Shërbimi Informativ dhe Siguria Kombëtare
Nga Sokol Gashi, ish-drejtor Drejtorie në SHIK, botuar në Shekulli Online, 25 dhjetor 2013
Siguria kombëtare tashmë mbetet një ndër objektivat kryesore të çdo shteti. Për vendin tonë ajo ka të bëjë me mbrojtjen e jetës së qytetarëve, garantimin e integritetit territorial, të sovranitetit dhe identitetit kombëtar, mbrojtjen dhe zhvillimin e institucioneve demokratike kushtetuese. Koncepti mbi sigurinë kombëtare ka evoluar që nga Lufta e Dytë Botërore, në ditët e nxehta të “Luftës së ftohtë” dhe ka arritur gjer në ditët tona, kur faktorë të tjerë janë bërë potencial për rrezikun që i kanosen asaj.
Kështu siguria kombëtare e Shqipërisë pas Luftës së Dytë Botërore ishte e përcaktuar nga pozicioni gjeografik dhe fqinjët e saj, nga aleancat e ndryshme të sigurisë, që herë lidheshin e herë prisheshin me organizatat ushtarake të sigurisë kolektive në Europë dhe shtete të tjera jashtë rajonit, gjë e cila ndikoi jo pak edhe në rolin e Shërbimit dhe të vetë shtetit për të ardhmen e tij. Në tërësi koncepti Siguri, pothuajse në të gjitha vendet, ka kuptimin e të qenurit jashtë rreziku nga çdo e papritur dhe aq më tepër Siguria Kombëtare ka të bëjë me mbrojtjen e kombit nga ndonjë sulm apo rrezik, duke mbajtur në gatishmëri forcat dhe duke ruajtur sekretin shtetëror.
Në vendin tonë ky koncept parakupton instrumentet kryesore të forcës së shtetit për të çuar përpara interesat kombëtare, si diplomacia aktive, mirëqenia dhe përparimi ekonomik, forcimi i ligjit dhe aftësia mbrojtëse e vendit. Roli që ka Shërbimi Informativ në përcaktimin e rreziqeve që i vijnë Sigurisë Kombëtare të vendit dhe parandalimit të tyre është mjaft i madh, prandaj duhet t’i jepet mbështetja e nevojshme ligjore dhe strukturore që ta përmbushë një mision të tillë. Tendenca drejt bashkësive integruese politike, ekonomike, ushtarake e epokës së sotme synon dhe dikton edhe parakushtin e krijimit të organizmave të specializuara me tregues real partneriteti të Sigurisë e ruajtjes së integritetit të shteteve.
Në këtë kuadër vlerësohen me seriozitet të gjitha institucionet, por Shërbimi Informativ në veçanti, i përcaktuar me ligj si bartës i tre funksioneve kryesore për: -Grumbullimin e informacioneve në interes të shtetit; Pengimin e veprimtarive që drejtohen kundër shtetit; Aktivitetin e tij kundër çdo subjekti që kërcënon seriozisht interesat e shtetit, është i pazëvendësueshëm me asnjë lloj veprimtarie apo organizate tjetër në llojin e vet.
Vendi ynë vjen pas një periudhe tërësisht të izoluar, ku mbi 60 % e globit konsiderohej si armike. Pas viteve ‘90 shoqëria shqiptare pësoi evoluime të mëdha në të gjitha drejtimet, çfarë u reflektua edhe në përmbajtjen e Shërbimit Informativ, i cili tashmë është një partner i denjë i shumë shërbimeve në Europë dhe më gjerë.
Duhet pranuar fakti se ndihmesa informative në mbështetje të aleatëve në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, veprimtaritë e përbashkëta me shërbimet analoge në zbulimin dhe goditjen e individëve apo bazave të terrorizmit ndërkombëtar, grupeve kriminale me shtrirje në disa vende, parandalimin e krimit të organizuar të tipit mafioz me përmasa ndërkombëtare, kanë rritur autoritetin e këtij institucioni. Rreziqet që i kanosen sot Sigurisë Kombëtare të vendit tonë janë ato që vijnë nga krimi i organizuar, korrupsioni dhe kontrabanda që mund të paralizojnë çdo qelizë të aparatit shtetëror, veprimtaria terroriste dhe ajo e spiunazhit.
Shërbimi Informativ, në funksion të Sigurisë Kombëtare duhet të përmbushë kërkesa që kanë të bëjnë me njohjen e situatës jashtë vendit për shtetet e huaja, të cilat për shkak të afërsisë së tyre gjeografike, apo ndikimit që mund të kenë mbi interesat kombëtare, duhet të jenë të njohura mirë në të gjitha komponentet e tyre dhe jo vetëm në atë ushtarake; ndërsa ato brenda vendit janë kërkesa jo ushtarake të drejtuara kundër sigurimit kombëtar, pavarësisë dhe integritetit, rendit kushtetues të cilat mund të jenë ose jo të lidhura me ato jashtë shtetit. Këto kërcënime përfshijnë spiunazhin, terrorizmin ndërkombëtar, trafikun, përhapjen e armëve, veprimtarinë e krimit të organizuar etj..
Detyra e Shërbimit Informativ, krahasuar me institucionet e tjera është parashikuese, pra vepron dhe operon për të ardhmen, çfarë u krijon mundësi autoriteteve politike për zgjidhjen e disa opsioneve në preferencë nga të tjerat, në raste të kërcënimeve të çfarëdo lloji qofshin ato. Fillimi i viteve ‘90 i solli botës ndryshime të dukshme të panjohura deri më atëherë. Njerëzimi hodhi poshtë zinxhirët e “Luftës së ftohtë”, la pas një gjysmë shekulli mosbesim dhe kundërvënie. Vlerat e përgjithshme njerëzore i kapërcyen kufijtë, fituan të drejtat e qytetarisë atje ku jo shumë kohë më parë mbretëronin plotësisht regjimet totalitare. Si rezultat i realizimit të një mendimi të ri politik u thye “perdja e hekurt” që ndante qytetërimin botëror në dy kampe të cilat i ishin kundërvënë njëri-tjetrit në një përleshje vdekjeprurëse.
Parimet pseudokomuniste që në shumë gjëra provokonin acarimin ndërkombëtar kaluan në gjyqin e historisë. Logjika e paarsyeshme e konfrontimit çdo ditë e më shumë, po pushon së qeni përcaktuese ndërmjet lindjes dhe perëndimit. Po kapërcehet psikoza karakteristike e super militarizmit, gjë që lejoi të bëhen kthesa serioze në fushën e kufizimit dhe të shkurtimit të armatimeve. Parimi i forcës për të garantuar sigurimin, gjithnjë e më shumë po mbetet prapa, duke i lënë vendin kryesisht mjeteve paqësore, dialogut diplomatik, arritjes së marrëveshjeve të arsyeshme për të gjitha çështjet në konflikt si dhe masave për forcimin e besimit.
Tendencat e viteve të fundit, në masën se ato bëhen të pakthyeshme, duhet të ndikojnë padyshim edhe në shërbimet informative. Tashmë janë krijuar kushtet që nga veprimtaria e orientuar drejtpërdrejt kundër njëri-tjetrit për destabilizimin e gjendjes në zonat e influencës së kundërshtarit të kalohet në bashkëpunim dhe në veprim të ndërsjellë për të siguruar stabilitetin. Sigurisht sado të thella të jenë ndryshimet në marrëdhëniet ndërmjet lindjes dhe perëndimit, ndërmjet veriut dhe jugut, është e vështirë të presësh që brenda një kohe të shkurtër shërbimet informative të bëhen të panevojshme.
Por është e qartë se këto shërbime duhet të veprojnë, jo vetëm nën një kontroll demokratik, por të ndihmojnë edhe në rritjen e besimit ndërmjet popujve dhe qeverive; jo të dizinformojnë dhe të nxisin konfrontime. Ide të tilla mund të realizohen vetëm në raste se ekzistojnë garanci të mjaftueshme ndërkombëtare dhe të brendshme për zhvillimin demokratik, për zbatimin e politikës së çarmatimit dhe për të hequr dorë nga përdorimi i forcës në zgjidhjen e çdo konflikti. Rreziku i veçantë i veprimtarisë së mafies së narkotikëve e veprimtarisë terroriste, si dhe gjithë praktika botërore e luftës kundër tyre, tregojnë se mund të jenë të efektshme vetëm masat komplekse mbarëkombëtare dhe ndërkombëtare.
Në këtë kuadër është i domosdoshëm bashkëveprimi me shërbimet e huaja për këmbimin e informacionit, për problematikat që u interesojnë njëri-tjetrit, kryerjen e operacioneve të përbashkëta, përgatitjen dhe kualifikimin e mëtejshëm të specialistëve dhe ndihmë të ndërsjellë teknike. Bashkëpunimi ndërkombëtar i shërbimeve informative është i domosdoshëm edhe për të zgjidhur nyjet e shumta të kontradiktave ndërshtetërore të krijuara në vitet e luftës së ftohtë dhe me ndihmën e tyre, për të pastruar gërmadhat që pengojnë rritjen e mirëbesimit ndërmjet popujve dhe që i pengojnë njerëzit e vendeve të ndryshme të shohin ndershmërisht njëri-tjetrin në sy.
Tani që shkrijnë akujt e luftës së ftohtë, këto gërmadha duken veçanërisht të shëmtuara. Gjëja më e keqe për Shërbimin Informativ është zvarritja e riorganizimit të tij dhe amullia e tmerrshme lidhur me përcaktimet për të ardhmen që paralizon në kuptimin e plotë të fjalës veprimtarinë e tij. Nuk duhet që herë pas here t’i shpallësh luftë kriminalitetit, sepse ka ardhur koha që të fillosh luftën kundër tij. Kjo punë nuk bëhet me fushata, por gjithmonë dhe e vazhdueshme, duke e intensifikuar sa herë ajo bëhet kërcënim serioz për sigurinë kombëtare të çdo vendi.
Jam ndjerë i befasuar duke ballafaquar fenomenet që mund të përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare të Sllovenisë me ato të vendit tonë. Atje, Komiteti i Sigurisë Kombëtare mblidhej një herë në muaj, nën drejtimin e Presidentit të vendit, ku sekretar i këtij komiteti ishte Drejtori i Shërbimit, ndërsa realisht në Shqipëri nuk e di nëse mund të mblidhet ndonjëherë ky komitet.
Dështimet e SHISH, “reformat dhe sfidat
Detyrat institucionale të një Shërbimi Informativ për sigurimin kombëtar janë: të garantojë dhe mbrojë sigurinë e shtetit; të mbështesë formulimin dhe zbatimin e politikës së përgjithshme të qeverisë dhe në funksion të tyre duhet të jetë në gjendje të njohë dhe t’i bëjë të njohur institucioneve nga varet në mënyrën më korrekte, të plotë dhe në kohën e duhur, faktet, situatat dhe zhvillimet lidhur me shtetet e huaja, organizatat, veprimtaritë ose fenomenet, të cilat ndikojnë në sigurimin dhe interesat kombëtare.
Detyrat që i shtrohen shërbimit duhet të përputhen me realitetet e reja. Shumë ndryshime kanë ndodhur në botë, në politikën e jashtme dhe të brendshme të vendit tonë. Detyra e shërbimit sot është lufta kundër formave më të larta dhe të rrezikshme të kriminalitetit të organizuar, terrorit dhe atij të spiunazhit. Aktualiteti i këtyre detyrave është i qartë, por në veçanti e asaj të krimit të organizuar, i cili në kushtet e mungesës së stabilitetit politik dhe ekonomik të vendit është rritur në mënyrë të ndjeshme, duke krijuar një rrezik real jo vetëm për sigurimin e qytetarëve, por edhe të gjithë shoqërisë dhe shtetit ligjor si të tillë.
Nuk mund t’i mbash shërbimet sekrete në gjendjen e riorganizimeve të pandërprera, siç ka ndodhur vazhdimisht dhe veçanërisht gjatë këtyre viteve të fundit. Në fund të fundit, suksesin e punës nuk e përcaktojnë ndërtimet strukturore. Duhet patur parasysh se në asnjë shtet ligjor shërbimet sekrete nuk janë organe drejtuese. Funksioni i tyre kryesor është të sigurojnë dhe t’u japin udhëheqësve të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv informacionin që ndihmon për të parandaluar zhvillimin e tendencave të rrezikshme për shoqërinë, të zbulojnë shfaqjet e veprimtarisë ilegale dhe ekstremiste antikushtetuese, të fiksojnë krijimin e vatrave të acarimeve shoqërore.
Shërbimi Informativ duhet të krijojë kushtet për ekonominë e tregut dhe luftën kundër monopolizimit artificial. Një shërbim i përmasave siç është ky i yni, për të hedhur themelet e një politike efikase për mbrojtjen e interesave kombëtare, duhet para së gjithash të dalloje se cilat janë qëllimet që i ka vënë vetes. Aktualisht ekzistojnë: një domosdoshmëri e shërbimit në mbështetje të politikës së jashtme dhe mbrojtjes së vendit; nevoja e një inteligjence ekonomike, meqë në ditët e sotme kontakti midis kombeve zhvillohet mbi të gjitha në fushën ekonomike; nevoja e luftës kundër kriminalitetit të madh dhe narkotrafikut; nevoja e përballjes me emigracionin klandestin dhe lidhjen e tij me krimin e organizuar; nevoja e luftës kundër terrorizmit; nevoja e kontrollit të çdo simptome shkatërruese dhe ruajtjen e sigurisë së brendshme të vendit; nevoja e kontrollit të rreziqeve që i vijnë vendit nga brenda, si krimi i organizuar, spiunazhi dhe terrorizmi; nevoja e kontrollit të fenomeneve të dukshme, si korrupsioni dhe kontrabanda, që mund të paralizojnë gjithë jetën e vendit.
Në kontekst të këtyre objektivave duhen bërë reformat, organizimet, strukturimet dhe jo siç ka ndodhur rëndom. Tashmë vendi ynë aderon në organizatën më të fuqishme të sigurisë kolektive siç është NATO dhe roli i shërbimit duhet të përshtatet me zhvillimet e reja.
Legjislacioni i Shërbimit Informativ
Është imediate hartimi i një ligji të ri, pasi ai me të cilin operon ky shërbim ka disa boshllëqe dhe për pasojë, nuk i krijohen hapësirat e nevojshme në përmbushje të detyrave kushtetuese. Qeveria nuk duhet t’i zërë besë ekspertëve fals nga të cilët ka me bollëk. Ka gjithashtu parlamentarë që vetë proklamohen të tillë, vetëm e vetëm pse kanë punuar për një apo dy vjet në komisionin e kontrollit të shërbimit.
Thuajse në të gjitha vendet e botës, Parlamenti ka një ose më shumë komitete, ose komisione, të cilave u është atribuuar pushteti për të kontrolluar që aktiviteti i shërbimeve të mos tejkalojë kufijtë që i lejon ligji dhe në vendet demokratike ta zhvillojë veprimtarinë në bazë të principeve të demokracisë. Por përgjegjësinë për shërbimin përpara parlamentit dhe vendit e ka gjithmonë qeveria. Por duhet pranuar fakti që fatkeqësisht, gjatë kësaj periudhe 5 vjeçare, 2007-2012, shërbimi ka qenë jashtë çdo kontrolli të këtyre komisioneve dhe çfarë është e veçantë, shërbimi është institucioni i vetëm në vend që për këto 5 vite nuk ka dhënë llogari në asnjë vend.
Pra ka vepruar i pavarur nga askush, ku edhe analizat vjetore janë bërë formale. Një problem që mund të parashikojë ligji është domosdoshmëria e mbrojtjes në favor të personelit të shërbimit, që lind nga fakti se këto struktura përballen me nevoja të veçanta operative dhe gjenden shpesh të detyruara për të mos thyer ligjet, të interpretojnë në mënyrën më elastike normat penale dhe ato administrative. Është e qartë se këto veprime duhet të jenë gjithmonë të mbështetura në ligj, por ekzekutivi duhet të marrë masa për krijimin e një rrjeti sigurie, në mënyrë që personeli i shërbimit, i cili në një incident gjatë zhvillimit të veprimtarisë së tij të mos gjendet në vështirësi me gjykatat dhe të mos braktiset dhe të lihet në mëshirë të fatit.
Për marrëdhëniet që duhet të ketë shërbimi me drejtësinë (gjykatat), zgjidhjet e bëra nga Gjermania, Franca dhe Britania janë mëse të përshtatshme. Ligji i ri duhet të zgjidhe edhe çështjen se si duhet të veprojë një punonjës i këtij shërbimi kur gjendet në një vend ku kryhet apo përgatitet të kryhet një vepër penale, duhet të zgjidhë çështjen e mbrojtjes së burimeve të informacionit në marrëdhënie me të tretët, si me Policinë e Shtetit apo shërbimet partnere gjatë kryerjes së operacioneve të përbashkëta, si dhe disa probleme të tjera.
Shërbimi Informativ është strukturë shtetërore që varet nga ekzekutivi, praktikisht nga kreu i qeverisë dhe merret me sigurimin e brendshëm dhe të jashtëm të vendit, ka detyra dhe modus operandi të ndryshme nga ato të forcave të armatosura dhe të policisë. Në funksion të Sigurimit Kombëtar, shërbimi zbaton direktivat e qeveris duke vepruar brenda kufijve që lejon ligji, në bazë të të cilit funksionon dhe përgjigjet para qeverisë.
Qeveria duhet të tregohet e kujdesshme në hartimin e prioriteteve për Shërbimin Informativ, pasi ai është një shërbim inteligjence, që nuk merret me gjëra të rëndomta, si deri më tani, aq sa bën edhe punën e rojtarit të pyllit dhe sa rrënjë kanabis mbillet aty. Gjithashtu qeveria duhet të investojë më shumë për shërbimin, pasi restoja e këtyre shpenzimeve mund të jetë e pallogaritshme në parandalimin e fenomeneve apo ngjarjeve që përbëjnë rrezik për Sigurinë Kombëtare.
Shërbimi dhe të ashtuquajturat reforma
Cili ka qenë realisht roli i shërbimit tonë gjatë këtyre viteve? A i është përgjigjur realisht kërcënimeve dhe rreziqeve që lidhen me Sigurinë Kombëtare? Kjo mbetet për t’u parë. Realisht edhe politika ka patur ndikimet e saj në ecurinë e përgjithshme të këtij institucioni; ndërhyrjet e saj nganjëherë nuk kanë dhënë kontributin e nevojshëm për performancën e këtij shërbimi.
Sa herë që janë ndërruar drejtuesit e këtij shërbimi, çdo gjë, sipas tyre ka filluar nga dita që kanë ardhur ata. Kështu ndryshohen drejtuesit e niveleve të ndryshme, bëhen organizime dhe struktura të reja, hiqen njerëz nga puna pa ditur fare për kontributin e tyre dhe merren të tjerë pa asnjë kontribut. Duhet pranuar se shërbimi pas viti ‘97 pati një performancë tjetër, pasi drejtimi i tij nga persona të jetës civile ndoshta i dha një fizionomi tjetër. Kështu organizimet dhe strukturimet ishin në drejtimin e duhur, çfarë realisht nuk ka ndodhur këto vitet e fundit.
Pas vdekjes së Kujtim Hysenajt, drejtimin e mori ish-shefi i kabinetit që për hir të së vërtetës gjatë këtyre viteve nuk arriti të dilte nga konturet e pozicionit të mëparshëm dhe për fat të keq, ka qenë drejtuesi me performancë më të dobët nga gjithë paraardhësit e tij. Pothuajse çdo vit, aty u bënë organizime dhe struktura të reja pa lidhje. E kam cituar edhe më sipër se mbajtja e këtij institucioni në gjendjen e riorganizimeve të pandërprera dhe strukturimeve të panevojshme, është me pasoja negative.
Por drejtuesit e këtij shërbimi bëjnë paradë suksesesh dhe i tregojnë si arritje këto ndryshime strukturore dhe organizime të shpeshta, çfarë tregon për miopinë. Të ashtuquajturat reforma nuk janë parë asnjëherë si nevojë për ndryshime në koncepte, në ide, në formatime të reja bashkëkohore, por si lëvizje njerëzish nga puna dhe heqje të tyre. Aq të pabesueshme janë këto të ashtuquajtura reforma, sa pas çdo heqjeje të punonjësve nga puna me motivacionin standard “del në reformë për shkak të shkurtimit të vendit të punës”, çudia ndodh pa kaluar java, kur mediat e shkruara njoftojnë për vende të lira pune në Shërbimin Informativ.
Dihet se çfarë shkakton tek punonjësit mbajtja e tyre në ankthin e këtyre riorganizimeve dhe strukturimeve kaq të shpeshta: apati, rrëmujë dhe pasiguri. Pas vitit 2005, kanë ndodhur kaq shumë ndryshime strukturore, të cilat realisht nuk kanë sjellë ndonjë të re në performancën e tij. Mosmbajtja e kontakteve të drejtpërdrejta të ish-drejtuesit të Shërbimit me shefin e qeverisë ka ndikuar jo pak në performancën dhe ecurinë e veprimtarisë së këtij shërbimi. Duke qenë në këtë situatë sa herë “kollitej” shefi i qeverise, ish-drejtori i Shërbimit ishte i destinuar të bënte “reforma”, të bënte riorganizime dhe struktura të reja, të hiqte njerëz nga puna pa asnjë motivacion, vetëm e vetëm se mendonte se kështu mund të ishte në vëmendje të shefit të qeverisë.
Si mund të quhej e justifikueshme e ashtuquajtura reformë e ish-drejtuesit të Shërbimit, kur një javë para se të zgjidhej presidenti i vendit hoqi një numër të konsiderueshëm njerëzish nga puna duke rregulluar një pjesë të mirë të miqve të tij?! Sa parashikues ka qenë shërbimi për ngjarjet e ndodhura në vend gjatë këtyre viteve të fundit, kjo vlen për t’u parë. Në fakt aty ka një departament analize që duhet të bëjë prognozën e fenomeneve dhe të parashikojë të ardhmen për rreziqet që përbëjnë kërcënim, por realisht duhet pranuar se ai nuk ka qenë në nivelin e duhur.
Nëse Shërbimi ka qenë i suksesshëm në luftën kundër terrorizmit dhe bazave të tij, kjo falë bashkëpunimit me shërbimet partnere të interesuara për këtë fushë, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për dy drejtimet e tjera, si lufta kundër krimit të organizuar dhe ajo kundërinformative (spiunazhit) ku shërbimet e huaja janë “ulur këmbëkryq” në këtë vend. Ndërsa krimi i organizuar (korrupsioni dhe kontrabanda) ka prekur çdo qelizë të këtij shteti.