Klientokracia shqiptare

Nga Blendi Kajsiu, botuar Panorama, 15 janar 2011

Që sistemi politik aktual shqiptar nuk mund të quhet ‘demokraci’, është një fakt i pranuar gjerësisht. Ama, nëse ekziston një konsensus i gjerë se sistemi politik shqiptar nuk është ende demokraci, nuk është e qartë se çfarë është ky sistem. Një pjesë e mirë mendojnë se sistemi politik shqiptar është autoritarist. Në krye të tij qëndron Berisha, që e ushtron pushtetin e vet në mënyrë autoritare. Ndërsa pjesa më e madhe mendon se sistemi ynë politik mund të klasifikohet si ‘oligraki’. Një grusht politikanësh, ku futet edhe Berisha, Meta dhe Rama, së bashku me një grusht biznesesh dhe mediash, e përdorin pushtetin në funksion të interesave të tyre.

Në të dyja rastet kemi të bëjmë me klasifikime që i afrohen, por nuk e përshkruajnë plotësisht realitetin tonë politik. Edhe pse Berisha qeveris në mënyrë autoritariste, nuk mund të themi se sistemi politik shqiptar është autoritarist në tërësinë e tij. Mjaft pika pushteti, si qeveria lokale kontrollohen nga opozita, ndërsa mjaft media të rëndësishme janë jashtë kontrollit të qeverisë (edhe pse jo jashtë influencës së saj). Berisha është një nga qendrat e pushtetit, që edhe pse mjaft e rëndësishme, nuk është e vetmja.

Në të njëjtën mënyrë, ideja se Shqipëria qeveriset nga një grusht oligarkësh shqiptarë, fsheh kompleksitetin e sitemit tonë politiko-ekonomik. Së pari, ky koncept krijon idenë e gabuar se politika dhe ekonomia shqiptare janë tërësisht nën kontrollin e politikanëve dhe biznesmenëve shqiptarë. Së dyti, koncepti i oligarkisë injoron rrënjët sociale të pushtetit të Berishës, Ramës apo Metës. Secili nga këta individë nuk është veçse koka e dukshme e një rrjeti të tërë klientelist, që zbret deri në nivelet bazë të shoqërisë. Me fjalë të tjera, këta individë qeverisin sepse ofrojnë përfitime që nga bizneset e mëdha rreth tyre, deri tek militanti i thjeshtë, që punësohet si portier në institucionet shtetërore.

Prandaj besoj se koncepti që do ta përshkruante më mirë sistemin tonë politik, do ishte klientokracia. Njësia bazë e sistemit tonë politik është klientela. Klientela është një rrjet i ndërvarur interesash, që në mënyrë direkte shpërndan përfitime të veçanta për anëtarët e saj. Për këtë qëllim, klientela synon marrjen ose influencimin e pushtetit politik, por jo vetëm. Edhe lufta politike që zhvillohet sot në Shqipëri, është një luftë mes (dhe herë – herë brenda) klientelave të ndryshme.

Partia Demokratike, Partia Socialiste, si dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, në thelb janë struktura të organizuara klienteliste, që funksionojnë për sa kohë i ofrojnë përfitime të veçanta anëtarësisë së tyre. Kështu, një biznesmen që ka financuar fushatën merr një tender, një militant që ka mbrojtur votën merr një vend punë, një media që ka mbështetur partinë, apo kryetarin e saj merr reklamë qeveritare, e kështu me radhë. Të gjithë këta në mënyra të ndryshme janë klientë të një formacioni politik, të cilin e mbështesin dhe nga i cili përfitojnë në mënyrë direkte.

Po ku ndryshon organizmi klientelist nga partitë politike, të cilat gjithashtu i ofrojnë përfitime anëtarësisë apo mbështetësve të tyre? Ndryshe nga partitë politike, organizmat klienteliste nuk i ofrojnë përfitime anëtarësisë së tyre në përgjithësi, por anëtarëve të caktuar në veçanti. Pra, nuk bëhet fjalë për përfitime që prekin shtresa të caktuara sociale, por përfitime që prekin individë të caktuar. Është ky dimension partikularist, që e ndan organizatën klienteliste nga një parti politike.

Pra, është militanti që merr një vend pune në shtet dhe jo klasa punëtore që përfiton rritje rroge. Është media që mbështet qeverinë, që merr financim në formën e reklamës qeveritare dhe jo sektori mediatik që përfiton nga politika të caktuara qeveritare; është biznesmeni që financon fushatën, e cila përfiton tenderin e qeverisë; nuk është sektori i biznesit në përgjithësi, që përfiton nga një politikë e caktuar qeveritare. Të gjitha këto entitete të ndryshme, përfitimin kryesor nuk e kanë nga politikat qeverisëse, (ndonëse ky përfitim nuk përjashtohet) por nga vetë pushteti.

Kjo është arsyeja përse partitë tona politike as nuk kanë dhe as nuk u duhet diferenca ideologjike. Ato nuk e mobilizojnë anëtarësinë ideologjikisht apo me politika sektoriale, por nëpërmjet përfitimeve individuale, që shpërndajnë (dhe që anëtarësia pret prej tyre). Ndaj, sa më shumë është rritur dimensioni klientelist, aq më shumë është zbehur dimensioni ideologjik. Aq sa sot, dy apo tre partitë kryesore, më shumë sesa forca alternative politike, janë tri klientela politike alternative. Për pasojë, në krye të tyre ndodhen liderë tërësisht të de-ideologjizuar dhe plotësisht të klientelizuar.

Berisha është rasti më tipik i këtij transformimi. Nëse Berisha i parë shfaqej si nacionalist dhe anti-grek, Berisha i dytë ishte gati t’i falte qeverisë greke edhe një copë det.  Nëse Berisha i parë shfaqej si konservator, Berisha i dytë propozon martesat mes homoseksualëve. Tashmë, suksesi politik i Berishës nuk qëndron tek ideologjia, parimet apo vlerat që ai përfaqëson (nacionalizmi, konservatorizmi, familja, anti-komunizmi, etj). Këto janë dytësore. Suksesi i tij qëndron tek ruajtja e strukturës klienteliste, të cilën ai jo vetëm e kontrollon, por prej të cilës edhe kontrollohet.

Këtu duhet theksuar se ndryshe nga mafia, struktura klienteliste nuk ka një dimension të fortë hierarkik. Përveç dimensionit vertikal, ajo ka edhe një dimension horizontal.  Kështu, pushteti klientelist i PD-së sot, përveç dimensionit vertikal partiak në krye të të cilit është Berisha, ka edhe një dimension horizontal social, që lidh pushtetit e PD-së me televizione, apo biznese që e mbështesin atë. Ama, këto televizione apo biznese janë bashkëpunëtorë dhe jo vartës të Berishës. Pra, vertikaliteti brenda partisë kombinohet me marrëdhënien horizontale, me aktorët dhe faktorët publikë jashtë saj. E njëjta strukturë karakterizon edhe pushtetin klientelist të PS-së, apo LSI-së.

E njëjta logjikë klienteliste përcakton edhe marrëdhënien e aktorëve lokalë me ata ndërkombëtarë. Parësore në këtë marrëdhënie nuk është ndonjë interes i paracaktuar kombëtar, por nevoja për të ruajtur apo marrë pushtetin nëpërmjet mbështetjes ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, ato shpesh krijojnë marrëdhënie klienteliste me faktorë të huaj. Një rrugë që kushton 1 miliard euro për një firmë amerikane, një Albtelekom për një firmë turke, një gadishull Karaburun për një firmë italiane, importi i plehrave nga Italia, ndërtojnë një marrëdhënie interesi mes ekzekutivit shqiptar dhe aktorëve, apo lobeve ndërkombëtare. Kjo nuk përjashton mundësinë që edhe popullata të përfitojë nga marrëdhënia klienteliste, por kjo mbetet pasojë dhe jo motiv parësor i kësaj marrëdhënieje.

Në qendër të një strukture klienteliste nuk qëndron domosdoshmërisht një parti politike, por edhe një media apo kompani e fuqishme. Kështu, kompanitë e fuqishme të telefonisë celulare apo bankat, kanë klientelën e tyre, si politike ashtu edhe mediatike. Si mediat, edhe politikanët, apo partitë politike përfitojnë në mënyra direkte, apo indirekte nga këto kompani. Kështu, reklama nuk është thjesht mjet për shtimin e shitjeve, por edhe për ushqimin e klientelës mediatike. Ndaj, si në media, edhe në Parlamentin shqiptar është e vështirë të gjesh kritika për kompanitë tona celulare dhe praktikat e tyre shpesh oligopoliste.

Në këtë pikë duhet kuptuar se nuk kemi të bëjmë thjesht me një sistem klientelist, por me një sistem ku një numër klientelash përplasen, konkurrojnë dhe bashkëpunojnë. Pra, nuk ekziston një klientelë e vetme që qeveris, por disa klientela në nivele të ndryshme. Prandaj, kur themi se sistemi ynë është klientokratik, do të thotë se pushteti ushtrohet në funksion të klientelave të caktuara dhe nëpërmjet tyre. Por asnjë klientelë e vetme nuk e kontrollon tërësisht sistemin. Në këtë aspekt, sistemi ynë politik është pluralist dhe jo tërësisht i mbyllur. Ndryshe nga sisteme të tjera klienteliste, si ai rus p.sh.

Deri diku, klientokracia shqiptare i ngjan demokracisë pluraliste të analizuar nga Robert Dahl, ku interesa të ndryshme përplasen për të përcaktuar vendimmarrjen.   Ndryshimi nga ideali i demokracisë pluraliste të Dahlit qëndron në dy aspekte. Së pari, klientokracia shqiptare nuk konsiston në përplasjen e interesave të përgjithshme, (punëdhënësit përballë punëmarrësve) por në përplasjen e inetresave të veçanta (media pranë pushtetit me median pranë opozitës). Së dyti, sistemi klientokratik shqiptar e nxjerr jashtë lojë vetë idenë e qeverisjes nga shumica, sepse ai nuk është në funksion të interesit të përgjithshëm të shumicës, por të interesave të veçanta të klientelës, nga qendra në bazë.

Të kuptosh klientokracinë shqiptare dhe mënyrën e saj të funksionimit, do të thotë të kuptosh disa nga sfidat dhe dështimet e vazhdueshme të sistemit tonë politik, siç është lufta kundër korrupsionit. Struktura klienteliste shpjegon jo vetëm përhapjen e korrupsionit, por dhe limitet e luftës kundër tij.

Marrja e koncesioneve nga njerëz pranë pushtetit, apo përfitimi i tenderave nga biznese që financojnë forcën në pushtet, nuk janë përjashtmi, por norma e qeverisjes klientokratike. Nëse Berisha do ta luftonte këtë fenomen, ai do shkatërronte vetë strukturën që e mban atë në pushtet.  Përdorimi i pushtetit publik, për interesa të veçanta dhe jo të përgjithshme (pra korrupsioni) është vetë thelbi i klientelokracisë. Në këtë aspekt, korrupsioni është vetë mënyra e qeverisjes klienteliste dhe jo degradimi i saj.

Në këtë pikë, ku shpresoj se është bërë e qartë që sistemi ynë politik është klientokratik, natyrshëm lind pyetja, përse?  Pra, cilët janë faktorët që e kanë prodhuar dhe që e mbajnë gjallë këtë sistem? Përgjigjen ndaj kësaj pyetje do përpiqemi ta japim në artikullin në vijim; “Burimi i klientokracisë”.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi