Diplomacia: sfida midis politikës dhe profesionit

Nga Mehmet Elezi, botuar në gazetën 55, 4 mars 2001

1.
Nëpër fjalorë gjuhësorë diplomacia përcaktohet në thelb si një degë e politikës, që ka të bëjë me marrëdhëniet ndërshtetërore.

Nëpër libra të specializuar gjen zbërthime teorike rreth këtij përcaktimi. Ndërsa në praktikë mund të marrësh përgjigje krejt të dryshme. Ndonjëherë ato janë të kundërta.
Teorikisht hapësira e interpretimit mbetet e gjërë. Sakohë që me fjalën politikë në mënyrë të përmbledhur kuptohet arti dhe praktika e qeverisjes së një shoqërie, atëherë diplomacia, si degë e politikës, s’ka si me qenë një post teknik.

Çështja ngatërrohet kur politika njëjtësohet (identifikohet) me interesat e partive në pushtet. Në këtë rast cili kriter duhet të jetë përcaktues në përzgjedhjen e emërimin e diplomatëve: besnikëria politike ndaj pushtetmbajtësve, apo zotësia profesionale, që nënkupton domosdoshmërisht edhe kulturën politike?

 Demokracitë e zhvilluara përgjithësisht i kanë tejkaluar ngatërresa kësisoj. Ato e kanë formuar klasën e diplomatëve të karrierës. Ndërrimi i qeverive sipas përkatësive partiake nuk shoqërohet me pasoja fatale për këtë klasë, as për diplomacinë e vendit. Ndodhin riorganizime, ulje e ngritje në detyrë, dorëheqje. Por këto nuk janë traumatike.

Ish-ambasadori amerikan në Jugosllavi Warren Zimmermann pati dhënë dorëheqjen pas tridhjetë e tre vjetësh punë në shërbimin e jashtëm amerikan (1961-1994). Gjatë kaq viteve në Shtëpinë e Bardhë kishin hyrë e dalë demokratët e republikanët gjithësejt nëntë herë. Por diplomatët profesionistë kishin vazhduar të patrazuar shërbimin për Amerikën.

Pavarësisht nga përkatësitë partiake, Departamenti i Shtetit ka një qëllim kryesor: të bëjë politikën e jashtme sipas interesave të vendit të vet e jo sipas interesave të partive.

2.
Klasa e diplomatëve dhe vetë diplomacia shqiptare qysh prej themelimit të shtetit shqiptar më 1912 ka kaluar nëpër katër shkallë të mëdha. Disa kanë qenë ngjitje plot shpresë; disa zbritje drejt theqafjes.

 Gjatë sundimit të tij nga mesi i viteve ’20 të qindvjetshit të shkuar e deri në prag të Luftës së Dytë mbreti Zog hodhi themelet e një shteti modern shqiptar. Diplomacia qe pjesë elitare e këtij shteti. Ajo eci drejt profilizimit të portretit si një diplomaci profesioniste. Në të bënin pjesë intelektualë të ditur, bij të familjeve të mëdha, të shkolluar në Perëndim.

Në emërimin e ambasadorëve me peshë Zogu mundi të ngrihej edhe mbi bindjet e veta politike. Ai dekretoi ambasador pranë Shtëpisë së Bardhë në Uashington Faik Konicën, një kundërshtar të njohur politik të tij, dhe e la në këtë post gjatë gjithë kohës së mbretërimit. Konica shkrimtar, poliglot, erudit dhe eseist i shkëlqyer e përfaqësoi denjësisht fytyrën e Shqipërisë, si një vend europian. Ai do ta kish nderuar cilindo kryeqytet vezullues të Kontinentit.

3.
Ardhja në pushtet e komunistëve pas Luftës qe një tragjedi edhe për shërbimin diplomatik. Klasa e vjetër e diplomatëve të ditur e të përkushtuar, kush mundi me shpëtue, u detyrua të emigronte. Në Atdhe i priste plumbi ose litari. Zëvendësimi i tyre me intelektualë të shkolluar në Perëndim ishte më i largët se një ëndërr: intelektualët me formim perëndimor u pushkatuan ose u kalbën burgjeve.

Në shërbimin e jashtëm të shtetit shqiptar u punësuan militanë komunistë. Asnjëri syresh nuk kishte kryer studime universitare. Më të shquarit mund të kishin mbaruar disa vite në ndonjë shkollë të mesme. Gjatë afër pesëdhjetë vjetëve që vijuan diplomacia shqiptare mbeti e futur në kallëp. Në prag të shembjes së komunizmit (1990-1991) klasa e diplomatëve që mund të quheshin të karrierës ishte e handikapuar. Ndërmjet tyre kishte një numër të vogël të kualifikuar e me përvojë. Ndonjë kish mbaruar shkollë të specializuar në ish-BRSS. Por niveli e kualifikimi i shumicës së tyre linte shumë për të dëshiruar. Sepse:
1.Nuk e kishin formimin e nevojshëm profesional. Me Perëndimin që ish mallkuar si kapitalist ishin ndërprerë të gjitha lidhjet. Pak më vonë lidhjet u ndërprenë edhe me vendet e bllokut komunist. Në universitetet e Tiranës s’kish pasur fakultete të specializuara për marrëdhëniet ndërkombëtare. Edhe tani mungojnë. Nuk kish pasur ndonjë akademi ose institut që të përgatiste ekspertë në këtë fushë. Edhe tani mungojnë. I vetmi trainim për diplomatët e ardhshëm nuk bëhej në universitete. Bëhej bash në institucionin më të ideologjizuar të një shoqërie ku marksizmi ishte shpallur zyrtarisht “ideologji sunduese”. Bëhej në shkollën e partisë (komuniste)!

2. Nuk kishin formimin e nevojshëm kulturor. Ata përzgjidheshin nga kriteri i biografisë ose i besnikërisë ndaj komunizmit. Ishin funksionarë partiakë, funksionarë të policisë së fshehtë (Sigurimi) ose bij e dhëndurë të tyre. Detyrë kryesore në përfaqësitë ku emëroheshin kishin mbështetjen për grupet terroriste marksiste-leniniste dhe shpërndarjen e “veprave” të diktatorit, me të cilat rrinin mbushur bodrumet e ambasadave. Misioni i tyre ishte një diplomaci e luftës së ftohtë. Secili syresh ishte një “mister njet” i vogël, po të kujtojmë nofkën e famshme të Andrei Gromikos. Kujdes i parë në një pritje ose takim diplomatësh ishte të mos u jepnin dorën homologëve amerikanë, izraelitë apo rusë. Mundësisht të mos i takonin as vështrimet.

Më kujtohet ambasadori i Koresë së Veriut në Tiranë në vitet 1991-1992. Ai shënon arketipin e fundit të diplomatit të luftës së ftohtë. Burrë i moshuar, ndoshta mbi 75 vjeç, vetëm tundte kokën duke lëshuar nëpër hundë tinguj të pakuptueshëm. Çudia ishte se nuk dinte asnjë fjalë në gjuhë të huaj. Madje as rusisht. Ish-funksionar i lartë në partisë komuniste në Phenian, propagandist me përvojë, e kishin prurë të vdiste si ambasador! Eshtë koha kur po jepte shpirt një sistem dhe një diplomaci.

4.
Në pranverën e vitit 1992 forcat demokratike në Tiranë fituan bujshëm mbi komunistët. Për arsyet që u shtjelluan më lart, me ndonjë përjashtim, shërbimi i jashtëm i një Shqipërie demokratike nuk mund të përfaqësohej me diplomatët e vjetër. Ndër detyrat e ngutshme ishte përgatitja e klasës së re të diplomatëve. Ndryshimi filloi paralelisht në dy rrafshe:

1. Filloi në rrafshin e mendimit: diplomacia nuk duhej konceptuar më si militantizëm partiak. Ajo duhej konceptuar si institucion profesional në shërbim të politikës kombëtare. Ky ishte vështrimi perëndimor i çështjes. Pesëdhjetë vjet më parë Xhorxh Kenan, ish-drejtor i Stafit të Hartimit të Politikave në Departamentin e Shtetit, shprehej kundër asaj që ai e quante “diplomaci diletante”. Ai thoshte: “…ne mund të bëjmë shumë më tepër që në ndërtimin e politikës së jashtme të përdoren më mirë parimet e profesionalizmit. Ne… mund të krijojmë një trupë zyrtarësh profesionistë superiorë ndaj gjithçkaje që ekziston ose që ka ekzistuar ndonjëherë në këtë fushë”.  Bota demokratike e kish përmbushur këtë detyrë. Shqipëria ishte vonuar shumë. Duhej të punonte me e kompensue kohën e humbur.

2. Ndryshimi filloi njëherësh edhe në rrafshin akademik: për të qenë profesionistë të vërtetë, diplomatët e rinj duhej të përgatiteshin nëpër shkolla dhe akademi të specializuara.

Kjo detyrë ishte për të ardhmen. Po për nevojat emergjente ç’duhej bërë?
Ministria e punëve të jashtme e Qeverisë Demokratike i hapi dyerët për intelektualët. Për herë të parë u zbatua punësimi në shërbimin e jashtëm me konkurs. Gjithkujt iu dha mundësia me konkurue. U thye tabuja që e konceptonte diplomacinë si një kullë të mbyllur të njerëzve shumë të privilegjuar e me fat, që mund të rrojnë të lumtur në perëndimin e lulëzuar, duke parë botë me sy.

Ky ishte hap i madh përpara. Një financier ose një jurist i zoti e ka kulturën e negocimit, i njeh ligjet, i njeh konjukturat. Kjo mund të thuhet edhe për një gazetar të mirë ose për një historian. Secili syresh nuk është e vështirë të bëhet diplomat. Në kujtimet e veta ambasadori Zimmermann shkruan se në takim me sekretarin e shtetit e kish quajtur të drejtë mendimin për të punësuar në diplomaci edhe ata që nuk ishin profesionistë, “në se kualifikoheshin”. Këtë ide Zimmermann e ilustron me dy emra të njohur në shërbimin e jashtëm amerikan që nuk kishin CV-në e diplomatit profesionist: Maks Kampelman dhe Strobe Talbot, “një ish-gazetar me mendje të kthiellët”.

Mbi këtë koncept, gjatë viteve 1992-1993 u ndryshua pothuajse gjithë përsoneli i ministrisë së punëve të jashtme në Tiranë. Natyrisht edhe të emëruarit nëpër ambasada. Ishte e pritshme: qe ndryshuar sistemi politik. Por intelektualët që u punësuan si diplomatë ende nuk ishin diplomatë. Ata kishin nevojë për njohuri specifike në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare e deri për çështje teknike e të protokollit. Për t’i kualifikuar u ndoqën dy rrugë.

1. Në Tiranë u ftuan ekspertë perëndimorë të diplomacisë. Ata organizuan kurse afatshkurta për çështje të caktuara.

2. Grupe diplomatësh të rinj u dërguan në vendet e BE dhe SHBA për specializime disajavëshe, disamuajshe deri në një vit.

Ndërkohë një numër studentësh filluan studimet në universitete të njohura ndërkombëtare. Disa me ndërhyrjen e shtetit; të tjerë kishin aplikuar privatisht.
E gjithë kjo përpjekje nisi me dhanë fryte. Por dolën në pah edhe disa dobësi të saj. Pati funksionarë të rinj që nuk dallonin dot kufirin midis lirisë qytetare dhe profesionit. Ndonjë diplomat jepte intervista ku shprehte rezervat vetiake për qëndrime të caktuara të qeverisë. Harronte se si qytetar je i lirë me i shprehë mendimet tua, por si ambasador je institucion me status të veçantë. Në se ndodh që një ambasador ka mospajtime me qeverinë e vet, nuk këshillohet shpallja publike e tyre e aq më pak show. Ambasadori i ka kanalet e veta të komunikimit dhe, nëse prapë nuk ndihet i qetë, më parë jep dorëheqjen, pastaj si qytetar i shpall rezervat ose mosmarrëveshjet politike me qeverinë. Midis intelektualëve të qytetëruar që u përfshinë në shërbimin diplomatik ia dolën me u futë edhe militantë me vlera të kufizuara e të dyshimta. Ndonjë u emërua edhe ambasador ose u ngjit në të tjera poste të larta. Kualifikimi i tyre nuk dukej shumë premtues. Ata mund të ishin të dobishëm gjetkë, por jo në diplomaci. Dhe jo në poste të larta. Pavarësisht nga këto, diplomacia shqiptare nisi me u vu mbi një bazë profesionale, sipas përvojës së vendeve demokratike. Nëse perifrazojmë një vlerësim të njohur për gjeneralin e madh bizantin Belisarius, edhe për këtë diplomaci të re mund të thoshim: “Papërkryerja e saj ishte sëmundje e kohës, virtytet i kish të vetat”.

5.
Përgatitja e klasës së diplomatëve kërkon strategji. Strategji që të hedhë themelet e një diplomacie profesioniste në shërbim të politikave shtetërore, pavarësisht nga ndërrimet e ngjyrave në parlament. Këtë përvojë ofrojnë kryeqytetet perëndimore. Në Paris, për shembull, ka një institut të marrëdhënieve ndërkombëtare. Studentë të diplomuar në Sorbonë e gjetkë kryejnë aty specializime të plota duke mësuar edhe gjuhët sipas grupvendeve ku planifikohen me shërbye: përtejoqeani, Lindja, bota arabe etj.

Vende të tjera përgatisin diplomatë të rinj pranë akademive të njohura. Akademia diplomatike e Vjenës ofron çdo vit mundësi kualifikimi edhe për studentë shqiptarë. Me sa kam mundur të njoh, në të gjitha vendet ish-komuniste të Europës përgatitja e diplomatëve është vënë mbi baza akademike. Shumë prej këtyre vendeve kanë më se një fakultet ku përgatiten ekspertë për marrëdhëniet ndërkombëtare. Kanë edhe institute të specializuara e qendra të përhershme të kualifikimit të tyre. I vetmi vend në Europën ish-komuniste që ende nuk ka asnjë fakultet, institut ose qendër të tillë është Shqipëria. Nëse strategjia për klasën e re të diplomatëve do të kishte parashikuar rrugë të tjera të frytshme, si psh përgatitjen nëpër shkolla e akademi perëndimore, kjo mund të kish qenë e mjaftueshme për një vend të vogël, pa peshë ndërkombëtare. Por kjo nuk ka ndodhur.

6.
Mjerisht përvoja e tre-katër vjetëve të fundit në Shqipëri dëshmon për një kthim mbrapa edhe në shërbimin e jashtëm.  Në vitin 1997 ne Shqipëri u organizua një rebelim i armatosur, në krye të të cilit u vunë socialistët (ish-komunistët). Institucionet e shtetit u përmbysën, u dogjën e u shkatërruan. Për ta shmangur gjakderdhjen, demokratët në pushtet bënë kompromis. Ata shpallën organizimin e zgjedhjeve të parakohshme. Fitues u deklaruan socialistët që kishin udhëhequr rebelimin e dhunshëm. Vëzhguesit ndërkombëtarë nuk i cilësuan këto zgjedhje as të lira, as të drejta. I cilësuan vetëm të pranueshme për momentin.

Ndër dekretet e para të administratës së re të ish-komunistëve ishin dekreti për shkarkimin e ambasadorëve dhe dekreti për shkarkimin e të shtatë rektorëve të universiteteve që kish vendi. Fill pas u vijua me gjykatat. U rishfaq sindroma e vjetër e viteve të diktaturës: ndërhyrja brutale e politikës në diplomaci. Sërish militantizmi e nëpërkëmbi profesionalizmin. Pas ambasadorëve e bashkë me ta u ndërrua pa vonuar përsoneli i ministrisë së punëve të jashtme. Aty-këtu mbeti ndonjë konformist shumë i zellshëm, i cili, për ta kompensuar të kaluarën e tij si diplomat e demokratëve, u bë më fanatik se militantët më të thekur socialistë. Një dukuri e ndërrimit të menjëhershëm të të gjithëve ishte vërejtur vetëm me rastin e ndërrimit të sistemeve (nga diktaturë në demokraci). Por askund nuk kish ndodhur për shkak të ndërrimit të qeverive brenda një sistemi. Mjaft prej diplomatëve të shkarkuar kishin qenë vërtet të suksesshëm. Intelektualë të përkushtuar me background akademik, ata kishin ditur me përfitue gjatë kualifikimeve dhe përvojës pesëvjeçare të punës. Megjithatë u shpallën të panevojshëm. U lanë pa punë. Në rastin më të mirë ndonjë ish-ambasadori iu ofrua posti nënvleftësues si referent në drejtoritë më pak të rëndësishme.

Postet diplomatike u rishpërndanë si shpërblime për kontributet politike në rimarrjen e pushtetit me dhunë. Në shumicën e përfaqësive diplomatike të Tiranës zyrtare janë rikthyer funksionarë të shërbimit të jashtëm të diktaturës. Ndonjë u thirr pasi kishte dalë në pension! Vëzhguesit mendojnë se kriteri i përzgjedhjes së tyre, me ndonjë përjashtim të rrallë, ishte sërish fanatizmi partiak.  Detyra e funksionarëve të ministrisë së punëve të jashtme u shmang nga boshti themelor si politikë e interesave kombëtare.

Gogolizimi nëpër kancelaritë perëndimore i opozitës që pati përmbysur paqësisht diktaturën doli në plan të parë. Opozita paraqitet si macja e zezë. Ajo bëhet përgjegjëse për të gjitha dështimet e qeverisë. Ajo paraqitet si faktor destabiliteti për vendin dhe si rrezik për rajonin. Dëshmitarë të drejtpërdrejtë nga ministria e punëve të jashtme kallëzojnë se shumë biseda, përfshi takimet e nivelit të lartë me përsonalitete të huaja, nisin e mbarojnë me opozitën, shpesh duke i çuditur e duke i vënë në siklet bashkëbiseduesit e huaj.

Si finale e dhimbshme e gjithë këtyre, në fillim të mijëvjeçarit të tretë në mjediset e ministrisë së punëve të jashtme u rivendos zyrtarisht fotografia e ish-diktatorit Hoxha. Shqiptarët idealistë e demokratë u shokuan. Ish të përndjekurit politikë të diktaturës vijuan për ditë të tëra protestat përballë ministrisë. Dhjetë vjet pas përmbysjes së bujshme të shtatores së diktatorit në sheshin qendror të Tiranës, tani shihet fotografia e tij e futur “nga dritarja” në institucionet e shtetit.
Cikli qe i shkurtër: guri i rëndë i Sizifit ia zuri frymën diplomacisë së re. Dhe jo vetëm asaj.

7.
Shërbimi i jashtëm nuk mund të jetë shumë i ndryshëm nga strukturat e tjera institucionale të një shoqërie. Kjo është e vërtetë edhe për Shqipërinë.
Si do të bëhet nesër?

Shqiptarët dhe veçanërisht intelektulët e rinia ndihen të fyer e të dëshpëruar për këtë gjendje.  Intelektualët nuk përndiqen në mënyrë klasike si në kohën e Hoxhës. Por ata përzgjidhen nëpërmjet të njëjtit filtër të dikurshëm. Ata përzgjidhen ose mallkohen sipas bindjeve politike. Nëse duan të jenë të kundërt, sulmohen në shtyp e në mënyrë të tjera, bojkotohen, shpallen të paqenë. Kështu ata më dinjitozët ndihen plotësisht të mënjanuar. Konformistët janë të mirëpritur në të gjitha strukturat. Për ta ka poste, pare e reklama gjithfarëshe. Rinia shqiptare është shumë e etur për të mësuar. Cilido djalë ose vajzë që mund ta takosh nëpër rrugët e Tiranës, qoftë student ose i papunë, mund të përgjigjet në anglisht ose në gjuhë të tjera perëndimore. Tashti janë një numër studentësh që studiojnë marrëdhënie ndërkombëtare nëpër universitete perëndimore. Disa syresh vazhdojnë specializime pasuniversitare. Ata lëkunden midis shpresës e pashpresës. I trishton dhe i tut mënyra e përzgjedhjes së punonjësve të shërbimit të jashtëm nga Tirana e sotme. E ndiejnë se, në se do të vazhdojë kjo frymë klasore në diplomaci dhe në jetën e vendit, më shumë se akademitë e diplomat europiane do t’u hynte në punë militantizmi politik. Pra ai për të cilin ata dhe Shqipëria kanë më pak nevojë. Ngushëllohen duke ëndërruar punë në ndonjë firmë private. Ose duke shestuar me qëndrue si pjatalarës në vendet ku po i kryejnë akademitë!

Ndryshimi i kësaj gjendjeje është i lidhur me emancipimin e klasës politike e të shoqërisë në tërësi. Dihet se ky është proces kompleks. Shqiptarët shpresojnë për të shkuar edhe një herë pranë kutive të votimit, në zgjedhje të lira e të ndershme. Shpresojnë në një votë të pavjedhur.

8.
Edhe shoqëria civile mund të kontribuojë për një shërbim të jashtëm sa më pak të ideologjizuar e profesionist. Sidomos institucionet e llojit “think tank”. Por disa herë teprohet me vlerësime globale për shoqërinë civile në shoqëritë në tranzicion. Në Tiranë ka qindra OJQ. Një pjesë e vogël janë të karakterit “think tank”. Por prapë me burime financiare ose njerëzore të kufizuara për të zhvilluar veprimtari të mëdha, të kualifikuara, që mund të ndihmojnë diplomacinë e shërbime të tjera të ngjashme.

Sponsorët jo kurdoherë transparentë, ua diktojnë edhe mënyrën e përdorimit të parave. Nëqoftëse një numër organizmash kësisoj janë serioze, një numër shumë herë më i madh institutesh, qendrash, shoqatash etj. drejtohen prej përsonash anonimë. Pjesa e tyre prapa perdes mbetet e errët për publikun. Ka një garë të pandershme për të shpallur krijimin e OJQ-ve. Krijimi i tyre shihet si një lloj mode. Por më shumë se modë, shihet si burim të ardhurash në rrugë të paqarta.

 Përflitet se shumë OJQ sponsorizohen nga qarqe të dyshimta të politikës ose të mafias. Përflitet se të tjera financohen në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë nga shteti. Kështu OJQ-të e humbin rolin institucional si OJQ. Herë kthehen në një dekor e herë në një alibi për qëndrime jodemokratike të shtetit. Praktikisht shndërrohen nga OJQ në OQ. Përfaqësuesit e tyre i sheh duke duartrokitur ose duke buzëqeshur në krah të qeveritarëve të lartë. Thuhet se janë duartrokitje dhe buzëqeshje të blera shtrenjtë me paret e taksapaguesve shqiptarë ose me burime të tjera.

Qarkullon një anekdotë:

“Dialog qytetarësh:

– Cila është OJQ-ja më e fuqishme?

– Mafia!

– Gabim, mafia nuk është OJQ. Eshtë OQ, organizatë qeveritare!”.

Le të besojmë se kjo nuk është plotësisht e vërtetë. Por pjesë të së vërtetës a ka?

Cili është pra raporti i diplomacisë me politikën?

Nuk ka dyshim se diplomacia është një profesion politik.

Një profesion politik, por jo një profesion partiak.

Gjithësesi: PROFESION. Pra jo amatorizëm, jo diletantizëm. Dhe jo militantizëm. Kjo tabllo nuk është aq e këndshme për t’u kundruar. Por duke
qenë e vërtetë, duhet njohur. Ajo mund t’u shërbejë edhe shoqërive të tjera në tranzicion, si një pësim prej të cilit mund të mësohet. Si një rrugë nëpër të cilën nuk duhet ecur.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi