme dhe siguria, drejtësia, ekonomia, energjia dhe transporti, arsimi dhe kultura, dha produktet e saj konkrete në formën e marrëveshjeve që u nënshkruan. Marrëveshje të cilat përgatisin ankorimin e vendeve tona në rrjedhat evropiane.

Natyrisht, të gjitha këto politika janë në funksion të përmirësimit të jetës së përditshme të qytetarëve tanë, të jetës së përditshme në dy shtetet tona, në funksion të gjeneratave të tjera dhe në përputhje me objektivin e përbashkët të dy shteteve shqiptare për t’u bërë pjesë e BE-së.

Realizimi i projekteve strategjike të infrastrukturës, përpjekjet për degëzimin e gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) ne Kosovë, dhe ndërtimi i autostradës energjetike do të krijojnë një shtysë të re për zhvillimin ekonomik e social.

Modeli i bashkëpunimit dhe dialogut të strukturuar midis shteteve të Beneluksit, na dëshmon se kemi hedhur hapat e duhur në rrugëtimin tonë drejt BE-së. Ky model do të shërbejë jo vetëm për një bashkëpunim midis dy vendeve tona, por edhe si frymëzim për bashkëpunimin me vendet e tjera të rajonit.

Dialogu i strukturuar i zë vendin këtej e tutje modelit të munguar për një kohë të gjatë. Dialogu ynë nuk lë jashtë vëmendjes asnjë bashkëqytetar. Dhe ata që nuk ishin fizikisht të pranishëm, bënin pjesë në temën e marrëveshjeve.

Sot është me rëndësi të kujtojmë që lirinë e fituar me mund ndër shekuj falë mbështetjes së plotë të partnerëve tanë strategjikë SHBA-ve dhe BE-së, ta kthejmë në energji pozitive dhe t’i krijojmë mundësinë qytetarëve tanë të ndërtojnë politika dhe të jetësojnë instrumente që në fund të ditës të përkthehen në një përmirësim të standardeve te jetesës. Jemi të bindur se kemi shënjuar se çdo të vijë më pas. Ky është vetëm fillimi i një kapitulli të ri.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi