Mundësia e mohuar për mijëra vende pune
Nga Prof. Dr . Sokrat Jani, botuar në Shekulli Online, 2 tetor 2013
-Roli i politikave bujqësore në agjendat politike, adresuar nevojave të zhvillimit të vendeve në zhvillim, është i lartë. Në tërësi ekziston një konsensus në rritje se bujqësia është lënë pas dore në strategjitë kombëtare të zhvillimit dhe se ka një nevojë të madhe për investime në këtë sektor, si për të arritur reduktimin e menjëhershëm të varfërisë, por edhe për të stimuluar gjerësisht zhvillimin ekonomik të fermave në këto vende. Ky është një mesazh thelbësor që del nga raporti i fundit i Bankës Botërore. Nëse zhvillimit të bujqësisë në një vend i jepet përparësi, lind nevoja për të qartësuar rolin mbështetës që politikat bujqësore duhet të luajnë. Prodhimi bujqësor dhe problemet social-ekonomike në zonat rurale tek ne kanë qenë e vazhdojnë të jenë përcaktuese për fatet e zhvillimit të vendit, të jetës dhe mirëqenies së popullatës. Ecuria e tyre është përcaktuese për integrimin e vendit në drejtimin ku kemi vite që jemi përcaktuar.
Problemet tona janë të mëdha, por me politika më të zgjuara e më të drejta, të cilat japin impakt të shpejtë, me pak investim dhe me më shumë interesim ne mund të bëjmë hapa të tillë që mund të vlerësohen në histori, si gjetjet që i ndryshuan pamjen Shqipërisë. Duhet vetëm pak vizion. Duke studiuar të kaluarën dhe situatën aktuale të bujqësisë, të mjedisit dhe tregues të tjerë socio-ekonomik të zonave rurale në disa vende përreth nesh, në vendet e Evropës dhe të BE-së në veçanti, të trajtuara në studimin ”Evropa-2020”, mendoj se situata në bujqësinë shqiptare dhe jeta në fshat mund të përmirësohet dhe të arrijë në ato nivele ku janë të tjerët. Objektivat e programit të qeverisë së majtë shqiptare, në fushën e bujqësisë dhe të zhvillimit rural, janë optimiste. Ato janë në përshtatje me strukturën rurale dhe kushtet klimatike e tokësore të vendit, të mbështetura në resurset njerëzore dhe ato natyrore, si dhe zhvillimet në tregjet evropiane. Problemet e prodhimit bujqësor dhe të marketingut të tij janë komplekse dhe politikat agrare të mbështetjes së tij duhet të jenë të tilla. Rritja e prodhimit bujqësor vendas, duke shfrytëzuar më mirë zonat dhe nën zonat klimatike, përdorur me efektivitet të lartë investimet materiale e njerëzore, për daljen e shpejtë në treg si produkt i freskët apo i përpunuar dhe me vlerë të shtuar, bënë të mundur të përballohet me sukses konkurrenca, të nxitet zhvillimi i shpejtë i fermave, të shtohet nevoja për punësim duke stimuluar zgjidhjen e një serë probleme sociale në zonat rurale dhe më gjerë. Nga ana tjetër, mbrojtja e prodhimit vendas dhe e konsumatorit nga konkurrenca e pandershme e prodhimeve të importit përbën gjithashtu një objektiv me rëndësi dhe me ndikim në furnizimin sasior e cilësor të tregut dhe industrisë agro-përpunuese.
Një synim me rëndësi të dorës së parë mbetet standardizimi i prodhimeve bujqësore, certifikimi i cilësisë së tyre dhe krijimi në vijimësi i prodhimeve shqiptare “të markës” e të “origjinës”, çka do të rriste ndjeshëm jo vetëm praninë e tyre në treg, por edhe rritjen e eksporteve tona bujqësore. Investimet dhe përkrahja financiare në bujqësi janë ndërhyrjet më rentabël dhe me ndikim të shpejtë sasior e cilësor, jo vetëm në zonat rurale por në mbarë zhvillimin ekonomik të vendit. Ato sjellin rezultat të shpejtë e të qëndrueshëm, mjafton që të bëhen të studiuara dhe jo si deri më sot të shpërndara për të plotësuar dëshirat e kënaqur një masë sa më të madhe njerëzish në fshat(për qëllime elektorale) . Në këtë këndvështrim do të ishin efektive edhe pagesat e fermerëve për atë çka bëjnë dhe jo për çka dëshirojnë të bëjnë në prodhimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale. Kjo formë nxitëse duhet të fillojë të zbatohet, krahas skemave të subvencionit të “inputeve” bujqësore të tilla si karburanti, plehrat kimike, fidanët, plastika e serrave, etj.. Është domosdoshmëri e kohës që shteti në bashkëpunim me biznesin privat, të investojë në ndërtimin e pikave të grumbullimit dhe shpërndarjes së produkteve, ku do të bëhet jo vetëm grumbullimi, por edhe kontrolli, klasifikimi, ambalazhimi, etiketimi dhe shpërndarja e produkteve në destinacionet e përcaktuara. Në qendra të tilla, afishimi i përditshëm i çmimeve të grumbullimit dhe shitjes me shumicë të produkteve, e bënë transparent biznesin bujqësor; prodhuesi, grumbulluesi dhe tregtari merr hakun e punës së tij, çka nxit prodhimin dhe përmirëson tregtimin dhe rrit sigurinë ushqimore të tyre. Ngritja e pikave të tilla të grumbullimit do të lidhte më mirë prodhimin me tregun e brendshëm, me eksportin dhe me industrinë agro-përpunuese. Një investim i tillë do të nxiste shumë kapacitete ekzistuese të fjetura, njëkohësisht do të nxiste edhe ngritjen e linjave të reja të industrisë ushqimore në Shqipëri, duke mundësuar krijimin e mijëra vendeve të reja të punës dhe kursyer qindra milionë euro nga importi i produkteve ushqimore të përpunuara. Zhvillimi i bujqësisë organike dhe i prodhimeve tipike si dhe zgjerimi i tregut për këto produkte të certifikuara si të tilla janë një tjetër mundësi për rritjen e të ardhurave dhe të punësimit në këtë sektor. Shqipëria ka mundësi reale që ti zhvilloj me sukses këto lloje prodhimesh e të plotësoj kërkesat e konsumatorëve për to.
Nga sa më sipër për kushtet e vendit tonë lipset të ndërhyhet për të përgatitur nisma stimuluese të prodhimit bujqësor, nëpërmjet futjes së teknikave e teknologjive të reja, duke rritur efektivitetin shpenzimeve, përmirësuar treguesit social ekonomik dhe përkujdesjen për mbrojtjen dhe menaxhimin më të mirë e të qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe mjedisit në tërësi. Me rëndësi të dorës së parë mbetet kërkimi shkencor për të gjetur zgjidhje e mbështetur me njohuri, teknika e teknologji bashkëkohore në periudha afatshkurtra dhe afatmesme nevojat e prodhimit, marketingut, të sigurisë ushqimore, të mjedisit dhe ruajtjes e miradministrimit të biodiversitetit, por edhe për të ndihmuar politikë bërjen për problemet e prodhimit, mjedisit dhe tregueseve socio-ekonomik në zonat rurale e më gjerë. Mendoj se në këtë vizion duhet parë e duhet synuar zhvillimi i bujqësisë në vendin tonë. Kushtet dhe një sërë treguesish të vlerësuar e bëjnë të mundur që të prodhojmë më shumë, të përpunojmë më shumë në industrinë tonë agro-përpunuese, të eksportojmë më shumë, por edhe të ushqehet më mirë konsumatori shqiptar, të sigurohen më shumë të ardhura nga aktivitetet dhe të përmirësohet jeta e komuniteteve në zonat rurale, duke i dhënë vlera, ruajtur e menaxhuar më mirë burimet natyrore e mjedisi. Ekonomia shqiptare i ka mundësitë të bëhet një ekonomi e zgjuar, e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Bujqësia, duke përshtatur e futur në prodhim teknika e teknologji të kohës, arritjet më të mira të kërkimit, të afta për të shfrytëzuar në mënyrë racionale diversitetin biologjik dhe mjedisor, mund e duhet të bëhet faktor i rimëkëmbjes ekonomike të vendit.