“Dy libra të një shkence”
Pedagogët e Fakultetit të Drejtësisë, të qytetit të Shkodrës dr. Entela Hoxhaj dhe dr. Florian Bjanku, promovuan sot dy monografitë e tyre në fushën e drejtësisë: “E drejtë kushtetuese e krahasuar” dhe “Çështja e pronave në Shqipëri”.
Këto dy botime, vijnë pas një pune të mirëfilltë kërkimore-shkencore që autorët kanë bërë në fushën e drejtësisë, të lidhura me ndryshimet kushtetuese dhe sfidën me shtetin ligjor dhe të drejtat e njeriut.
Në aktivitetin “Dy libra të një shkence”,organizuar në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, ishin të pranishëm pedagogë dhe studentë të këtij universiteti, drejtues të qeverisjes vendore, institucioneve juridike, si edhe Kryetari i Gjykatës së Lartë, prof. dr. Xhezair Zaganjori.
Monografia “E drejtë kushtetuese e krahasuar” (Rishikimi i kushtetutave në Evropë), e autores Entela Hoxhaj pasqyron teorinë, praktikën dhe jurisprudencën kushtetuese të shteteve të Evropës kontinentale, të lidhura me problematikat e ndryshimeve kushtetuese respektive.
Botimi është një përpjekje serioze për t’u shërbyer studiuesve dhe studentëve të së drejtës kushtetuese të krahasuar.
Ndërkohë që libri i Florian Bjankut , “Çështja e pronave në Shqipëri” (Sfida me shtetin ligjor dhe të drejtat e njeriut), analizon proceset kryesore ligjore, institucionale, politike në Shqipëri dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, ku reforma e tokës ishte pjesë e rëndësishme e reformave të përgjithshme pas rënies së regjimit monist.
Me këtë botim, autori synon të hedhë dritë në tri drejtime; mbrojtja e së drejtës së pronës, shteti ligjor dhe konsolidimi i marrëdhënieve të tregut të tokës, ku evidentohen çështjet që kanë mbetur ende të hapura dhe që duhen zgjidhur, aspektet e mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut, etj.
Ndërsa autori Florian Bjanku, tha se tematika që ai trajton, “Çështja e pronave në Shqipëri¨, ka një ndjeshmëri dhe aktualitet të lartë në publik.