Është krijuar idea se… Mund të jetojmë vetëm me historinë!

Nga Henri Çili, botuar në MapoOnline, 4.12.2012

…por tani që festimet për 100-vjetorin përfunduan, nuk mund të vijojmë më gjatë me historinë, por duhet të kthehemi urgjentisht te problemi ynë madhor: ekonomia.

Duket se një inerci e debatit të zjarrtë të vitit të fundit që përfshiu shoqërinë shqiptare nga kryeministri Berisha deri te zogisti apo enveristi i fundit në këtë vend po vazhdon ende dhe këto ditë që festimet entuziaste të 100-vjetorit të shtetit shqiptar i lamë pas. Në një të tillë, fiks një ditë pas festimeve, hapur si zakonisht nga kryeministri Sali Berisha është dhe ky për Enver Hoxhën, një dossier për të cilin në fakt po e përcjell dhe MAPO Weekend. Duket sikur shoqërinë shqiptare e ka kapur një lloj parazitizmi dhe do ta vazhdojë festën dhe vanitetin edhe kur ajo ka përfunduar, tamam si ajo familja që pasi ka mbaruar një gëzim të madh apo një festë, nuk dëshiron t’i dorëzohet këtij fakti dhe t’i kthehet punës, por do të vazhdojnë iluzionin e festës. Historia, e shkuara, rrëmimi në ndërgjegjen kombëtare të së shkuarës, shfletimi i kurioziteteve të saj qoftë dhe të rrëfyera enkas për të nginjur kuriozitetin e publikut të gjerë si “Enver Hoxha” apo “100 vjet” e Blendi Fevziut, janë një gjë e këndshme apo e dobishme për shoqërinë tonë, por sërish festa përfundoi, t’i kthehemi punës, tamam si ajo familja që e mbaroi gëzimin e duhet t’i kthehet të përditshmes.

Jo vetëm është e dobishme, por është e domosdoshme t’i kthehemi një debati për ekonominë shqiptare me gjithë kompleksitetin e saj për të paktën tri arsye.

Arsyeja e parë pse duhet t’i kthehemi debatit për ekonominë, madje të ndërtojmë më në fund një debat për së mbari për ekonominë shqiptare është fakti tashmë i gjithëpranuar nga të gjithë se një cikël ekonomik për Shqipërinë tashmë ka përfunduar dhe një cikël tjetër ende nuk i ka shfaqur konturet e tij. Por në horizont ai duket shqetësues sa më i paqartë është. Ai që ka hyrë në debatin publik me termin “MODELI I RI EKONOMIK”, term që ka për autor ekonomistin Adrian Civici, që në vitin 2008, edhe pse ka aty-këtu pulsione të këtij debati sërish mbetet një debat anemik, kryesisht në disa qarqe akademike dhe mediatike. Kur në fakt pyetjet që shtrohen rreth termit “Modeli i ri ekonomik” janë kapitale: në kushtet kur kanë përfunduar së shfrytëzuari burimet e rritjes ekonomike të dy dekadave të para, të mbështetura kryesisht mbi emigracionin, privatizimet, krijimin dhe shfrytëzimin e tregjeve të reja dhe mbi shfrytëzimin barbar të burimeve natyrore primare, pyetja kapitale që shtrohet është: cilat do të jenë burimet e reja të rritjes ekonomike në të paktën dy dekadat e ardhshme?

Arsyeja e dytë pse debati mbi ekonominë duhet të kthehet në qendër të debatit publik është fakti që për Shqipërinë pati një përkim të keq: jo vetëm po vijmë apo kemi ardhur në fundin e modelit të deritashëm të rritjes ekonomike, por bashkë me të ia ka behur dhe kriza ekonomikë botërore, europiane dhe rajonale. Ndaj problemi ynë bëhet gjithnjë e më i vështirë. Kështu përpjekjet, inovacioni, gjetjet, përpjekjet e shoqërisë shqiptare duhet të jenë dyfish për të përballuar këto dy probleme dyfishe që na kanë rënë për pjesë në këtë fillim dekade.

Arsyeja e tretë është fakti që jo më vonë se 6 muajt e parë të vitit që vjen kemi zgjedhje parlamentare dhe këto zgjedhje parlamentare janë përcaktuese për këtë dekadë që vjen. Këto zgjedhje duhet të zgjidhin në planin ekonomik një sfidë të dyfishtë; jo vetëm të prodhojnë idetë e reja për ekonominë dhe zhvillimin e vendit, por të testojnë dhe bartësit e këtyre alternativave, pra jo thjesht idetë dhe vizionet konkurruese por edhe bartësit më të besueshëm të tyre për të vënë ato në jetë.

Ndaj për të gjitha këto, edhe është krijuar ideja se mund të jetojmë këndshëm duke debatuar për historinë, në fakt është jo thjesht koha, por domosdoja për ta lënë historinë për 200-vjetorin…dhe t’i kthehemi ekonomisë!

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi