Ligji për shtetësinë nuk duhet prekur

Nga Spiro Peçi, botuar në Revista JAVA

Në vazhdën e reagimeve që ka shkaktuar propozimi i kryeministrit Berisha për një ligj për marrjen e shtetësisë shqiptare, ju drejtuam për një opinion ish-ministrit të Drejtësisë dhe ish-këshilltarit juridik të Presidentit Bamir Topi, z.Spiro Peçi. Në opinionin e tij, zoti Peçi shprehet në lidhje me aspektin delikat dhe kompleks që ka një ligj i tillë, duke u ndalur në analizën e faktorëve juridikë që e bëjnë të vështirë një nismë të tillë ligjore

Tashmë është botërisht e ditur deklarata e kryeministrit Berisha për shtetësinë, e cila me të drejtë po sjell dhe një debat të gjerë, jo vetëm politik por edhe juridik. Dhe, kur them edhe juridik, kam parasysh se sa ndryshimet e mundshme apo të pritshme do të jenë në përputhje me parimet e njohura të së drejtës ndërkombëtare në fushën e shtetësisë, norma dhe parime këto të pranuara nga Republika e Shqipërisë, një angazhim ky i shprehur në nenin 1 të  ligjit që është në fuqi për Shtetësinë Shqiptare (Ligji nr.8389, datë 5.8.1998).

Natyrisht nuk është e lehtë dhe shumë normale të jepet opinion, sidomos juridik, kur ende nuk kemi në dorë një projekt të ligjit të pritshëm. Gjithsesi, deklarata e kryeministrit, në thelb, bën fjalë për dhënien e shtetësisë pa kufizime për të gjithë shqiptarët që jetojnë kudo jashtë Shqipërisë.

Nisur nga kjo, mund të them se për realizimin e idesë së kryeministrit do kërkohej ndryshimi i thelbit të ligjit ekzistues, që në fakt do të sillte një ligj të ri. Për mendimin tim, një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë, për shkak se ligji ekzistues është i standardeve më të mira. Ai nuk ndalon të drejtën për të kërkuar dhe marrë shtetësinë shqiptare nga çdo i huaj (dhe i tillë konsiderohet çdo person që nuk ka shtetësinë shqiptare) dhe sidomos me origjinë shqiptare. Ligji, në përmbajtje të tij, në rastet kur një person kërkon të marrë shtetësinë shqiptare, në kushtet e kërkuara, për ata që janë me origjinë shqiptare, bën dallime lehtësuese në krahasim me të huajt e tjerë, në një element thelbësor, siç është ai i kohës së qëndrimit në Republikën e Shqipërisë. Ashtu siç e përmenda edhe më lart, ndryshimi i ligjit me qëllim heqjen e elementeve thelbësorë të kushteve për të fituar shtetësinë, është i gabuar.

Shtetësia, në konceptin juridik është një marrëdhënie ligjore, një “kontratë”e qëndrueshme, ku, si individi, ashtu dhe shteti, në mënyrë të ndërsjellë mbartin detyrime dhe gëzojnë të drejta në mënyrë reciproke, të shprehura në kushtetutën e vendit dhe gjithë legjislacionin. Është kjo arsyeja që në rregullat dhe legjislacionin e pjesës më të madhe të vendeve të BE, gjejmë të njëjtat elemente të rëndësishëm për marrjen e shtetësisë, siç mund të përmendim detyrimin e individit kërkues të  ketë domosdoshmërisht një kohë qëndrimi në shtetin ku kërkon të bëhet nënshtetas.

Një arsye tjetër pse nuk duhet prekur ligji për shtetësinë, të paktën për heqjen e kushteve që duhet të plotësojë çdo kërkues, është dhe fakti se ato prekin marrëdhënie politike dhe juridike tashmë të vendosura, të pranuara dhe të nënshkruara si nga Republika e Shqipërisë dhe nga BE. Dhe këtu e kam fjalën për pasojat që mund të vijnë lidhur me lëvizjen e lirë në zonën Schengen të shtetasve shqiptarë.

Në marrjen e vendimit për heqjen e vizave për shtetasit shqiptarë, veç shumë kushteve të cilat duheshin plotësuar, është dhe detyrimi për të mbajtur të pa prekur të njëjtin regjim ligjor edhe për shtetësinë. Kjo është e përcaktuar në kontratën e nënshkruar nga të dyja palët BE-RSH, dhe asnjë ndryshim nuk mund të ndodhë pa miratimin e BE. Shkelja e kontratës, në rastin konkret, besoj vështirë se mund të kalojë pa sanksione, të cilat mund të sjellin rikthimin e vizave për shtetasit shqiptarë.

Përpjekje  të tilla, të ndodhura me ndonjë vend të veçantë për liberalizimin e  dhënies së shtetësisë vetëm mbi baza etnike, kanë ndeshur reagimin e ashpër të BE, të cilat kanë detyruar shtetin përkatës të ndërpresë këto praktika.

Ndryshimi i ligjit për shtetësinë, përsa i përket heqjes së kufizimeve me qëllimin e marrjes së shtetësisë shqiptare nga çdo shqiptar kudo që jeton, besoj se do ngjallë reagime nga fqinjët, ku prezenca e shqiptarëve është e konsiderueshme. Një veprim i tillë do konsiderohet si lëvizje për prishje ekuilibrash me motive nacionaliste, që për rajonin ku jetojmë, gjithmonë sjellin pasoja, që popujt asnjëherë nuk i dëshirojnë. Është kjo arsyeja që reagimet e ndërkombëtarëve për të ulur tonet e nacionalizmit ekstrem janë të pranishme dhe serioze.

Pavarësisht nga sa më lart, nëse qeveria do t’i qëndrojë idesë së deklaruar nga kryeministri dhe do ndërmarrë nismën për ndryshimin e ligjit për shtetësinë, ky duhet të jetë një proces që të përfshijë jo vetëm specialistë vendas të së drejtës, por duhet bërë në konsultim dhe mirëkuptim me specialistë që përfaqësojnë BE, si dhe institucionin e Presidentit të Republikës, që ka detyrimin e mbikëqyrjes dhe të zbatimit të këtij ligji.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi