Etika mjekësore në përballje me “interesin” publik

Nga Isuf Kalo, botuar në Panorama Online, 7 dhjetor 2014kalo

As që do të shkruaja për këtë temë nëse nuk do të më kish rënë në dorë e ta rilexoja me ndjesi krejt tjetër dramën e mirënjohur të norvegjezit Henrik Ibsen, “Armiku i popullit”. Ajo është shkruar në vitin 1882 dhe ngjarjet i zhvillon në një qytezë të bregdetit të Norvegjisë. E pata lexuar dikur në rini kur nuk isha ende mjek, por siç e kuptoj tani nuk pata mundur dot të evidentoja dy mesazhe thelbësore të saj në rrafshin etik. Njëri për të drejtën dhe të moralshmen në përballje me interesat e individëve të veçantë dhe të popullatës në tërësi. Kurse mesazhi i dytë, për mundësinë e mbrojtjes së një kauze të drejtë legjitime nga një person i vetëm, përballë një shumice që i kundërvihet atij me argumente subjektive për hir “nevojash më të mprehta të ditës”.

HEROI NAIV

Ngjarjet në dramë janë të pakta e të thjeshta. Ato zhvillohen jo aq me aksione se sa me dialog argumentesh, ku ndeshen si personazhe kryesorë dy vëllezër: Thomas Stocman, mjek, dhe i vëllai i tij më i madh, Peter Stocman, kryetar i bashkisë të atij qyteti.

Falë qendrës balneare mjaft të suksesshme të atjeshme, qyteti siguronte të ardhura të konsiderueshme nga turistët dhe pacientët e shumtë. Ajo u bë edhe shkaku i konfrontimit mes dy vëllezërve, por edhe disa personave të tjerë të lidhur me interesa me ta. Gjithçka nisi me dyshimin që i lindi mjekut Thomas Stocman, lidhur me përkeqësimin shëndetësor të disa pacientëve pas seancave balneare. Për të sqaruar shkakun ai analizoi ujërat minerale në një laborator shkencor të besueshëm dhe u trondit kur mësoi se ato përmbanin lëndë me veti helmuese me rreziqe serioze për jetën. Duhej, sipas tij, të mbyllej urgjentisht qendra, të ndërpritej përkohësisht çdo aktivitet, derisa të ndërrohej sistemi i tubacionit dhe qendra balneare të rihapej vetëm pasi të sigurohej me analiza parrezikshmëria shëndetësore. Thomas Stocman priste që pas këtij zbulimi të konsiderohej hero, shpëtimtar i shëndetit dhe jetës së bashkëqytetarëve dhe klientëve të tjerë. Dy gazetarë të njohur premtuan ta bënin këtë zbulim lajm të bujshëm. Mirëpo më pas ata “dredhuan”. Kurse pritshmëritë e mjekut për lavdërimin me mirënjohje si hero, për fat të keq rezultuan zhgënjyese dhe naive.

MORALI APO INTERESAT?

Shkak i zhgënjimit të mjekut u bë mosmiratimi nga i vëllai, Peter Stocman, kryebashkiak, i raportit të tij për rrezikshmërinë shëndetësore të ujërave termale të qytetit. Kryebashkiaku reagoi ashpër, madje i revoltuar ndaj të vëllait mjek. Sipas tij, me zellin e tepërt të moralit profesional, për t’ia bërë të ditur publikut të vërtetën e rrezikut shëndetësor të zbuluar, ai do t’i hapte atij vetë dhe qytetit një telash tejet të madh. Në mbrojtje instiktive të famës të qendrës balneare ai vuri në dyshim saktësinë laboratorike dhe hodhi poshtë propozimin, sipas tij, absurd të vëllait për mbylljen e qendrës balneare, deri në zëvendësimin e tubacioneve, si kushte që ajo të rihapej.

Kryebashkiaku këto i quajti utopi teknokratikomjekësore të egocentrizmit profesional të të vëllait, i cili me papjekuri politike e sociale do t’u shkaktonte banorëve me të vërtetën e zbuluar dëm shumë të madh ekonomik. Peter Stocman kishte arsye për kundërshtimin e “belasë” apo “shejtanit” që i vëllai mjek donte ta nxirrte nga shishja. Shejtani qe e vërteta e helmit në ujërat termale. Po të merrej vesh kjo, përveç panikut do krijohej një dëm ekonomik prej njollosjes së famës dhe prestigjit të qendrës balneare, trembjes, largimit e pakësimit të klientëve dhe turistëve, pra një pakësim dramatik i të ardhurave të deritanishme të qytetit. Rikonstruksioni rrënjësor përbënte gjithashtu një shpenzim kolosal të paplanifikuar dhe të padisponueshëm. Shpenzimet për këtë si dhe deficiti financiar që do krijohej nga mbyllja e llixhës dhe pakësimi i klientelës do binin në kurriz të mirëqenies ekonomike të qytetarëve. Për t’i kompensuar ato do duhej të rriteshin taksat, pra do cenoheshin interesat e banorëve, por edhe ato të kredibilitetit dhe popullaritetit elektoral personal të tij në zgjedhjet e ardhshme.

NJË DUEL I PAEVITUESHËM

Ndeshja e moralit profesional mjekësor me moralin pragmatist qeverisës përbën në thelb një duel universal që ka shoqëruar kudo e kurdo shëndetësinë në misionin e vështirë shkencor, human e idealistik të saj. Në dramën e Ibsenit morali mjekësor i mbrojtjes në çdo rrethanë të shëndetit dhe jetës së banorëve prej një rreziku flagrant e të vërtetuar shkencërisht përballet me moralin, logjikën dhe pragmatizmin politik qeverisës, që ndien për detyrë të mbrojë në këtë rast interesat sociale, ekonomike e financiare të së njëjtës popullatë. Përplasen “e drejta me interesat” dhe “shëndeti me paranë”. Në jetë kjo përballje zhvillohet në të gjitha nivelet e sistemeve shëndetësore dhe shoqërore, në instancat vendimmarrëse të larta dhe në ato institucionale klinike dhe akademike. Arbitri në këtë “duel moral” mes profesionistëve të mjekësisë dhe qeveritarëve do duhet të ishin pikërisht ata në emër të të cilëve debatojnë dhe avokatojnë mbi principe morale të ndryshme të dyja palët: ata duhet të ishin vetë qytetarët. Nëse qytetarët nuk e kryejnë këtë rol sepse janë të përjashtuar, të nënvleftësuar, të manipuluar ose për shkak të mangësive kulturore, shëndetësore të tyre qëndrojnë indiferentë, atëherë është thuajse e sigurt që fituese rezulton thuajse gjithmonë pala qeveritare pushtetare mbi atë profesionale mjekësore. Edhe pse kjo dramë është shkruar më shumë se 130 vjet më parë, ky duel moral vazhdon ende thuajse i pandryshuar. Pushteti qeverisës është i favorizuar dhe më imponues ndaj etikës dhe “pushtetit” profesional mjekësor. Logjika justifikuese që ai përdor është “Kosto-eficienca”. Përjashtim bëjnë vetëm vendet me demokraci solide të konsoliduar që sigurojnë transparencë dhe llogaridhënie publike për qytetarët, të cilët falë të drejtave të legjitimuara të tyre janë partnerë aktivë të fuqishëm.

VËLLEZËR JO NË MORAL

Nuk kish si të ndodhte ndryshe edhe mes dy vëllezërve Stocman. Bashkiaku, i mbështetur edhe nga gazetarët, bëri për vete banorët, madje edhe gruan e Thomas-it kundër tij. Ai e bllokoi raportin e të vëllait si një bombë që do hidhte në erë mirëqenien e do të krijonte katastrofë ekonomike për qytetin, por edhe për familjen e mjekut, madje edhe të atij vetë personalisht. Qeveritari përdori të gjitha taktikat e postit përkundër moralit mjekësor të të vëllait. Së pari, dredhinë: Tentoi ta paraqiste problemin jo ngushtësisht shëndetësor, ku i vëllai qe ekspert, por në një spektër të gjerë ekonomik, social, psikologjik, elektoral dhe politik, të cilat ishin përgjegjësi dhe ekspertizë e atij vetë si kryebashkiak. Në këtë kontekst, pika e nxehtë e debatit spostohej nga rreziku shëndetësor te rreziku ekonomik. “Kriza” apo situata e vështirë ekonomike, – pati thënë Artur Mileri, i cili pati krijuar një version të ri të kësaj drame, – janë alibia dhe arma efikase e pushtetarëve për të përligjur shkelje të moralit dhe të drejtave të qytetarëve, si dhe për t’u mbyllur gojën idealistëve”.

LOGJIKA QEVERITARE PËRBALLË LOGJIKËS MJEKËSORE

Si qeveritar i qytetit, Peter Stocman ndihej përgjegjës vetë brenda territorit për banorët e tij. Meqë klientët e banjës ishin kryesisht jo vendas, por të ardhur, rreziku shëndetësor për vendasit, sipas logjikës së tij, ishte minimal. Por mjeku përkundrazi, përgjegjësinë morale e ndien universale e pa kufij: mbrojtjen shëndetësore të të gjithë njerëzve, kushdo qofshin. (Të ardhurit, a nuk janë edhe ata njerëz?). Atëherë kryebashkiaku propozoi një kompromis pragmatik të tipit: “mishi të piqet dhe helli të mos digjet”; ndërrimi i tubave të mos bëhej menjëherë, por me faza, çka evitonte mbylljen qoftë dhe afat të shkurtër të llixhës. (Mirëpo deri në përfundimin e plotë të riparimit a nuk do liheshin me ndërgjegje një numër klientësh të ekspozuar ndaj helmit dëmtues shëndetësor? A nuk ishin edhe këta njerëz?). Mjeku rezistoi në të tijën. Qeveritari së fundi provoi shantazhin me pasojat ekonomike që do pësonte i vëllai dhe familja e tij; e shoqja që punonte në institucion publik do të humbiste punën, kurse ai vetë, Dr. Thomasi, si anëtar i bordit të qendrës balneare, do përjashtohej nga ky post për indisiplinim administrativ e mosbindje ndaj vendimit të eprorit, pra të kryebashkiakut.

ARMIK PA ARMIQËSI

Për fat të keq të mjekut, edhe banorët e qytetit, që ai po i mbronte shëndetërisht, u bënë solidarë me kryebashkiakun kundër tij. Kjo nuk është për t’u çuditur. Ka ekzistuar gjithmonë një defekt, një bllokadë në “receptorët” e vendimmarrëseve dhe të vetë popullatës, që i pengon ata për të ndier dhe për të reaguar në masën dhe kohën e duhur ndaj rreziqeve shëndetësore të evidentuara shkencërisht. Kjo rezistencë paradoksale me natyrë kulturore, psikologjike apo enigmatike, mund të quhet “shkelm i pandërgjegjshëm ndaj së mirës”. Mospranimi apo nënvleftësimi i rreziqeve të tilla nga ana e qeveritarëve apo vendimmarrësve, mospranimi i sëmundjeve edhe kur ato zbulohen e diagnostikohen dhe mosvlerësimi e moszbatimi më pas i masave të duhura kundër tyre, edhe kur ato janë të disponueshme nga ana e të sëmurëve, haset gjerësisht te ne, por dhe në botë. Ato përbëjnë shkakun më të shpeshtë të disa prej dështimeve të mjekësisë në misionin e saj, sidomos kundër sëmundjeve kronike. Mospranimi apo kundërshtimi naiv i tillë përbën edhe shkakun e barrës së rëndë jetësore e financiare që përballojnë më pas ata, duke paguar shumë më tepër për to. Duke vlerësuar të vërtetën që zbuloi Thomas Stocman si më të rrezikshme për ta, banorët me në krye bashkiakun e shpallën atë “Armik të tyre “dhe i kërkuan atij të largohej nga qyteti.

PRINCIPE DHE PRESIONE
Por mjeku Thomas Stocman nuk u largua. Vendosi të qëndrojë i vetëm përkundër të gjithëve sepse zotëronte diçka që të gjithë të tjerëve u mungonte. Dhe kjo ishte e drejta. Ai i mbeti besnik moralit dhe idealizmi të tij profesional. Jo për kokëfortësi. As për sedër. Por thjesht për princip. Ekzaktësisht të njëjtin princip do mbronte gati 100 vjet pas kësaj drame mjeku Norman Levinski në artikullin “The doctor’s master”: “Detyra e mjekut, – shkruan aty ai, – është të bëjë më të dobishmen për shëndetin e njerëzve, pavarësisht kostos. Ata duhet të veprojnë në çdo rrethanë vetëm si avokatë të interesit të pacientëve, qoftë edhe kur kjo konsiderohet kundër interesave të shoqërisë në tërësi”. Edhe pse e akuzuan si idealist, naiv, madje edhe pa moral, Dr. Thomas asnjëherë nuk e ndjeu veten të tillë. Katerina, e shoqja e tij, ia shpjegoi se qe e kotë të insistonte në moralin mjekësor përderisa ai qe i pafuqishëm ndaj pushtetit të të vëllait, i pafuqishëm ndaj qytetit dhe banorëve, pra kauza e tij ishte e humbur me siguri. “Ç’rëndësi ka që ke të drejtën në anën tënde kur nuk ke mundësi ta zbatosh dot?” – i tha ajo. A është morale që për një të drejtë që beson dhe mbron të mos kryesh as obligimin si prind dhe bashkëshort ndaj mirëqenies së familjes tënde?

NJERIU MË I FORTË NË BOTË

E drejta e Dr. Stocman-it ishte vetëm ajo që i jepte morali i tij si mjek. “Njeriu që ka me vete të drejtën – besonte ai – është më i forti në botë”. Rreziku helmues i ujërave termale nuk ishte imagjinar. Ishte i vërtetuar shkencërisht. Detyra e tij si mjek ishte mbrojtja e shëndetit të njerëzve. Duke kryer me ndershmëri këtë, ai ndiente se po i mbronte ata më mirë se të tjerët, përfshi edhe kryebashkiakun, qoftë edhe në interesat ekonomike të tyre. Sepse helmi në ujërat termale qe bombë që do plaste shpejt një ditë, por me dëme shumë herë më të mëdha. Edhe si bashkëshort dhe prind ai e mirëkuptonte Katerinën. Por gjithmonë brenda principeve dhe moralit njerëzor, qytetar dhe profesional. “A nuk është detyra e parë prindërore, – tha ai, – t’i bëjmë fëmijët të ndershëm dhe të aftë të jetojnë, bazuar në principe të shëndosha morale?”.

IKONË E DUHUR SOT

Thomas Stocman si personazh është një ikonë e moralit mjekësor. Ai vlen jo për ta hyjnizuar si shenjtor, por për të inspiruar besnikërinë e palëkundur ndaj principeve morale të profesionit mjekësor, qoftë edhe në rrethana kur padrejtësisht mund t’i kesh të gjithë kundër. Për mjekësinë tonë të sotme aq të përfolur për krizën etike, besoj mund të vlente si dritë jeshile e rrugëdaljes nga ngërçet ku ajo është mbërthyer prej presioneve të tregut të lirë, konkurrencës së egër, lakmisë materialiste e financiare, joshjeve mercenarizuese nga ana e kompanive dhe bizneseve prodhuese dhe ofruese të barnave e të teknologjisë mjekësore, si dhe prej “blerjes” së shpirtit e të moralit të tyre profesional nga partitë politike, pushtetarët dhe vendimmarrësit e të gjitha niveleve me të cilët ata bashkëveprojnë ose varen. Sepse siç pati paralajmëruar Papa Vojtila, edhe njerëzve të mirë mund t’u ndodhë ta shesin shpirtin. Ruajtja e pacenuar e moralit dhe ndershmërisë në profesionin mjekësor nuk është as sot utopi, por natyrisht ka një çmim të shtrenjtë për t’u paguar; në formën e presioneve, privacioneve, madje edhe të ndëshkimit të pamerituar. Ngushëllimi i vetëm për to është që ato nuk vazhdojnë dot përgjithmonë. Sepse e drejta dhe e mira, sidoqoftë, mbijetojnë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi