Diplomacia publike shqiptare dhe imazhi i vendit
Nga Tonin Gjuraj, botuar në Mapo Online, 28 dhjetor 2013
Diplomacia është në thelb një aktivitet politik dhe ingredient pushteti. Kësisoj, ajo është çelësi i suksesit për imazhin e një vendi. Një prej sfidave të diplomacisë shqiptare gjatë viteve të tranzicionit, krahas hapjes dhe demokratizimit të shërbimit të saj, ishte korrektimi i keqkuptimeve apo moskuptimeve të ndryshme, që lidheshin kryesisht me të kaluarën e vendit tonë, si pasojë e vetizolimit të tij dhe ndikimit të ideologjisë komuniste, duke shprehur kështu nevojën për një diplomaci ndryshe. Në fakt, fytyra e vërtetë e diplomacisë tradicionale është diplomacia publike e një vendi, duke patur si qëllim kryesor të tranzicionit krijimin e mundësive për të siguruar objektivat e politikës së jashtme: të promovojë interesat kombëtare dhe sigurinë kombëtare të vendit përmes mirëkuptimit, informimit dhe ndikimit mbi audiencat e huaja. Kjo ndodhi pas hapjes së vendit, duke shmangur propagandën, e cila kishte karakterizuar (anti)diplomacinë shqiptare të para viteve ‘90.
Nisur nga premisa e Shqipërisë, si një vend me imazh e reputacion negativ dhe një mjedis aspak favorizues për të tjerët, dimensioni ndoshta më i rëndësishëm i diplomacisë publike shqiptare gjatë tranzicionit ishte komunikimi i pikëpamjeve tona lidhur me shumë çështje të brendshme, rajonale e më gjerë, kërkimi i fushave ku mund të gjendeshin kauza të përbashkëta me vende të tjera, si dhe ndërtimi i marrëdhënieve me këto vende, duke kuptuar nevojat dhe kulturat e tyre. Megjithatë, diplomacia publike shqiptare pati vështirësi të përqendrohej në një narracion të vetëm kombëtar, që është integrimi europian, duke përzier shpeshherë ide e mesazhe që, në vend t’i bashkonin lojtarët e ndryshëm diplomatikë në favorin tonë, i konfuzonin ose i mërzitnin ata. Pavarësisht hapjes së vendit dhe fillimit të përmirësimit të imazhit të tij në sytë e qeverive të ndryshme të huaja, kryesisht atyre perëndimore, vështirë të pranohet se u fitua sfida e ndryshimit të perceptimit që kishte opinioni publik i këtyre vendeve për Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare. Informimi dhe bindja e opinionit publik të huaj nuk kishte të bënte dhe aq me publikimin dhe mbrojtjen e vlerave universal njerëzore, si: liria, demokracia dhe pluralizmi, por më shumë me politikat dhe sjelljen e qeverisë shqiptare gjatë tranzicionit, qëndrimet dhe sjelljen e publikut shqiptar ndaj këtyre vlerave, që duhej të rezononin dhe të ndiqeshin natyrshëm prej nesh.
Për shembull, sa i takon (mos)marrjes së statusit, duket se këtë herë me të vërtetë Shqipëria ishte viktimë e politikave të brendshme të vendeve që votuan kundër nesh, por përveç kësaj, përtej përpjekjeve të diplomacisë publike shqiptare, imazhi i vendit vijoi të mbetej negativ. Në Holandë, duket të ketë patur ndikim të fortë partia anti-migracion e De Wildeersit, në Britaninë e Madhe, konservatorët gjenden në fushatën për të penguar rumunët e bullgarët të shkojnë në atë vend, pas 1 janarit 2014, kur dhe mbaron moratoriumi që ekzistonte për këtë çështje, kështu që dhënia e statusit kandidat për Shqipërinë, në këtë klimë, mesa duket vetëm do t’i hapte punë kryeministrit Cameron. Njerëzit, në disa prej këtyre vendeve, vështirë se dinë të dallojnë midis statusit dhe anëtarësimit, madje disa as që duan të jenë në BE. Thënë kjo, si dhe duke shtuar mungesën e njohjes për Shqipërinë dhe imazhin e keq të saj, mund të merret me mend përfundimi për shtyrjen e statusit të vendit kandidat. Pra, imazhi vijon të mbetet problem jashtëzakonisht i madh për vendin tonë. Thelbi i shumë gjërave në Shqipëri ka ndryshuar, por imazhi vijon të jetë i njëjtë. Diplomacia publike shqiptare pas viteve ’90 u ndikua nga propaganda, në kuptimin pexhorativ të kësaj fjale, lidhur me aktivitetet informative qeveritare jashtë vendit, në vend që t’u referohej aktiviteteve dhe programeve të ndërtuara posaçërisht për të komunikuar mesazhe për audiencën e jashtme, jo thjesht qeverive të vendeve të huaja.
Historitë e brendshme kanë patur në fakt impakt tek të tjerët dhe kjo ka ndodhur me Shqipërinë, për arsye të izolimit të gjatë dhe mënyrës së zhvillimit të tranzicionit, kështu që adresimi i mesazheve drejt audiencave joqeveritare, masave dhe elitave të vendeve pritëse, kanë ndikuar në imazhin e vendit. Po ashtu, mungesa e një rrjeti të gjerë korrespondentësh nga një rajon në tjetrin vonoi procesin e menaxhimit sa më të mirë dhe të shpejtë të lajmeve, që përbën një prej dimensioneve bazë të diplomacisë publike. Përveç kësaj, munguan edhe komunikimet strategjike, që kanë të bëjnë me dhënien e mesazheve strategjike për Shqipërinë, për shembull: në turizëm, investime, marrëdhënie kulturore, tregti, lehtësira fiskale, ekonomi etj. Shumëfishimi i mesazheve nga ngjarje që konsiderohen pozitive për vendin dhe që ndryshojnë perceptimet për të, veçanërisht pas vitit 1990, ndikojnë në opinionin publik të vendeve të huaja.
Shqipëria nuk ka kapacitete të shtojë pafund, në letër, misione jashtë, por së pari, duhet të forcojë ato ekzistuese, duke rritur profesionalizmin e diplomatëve dhe përzgjedhjen e merituar dhe, së dyti, duke shtuar numrin e atyre diplomatëve që merren me diplomaci publike dhe ekonomike. Mbyllja e paralajmëruar e disa ambasadave dhe konsullatave mund të shoqërohet me hapjen apo rishpërndarjen e tyre në funksion të shtimit të posteve diplomatike drejt ekonomisë dhe vendeve me tregje aktive, duke përqendruar pjesën më të madhe të aktivitetit të misioneve tona jashtë, kryesisht në çështje ekonomike dhe kulturore. Kjo diktohet, së pari, prej ndryshimeve të shumta të shkaktuara nga procesi i globalizimit ekonomik e financiar sot në botë dhe, së dyti, nga fuqia periferike e Shqipërisë në çështjet apo politikën globale. Kështu që, do të ishte më realiste që Shqipëria të përqendrohej fort në këtë lloj diplomacie, pasi është më e lehtë për t’u vënë në lëvizje dhe i shërben drejtpërsëdrejti interesave të saj. Edhe debatet e sotme janë përqendruar kryesisht në të ardhmen e diplomacisë kulturore dhe ekonomike, nisur nga fakti se ekonomia dhe kultura përbëjnë elementë të rëndësishëm të politikës dhe marrëdhënieve ndërshtetërore.
Përqendrimi tek diplomacia publike dhe ekonomike lidhet edhe me demokratizimin e informacionit në kohën e sotme, i cili solli në skenë median e re dhe teknologjinë e informacionit. Ky zhvillim i ri ka fuqizuar aktorët joshtetërorë, rolin dhe legjitimitetin e tyre në politikën ndërkombëtare, me rrjete dhe aktorë të shumëfishtë. Diplomacia publike nuk mund të jetë më tej e qendërzuar kryesisht tek shteti, por të përhapet dhe të ndahet me një mjedis gjithnjë e më fluid global dhe kontekste të reja. Në këtë kontekst, lind nevoja për më shumë lidhje e kontakte të diplomacisë publike dhe ekonomike me disiplina akademike, për një komunikim tjetër me historinë tonë, marrëdhëniet ndërkombëtare, median, marrëdhëniet publike, studimet rajonale, politikat ekonomike ndërkombëtare etj.