Bujqësia, vendi dhe roli i saj në ekonominë kombëtare

NATASHA HODAJ, botuar në PanoramaOnline, 1.12.2012

Realiteti bujqësor në zonat rurale

Realiteti bujqësor në zonat rurale tregon se bujqësia është e dominuar nga ferma me sipërfaqe të vogël (mesatarisht 1.2 hektarë) dhe të copëzuara në mesatarisht 3.9 parcela/fermë, gjë që përbën një pengesë të rëndësishme për rritjen e produktivitetit të tokës dhe zhvillimin  eficient të sektorit bujqësor. Fermat me madhësi të vogël janë më të përhapura në pjesën malore dhe veriore të vendit, si në prefekturat e Kukësit, Dibrës, Shkodrës dhe Lezhës (me mesatare respektivisht prej 0.54 ha, 0.55 ha, 0.85 ha dhe 0.94 ha).

Parcelizimi i tokës bujqësore ka bërë që përdorimi në shkallë të gjerë i mekanikës bujqësore të jetë i kufizuar. Nga ana tjetër, lëvizjet e pareshtura migratore nga zonat rurale në drejtim të qendrave të mëdha të banuara kanë bërë që sipërfaqe të konsiderueshme toke bujqësore të lihen djerrë.

Bazuar në llogaritë kombëtare, vlera e shtuar e produkteve bujqësore dhe e zhvillimit rural është rreth 155 miliardë lekë.
Pretendohet që në bujqësi janë punësuar përafërsisht rreth 756 000, por nga të dhënat e fundit rezulton të jetë ulur në rreth 560 000 (!) njerëz dhe vlera e shtuar vjetore për një të punësuar është afërsisht 200 mijë lekë, ose 1,700 euro. Kjo vlerë është mjaft e ulët krahasuar me rreth 26 000 euro për 15 vende të BE-së (BE 15) dhe 6500 euro për vendet e reja anëtare të BE-së. Kjo situatë shtron pyetjen: ekziston realisht ky nivel punësimi në bujqësi?

Rritja e sektorit bujqësor është nën mesataren kombëtare dhe, njëherësh, larg potencialeve reale. Kjo vjen si rezultat i problemeve me të cilat përballet sektori, ku mbizotërojnë ato të lidhura me eksodin rural, sipërfaqen e kufizuar të fermave dhe pronësinë mbi token, marketingun e produkteve, ujitjen dhe kullimin, nivelin e ulët të teknologjive të përdorura, organizimin e dobët të fermerëve, nivelin e ulët të zhvillimit të industrisë agroushqimore dhe pesha e ulët që ka bujqësia në këtë hallke të sistemit etj., duke zbehur në këtë mënyrë interesin për investime serioze në fushën e agrobiznesit, në dobi të nxitjes së punësimit dhe rritjes së nivelit të prodhimit të produkteve bujqësore e blegtorale, si dhe përpunimin e tyre të mëtejshëm.

Mbështetja e bujqësisë, një sfidë, apo…?


Veçori të ndryshme të bujqësisë, si besimi i fortë te faktori tokë si një faktor prodhimi dhe natyra e fragmentarizuar e pronësisë së tokës, e bëjnë bujqësinë rezistente ndaj depërtimit të kapitalit. Deri tani, bujqësia është parë si joatraktive për investime kapitali. Disa nga argumentet që ofrohen lidhur me këtë problem janë:

Së pari, kapitali qarkullon ngadalë në bujqësi për shkak të natyrës së saj organike, që do të thotë varësi në sezonet e rritjes, ciklet e zgjatura të rritjes, risqet që shoqërojnë prodhimin si sëmundjet, moti etj. Koha e prodhimit është më e gjatë se koha e punës. Në këtë këndvështrim, kapitali është më atraktiv në ato industri ku koha e prodhimit mundet në mënyrë të suksesshme të pakësohet dhe kontrollohet më me lehtësi.

Një arsye e dytë pse bujqësia është relativisht joatraktive ndaj kapitalit industrial është që ekonomitë e shkallës arrihen me vështirësi. Fermat shumë të mekanizuara shfaqen si njësitë më eficiente në shumicën e vendeve të Europës.

Së treti, disekonomitë e distancës, së bashku me variacionet në pjellorinë e tokës, topografia dhe klima, e bëjnë më të vështirë menaxhimin e ndërmarrjeve të mëdha, sesa në industri të tjera. Në rastet kur toka nuk përbën më një faktor përcaktues në prodhim, si p.sh. në sektorët i derrit, shpendëve shtëpiake, serave, mbarështim peshku ose ushqyerja e lopëve, kapitali është në gjendje të depërtojë dhe ristrukturojë industrinë duke dhënë rezultate të dukshme.

Në afatin e gjatë, zhvillimi i kapitalit në bujqësi tenton të nënvleftësojë rëndësinë e tokës si faktor prodhimi. Statistikat aktuale tregojnë se familja bujqësore në Shqipëri përbëhet mesatarisht nga rreth 4.8 persona dhe tendencat janë drejt zvogëlimit të madhësisë së familjes. Kjo tendencë është shfaqur që me fillimet e viteve ’90 dhe më e theksuar kjo pas vitit 1997. Gjatë periudhës 1997-2005 është shfaqur më dukshëm rënia e numrit mesatar të anëtarëve të familjes dhe i popullsisë rurale gjithsej. Në zonën rurale dominojnë familjet me 3-5 anëtarë, të cilat përfaqësojnë rreth 56% të totalit të numrit të familjeve gjithsej, ose 47.5% të popullsisë rurale.

Ajo që vlen të theksohet është fakti se popullsia rurale në vend vazhdon të dominohet nga mosha e re.
Rreth 24% e popullsisë rurale është e moshës deri në 15 vjeç, 67% e moshës 16-65 vjeç dhe vetëm 9% në moshën mbi 65 vjeç. Mbështetur në këtë përbërje të popullsisë, mund të themi që në zonat rurale ka një brez të ri të aftë për punë, por që është pak i angazhuar me aktivitetet bujqësore dhe se ferma përbën burimin kryesor të punësimit, por duke mos harruar se niveli i disponimit të kapaciteteve prodhuese është shumë i ulët. Është kryesisht për këtë arsye, por jo vetëm, të theksojmë, çështja e punësimit në bujqësi duhet parë tërësisht e inkluduar në kuadër të politikave dhe të strategjive të zhvillimit të bujqësisë.

Situata e mësipërme është kushtëzuar kryesisht nga mungesa e një vizioni të qartë lidhur me strategjitë e zhvillimit. Ne vazhdojmë të jemi ende peng i strategjisë së zhvillimit të kushtëzuar.

Strategjia Europa 2020 ka të bëjë me “ardhjen e zhvillimit që duhet të jetë në vetvete: rritje inteligjente nëpërmjet investimeve të duhura në fushën e arsimit, hulumtimit dhe inovacionit; e rritje e qëndrueshme falë një lëvizjeje vendimtare drejt ekonomisë pa ndotje nga CO2; rritje gjithëpërfshirëse me një theks të veçantë në krijimin e vendeve të punës dhe uljes së varfërisë. Strategjia fokusohet në 5 synime largpamëse në fushat e punësimit, inovacionit, arsimit, uljes së varfërisë dhe klimës/energjisë”.

Çfarë duhet bërë?


Respektivisht rëndësi duhet t’u jepet mundësive të punësimit dhe përfshirjes sociale në tregun e punës me anë të lehtësimit të integrimit në tregun e punës të të rinjve, femrave, romëve, të papunëve afatgjatë, si dhe grupeve të shënjestruara; kjo do të arrihet me përmirësimin e shprehive, me lehtësimin e rrugës drejt punësimit dhe mbajtjes së personave të punësuar si të tillë. Duhet të ofrohet punë-formim, programe komunitare punësimi në punë publike, dhe gjithashtu krijimin e vendeve të reja të punës. Duhet të rriten mundësitë e punësimit të grupeve të shënjestruara, si në rastin e punëkërkuesve të papunë, duke iu ofruar trajnim për aftësitë që kërkohen nga tregu i punës më shumë përfituesve se sa ç’kanë përfituar deri më sot.
Duhet të zbatohen programe të nxitjes së punësimit për të përmbushur objektivat e përfshirjes sociale të grupeve të shënjestruara.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi