Nacionalizmi i Shqipërisë më shumë e vonon, sesa e shpejton bashkimin

Nga Ben Blushi, botuar në Panorama Online, 3.12.2012

 

Këto ditë duket sikur po hyjmë në kohën e nacionalizmit. Ndryshe nga çfarë besonim në 100 vitet e fundit, tani besojmë se në 100 vitet e ardhshme do jemi një popull më i madh dhe prandaj më i fortë dhe më i begatë. Në rastin tonë kjo ndjenjë është e merituar. Ne besojmë se koha na ka marrë, më shumë se na ka dhënë. Por sot jetojmë në disa shtete dhe prandaj nacionalizmi shqiptar ka tipare të ndryshme. Sepse shtetet janë si ena. Ato i japin nacionalizmit forma të ndryshme.

Nacionalizmi shqiptar përbëhet nga nacionalizmi i Shqipërisë, nga ai i Kosovës dhe ai i Maqedonisë. Koha do donte qe të tria të ishin një, por fatkeqësisht ato nuk janë. Dhe s’mund të jenë. Po mundohem të bëj dallimin.


Nacionalizmi i shqiptarëve të Shqipërisë

Nacionalizmi i Shqipërisë ka një qellim: të rregullojë shtetin e vet. Ne shqiptarët që jetojmë në Shqipëri e kemi pasur shtetin. I mirë apo i keq, i drejtë apo i padrejtë, ideologjik, kanunor, apo persekutor, i madh apo i vogël. Në 100 vjet neve nuk na ka munguar shteti. Sot po përpiqemi ta bëjmë më të mirë, më të drejtë, më funksional. Në përgjithësi shqiptarët e Shqipërisë e përdorin sot nacionalizmin si një mundësi për të ndryshuar cilësinë e jetës së tyre të përditshme. Ne këtë kuptim, shprehjet nacionaliste të popullit nga ato të politikës shqiptare nuk janë e njëjta gjë. Nëse populli ka rritur përdorimin e simboleve kombëtare, këtë nuk e bën si një nevojë për të shtuar territoret e veta, por për të shprehur pakënaqësinë ndaj klasës politike. Nacionalizmi i shqiptarëve të Shqipërisë është reagim, jo pajtim. Ai është shprehje pakënaqësie ndaj Shqipërisë, jo ndaj ndonjë vendi tjetër. Shqiptarët e Shqipërisë po e përdorin flamurin kombëtar për tu mbrojtur ndaj së keqes. Në të vërtetë ata po mbrohen, nuk po sulmojnë. Po mbrohen nga dëmet e qeverive të tyre, jo nga të huajt. Shqiptarët kërkojnë kryesisht një Shqipëri më të mirë dhe jo detyrimisht një Shqipëri më të madhe. Ose, thënë ndryshe, duan një Shqipëri më të mirë, e cila mund të bëhet edhe më e madhe, pasi të bëhet më e mirë. Shqiptarët kanë qenë, janë dhe do mbeten edhe për shumë kohë një popull i pakënaqur nga klasa e vet politike. Ne këta 100 vjet, pothuajse kurrë ata që i kanë drejtuar nuk kanë garantuar barazi, paqe, demokraci, emancipim, krenari dhe cilësi jete. Krahasimisht me popujt e tjerë, shqiptarët kanë jetuar dhe jetojnë më keq. Pra, kanë më pak shpresë për të qenë të barabartë në mirëqenie me popujt e tjerë, të jetojnë cilësisht njëlloj si ata. Sot kjo mungesë shkëlqen edhe më shumë.

Në të kundërt, politika shqiptare nuk e ka këtë qellim. Është e kotë të them se tonet nacionaliste të kohëve të fundit synojnë një Shqipëri më të mirë. Jo. Ndryshe nga populli, klasa politike do donte një Shqipëri më të madhe përpara se të donte një Shqipëri më të mirë. Sepse çdo territor më i madh, por në kaos, administrohet më lehtë se një territor më i vogël, më i rregullt dhe më demokratik. Rregulli thotë që mungesa e rregullit të mban në pushtet më gjatë se rregulli. Prandaj, madhësia dhe demokracia nuk janë e njëjta gjë. Madhësia nuk i shërben gjithnjë demokracisë, ndërkohë që e kundërta është e vërtetë. Madhësia nuk të bën detyrimisht demokraci, ndërsa demokracia të shton shanset për t’u bërë i madh edhe kur je i vogël. Vendet më të mëdha të botës sot, fatkeqësisht janë më pak demokratike. Klasa politike e Shqipërisë e di se përkohësisht të dyja qëllimet janë të pamundura. Ose të paktën janë të pamundura dhe të paarritshme, për aq kohë që kjo klasë është në pushtet. Pra, edhe madhësia e Shqipërisë, edhe demokracia e saj. Dhe duke mos arritur asnjërën nga të dyja, i ngatërron të dyja. Pra, nuk e bën dot Shqipërinë më të madhe, duke mos ditur si ta bëjë më të mirë. Për cilindo prej nesh sot është e qartë që një Shqipëri kaq e dobët, kaq e padrejtë, kaq e korruptuar dhe kaq e paintegruar nuk jep asnjë garanci për një Shqipëri më të madhe. Bashkimin e Shqipërisë sot nuk e pengon asgjë më shume sesa vetë Shqipëria.

Asnjë projekt i madh ndërkombëtar, sado dashamirës dhe kurajoz, nuk do zgjidhte të zmadhonte një vend me kaq shumë probleme. Sepse të bashkosh problemet është zgjidhja më e keqe për t’i zgjidhur ato. Prandaj nacionalizmi i Shqipërisë do mbetet edhe për shumë vjet vetëm elektoralisht konkurrues dhe aspak frymëzues. Ai më shumë e vonon, sesa e shpejton bashkimin.

Nacionalizmi i shqiptarëve të Kosovës

Koka e dytë e nacionalizmit shqiptar është ajo e Kosovës. Ndryshe nga nacionalizmi i Shqipërisë që kërkon të rregullojë shtetin e vet, nacionalizmi i Kosovës kërkon ta bëjë shtetin e vet. Këtë javë në Vlorë, shumë njerëz që jetojnë aty më thanë se ishin kryesisht kosovarët ata që ushqenin zjarrin e festimeve. Ata i shihje gjithandej. Në Tiranë, në Vlorë, me flamuj, me qeleshe dhe me gjuhën e tyre të dallueshme. Kosovarët duan të festojnë në një shtet që nuk e kanë. Ne ndoshta nuk e kuptojmë siç duhet dhe sa duhet, por shqiptarët e Kosovës e përjetojnë ndryshe nga ne jubileun e shtetit. Ata nuk kanë pasur shtet. Etja për shtet është cilësi që ne nuk e njohim, sepse shtetin e kemi pasur. Nevoja e shqiptarëve të Kosovës për të pasur shtetin e tyre e bën nacionalizmin e tyre të ndryshëm.

Megjithëse e kanë fituar pavarësinë prej disa vitesh, shqiptarët e Kosovës nuk ndihen si në shtetin e tyre. Ata kanë sovranitet të kufizuar në Drejtësi, në politikë të jashtme dhe në politikat e sigurisë. Javën e fundit, disa prej tyre u rebeluan sepse misioni europian i shtetit ligjor dhe drejtësisë, EULEX, që drejton në Kosovë, arrestoi një nga anëtarët e qeverisë. Imagjinoni sikur një nga ministrat e Shqipërisë të ishte arrestuar nga Ambasada e Brukselit në Tiranë! Shumica e shqiptarëve do ishin dakord. Në kushtet kur besojnë se gjykatat e Shqipërisë janë nën kontroll politik, shqiptarët do ishin të kënaqur ta lëshonin këtë pjesë të sovranitetit për më shumë drejtësi dhe barazi përpara ligjit. Në Kosovë kjo nuk ndodh dhe gjasat që populli të kërkojë t’i bëjë gabimet vetë, të japë ndëshkimet vetë dhe të korrë vetë efektet apo defektet e kësaj lirie administrative janë në rritje.

Ne këto kushte, nacionalizmi i shqiptarëve të Kosovës nuk kërkon sot më shumë cilësi jete dhe demokraci, por kërkon më shumë sovranitet. Në këtë pikë, nacionalizmi i popullit të Kosovës dhe ai i klasës politike janë më të përputhur. Kjo garanton më shumë harmoni brenda shtetit dhe jep shpresë për më shumë konsensus siç edhe ka ndodhur në të shkuarën e afërt, krahasimisht me Shqipërinë. Nacionalizmi i shqiptarëve të Kosovës pra do vazhdojë të jetë më i përmbajtur. Në të kundërt, ai i shqiptarëve të Shqipërisë do vazhdojë të jetë më i zhurmshëm dhe më konkurrues. Sepse këtu pakënaqësia e popullit do rritet dhe pamundësia e klasës politike për ta shuar këtë pakënaqësi po ashtu do rritet. Ndryshe thënë, burimet e këtyre dy lloj nacionalizmash janë të ndryshme, prandaj japin dhe do japin pasoja të ndryshme. Në Kosovë nuk ka ende pakënaqësi të popullit ndaj klasës së vet politike. Shteti është i ri dhe klasa politike po ashtu. Në pak vjet ajo ka arritur një fitore të madhe që rentabilizon ende: pavarësinë.

Sa i takon administrimit të përditshëm, klasa politike e Kosovës ka gjithmonë një arsye të fshehë dështimet e veta pas sovranitetit të kufizuar. Ajo pretendon se shumë vendime nuk i merr dot vetë. Prandaj pakënaqësia e kosovarëve po bëhet e lëvizshme. Nga një pakënaqësi e drejtuar ndaj Serbisë po kthehet në pakënaqësi ndaj Europës dhe misioneve ndërkombëtare. Ndërsa në Shqipëri është e kundërta. Pakënaqësia e popullit ndaj klasës politike po rritet dhe i vetmi shpëtim duket sikur është Europa. E nëse kosovarët duan një Kosovë për vete, shqiptarët e Shqipërisë duan fillimisht një Shqipëri më të mirë. Kjo i dallon.


Nacionalizmi i shqiptarëve të Maqedonisë

Nacionalizmi i llojit të tretë është ai i shqiptarëve të Maqedonisë. Nëse shqiptarët e Shqipërisë duan të rregullojnë shtetin e tyre, shqiptarët e Kosovës duan ta bëjnë shtetin e tyre, shqiptarët e Maqedonisë duan ta prishin shtetin e tyre. Me rritjen e nacionalizmit shqiptar në përgjithësi, shqiptarët e Maqedonisë do bëhen edhe më të paduruar. Të gjitha kreshtat e kësaj dallge do përfundojnë atje. Ata jetojnë me shpresën se një ditë do ta prishin shtetin e tyre i cili për ta mbetet inatçor, inferior, i padrejtë dhe i paskrupullt. Ai shtet i dhunon shqiptarët për të ekzistuar vetë. Sepse pa shqiptarë ndoshta nuk ka Maqedoni. Ndërsa me shqiptarë të prapambetur mundësia për dominim është më e madhe. Maqedonasit duan të fitojnë kohë, ndërsa shqiptarët e Maqedonisë nuk duan të humbin kohë. Në këtë frymë shqiptarët e Maqedonisë nuk i shohin defektet e demokracisë tonë. Ata janë të verbër ndaj dhunimit sistematik të demokracisë që shqiptarët e Shqipërisë i bëjnë prej 100 vitesh njëri-tjetrit. Në krahasim me mbytjen jugosllave dhe diktatin maqedonas, ata zgjedhin dhe do zgjedhin gjithmonë një shtet të shqiptarëve, sado i deformuar dhe i padrejtë të jetë ai. Shqiptarët e Maqedonisë janë sot shqiptarët më xhelozë të rajonit. Dhe si gjithë xhelozët janë në ankth të përhershëm. Ata nuk pajtohen dot me faktin që shqiptarët e Kosovës arritën atë që ata nuk e arritën dot. Kjo do vazhdojë ta bëjë nacionalizmin e tyre më të flaktë dhe më rebel. Ata nuk kanë pakënaqësi ndaj autoriteteve shqiptare, siç është rasti i Shqipërisë, nuk kanë pakënaqësi ndaj misioneve ndërkombëtare siç është rasti i Kosovës, ata kanë dhe do vazhdojnë të kenë pakënaqësi ndaj maqedonasve. Besojnë gjithë ditën se shteti ku janë nuk është dhe nuk do jetë kurrë shteti i tyre. Ata flenë në një shtet dhe ëndërrojnë të flenë në një shtet tjetër. Kjo i bën të paduruar. Qëllimi imediat i tyre është shteti i shqiptarëve dhe asgjë më shumë. Ata nuk duan të shkojnë drejt demokracisë përmes nacionalizmit siç është rasti ynë, as nuk duan të shkojnë nga sovraniteti drejt demokracisë siç është rasti i Kosovës. Ata duan shtetin përpara demokracisë, duke e ditur se demokratizimi i Maqedonisë është një pengesë që duhet ta shmangin sa më shpejt dhe me çdo kusht. Sa më pak demokratik të jetë shteti maqedon, aq më e lehtë është për shqiptarët e Maqedonisë. Dhe në këtë drejtim, shteti maqedonas i ndihmon çdo ditë. Sepse një shtet demokratik është më i vështirë për t’u prishur. Nacionalizmi i shqiptarëve të Maqedonisë është sot më i vërteti, sepse nga gjithë shqiptarët e rajonit ata jetojnë në një shtet tjetër, i cili është më i keq se shteti më i keq.


Bashkimi i shqiptarëve

Në përgjithësi besohet se nacionalizmi lind nga forca. Në rastin e shqiptarëve nacionalizmi po lind nga pakënaqësia. Ose nga dobësia. Për fat të keq, arsyet për pakënaqësi janë më shumë të ditës, sesa të kohës. Pra, më shumë të kohës që jetojmë, sesa të kohës që ka ikur. Por pyetja është: a i ndihmon nacionalizmi shqiptarët të bashkohen më shpejt se ç’munden apo se ç’duan të tjerët që ata të bashkohen? Dhe kur flitet për bashkim, në kohët që jetojmë, flitet për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën.

Çështja e Maqedonisë është më e komplikuar dhe më e vështirë për arsyet që dihen. Shqiptarët ë Shqipërisë dhe Kosovës kanë shtetet e tyre, ndërsa ata të Maqedonisë jo. Prandaj bashkimi i dy shteteve në një shtet është i më i lehtë se bashkimi i dy apo më shumë popujve, pa shtet, në një shtet, qoftë edhe kur ata janë një popull. Në këtë logjikë, dy shtete demokratike, normale, të begata, paqësore dhe ekonomikisht të vetëmjaftueshme mund të bashkohen më shpejt se dy popuj, të cilët nuk japin prova se kanë aftësi të plota shtetformuese. Ky paragjykim i ka shoqëruar shqiptarët në shekuj. Nëse kanë apo jo aftësi për të mbajtur një shtet. Ky paragjykim është sot po aq i justifikueshëm. Të gjithë ata që e kanë, ne i ndihmojmë çdo ditë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Korrupsion më shumë se ekonomi, zgjedhje të diskutueshme më shumë se demokraci, mungesë reformash më shumë se emancipim, polarizim më shumë se drejtësi, anarki më shumë se unitet, krahinalizëm më shumë se solidaritet kombëtar. Kjo është Shqipëria. Në shembullin tonë shkon edhe Kosova. Prandaj pyetja mbetet.
A mund të bashkohen dy shtete të vogla dhe të dobëta për të krijuar një shtet të madh edhe me të dobët? Kush e cenon më shumë paqen dhe begatinë e një bashkësie, dy qenie të dobëta, të uritura por të vogla apo një qenie e madhe shumë e dobët dhe prandaj problematike? Për çdo shqiptar, përfshi edhe mua, përgjigjja do ishte e lehtë, por e pamjaftueshme dhe jo bindëse. Ne duam të bashkohemi dhe të tjerat i zgjidhim rrugës. Madje ne duam të bashkohemi që të gjitha të tjerat t’i zgjidhim rrugës. Ne duam të bashkohemi që t’i japim shtetit tonë cilësitë që nuk ia kemi dhënë dot të ndarë. Ligjin, Ekonominë, Drejtësinë, Demokracinë, Unitetin, Solidaritetin dhe Paqen me natyrën. Natyrisht. Por të tjerët nuk mendojnë si ne. Dhe nuk kanë faj.

Nëse ka një fuqi që shtyn çështjen e bashkimit, fatkeqësisht janë vetë shqiptarët. Ka fuqi të cilat duan të na bashkojnë, por nuk munden. Sepse ne i pengojmë. Ka fuqi të cilat duan të na pengojnë dhe munden. Sepse ne i ndihmojmë. Dhe, me sa duket, do vazhdojmë t’i pengojmë të parët dhe t’i ndihmojmë të dytët.
Por ndoshta, nacionalizmi i shqiptarëve, që është më shumë popullor sesa shtetëror, mund të jetë i vlefshëm në vitet që vijnë, nëse ai synon dhe arrin të rregullojë shtetet e tyre. Nacionalizmi i shqiptarëve nuk ka për qëllim të rregullojë as Greqinë as Serbinë sepse nuk do, dhe as Europën sepse nuk mundet. Por Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë pa dyshim mund t’i bëjë tri shtete më të jetueshme.
E nëse e pranojmë se boshti, arsyeja, mjeti dhe qëllimi i këtij bashkimi është Shqipëria, duhet të pranojmë se pengesa më e madhe për bashkimin e shqiptarëve është vetë Shqipëria.

Sekush prej nesh mund të imagjinojë një Shqipëri më të drejtë, më demokratike, më solidare, më të begatë, më të ditur dhe më të ndritur. A do ishte bashkimi më i lehtë dhe më i shpejtë në këto kushte? Pa dyshim. Një Shqipëri me e mirë mund të ishte dhe duhej të ishte më e madhe. Prandaj nacionalizmi shqiptar ka një detyrim para së gjithash. Ai duhet të rregullojë Shqipërinë për të rregulluar kombin. Shqipëria është mjeti dhe qëllimi. Rrugë tjetër nuk ka dhe s’ka pse të ketë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi