Një histori ballkanike ndryshe

Nga CATHERINE ASHTON 

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë. Ky shkrim u botua më 26 prill 2013 në gazetën “International Herald Tribune”

Ashtu si kudo në Europë, historia e kohëve të fundit në Ballkanin Perëndimor është shkruar me gjak. Që nga roli i tij në nxitjen e Luftës së Parë Botërore, gjatë pushtimit dhe rezistencës së Luftës së Dytë Botërore, betejave dhe barbarive që pasuan ndarjen e Jugosllavisë, popujt e rajonit kanë vuajtur shumë.
Të premten e kaluar, Ivica Daçiç dhe Hashim Thaçi vendosën t’i bënin gjërat ndryshe. Pas gjashtë muajsh bisedash të drejtpërdrejta, kryeministrat e Serbisë dhe Kosovës vendosën të normalizonin marrëdhëniet.
Ata përcaktuan një numër hapash praktikë që do t’i ndihmojnë popujt e tyre të largojnë frikën, të nxitin zhvillimin dhe të luajnë një rol të plotë si anëtarë të familjes europiane.
Nuk duhet ta ekzagjerojmë. Ky nuk është fundi i rrugës. Është një degëzim i rrugës dhe javën e kaluar dy burra guximtarë zgjodhën udhën e paqes.
Ky nuk ishte rezultati që shumë njerëz prisnin para gjashtë muajsh kur thirra zotin Thaçi dhe zotin Daçiç së bashku në zyrën time në Bruksel. Ata nuk ishin takuar kurrë.
Për vite me radhë në zyrën time janë negociuar diskutime teknike mbi çështje ditore, si për shembull, çfarë duhej të ndodhte në kufirin midis Serbisë dhe Kosovës. Këto bisedime kishin arritur në pikën ku nevojitej një shtysë politike dhe kjo do të thoshte angazhim i dy kryeministrave.

Pasditen e 19 tetorit, zoti Thaçi dhe zoti Daçiç hynë në zyrën time në selinë e re të Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Europian. Asnjëri prej të dyve nuk ishte i sigurt se si do të pritej lajmi i takimit në vendet e tyre. Kur fotografi ynë u bëri një foto dy burrave së bashku, unë prita për publikimin e saj derisa dy kryeministrat të ishin të qetë.
Detyra ishte të gjendej një mënyrë për të ndihmuar dhjetëra mijëra serbët që jetojnë në Veri të Kosovës. Shumë është shkruar mbi historinë e konfliktit. Çështja ishte si t’i jepej fund.
Ai takim i parë zgjati vetëm një orë. Synimi i tij nuk ishte zgjidhja e diferencave, por të shihej nëse ishte pjekur koha për një dialog të qëndrueshëm. Më e rëndësishmja, ashtu bënë edhe ata.
Pasuan edhe nëntë takime të tjera. Ndonjëherë ishin takime të gjata deri në 14 orë, shpesh të hollësishme dhe ndonjëherë të tensionuara. Në kohë të ndryshme kam ftuar të merrnin pjesë edhe zëvendëskryeministrat dhe persona të tjerë nga të dyja palët. Marrëveshja do të arrihej vetëm nëse do të mbështetej nga koalicione të gjera si në Serbi, ashtu dhe në Kosovë.
Në fund, të dyja palët gjetën terren të përbashkët mbi nivelin e autonomisë që duhet të gëzojnë serbët e Kosovës.

Në Beograd dhe në Prishtinë marrëveshja e tyre u mirëprit nga spektri politik.
Mbetet shumë për të bërë për zbatimin e marrëveshjes në terren. Megjithatë, mendoj se mund të reflektojmë mbi katër mësimet e mëdha që kemi nxjerrë në këta gjashtë muaj.
• Udhëheqja e guximshme është jetike nëse duam të arrijmë ndryshime afatgjata. Kushti normal i politikës është shfrytëzimi i linjave ndarëse dhe nxitja e diferencave. Kërkesa për arritjen e paqes është gjetja e terrenit të përbashkët dhe projektimi i një të ardhmeje të përbashkët. Gjatë këtyre gjashtë muajve kam parë njerëz nga Beogradi dhe Prishtina që kanë evoluar nga politikanë në paqebërës. Ata e dinin që po rrezikonin por, për meritën e tyre të madhe, nuk u ndalën.
• Europa e sotme — dhe në fakt, edhe pjesa më e madhe e botës së sotme — është e çrregullt. Kemi identitete të shumta, që jo gjithnjë përshtaten lehtësisht me nocionet e thjeshta të shekullit të 19-të për shtetin komb. Një nga sfidat më të mëdha në shumë prej mosmarrëveshjeve të sotme është pranimi i çrregullsisë dhe të ndihmuarit e njerëzve me identitete të ndryshme të gjejnë mënyra për të ndarë të njëjtën hapësirë në frymën e respektit të ndërsjellë. Atëherë do të kemi një shans për të rrokur shpërblimin e vërtetë: kremtimin e diversitetit tonë të lavdishëm.
• Bashkimi Europian mund të bëjë një ndryshim të madh. Është një eksperiment i madh që ta bësh diversitetin të funksionojë në të mirë të të gjithëve ne. Po, ka edhe të metat e veta. Aktualisht po përballet me sfida të ashpra ekonomike. Por, përgjithësisht, funksionon. Ja pse popujt e Europës Lindore deshën të hynin në BE sapo u çliruan nga sundimi sovjetik. Tani edhe Serbia dhe Kosova duan të na bashkohen.

Marrëveshja e javës së shkuar nisi një proces që do t’i mundësojë ta bëjnë këtë.
 Pushteti i ashpër — fuqia ekonomike dhe ndonjëherë forca ushtarake — ka vendin e vet, por edhe pushteti i butë luan një rol të madh. BE-ja vazhdon të tërheqë anëtarë të rinj, jo vetëm se mbështet tregtinë, vendet e punës dhe investimet, por sepse mbështet vlera si liria dhe demokracia, që frymëzojnë popujt anembanë botës.
Pushteti i ashpër fton për llogaritje; pushteti i butë shpërblen imagjinatën. Ajo çka treguan Ivica Daçiç dhe Hashim Thaçi kur erdhën në zyrën time, ishte se kishin guximin të imagjinonin një të ardhme më të mirë për popujt e tyre.
 Kjo, pra, është shpresa ime. (E theksoj “shpresë”: ende nuk është siguri.) Gjatë njëqind viteve të fundit Ballkani Perëndimor është njohur si djepi i luftës. Tani e tutje le të njihet si djepi i paqes.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi