Ylli Bufi

Ylli Bufi ka lindur në Tiranë, më 25 maj 1948.  Ka kryer studimet universitare për Kimi Industriale, në Universitetin e Tiranës. Më pas vazhdoi studimet pasuniversitare në Francë. Ka gradën “Doktor i Shkencave”.

Karrierën profesionale e ka filluar në Industrinë e Naftës dhe atë Ushqimore në vitin 1971 Në 1981 transferohet në Komitetin e Shkencës dhe Teknikës, pranë Këshillit të Ministrave, ndërsa në 1983 emërohet zv/ministër i Industrisë së Lehtë dhe Ushqimore.

Karrierën e mirëfilltë politike e fillon më 1990 kur merr postin e Ministrit te Industrisë Ushqimore. Më pas ka qënë disa herë ministër i Ekonomisë në qeveritë socialiste. Në fillim të tranzicionit politik, në vitin 1991 merr përsipër detyrën e Kryeministrit të Qeverisë së Stabilitetit.

Ylli Bufi është zgjedhur deputet në Kuvendin e Shqipërisë, ku ka përfaqësuar qytetin e Fierit dhe atë të Patosit në vitet 1991 deri 2009. Në katër legjislatura ka pasur funksionet e Kryetarit të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe të Financave dhe të Kryetarit të Komisionit Parlamentar të Aktiviteteve Prodhuese. Në legjislaturën 2005 – 2009 ka qënë Zëvëndëskryetar i Kuvendit të Shqipërisë. Ka përfaqësuar Kuvendin në organizma të ndryshme ndërkombëtare parlamentare.

Ylli Bufi eshtë autor dhe promotor i disa ligjeve në fushën e ekonomisë. Ka drejtuar komisione dhe grupe pune ad hoc, si ato të reformës zgjedhore. Në 2004 drejtoi me sukses komisionin për hartimin e Rregullores së Kuvendit, Si një nga përfaqësuesit e së majtës shqiptare dhe një nga politikanët konsensual të spektrit politik shqiptar, është shquar në negocimet për kapërcimin e ngërçeve politike në vend.

Ka botuar mjaft studime dhe artikuj të specializuar. Libri “Tempulli i demokracisë” është botimi i tij i parë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi