Modeli ka dështuar, të tjerat kanë pak rëndësi

Nga Blendi Kajsiu, Panorama 1 Qershor 2009

Një pikë ku të gjitha palët në vendin tonë bashkohen është ideja se problemi në Shqipëri nuk është me modelin aktual politiko-ekonomik, por me mos-zbatimin rigoroz të tij. Konsensusi në këtë pikë është aq i gjerë saqë ideja se mosfunksionimi i sistemit mund të jetë pasojë e vetë sistemit as nuk shtrohet për diskutim. Pikërisht ky është edhe argumenti bazë i këtij artikulli. Dështimi i modelit politiko-ekonomik që qeveritë shqiptare kanë ndjekur këto dy dekadat e fundit me rekomandimin dhe nën mbikëqyrjen e ndërkombëtarëve buron nga vetë modeli. Problemi me modelin aktual nuk buron nga moszbatimi por nga vetë përpjekja për ta zbatuar atë. Problemi nuk është se institucionet tona shtetërore janë të dobëta, por se ato janë dobësuar nga vetë modeli politiko-ekonomik që kanë realizuar në praktikë. Problemi nuk është se politikanëve tanë u mungon vullneti për të zbatuar modelin politiko-ekonomik, që na rekomandojnë organizma si BE-ja apo institucione si FMN dhe Banka Botërore, por tek përpjekja e pareshtur e tyre për ta zbatuar atë.

Në këtë pikë më duhet të sqaroj për çfarë modeli bëhet fjalë. Politikisht ky model nënkupton një demokraci pluraliste sipas modelit që ofron Robert Dahl në një nga librat më të mërzitshëm të literaturës mbi demokracinë Poliarkia. Është një demokraci kryesisht procedurale, që përcaktohet nga ekzistenca e pozitës dhe opozitës, nga zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe grupe të ndryshme interesi që konkurrojnë për të influencuar pushtetin. Ky është në thelb modeli politik që mund të duket i thjeshtë për faktin e thjeshtë se është vërtet i tillë dhe ndoshta prandaj dhe përqafohet kaq lehtë. Modeli ekonomik nga ana tjetër ka në thelb atë që quhet konsensusi i Uashingtonit. Në qendër të modelit është tregu si burim zhvillimi dhe në funksion të së cilit vendoset shteti, roli i të cilit reduktohet te garantimi i sistemit të drejtësisë dhe rendit, të domosdoshëm për të garantuar pronën private. Prioritet ka stabiliteti makro-ekonomik që në thelb do të thotë politikë monetariste që lufton inflacionin dhe reduktim të deficitit buxhetor. Institucione si Banka Qendrore apo sistemi bankar janë nxjerrë jashtë kontrollit shtetëror. Tregu lokal nga ana tjetër duhet të jetë i hapur ndaj tregut ndërkombëtar, pra të mos ketë masa proteksioniste dhe të mirëpresë dhe t’i përshtatet investitorëve të huaj. Është e rëndësishme të theksojmë se kemi të bëjmë me një model jo vetëm politik, por edhe ekonomik pasi fatkeqësisht analizat lokale dhe ndërkombëtare ndalen vetëm tek dimensioni politik dhe injorojnë atë ekonomik, a thua se një sistem politik ekziston në ajër. Prandaj për të kuptuar dështimet e sistemit tonë politik duhet të fillojmë nga dështimi i modelit ekonomik nga ku burojnë edhe dështimet e sistemit politik.

Dështimi i modelit tonë ekonomik të zhvillimit është shumë i lehtë për t’u kuptuar nga vetë dështimi i ekonomisë sonë. Ekonomisë sonë i mungon pothuajse tërësisht një sektor prodhues dhe aq më tepër një sektor prodhues konkurrues, çka vë në pikëpyetje integrimin e ekonomisë shqiptare në tregjet globale. E thënë thjesht ekonomisë sonë i mungon një motor zhvillimi. Për të kuptuar këtë mjafton të përpiqemi ti përgjigjemi pyetjes: me cfarë konkurron Shqipëria sot pas 20 vitesh tranzicion në tregun rajonal? Po atë global? Për momentin ne konkurrojmë me kanabis, heroinë, kokainë, dhe prostitucion si në tregjet rajonale edhe ato europiane. Këto janë produktet Made in Albania, për të cilat ne njihemi më shumë sot në botë. Dhe kjo për faktin se nuk jemi të aftë të konkurrojmë me produkte të tjera. Po përse pas pothuajse dy dekadash tranzicion ekonomia jonë nuk konkurron jo më në tregun europian por as në atë rajonal? Arsyet mund të përmblidhen tek katër elementët thelbësor të modelit tonë ekonomik të zhvillimit; tregtia e lirë, tërheqja e shtetit, stabiliteti makro-ekonomik dhe investimet e huaja si prioritet.

Së pari, tregtia e lirë do të thotë pamundësia për të mbrojtur produktet apo ekonominë vendase, kapitalin, prodhuesit dhe biznesin vendas. Dhe nëse ky sektor shpartallohet që në lindje nga konkurrenca që vjen nga jashtë është e kotë të presësh që një ditë ai do lindë i rritur për të konkurruar në tregjet globale. Le të marrim rastin e bujqësisë që tashmë është e qartë që është në gjendje katastrofale. Është alogjike të mendosh që produktet tona bujqësore të mund të konkurrojnë në tregun e lirë me ato të Greqisë apo BE-së, sidomos po të kemi parasysh që BE me politika të tipit Common Agricultural Policy (CAP) e mbron dhe e subvencionon bujqësinë e saj. Prandaj dështimi i vazhdueshëm i bujqësisë sonë përpara, se sa të kërkohet tek problemi i pronësisë në fshat duhet kërkuar tek konkurrenca që vjen nga jashtë. Produktet tona bujqësore nuk kanë treg sepse edhe tregu ynë i brendshëm është hapur totalisht ndaj produkteve që vijnë nga jashtë. Sikur të mos ishte korrupsioni apo zvarritjet në dogana që e reduktojnë deri diku tregtinë e lirë bujqësia jonë do ishte akoma edhe më rëndë. Kështu në rastin e bujqësisë tregtia e lirë krijon një rreth vicioz, ku fillimisht shkatërrohet prodhimi vendas, në mungesë të mbështetjes sociale nga shteti kjo prodhon emigrim të krahut më të aftë të punës në bujqësi drejt vendeve si Greqia ku ky krah shfrytëzohet deri në palcë për të forcuar bujqësinë greke, që më pas konkurron edhe më shumë bujqësinë shqiptare që për pasojë prodhon edhe më shumë emigracion edhe më pak produkte bujqësore.

Së dyti, efekti negativ i tregtisë së lirë kombinohet me efektin negativ që prodhon reduktimi i politikave zhvillimore tek stabiliteti makro-ekonomik, lufta ndaj inflacionit dhe kontrolli i deficitit buxhetor. Natyrisht që stabiliteti makro-ekonomik është pozitiv, por nuk mund të jetë qëllim në vetvete, qëllim është zhvillimi i ekonomisë vendase. Përndryshe përfundojmë aty ku jemi sot – një vend i varfër në prodhim dhe zhvillim por i pasur në stabilitet makro-ekonomik. Në thelb ky stabilitet ka nënkuptuar së pari reduktimin e mundësisë së subvencionimit të produktit vendas, pasi kjo do të prodhonte deficit buxhetor. Stabiliteti makro-ekonomik si prioritet ka nënkuptuar edhe pavarësinë e sistemit bankar nga kontrolli shtetëror, duke filluar me Bankën Qendrore. Duke qenë të pavarura, institucione të tilla mund të garantojnë më mirë stabilitetin e monedhës, apo reduktimin e inflacionit që përndryshe mund të dilte jashtë kontrollit nga papërgjegjshmëria e qeverisë sidomos gjatë fushatave elektorale. Natyrisht që një logjikë e tillë nuk është e pabazë, pasi qeveritë shpesh abuzojnë me shpenzimet dhe kanë tendencë ta financojnë deficitet me zhvlerësim të monedhës, pra duke shkaktuar inflacion. Ama nxjerrja e institucioneve kryesore financiare jashtë kontrollit shtetëror prodhon një sektor financiar, që e vështirëson financimin e sipërmarrjes vendase, duke nxjerrë shtetin jashtë loje si promotor zhvillimi.

Kemi ardhur pra tek faktori i tretë, tërheqja e shtetit. Pasojat negative të kësaj tërheqje në shoqëri shfaqen tek pabarazia në rritje dhe tek trauma që shkakton mungesa e politikave sociale për individët dhe komunitetet e margjinalizuara. Ndërsa në ekonomi efekti negativ i tërheqjes së shtetit duket më qartë se kudo tek financimi i dobët i kapitalit dhe sipërmarrjes vendase. Ne sot kemi një sektor shumë të suksesshëm bankar, të pavarur nga shteti dhe me një Bankë Qendrore që ka arritur të kontrollojë inflacionin. Ama ajo që ne nuk kemi sot është një financim të mirë të sipërmarrjes dhe kapitalit vendas. E thënë thjesht kapitali dhe sipërmarrja lokale në Shqipëri e ka të vështirë të marrë financim apo likuiditet nga sektori financiar sidomos në fazat e para të zhvillimit. Interesat e larta që bankat i ofrojnë sot sipërmarrjes shqiptare e vdesin atë pa lindur mirë. Aq më tepër në kushtet kur kjo sipërmarrje nuk ka treg të garantuar si pasojë e tregtisë së lirë. Kjo shpjegon edhe ’shëndetin’ e bankave tona që nuk vuajnë mungesën e likuiditetit në kulmin e një krize likuiditeti të biznesit lokal. Marrëdhënia e ngushtë, e koordinuar dhe e garantuar mes sektorit financiar dhe sipërmarrjes është edhe një nga kushtet themelore të bumit ekonomik. Mungesa e kreditimit të butë dhe afatgjatë penalizon mbi të gjitha sipërmarrjet e suksesshme pasi si pasojë e ekspansionit ato janë më të eturat për financim. Eksperienca e historive të suksesit ekonomik të Tigrave Aziatik, Japonisë apo Kinës tregon para së gjithash përdorimin e sektorit financiar në funksion të kapitalit dhe sipërmarrjes vendase. Në rastin e Kinës ky sektor është në pronësi të shtetit dhe për pasojë i ofron financime bujare sipërmarrjeve vendase, duke pasur prioritet nevojat e këtij sektori edhe me garancitë që i ofron qeveria për kreditë problematike. Përkundër kësaj eksperience në Shqipëri prioritet është thjesht tërheqja e investimeve të huaja dhe jo forcimi i kapitalit lokal, çka mund të arrihej edhe me stimulimin në investimet me pjesëmarrje të përbashkët të kapitalit të huaj me atë vendas në mënyrë që të forcohet ky i dyti.

Kemi arritur pra tek faktori i katërt; investimet e huaja si prioritet. Modeli aktual prioritet i jep investimeve të huaja dhe jo atyre lokale. Për këtë arsye edhe sot pas njëzet vitesh, pas miliarda eurove që shqiptarët me punën e tyre kanë sjellë në Shqipëri aktorët dhe përfituesit kryesor të ekonomisë sonë janë investitorët e huaj dhe jo sipërmarrja lokale. Kështu që më shumë sesa zhvillimin e sipërmarrjes shqiptare në botë modeli aktual garanton zhvillimin e kapitalit global në Shqipëri. Kapitali i huaj, sektorët e telefonisë celulare dhe të sistemit bankar janë më fitimprurësit sot për sot në ekonominë shqiptare. Po t’i besojmë kryeministrit në të ardhmen kapitali i huaj do ta shfrytëzojë akoma më shumë Shqipërinë për të ndërtuar tece me qymyr ku do prodhohet energji që do të zhvillojë së pari ekonomitë e origjinës. Pra, ne sot kemi ngritur një ekonomi që kursimet e qytetarëve shqiptare nuk i kanalizon në forcimin e sipërmarrjes vendase. Paratë që këta fusin në Shqipëri prodhojnë një vlerë të shtuar të pakët sepse në një pjesë të mirë dalin përsëri jashtë saj nëpërmjet eksporteve ose thithen nga kapitalit të huaj. Diçka e tillë ne ende nuk na bën përshtypje, sepse jetojmë ende nën iluzionin se Shqipërinë do ta zhvillojnë investimet e huaja, një ide kjo sa qesharake aq edhe e pavërtetë, pasi edhe në vendet me nivelin më të lartë të investimit të huaj si Kina motori i zhvillimit është kapitali lokal dhe jo thjesht ai ndërkombëtar. Investitori i huaj kërkon thjesht krahë të lirë pune, stabilitet politik dhe ekonomik që fitimet e investimit që nxjerr në vende si Shqipëria t’i nxjerrë lirshëm edhe jashtë Shqipërisë.

Ideali i një shteti të tërhequr nga shoqëria që thjesht garanton rendin, infrastrukturën dhe pronën është në fakt ideali i investitorit të huaj, që fatkeqësisht është kthyer edhe në idealin e politikës sonë dhe që për pasojë prodhon një vend me pabarazi në rritje, ku një grusht pasurohen dhe masa e gjerë me vështirësi mbijeton. Po a nuk do të krijonte pabarazi dhe varfëri edhe një shtet, që i bëhet krah sipërmarrjes dhe kapitalit lokal? A nuk do të krijonte ky model disa sipërmarrës dhe kapitalist të pasur shqiptar rrethuar nga një masë varfërie? Jo dhe jo, edhe pse rreziku ekziston. Nëse shteti ynë do e mbështeste realisht sipërmarrjen vendase, duke mbrojtur produktin lokal, duke i garantuar financim të bollshëm nëpërmjet kredive të buta, duke e orientuar me informacion në tregun rajonal dhe global, atëherë ky shtet do kishte edhe të drejtën edhe mundësinë që ta tatonte më shumë kapitalin vendas, i cili për më tepër do prodhonte vlerë të shtuar. Në këto kushte shteti ynë do kish mundësi edhe ti impononte kapitalit vendas kushte më të mira punësimi për punëtorët dhe komunitetet ku ata zhvillojnë aktivitetin e tyre, pra të garantonte një nivel më të lartë barazie në shoqëri. Pra nga njëra anë shteti i garanton fitim kapitalit vendas nga ana tjetër i merr atij një pjesë të mirë të këtij fitimi për ta rishpërndarë dhe për të financuar institucionet publike, spitalet, shkollat, etj. Kjo në fakt ka qenë edhe eksperienca e Tigrave të Azisë ku shteti në këtë mënyrë ka arritur të reduktojë pabarazinë sociale dhe gjeografike përgjatë një bumi ekonomik. Ky fakt duhet theksuar, sepse modeli ynë aktual i zhvillimit e shikon rritjen e pabarazisë si domosdoshmëri të zhvillimit ekonomik, gjë që empirikisht nuk është aspak e vërtetë për vende si Japonia apo edhe Korea e Jugut që kanë pasur zhvillim të jashtëzakonshëm ekonomik. Kemi të bëjmë me një qasje shumë më efikase sesa thjesht ulja e taksave, sepse edhe sikur ta çojmë taksën zero sipërmarrja shqiptare nuk mund të zhvillohet vetvetiu për sa kohë nuk ka treg për të dhe financimin nga bankat e merr afatshkurtër dhe me interes të papërballueshëm. Një sipërmarrësi më shumë sesa taksat e ulëta i intereson të ketë treg dhe financim të garantuar në mënyrë që të investojë. Natyrisht që ulja e taksave e ndihmon deri diku çdo biznes, por në mungesë të tregut dhe financimit efekti i kësaj ulje është i pakët madje në termin afatgjatë edhe negativ po të kemi parasysh se ulja e taksave që nuk shkakton ndonjë bum ekonomik redukton të ardhurat e buxhetit dhe për pasojë investimet publike, që nga infrastruktura deri tek institucionet shtetërore. Ulja e taksave mund të tërheqë ndonjë investitor të huaj më shumë, por që do të largohet përsëri sapo qeveria të rrisë taksat për të financuar shërbimet publike. Prandaj investimet e huaja në mungesë të sipërmarrjeve të fuqishme lokale përkthehen kollaj në zhvatje. Historitë e investimeve të huaja, që na shet qeveria sot në një masë të mirë janë shfrytëzim i territorit shqiptar më shumë se zhvillim i vendit tonë.

Këtu është e rëndësishme të kuptojmë rrethin vicioz ku ndodhemi. Faktorët e mësipërm, tregtia e lirë, përparësia ndaj kapitalit të huaj dhe jo atij lokal, organizimi i sistemit bankar që vështirëson financimin e kapitalit vendas, prioriteti anti-inflacion dhe objektivat e stabilitetit makroekonomik, tërheqja e shtetit dhe ulja e financimit për shërbimet publike dhe institucionet shtetërore, ndërveprojnë të gjithë njëkohësisht edhe pse janë trajtuar veç e veç për të lehtësuar analizën. Ndërveprimi i këtyre faktorëve prodhon një ekonomi tejet të dobët ku kapitali dhe sipërmarrja lokale nuk zhvillohen sepse janë të pa-mbrojtura nga konkurrenca globale, të pa-financuara mjaftueshëm nga institucionet financiare dhe edhe të pa-orientuara nga politikat afatgjata shtetërore. Një ekonomi e dobët, apo pa motor zhvillimi prodhon një shtet të dobët që të ardhurat i përfton kryesisht nga aktiviteti tregtar dhe jo prodhues, siç janë doganat, apo duke tatuar biznese që në tërësinë e tyre mezi mbahen. Dhe këtu problemi nuk është thjesht paaftësia e shtetit tonë për të mbledhur taksa. Ekonomia informale në Shqipëri është masive sepse një pjesë e mirë e sipërmarrjes vendase mund të mbijetojë vetëm në informalitet përndryshe vdes, dhe kjo është një nga arsyet se përse suksesi i qeverisë aktuale në rritjen e formalitetit ekonomik ka prodhuar pakënaqësi. Kjo ekonomi e dobët nga ana tjetër prodhon një shtet të dobët, me administratë të dobët, me sektor publik si edukimi apo shëndetësia tejet të dobët nga mungesa e financimit, që mbi të gjitha ulin cilësinë e jetës sonë por i nxinë jetën edhe asaj sipërmarrje lokale që përpiqet të mbijetojë. Prandaj prioriteti i Shqipërisë sot nuk duhet të jetë forcimi i shtetit por një model alternativ zhvillimi. Edhe sikur teorikisht shteti ynë të forcohej, gjë që është e pamundur praktikisht, ai nuk do të gjeneronte zhvillim ekonomik me modelin dhe politikat që ne ndjekim sot. Kjo sepse sipërmarrja shqiptare do ishte njësoj e pambrojtur dhe e pambështetur financiarisht.

Nuk është e nevojshme të jesh Marksist për të kuptuar se nuk mund të ndërtosh një shtet të fortë me një ekonomi të dobët. Aq më pak mund të krijosh një sistem të shëndetshëm politik me një ekonomi që nuk prodhon zhvillim të qëndrueshëm, stimulon emigracionin, polarizimin social dhe gjeografik pasi i gjithë zhvillimi gjeografikisht përqendrohet në qendrat kryesore urbane, ndërsa shoqërisht në pak duar biznesmenësh lokale, sepse në fakt shumica e fitimit që prodhon ekonomia shqiptare del jashtë Shqipërisë. Një sistem i tillë ekonomik prodhon dy efekte shkatërruese për shoqërinë shqiptare. Në nivelin e elitës ekonomike konkurrenca mes grupimeve politiko-mediatiko-biznesi bëhet tejet e ashpër, sepse burimet dhe fitimet që prodhon ekonomia shqiptare për sipërmarrjen lokale janë tejet të kufizuara. Në nivelin e popullatës varfëria që sistemi ynë ekonomik prodhon për masën e gjerë të qytetarëve do të thotë që qytetarët janë tejet të zënë me mbijetesën personale për të krijuar një komunitet të shëndetshëm politik. Kombinimi i këtyre dy faktorëve krijon një sistem politik me përplasje të ashpra mes individëve në nivel elitash politiko-biznesi nga njëra anë dhe një popullatë me ndjeshmëri të ulët të moralit publik pasi është në moment mbijetese. Për pasojë kemi një shkëputje të elitës nga masa e gjerë e popullatës që në mungesë të emigracionit do kish përfunduar në varfëri absolute. E thënë ndryshe politika bëhet thellësisht jo-përfaqësuese. Dhe ky është në thelb deformimi politik që prodhon modeli ynë ekonomiko-politik i zhvillimit. Natyrisht në këtë pikë duhet të shtjellojmë më hollësisht deformimin politik që prodhon deformimi ekonomik për të kuptuar më pas simbiozën e të dyve. Pikërisht këtë do bëjmë në artikullin në vijim, me titullin modest ”Dështimi politik i modelit”.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi