Dështimi politik i modelit

Nga Blendi Kajsiu, botuar Panorama, 03 Qershor 2012

Në artikullin e mëparshëm pamë se si modeli ynë aktual i zhvillimit, që na është ofruar nga ndërkombëtarët dhe që ne e kemi përqafuar me zell, prodhon një sistem ekonomik varfërues, polarizues dhe pa perspektivë zhvillimi. Pamë gjithashtu se si ky model prodhon një deformim politik që e bën të pamundur ndërtimin e një komuniteti të shëndetshëm demokratik. Në thelb të këtij deformimi qëndron një politikë jo–përfaqësuese. Nga njëra anë partitë politike nuk kanë se çfarë t’i ofrojnë qytetarëve në modelin aktual, pasi realisht qeveria i ka duart e lidhura për të ndërmarrë politika zhvillimore. Institucionet financiare si bankat private që kanë kursimet tona janë jashtë kontrollit të shtetit dhe ato nuk mund të mobilizohen në funksion të projekteve zhvilluese për sipërmarrjen vendase. Tregtia e lirë dhe stabiliteti makro-ekonomik nga ana tjetër reduktojnë si politikat proteksioniste ashtu edhe ato subvencionuese. Ndërkohë si pasojë e mungesës së financimit të institucioneve publike ne sot kemi një administratë tejet të dobët, nuk kemi institucione kërkimore apo analizë ekonomike të afta të prodhojnë modele zhvillimi për realitetin shqiptar dhe jo modele që zhvillohen në Uashington dhe më pas i ofrohen njësoj si Mozambikut ashtu edhe Shqipërisë. Studimet kryesore për ekonominë shqiptare sot bëhen nga po ato institucione që na ofrojnë modelin e dështuar ku kemi ngecur. Pra, edhe sikur forca të caktuara politike të kishin ndërmend zhvillimin e një sektori të caktuar në modelin aktual, ato nuk kanë as instrumentet financiare, as ato politike dhe as informacionin dhe analizat e duhura për ta bërë këtë.

Në mungesë të një ekonomie dinamike mungojnë edhe grupimet sociale që mund të përfaqësohen politikisht, fermerët kanë vdekur bashkë me bujqësinë, përveç ndërtimit sektorët e tjerë nuk ekzistojnë dhe prandaj nuk mund të përfaqësohen, ndërsa klasa punëtore është zhdukur bashkë me sektorin e prodhimit. Shtresa e mesme që zhvillohet rreth sektorit të shërbimeve tek ne është tejet e vogël, sepse ne nuk kemi as një sektor të zhvilluar prodhimi dhe as ndonjë sektor të zhvilluar financiar (si në Amerikë apo Britani) që fuqizon sektorin e shërbimeve. Nëse nuk janë të punësuar në shtet, një pjesë e mirë e popullatës jetojnë në informalitet ose nëpërmjet remitancave, ndaj janë jashtë politikave shtetërore. Prandaj shumica e elektoratit janë indiferent, ndërsa gara politike ngushtohet gjithnjë e më shumë në një përplasje midis grupimeve mediatiko-biznesi-ndërtimi që kanë përfitim imediat nga pushteti. Ama këto janë interesa ekonomike që më shumë sesa prodhimin ekonomik synojnë shfrytëzimin e ndonjë licence, leje ndërtimi apo ndonjë lehtësi fiskale për ndonjë biznes privat. Pra kemi të bëjmë me interesa ekonomike shumë të ngushta që nuk prodhojnë punësim dhe zhvillim në masë, që më shumë sesa politika shtetërore kërkojnë favore personale. Dhe kjo është e natyrshme, sepse NË NJË SISTEM EKONOMIK KU NUK MUND TË PASUROHESH NËPËRMJET PRODHIMIT APO INVESTIMIT NË TREGJET FINANCIARE, ALTERNATIVA ËSHTË PASURIMI NËPËRMJET ZHVATJES, prandaj edhe grupet e ndryshme të interesit luftojnë të “zhvatin” diçka, dhe kjo diçka shumë shpesh është toka, leja e ndërtimit, apo licenca.

Në mungesë të një procesi politik përfaqësues, në mungesë të politikave konkrete të zhvillimit, e vetmja gjë që mund t’u ofrohet shqiptarëve është Europa. Kështu që sa më shumë politikanët tanë e humbasin legjitimitetin e tyre përballë elektoratit, aq më shumë ata përpiqen të legjitimohen nëpërmjet procesit të integrimit evropian. Të gjithë janë në garë se kush do ta çojë Shqipërinë më parë në Europë, teksa në sytë e shumicës së shqiptarëve vendi gjithnjë e më tepër po shkon për lesh. Ironia qëndron në faktin se modeli ynë i dështuar ekonomiko-politik na serviret nga Europa, kuptohet në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare si Banka Botërore dhe FMN-ja. Marrëveshjet e tregtisë së lirë janë hapja e tregut shqiptar ndaj atij rajonal dhe më tej, tërheqja e shtetit nga shoqëria, investimet e huaja si prioritet gjatë privatizimit të aseteve tona kombëtare, pavarësia e institucioneve si Banka Qendrore dhe stabiliteti makro-ekonomik janë elementët themelorë të procesit të integrimit. Ky është modeli që ka prodhuar dhe prodhon pabarazinë sociale dhe gjeografike, është modeli që i ka marrë frymën ekonomisë lokale duke i nxitur shqiptarët të marrin rrugët nëpër botë, të merren me krim, drogë dhe prostitucion. Ironia bëhet therëse kur Europa kritikon Shqipërinë për krimin e organizuar dhe trafiqet që në fakt burojnë nga vetë dështimi i modelit ekonomiko–politik që Europa na e ka imponuar dhe ne e kemi përqafuar me zell. Është e lehtë t’i dënosh fshatarët në Lazarat dhe gjetkë se mbjellin hashash, por është e vështirë t’u thuash atyre sot se çfarë duhet të mbjellin e me se do jetojnë, sidomos kur nuk kanë fatin e fshatarëve të mirë evropianë që prodhimin ia mbron dhe subvencionon shteti. Është e lehtë të arrestosh sot kirurgët që marrin bakshish, por është e vështirë t’u thuash atyre të jetojnë vetëm me rrogën që u jep shteti, është akoma më e vështirë sot t’u thuash atyre se një ditë shteti do t’u japë një rrogë dinjitoze, që reflekton vlerën reale të një mjeku për shoqërinë. Këto aspekte sociale injorohen tërësisht në raportet e BE-së, që theksojnë pafund në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, arrestimet apo dënimet, a thua se krimi mposhtet vetëm me forcën e një shteti të dobët dhe jo me përmirësimin e kushteve ekonomiko-sociale.

Në këtë pikë të habit fakti se edhe pse shumë nga dështimet e modelit tonë aktual politiko-ekonomik janë evidente modeli vazhdon të mbetet hegjemonik. Edhe nëse dikur ky model mund të dukej shpresëdhënës (sikurse i është dukur dikur artikullshkruesit që ka qenë një mbrojtës ndoshta shumë i flaktë dhe i nxituar i tij) – sidomos në fillimet e tranzicionit kur shqiptarët nuk kishin fare kursime apo kapital – tashmë duhet të ishte bërë e qartë se një ekonomi si kjo e jona që nuk konkurron me asgjë përpara sesa të ketë prioritet integrimin në tregjet globale duhet të ketë prioritet zhvillimin e aftësive konkurruese të kapitalit lokal, duke filluar nga pushtimi i tregut lokal. Përndryshe ne do integrohemi në tregjet globale lakuriq, sikurse edhe po ndodh. Nuk do shumë mend të kuptosh se përpara investimeve të huaja duhet të kujdesemi për sipërmarrjen lokale. Nuk ka nevojë të kesh brirë të kuptosh se kapitali lokal zhvillohet duke lehtësuar, së pari, kreditimin dhe kjo kërkon koordinim mes sektorit financiar dhe sektorit prodhues edhe me shtetin si garant nëse është nevoja dhe jo thjesht një sistem bankar që me interesin që i ofron sipërmarrjes lokale e vdes atë që pa lindur. Është mëse e qartë se diçka nuk shkon në ekonominë tonë kur bankat janë shëndosh e mirë dhe biznesi vuan për likuiditet dhe financim. Nuk ka nevojë të jesh Marksist të kuptosh që me stanjacionin ekonomik që prodhon modeli aktual nuk mund të kesh një sistem politik demokratik, pasi njerëzit që janë tejet të zënë me mbijetesën nuk mund të krijojnë një komunitet të shëndetshëm politik dhe aq më pak demokratik. Në një ekonomi si kjo e jona nuk mund të kesh parti që i drejtohen grupimeve dhe shtresave të gjera, pasi sistemi ynë ekonomik i rrafshon shtresat shoqërore duke prodhuar një grusht të vogël njerëzish të pasur, një turmë dërrmuese që thjesht mbijeton dhe një hendek të thellë mes tyre. Me një ekonomi ku sektori më i fuqishëm është ai i ndërtimit, natyrisht që politika do reduktohet tek një leje apo licencë e radhës, apo një trafik i radhës, cikërrima personale që fshihen pas sloganeve “rroftë Europa!”.

Tre janë ndoshta faktorët që e mbajnë gjallë këtë model, të tre keqkuptime të thella. Faktori i parë është një keqkuptim i thellë i konceptit të hapjes ekonomike. Pas vitesh izolimi të thellë ne ishim aq të uritur për botën saqë çdo program politik apo ekonomik që përmendte fjalën hapje përqafohej me zell. Dhe jo pa arsye, pasi shqiptarët në gjendjen që ishin përfituan shumë individualisht nga hapja, ata emigruan, punuan dhe mbajtën familjet dhe futën miliarda euro në ekonominë tonë lokale, duke zhvilluar edhe bume ndërtimi në qendrat kryesore urbane. Në këtë mënyrë për popullatën e gjerë ideja e hapjes ekonomike barazohet me lëvizjen e lirë, gjetjen e një pune në perëndim dhe shpresën për një jetë më të mirë. Këtu fillon edhe faktori i dytë, apo keqkuptimi i dytë. “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” është ende parulla politike dhe sociale që mobilizon zhvillimet në Shqipëri. Në këtë parullë Europa është në njëjës. Nga këtu buron keqkuptimi se në Europë ekziston një model i caktuar politiko-ekonomik që duhet imituar, edhe pse në Europë ka më shumë sesa një model politik dhe ekonomik. Ky model evropian apo perëndimor më pas u njehsua me modelin e ofruar nga institucionet kryesore të perëndimit si Banka Botërore, FMN-a apo BE-ja, edhe pse ky është një model që nuk e zbaton pikë për pikë asnjë vend evropian. Kriza aktuale globale tregon qartë se kur e do nevoja shteti i fut duart fort në ekonomi dhe nuk ka prioritet deficitin buxhetor, por ekonominë dhe sipërmarrjen vendase. Sot SHBA-të po subvencionojnë thellë si sektorin bankar ashtu edhe atë të prodhimit të makinave, duke e thelluar edhe më tej deficitin e tyre buxhetor. Sikur SHBA-të të ishin student i FMN-së dhe Bankës Botërore sikurse është Shqipëria, ato sot do merrnin notë jo kaluese. Ndryshe nga Shqipëria, që vazhdimisht lavdërohet për rritjen e saj ekonomike nga këto institucione. Të vetmet vende ku modeli i FMN-së apo Bankës Botërore zbatohet pikë për pikë janë vende si Shqipëria apo Mozambiku, dhe ndonjë vend tjetër në Afrikë. Faktori apo keqkuptimi i tretë është ideja që shitet nga institucionet ndërkombëtare dhe pranohet e përpunohet në sferën tonë publike, sipas së cilës problemi qëndron te moszbatimi korrekt i modelit dhe jo tek vetë modeli. Pra, problemi është tek korrupsioni, tek mungesa e vullnetit politik të politikanëve tanë, apo te kultura jonë e mbrapshtë kombëtare, çka theksohet kryesisht nga analistët “kozmopolitë”. Prandaj kemi tashmë vite që dëgjojmë po të njëjtat diskutime, denoncime apo analiza që në thelb thonë; ‘si s’doli një politikan i hajrit’ apo ‘si nuk u bë një herë ky popull’. Ajo që nuk thuhet është se përse të gjithë politikanët këta njëzet vjet dalin të shtrembër, apo si do bëhet ndonjëherë një popull si ky i yni që qenka kaq ters? Dhe këto pyetje nuk mund të marrin përgjigje për sa kohë debati apo analiza politike zhvillohet brenda kornizës së modelit aktual politiko-ekonomik, në vend që të vërë në pikëpyetje pikërisht këtë kornizë.

Fatkeqësisht korniza jonë aktuale e zhvillimit politiko-ekonomik është shumë vështirë të vihet në dyshim, pasi ajo është bekuar nga vetë shenjtëria e saj BE-ja, që në kushtet e dëshpërimit tonë ekonomiko-social shikohet si nga elita edhe nga popullata si shpresa e vetme për amshim, edhe pse gjendja jonë dëshpëruese buron pjesërisht nga vetë dashuria jonë e verbër për BE-në. Në pamundësi për të vënë në pikëpyetje sistemin aktual politiko-ekonomik vëmendja zhvendoset tërësisht tek aktorët politikë që kanë marrë përsipër ta zbatojnë atë duke krijuar kështu kultin e individit. Në thelb debati ynë publik thotë; Sikur Berisha të mos ishte kokëfortë dhe nga Tropoja, sikur Nano të mos ishte dembel dhe pijanec, sikur Rama të mos ishte një kokëshkretë dymetrosh, dhe sikur Meta të mos ishte një skraparlli inatçor, atëherë Shqipëria do kish ecur vaj. Kjo të krijon idenë absurde se fatin e Shqipërisë e përcakton Berisha, Nano, Meta apo Rama. Gazetarët në të gjitha debatet politike i sulen politikanëve duke i thënë “ti ke thënë këtë… ti ke bërë atë…, ti…ti…ti”. Këtij ligjërimi natyrisht politikanët i përgjigjen “Unë kam thënë këtë… unë kam bërë atë… unë…unë…unë”. Dhe kështu lind dhe forcohet kulti i unit, aq sa sot të gjithë politikanët tanë flasin për veten e tyre në vetën e tretë. Berisha thotë: “Sali Berisha nuk mposhtet kurrë, jo dhe jo!” Edi Rama thotë: “Edi Rama do jetë kryeministri juaj, kryeministri i politikës së re”. Ndërsa Ilir Meta thotë: “Ilir Meta ka program për ju”. Përveç delirit njerëzor në thelb të këtij fenomeni është një e vërtetë e madhe. Realisht politikanët tanë nuk kanë se çfarë t’i ofrojnë elektoratit përveçse vetveten. Sot kur ne kërkojmë më shumë se kurrë nga politikanët tanë, modeli politiko-ekonomik që kemi ndërtuar më shumë se kurrë e kufizon aftësinë e tyre vepruese. Në pamundësi për të na thënë se çfarë mund të bëjnë ata vazhdimisht na thonë se kush janë, edhe pse tashmë ne njihemi kaq mirë. Dhe kjo do vazhdojë për sa kohë nuk kuptojmë se modeli politiko-ekonomik që ne po ndjekim prodhon veçse dështim, edhe pse mbështillet me shpresën e integrimit euroatlantik. Edhe pse na premton se do na bëjë evropianë, ai në fakt vazhdon të na kthejë në emigrantë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi