Ambasadorë karriere vs. ambasadorë politikë

Nga Shaban Murati, botuar në BalkanWeb, 5 gusht 2013

Prishja e raporteve mes numrit të ambasadorëve dhe diplomatëve të karrierës dhe numrit të ambasadorëve dhe diplomatëve politikë përbën një nga fenomenet më negative të institucionit të shërbimit diplomatik. Ky fenomen është katalizator i erozionit të sistemit diplomatik dhe funksionit të një shteti, ndaj dhe çdo tendencë, sado e vogël, drejt cenimit të këtij raporti, shkakton reagime të fuqishme në shtetet demokratike. Emërimi, që në fund të muajit korrik presidenti amerikan Barak Obama i bëri vajzës së ish-presidentit amerikan Xhon Kenedi si ambasadore në Japoni dhe i disa emrave të tjerë si ambasadorë nga fusha e biznesit, që i kanë sponsorizuar fushatën elektorale, ka ngjallur shqetësime të forta, si në komunitetin diplomatik amerikan, ashtu dhe në komunitetin akademik e civil. Në 31 korrik, “Mcclatchy Newspapers” kritikonte presidentin për tendencën e rritjes së emërimeve politike të ambasadorëve. Në të jepen edhe krahasimet e praktikave të tre presidentëve të fundit, dhe në listë evidentohet që presidenti Obama ka krijuar raportin 35 për qind ambasadorë politikë me 65 për qind ambasadorë të karrierës, në një kohë kur presidenti i mëparshëm Xhorxh Bush i biri, e kishte 30 për qind të parët dhe 70 për qind të dytët, ndërsa presidenti demokrat Bill Klinton e kishte 28 për qind ambasadorë politikë dhe 72 për qind ambasadorë të karrierës. SHBA-të kanë 175 poste ambasadoriale.

Në SHBA nuk ka një rregull të shkruar apo ligj zyrtar të sanksionuar, por gjatë shumë dekadave, të gjithë presidentët amerikanë kanë ruajtur ekuilibrin 70 për qind ambasadorë të karrierës me 30 për qind ambasadorë politikë. Presidenti Obama devijoi nga ky rregull, duke shtuar me 5 për qind numrin e ambasadorëve politikë dhe menjëherë u ngrit alarmi në Amerikë. Sepse mbrojtja e karakterit shtetëror dhe kombëtar, dhe e funksionit bipartizan të institucioneve demokratike të shtetit është një parim i madh, një objektiv dhe një detyrë, për të cilën qëndron në roje ndërgjegjja profesionale dhe qytetare e institucioneve të specializuara dhe e komunitetit diplomatik, por edhe e komunitetit akademik apo shoqërisë civile. Ndaj dhe tendenca e konstatuar kohët e fundit për prishjen e këtij ekuilibri delikat, u bë menjëherë çështje e debatit publik. Gazeta angleze “The Guardian” shkruante në 10 korrik, se diplomatët e karrierës në Uashington janë gjithnjë e më tepër të alarmuar se si kjo praktikë është rritur, madje një ish-ambasador amerikan e përshkroi si shitje të zyrës publike. Suzan Xhonson, presidente e Shoqatës së Shërbimit të Jashtëm Amerikan, që grumbullon diplomatët e karrierës, deklaroi me këtë rast se “kjo na shqetëson në mënyrë të veçantë. Në shkallën që po bëhet, po nënvleftëson konceptin e shërbimit diplomatik të karrierës dhe dobëson fuqinë dhe kapacitetin e shërbimit diplomatik”. Gazeta “Variety” shkruante se diplomatët e karrierës i kanë bërë thirrje Obamës që t’i mbajë në minimum emërimet politike.

I njëjti shqetësim për ruajtjen rigoroze të raporteve mes emërimit të ambasadorëve të karrierës dhe atyre politikë, është ngritur edhe në Turqi. Në datën 20 korrik, një grup i përbërë nga shtatë ish-ministra të Jashtëm dhe 150 ambasadorë të karrierës, i dërguan një peticion të përbashkët Presidentit të Republikës, Abdullah Gyl, për t’i kërkuar mosdekretimin e një ligji të miratuar në datën 11 korrik në parlament, i cili krijon hapësirë ligjore për emërimin si ambasadorë të personave, që nuk janë anëtarë të Shërbimit të Jashtëm turk, dhe për më tepër hap rrugën që ambasadorët politikë, pas mbarimit të mandatit, mund të kthehen në MPJ dhe të marrin poste të rëndësishme drejtuese profesionale, të cilat deri tani ligji ua rezervon vetëm ambasadorëve të karrierës. Peticioni i ish-ministrave të Jashtëm dhe i ambasadorëve të karrierës kritikon ligjin e ri, sepse “kjo do të thotë që persona pa edukim, trajnim dhe eksperiencë në traditën e shërbimit të jashtëm, do të lejohen të marrin rolin e nivelit të lartë të diplomatëve të karrierës, të cilët kanë shërbyer në Shërbimin e Jashtëm pa ndërprerje për 20-30 vjet dhe kanë arritur të ngrihen në pozicione të larta vetëm përmes provave të ndryshme dhe procedurave përzgjedhëse”. Gazeta turke “Zaman” e datës 28 korrik, shkruante lidhur me këtë ngjarje, se “ndryshimi i procedurës ka shkaktuar një pakënaqësi serioze në mesin e diplomatëve në shërbim. Komuniteti diplomatik turk është i shqetësuar rreth penetrimit në politikën e jashtme të politikave partizane”.

Vlen për t’u theksuar se shqetësimi i komunitetit diplomatik turk të diplomatëve të karrierës është kaq i lartë dhe kaq masiv, ndonëse deri tani qeveria turke ka emëruar gjithsej vetëm 10 ambasadorë politikë, në trupën e saj ambasadoriale prej 116 ambasadorësh në gjithë botën. Pra një numër shumë i vogël emërimesh politike, por shqetësimi vjen për lindjen e këtij fenomeni. Edhe shqetësimi i komunitetit diplomatik amerikan të karrierës u ngrit me forcë, ndonëse presidenti ka shkelur vetëm me pesë për qind raportin historik mes ambasadorëve të karrierës dhe atyre politikë. Këto janë sensibilitete, që e kapin tendencën negative qysh në embrion, janë ndërgjegje shtetërore, profesionale dhe qytetare, që konstatohen në shtete demokratike, ku ndjenja e shtetit dhe e integritetit të institucioneve shtetërore është jo vetëm e fortë, por shihet si kërkesë e identitetit dhe e forcimit të funksionimit mbipartiak të institucioneve të specializuara të sistemit shtetëror.

E ballafaquar me këto shtete dhe sensibilitete, nuk mund të mos shkaktojë tronditje realiteti i situatës në Shërbimin e Jashtëm të Shqipërisë, ku më tepër se 30 ambasadorë të përfaqësive tona jashtë shtetit, nga 55 që janë gjithsej, vijnë nga dekretet e emërimeve politike dhe nuk kanë as formimin dhe as përgatitjen profesionale, dhe as ndonjë lidhje me karrierën diplomatike. Emërimet politike me fushata kanë qenë aq frekuente, saqë mund të thuhet me plot gojën, se shërbimi diplomatik shqiptar ka sot më shumë ambasadorë dhe diplomatë politikë sesa ambasadorë dhe diplomatë të karrierës. Që do të thotë, të mos ketë karakterin profesional të domosdoshëm dhe as funksionin për të cilin është krijuar.

Në bazë të ligjit për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë, nr.9095, të miratuar nga Kuvendi në vitin 2003, neni 2, pika 3, në shërbimin diplomatik mund të merren nga institucionet e tjera deri në 20 për qind e numrit të diplomatëve nëpër gjithë përfaqësitë. Por kjo përqindje sot është rritur në mbi 60 për qind, duke shkelur në mënyrë flagrante ligjin, dhe asnjë ministër i Jashtëm i qeverisë, që humbi zgjedhjet, nuk është bezdisur nga kjo prishje skandaloze e mekanizmit funksional të diplomacisë. Me qëndrimet dhe vendimet më profane ndaj shërbimit diplomatik profesional janë emëruar ambasadorë politikë dhe diplomatë politikë, njerëz pa pikën e përvojës dhe të formimit profesional e intelektual, dhe kemi si ambasadorë politikë, kryetarë komunash malore apo bij e anëtarë familjesh të politikanëve apo të biznesmenëve, që kanë kontribuar në fushatat elektorale të Partisë që humbi zgjedhjet. Nuk po përmendim se qeveria e Partisë që humbi zgjedhjet, ka në listën aktive të ambasadorëve të emëruar prej saj, disa ambasadorë të kohës së Enver Hoxhës dhe madje, absurdin e emërimit si ambasadorë të ish- anëtarëve të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, një çudi administrative dhe politike që nuk ka ndodhur në asnjë shtet ish-komunist të Europës Lindore pas rrëzimit të komunizmit.
Është shkelur Ligji për Shërbimin e Jashtëm, neni 30, pika 1, i cili në mënyrë taksative përcakton se diplomatët emërohen në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë, të akredituara në shtete të tjera, të paktën dy vjet pasi kanë marrë gradën e parë diplomatike (atashe). Nëpër ambasada janë marrë njerëz nga rruga dhe më shumë se gjysmën e personelit të përfaqësive nuk i njeh kush në ministri. Dhe kjo bëhet kur në ministri ka diplomatë shumë të aftë dhe profesionistë të përgatitur karriere, që kanë 10 apo 15 vjet pa lëvizur dhe të cilët nuk i dërgon njeri në ambasada. Në kundërshtim me ligjin, janë emëruar ambasadorë politikë apo drejtorë të përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme, njerëz që nuk kanë pasur asnjë gradë diplomatike dhe madje nuk kanë pasur as statusin e nëpunësit civil, për të mos vazhduar më tej me skandalet e emërimit në poste të larta ambasadoriale dhe diplomatike, të emigrantëve që kanë shtetësinë e shteteve ku janë akredituar.

Qeveria e re, që vjen në fuqi në shtator, nuk do ta ketë të vështirë të rivendosë ekuilibrin e domosdoshëm profesional dhe strukturor në shërbimin diplomatik, mjaft që të ballafaqohen emërimet politike me nenet e Ligjit për Shërbimin e Jashtëm dhe askush prej militantëve të emëruar jashtë normave ligjore nuk mund të pretendojë se po i shkelet e drejta. Ambasadorët politikë duhet të largohen bashkë me qeverinë që humbi zgjedhjet. Edhe në Amerikë ambasadorët politikë largohen bashkë me presidentin që ikën. Madje në Amerikë nuk ndodh që presidenti, në dy mandatet e tij, të dërgojë dy herë të njëjtin ambasador politik jashtë shtetit. Ndryshe veprohet në Shqipëri, që kur rri partia dy mandate qeverisëse, ambasadorët politikë, ose marrin dy mandate ambasadori, ose nuk luajnë nga vendi dhe thyejnë rekorde me 6, 7 apo 8 vjet në post, siç po ndodh me ambasadorët e tanishëm. Dhe ironia qëndron në faktin se ambasadorët politikë, të cilët partia i ka mbajtur dy mandate jashtë shtetit, krijojnë autosugjestionin se me dy emërime politike janë bërë diplomatë të karrierës. Duke qenë profanë të fushës, ata nuk e dinë se nuk mund të quhesh kurrë diplomat karriere, nëse nuk ke kaluar në shkallët e rangjeve të profesionit në Ministrinë e Jashtme. Ambasadorët politikë dhe diplomatët politikë duhet të kthehen dhe t’i hapin rrugën qeverisë së re, që të dërgojë ajo 20 përqindëshin e vet politik, që i takon sipas ligjit. Edhe sipas Ligjit të Shërbimit të Jashtëm, emërimet politike kthehen në vendet e punës apo të papunës, nga kanë ardhur.

Shërbimin e Jashtëm të Shqipërisë e realizojnë dhe e zhvillojnë diplomatët e karrierës, njëlloj si ushtarakët përbëjnë Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë apo Forcat e Armatosura. Pakësimi i profesionistëve është dobësim dhe nxjerrje jashtë funksionit e sistemit dhe e institucionit të diplomacisë dhe cenim i interesave shtetërore e kombëtare të Shqipërisë. Shërbimi i Jashtëm është një institucion, është një profesion, është një karrierë, është një traditë, dhe nuk mund të ketë diplomaci pa këtë koncept ndërtues. Restaurimi i raportit në favor dhe në dominim të diplomacisë së karrierës, është vërtet hapi i madh i domosdoshëm i një Rilindjeje të diplomacisë së Shqipërisë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi