Mes Lindjes e Perëndimit
Nga Ndue Ukaj, botuar në Mapo Online, 30 tetor 2013
Si komb i formuar vonë, i dalur nga robëria e gjatë, me shumë plagë, i tkurrur e ndarë gjeografikisht, kemi filluar t’i duam të tjerët, pa u mësuar njëherë ta duam vetveten. E, dihet, kjo “dashuri”, s’është gjë tjetër, veç papjekuri dhe shfaqje infantile e një amnezie historike e kulturore. E tillë është edhe dashuria e dekadës së fundit, turko-shqiptare, që herë pas here shpërfaqet si një ogur i keq për ne dhe të ardhmen tonë. Jo pse shqiptarët s’kanë nevojë për bashkëpunim me shtetin turk, jo pse shqiptarët duhet të kultivojnë urrejtje për këtë shtet, i cili të kaluarën na ka shkaktuare shumë të këqija, por pse kjo dashuri, shpalos enigmën e një të kaluare, e një plage, nga e cila cilës s’jemi shëruar ende- plagë kjo që po bëhet stagnim për ecjen tonë kah Perëndimi, aty ku synojmë të integrohemi si komb.
Dihet mirëfilli se njohja e vetvetes, fillon me njohjen e së kaluarës. Këtu kemi ngecur, sepse politikanë të ndryshëm vasalë, me disa agjitatorë të idesë neoosmane, po ndikojnë në fragmentimin e së kaluarës së përbashkët. E, dihet se kur fragmentohet e kaluara, s’ka sesi të jetë e ndritshme e ardhmja.
Bashkëjetesa e popujve, është një dëshirë e përhershme e njerëzimit, e kërkuar me nganjëherë me ngulm. Mirëpo, kjo dëshirë, asnjëherë s’është bërë Kopsht Edeni. Kjo për faktin, se këtë dashuri çdo herë e ka prish një Evë lakmitare, apo një gjarpër mashtrues.
Javën e kaluar, “vëllezërit” na fyen, na përçmuan, na prekën nderin e të kaluarën dhe në fund iu kërkuan falje serbëve. Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu, i cili i konsideron shqiptarët ‘mbetje osmane në Ballkan’, ishte e udhës t’iu kërkonte falje shqiptarëve. E disa shqiptarë, që krekosen e përbëhen në këtë vëllazëri, tash duhet ta kuptojnë se në fund të fundit, aleanca serbo-turke është shumëfish më e fortë se ajo me disa shqiptarë, të cilët të prirë nga simpatitë fetare, janë në gjendje të heqin dorë nga identiteti i tyre kombëtar. E ne e dimë se historikisht, nga këto aleanca kemi përjetuar vetëm të këqija. Prandaj, rilindësit e mëdhenj, nga Stambolli dikur na këshillonin: dielli për ne lind vetëm në Perëndim.
Ajo çka ndodhi javën e kaluar në Prizren, ku në një podium të ngritur për ardhjen e kryeministrit turk, R. Erdogan, (të keqpërdorur në një fushatë elektorale), u tha: “Kosova është Turqi”, është një marri e madhe. Në atë podium, Erdogani u duartrokit. Për më tepër, ai u glorifikua dhe iu propozua shqiptarëve si model. E në të vërtetë, shqiptarët e dinë mirë se ai s’është lider për t’u lakmuar, sepse përfaqëson një model të shtypjes, të një pushteti jodemokratik, që vret protestues, burgos gazetarë, artistë dhe që e shkatërron traditën liberale e sekulare të shtetit turk.
Përballë parullave të rrezikshme të shefit të qeverisë turke, dy kryeministrat shqiptarë, Edi Rama e Hashim Thaçi duartrokitën të ekzaltuar dhe të njëjtit u çirren me një patetizëm absurd e krejt të pakuptimtë për marrëdhënie vëllazërore me Turqinë. E gjithë kjo s’do të përcillej me kaq ndjeshmëri të theksuar publike, sikur të mos njihej botërisht doktrina neoosmane e këtij shteti.
Është për të ardhur keq sesi dy kryeministrat shqiptarë, të ekzaltuar harruan zotimet e tyre për liri, demokraci dhe ecjen kah Europa, e ranë pre e një lideri që sot ka një projekt ekspasionues neoosman, i cili do t’i riciklojë “mbetjet osmane në Ballkan”. Dy kryeministrat tanë vasalë, nën delirin e mysafirit, harruan po ashtu se shqiptarët kanë kujtesë të keqe me fjalimet e tilla, harruan se historia e formimit të identitetit shqiptar, pa dashjen tyre, është histori antiosmane. Madje, harroi edhe Hashim Thaçi se nga doktrina të tilla hegjemoniste është helmuar krejt Ballkani dhe ka rezultuar me luftëra e gjakderdhje. Thjesht, ajo çka ndodhi në Prizren, ishte një marri dhe për këtë, përgjegjësia bie mbi dy vasalët tanë, po aq sa mbi liderin turk.
Nga fjalimi i Erdoganit u fyen dhe u përçmuan shqiptarët, u prek në sedër qenia shqiptare dhe u demonizua krejt historia shqiptare. Kjo marre shpërtheu e kundërmoi keq të gjithë ata që ndjehen shqiptarë.
Reaguan analistë e opinionistë, figura të njohura të jetës publike, si dhe shkrimtari ma i madh shqiptar, Ismail Kadare. Thjesht, u quajt një turp kombëtar.
Të prekur nga përbuzja e sofrës së mirëpritjes, reagoi me të drejtë edhe Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, duke i kujtuar kryeministrit turk se edhe vëllait nganjëherë kur e tepron, i thuhet: “ti n’shpi tane, unë n’shpi teme.”
E krejt ndryshe ishin reagimet e Serbisë, që ka po ashtu tendenca hegjemoniste ndaj Kosovës. Ndërkaq disa qarqe mediatike dhe palo analistë, u përpoqën që të krijojnë një lidhje mes deklaratave të pushtetarëve serbë dhe deklaratës së Ipeshkvit Dodë Gjergji. Ky i fundit, si prelat i Kishës Katolike, duke qenë në vazhdimësi të angazhimit për ‘fe e atdhe’, bëri atë që ka bërë çdo herë kisha shqiptare, duke e lidhë fatin e vet me fatin e popullit, siç e lidhte në shek. XVII korifeu i kulturës shqiptare, Pjetër Bogdani, që kudo ishte, thoshte: “Fati i popullit, është fati im.”
Andaj, asgjë s’e honeps ekzaltimin e dy kryeministrave shqiptarë, përballë kryeministrit të Turqisë, R. Erdogan. Madje, asgjë s’e honeps dashurinë foshnjore për një perandori që s’është më.
Përkundrazi, shqiptarët, në prag të 101-vjetorit të çlirimit nga Perandoria Osmane, duhet të këndellën nga amnezia historike, e shkëpusin nga prangat e robërisë shpirtërore dhe të ecin vetëdijshëm drejt së ardhmes së tyre.