Nevoja e debatit për Mbrojtjen

Nga Gani Elezi, botuar në shekulli Online, 11 nentor 2013

Personalisht mendoj se pozita gjeostrategjike, demografia dhe kujtesa historike merren  parasysh në përcaktimin e prioriteteve dhe të partnerëve tanë strategjikë, por ato nuk duhet të vlerësohen vetëm nga efektet negative që mund të sjellin. Italia, p.sh, pavarësisht nga kujtesa historike, veç  në shekullin e 20-të na ka sulmuar e pushtuar dy herë, në vitin 1920 dhe në vitin 1939, për  nga pozita gjeostrategjike në rajonin e Mesdheut, nga interesat e ndikimi që ka në këtë rajon, e veçanërisht për faktin se nuk ka asnjë rivendikim territorial ndaj Shqipërisë, duhet  të  konsiderohet  partner strategjik për ne. Edhe Turqia, pavarësisht nga kujtesa historike, na ka mbajtur nën sundimin e saj (sot thuhet otomanët) afro 500 vjet, për arsye të kapaciteteve të mëdha ushtarake dhe ekonomike që ka, por edhe pse nuk ka asnjë rivendikim territorial ndaj Shqipërisë, pavarësisht një tendence për të ngjallur otomanizmin, duhet të jetë partner strategjik. Ndryshe është çështja e Kosovës. Pavarësisht se nuk i ka kapacitetet e nevojshme ekonomike, ushtarake, etj., për të ndikuar në  interes të vendit tonë, për arsye se është pjesë e gjak i jonë, është vijimësi e hapësirës gjeodemografike shqiptare, vetvetiu është partner strategjik për ne. Pra Kosova, Italia dhe Turqia, mund të jenë, pa asnjë kundërshti, partnerët tanë strategjikë. Por në rajonin ballkanik ka edhe shtete të tjerë që, për arsye të kujtesës historike, genocidit kundër popullsisë shqiptare, e më shumë për arsye të rivendikimeve territoriale ndaj hapësirave shqiptare,  si Greqia e Serbia, më pak edhe Mali i Zi e Maqedonia, nuk mund  të kualifikohen me këtë status strategjik. Por ky konstatim nuk do të thotë që marrëdhëniet me këto shtete duhet të mbeten në nivele të ulëta. Greqia është anëtare e Bashkimit Europian dhe e NATO-s, Serbia së shpejti hap diskutimet për anëtarësim të plotë në këtë komunitet. Edhe Mali i Zi e Maqedonia e synojnë dhe janë në këtë rrugëtim. Pra edhe me këto vende kemi interesa dhe rrugë të përbashkëta. Për më shumë, partneriteti me këto vende kushtëzohet edhe nga detyrimi i Shqipërisë për të ndihmuar në përmirësimin e statusit politik,ekonomik e kulturor të shqiptarëve që jetojnë në territorin e tyre. Duke parashtruar këto argumente, pse ne duhet te kemi partneritet strategjik  me këto shtete të hapësirës ballkanike e mesdhetare, nuk mohohet fakti se aleati kryesor strategjik i vendit tonë duhet të jetë Amerika(SHBA). Partneritetin me SHBA-të nuk e kërkojmë vetëm ne, atë e kërkojnë edhe shtete të fuqishme, madje edhe grup shtetesh, siç është Bashkimi Europian. Por në këtë rast duhet të kuptohet fakti se, ndërsa Shqipëria e ka domosdoshmëri këtë partneritet, që përkthehet ndihmë në të gjithë sektorët, sidomos në fushën e sigurisë e të mbrojtjes, SHBA-të, jo gjithmonë e ka në fokusin e interesave të saj vendin tonë. Interesi i tyre strategjik ndryshon shpesh, në kohë e në hapësirë, nga një shtet në një tjetër shtet, nga një rajon në një tjetër rajon të globit. Përkundrazi, Italia dhe Turqia interesat strategjike i kanë ekskluzivisht në hapësirat e rajonit të Mesdheut, ku përfshihet edhe Ballkani. Gjithë sa thashë më lart nuk përbën ndonjë kontribut a mendim të kualifikuar në këtë fushë. I hodha këto pak rreshta për të dalë te një problem tjetër, te problemi i sigurisë e i mbrojtjes së vendit. Në partneritetet strategjike objektivi  kryesor është garantimi i sigurisë dhe i mbrojtjes së vendit. Por tamam për këto argumente, që përbëjnë thelbin e aleancave e të partneriteteve strategjike, te ne  mungon debati, ka një punë të mbyllur, madje edhe të konceptuar  me një fryme pacifiste dhe euforie të pakuptimtë. Kjo frymë  konstatohet në të gjitha dokumentet e Strategjisë së Sigurimit e të Mbrojtjes së RSH-së, që janë miratuar nga vitit 1990 e këtej. Në këto dokumente  siguria dhe mbrojtja e vendit tonë konsiderohen si objektiva që realizohen, kryesisht në kuadrin e sigurisë globale dhe veprimit të strukturave ushtarake ndërkombëtare, si NATO. Si rrjedhim i  këtij koncepti, Forcave tona të Armatosura i janë përcaktuar më shumë objektiva për t`u anëtarësuar, për të arritur standardet e këtyre aleancave dhe për të marrë pjesë në operacionet të tyre, se sa objektiva për të përsosur strukturën organizative, pajisjen luftarake, përgatitjen  profesionale për të vepruar ushtarakisht në mbrojtje të tërësisë territoriale të vendit nëse do të gjenden para një domosdoshmërie të tillë. Sipas këtyre dokumenteve “…elementi ushtarak në kompleksin e faktorëve të sigurimit e ka humbur dhe do ta humbasë edhe më shumë rëndësinë e tij…Mbrojtja e vendit me instrumentet tona ushtarake parashikohet për aq kohë sa të mos jemi anëtarësuar në NATO apo të mos kemi arritur ndonjë marrëveshje dypalëshe për mbështetje me forca në rast agresioni ndaj vendit tonë…Forcat e armatosura synojnë të vonojnë kundërshtarin deri në ndërhyrjen e të tretëve”. Pra,tani që jemi anëtarësuar në NATO, apriori e kemi të garantuar sigurinë dhe  mbrojtjen e vendit. Në   gjithë  këtë mori dokumentesh, me firmë të presidentëve të radhës dhe me vendime të Kuvendit  të Shqipërisë vihet re një eufori dhe pacifizëm, gati në ekstazë. Sipas atyre që  i kanë përgatitur këto dokumente  lufta, rreziku i saj  nuk ekziston as potencialisht, ndërsa rrezikun për Shqipërinë është budallallëk ta mendosh. Ajo çka bie në sy, edhe të opinionit civil, jo vetëm të  ushtarakëve, është fakti se, ndërkohë që shtetet fqinje me ne shtojnë buxhetet për mbrojtjen, modernizojnë teknikën luftarake, ne përkundrazi i kemi pakësuar strukturat e FA dhe teknikën luftarake, deri në masën e paefektshmërisë në rast të emergjencave ushtarake. Madje edhe ministres së Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, i kërkohet jo më shumë se “të zbulojë e të ndëshkojë aferat  mafioze të paraardhësit të saj, Arben Imami”. Asgjë për çka ajo përgjigjet në funksionin e saj, për prioritetet e mbrojtjes  sonë, rrugët e plotësimit të tyre, etj.. Këto ditë me rastisi të lexoj një prononcim të një kuadri të lartë të Shtabit të Përgjithshëm të FA. Ai deklaron se në kuadrin e riformulimit të misionit të FA “…kërkohet hartimi i një liste të qartë kapacitetesh me fokus “jo tërësinë/integritetin territorial, por interesat strategjike, burimet kritike të vendit (hapësirën ekskluzive ekonomike te detit, ajrit, tokës), pronat, integriteti e prosperiteti i qytetarëve dhe kontributet modeste në kuadër të NATO-s”. Pak më pas, pavarësisht se ka folur për një “listë të qartë kapacitetesh” ai thotë se “…Ndërtimi i kapaciteteve më vete (nacionale)…,është si të merremi me yjet, pra thjesht e pamundur, është gjetje jo e zgjuar dhe duke qenë kështu, do të ishte njëherësh një gabim historik”.(Gazeta “Panorama”dt. 05.11.2013). Pra hiqet dorë nga dy detyra strategjike, përcaktuar në Kushtetutën e RSH-së, neni nr. 12 “mbrojtja e tërësisë territoriale dhe e rendit kushtetues” dhe nga detyra për të organizuar dhe përgatitur kapacitetet e nevojshme ushtarake për këtë qëllim. Ndërtimin e kapaciteteve më vete, nacionale, ai e quan gabim historik! E kundërta do të ishte gabim historik. Pacifizmi i pakufi, sidomos mungesa e vendosmërisë dhe e kapaciteteve luftarake për të mbijetuar, ka bërë që shumë kombe, në rrugën e gjatë të historisë, të shuhen e të mos jenë më në hartën politike botërore. Shqipërisë nuk i ka ndodhur kështu jo se e kanë mbrojtur të tjerët, “aleatët”, por se gjithmonë ka patur vendosmërinë, por edhe kapacitetet për t`u mbrojtur kundër çdo agresori. Nisur nga ekzistenca e koncepteve të tilla në planifikim e masave të Sigurisë e të Mbrojtjes sonë Strategjike, mendoj se debate, si ai që u nis për kriteret e përcaktimit të partnerëve strategjikë, duhet të bëhen edhe për temën e luftës dhe të përgatitjes për ta përballuar atë. P. sh ka shumë çështje që duhet të diskutohen.

Sa e rrezikojnë sigurinë globale,por edhe sigurinë dhe  stabilitetin e vendit tonë fenomene si terrorizmi, konfliktet fetare të çfarëdollojshme, rizgjimi dhe adaptimi i koncepteve të nacionalizmit shovinist, etj? A ekziston,veç këtyre rreziqeve, edhe  rreziku i luftës si fenomen shoqëror dhe a ekziston ky rrezik edhe rreth e kundër vendit tonë? Në se ekzistojnë rreziqe të tillë, cilat janë  rrugët më të mundshme për të garantuar sigurinë, mbrojtjen e vendit? Integrimi në skemat dhe strukturat e sigurisë globale, si është NATO p.sh, e në struktura më të ngushta rajonale është rruga më e sigurt? A do të na paraqiten edhe situata kur këto skema, strukturat ushtarake ndërkombëtare të angazhuara në to, për arsye të ndryshme,dështojnë të veprojnë apo veprojnë me vonesë në interes të vendit tonë? Kapacitetet e nevojshme njerëzore, profesionale dhe teknike e materiale të FA, të strukturave të tjera të sigurisë për të përballuar situata të tilla. Cila është hapësira e Sigurisë sonë Strategjike, ku  ne duhet të jemi aktorë dhe faktorë të rëndësishëm? A mund të konsiderojmë ne hapësirë të sigurisë sonë strategjike dispozitivë të gjerë gjeostrategjike siç bën  p.sh, SHBA, Rusia, Kina, Bashkimi Europian, etj.? A mundet ne ta konsiderojmë garanci për sigurinë e vendit tonë pjesëmarrjen me forca në veprimet luftarake në Irak, Afganistan, Çad  e në vende të tjera të largëta? Apo duhet të angazhohemi në garantimin  e sigurisë e të stabilitetit politik e ushtarak në hapësira më të ngushta, atje ku  interferojnë edhe synimet tona  kombëtare, ekonomike e të mbrojtjes, siç është hapësira ballkanike, ose  pak më gjerë hapësira që përfshin edhe brigjet lindore të Mesdheut? Dhe së fundi, por jo e parëndësishme, cilat duhet të jenë  kapacitetet tona ushtarake, si duhet të organizohen, si duhet të pajisen e si duhet të përgatiten ato, për të qenë të suksesshëm në çdo situatë që të gjendemi, çështje që më shumë, i takojnë Komandës Ushtarake. Është paradoksale që në situata të tilla paqeje dhe integrimi, të flasësh për rrezikun e luftës, por ata që janë përgjegjës për sigurinë e mbrojtjen e vendit janë  të “ndëshkuar” të jenë edhe paradoksalë e të flasin për një fenomen që të gjithë e urrejnë, e duan “ta përjashtojnë”. Këtë paradoks  e përjetojnë të gjitha vendet, madje edhe ata që historikisht nuk janë goditur shumë nga luftërat. Ky paradoks më kujton një fjalë të urtë, të vënë në gojën e një farmacisti ‘’… ilaçi kundër minjve është shumë i fortë, por bën  mirë të mbash edhe një mace në shtëpi’’.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi