Cilat janë të rejat që sjell Rregullorja e re e Kuvendit?
Fjala e Ylli Bufit, në tryezën e rrumbullakët për Rregulloren e re të Kuvendit të Shqipërisë, 25 tetor 2004
Me projektin e Rregullores së re, që tashmë është gati për t’u diskutuar, Kuvendi ka hedhur një hap të ri konkret ne drejtim te përsosjes dhe reformimit te veprimtarisë se tij.
Rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë është miratuar në vitin 1998. Ndryshimet që kanë ndodhur gjatë kësaj periudhe pasqyrohen edhe në veprimtarinë e Kuvendit. Kuvendi është kthyer në institucionin më të rëndësishëm të zhvillimit të jetës politike të vëndit. Veprimtaria legjislative është bërë motori i procesit të konsolidimit të institucioneve të shtetit dhe të procesit të integrimit euroatlantik. Ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit vijnë si rrjedhojë e konsolidimit të demokracisë dhe institucioneve të saj, i nevojës së rritjes së efektivitetit të punës dhe veprimtarisë së parlamentit për ta përafruar me atë të vendeve të BE, ku ne synojmë të integrohemi.
Rregullorja e re është fryt i një pune të gjatë të Grupit, në përbërje të të cilit kanë qenë deputetë të gjithë spektrit politik të Kuvendit. Një ndikim pozitiv kanë luajtur kontaktet direkte me përvojën e disa parlamenteve si dhe konsulenca me Rregulloret e shumë parlamenteve evropiane dhe ekspertë të njohur në këtë fushë. Nëpermjet propozimeve përkatëse, ajo synon përmirësimin e demokracise parlamentare në Shqipëri, në përputhje me standartet ndërkombetare.
Pa hyrë në hollësi të përmbajtjes së propozimeve të bëra, do të dëshiroja të vija theksin në disa prej tyre.
1. Përvoja jonë e deritanishme, e krahasuar edhe me atë të parlamenteve të tjera europiane tregon se për përmirësimin e mëtejshëm të drejtimit të veprimtarisë se Kuvendit lipset të ndryshohet përcaktimi i organeve drejtuese të Kuvendit, në mvartësi në funksioneve që ato duhet të kryejnë. Kështu propozohet që, ndërsa Konferenca e Kryetarëve (Byroja e sotme) të mbetet organi që drejton dhe koordinon veprimtarinë e Kuvendit sipas një programi dhe kalendari të caktuar (funksioni politik), të shtohet Byroja e Kuvendit, si organ kolegjial i drejtimit të veprimtarisë që zhvillohet në Kuvend. Kryesia e Kuvendit, që de facto, deri tani ka ekzistuar (sepse de jure ajo nuk duhej të funksiononte) tashmë, me rregulloren e re nuk ekziston më. Byroja do të formohet nga përfaqësues të të gjitha grupeve parlamentare. Cdo anëtar i Byrosë mbulon një funksion të caktuar, për kryerjen e të cilit ai ndihmohet nga sekretariatet, që janë grupe deputetësh. Kështu zgjerohet pjesmarrja e deputetëve në drejtimin e punëve të Kuvendit.
2. Një ndryshim tjetër i propozuar në rregulloren e re, i referohet “Komisioneve Parlamentare”, të cilat përbëjnë shtyllën kryesore të veprimtarisë së legjislativit. Ato realizojne funksionin e tyre legjislativ; ushtrojne kontroll mbi veprimtarinë e pushtetit ekzekutiv; sigurojnë transparencën e qeverisjes dhe të proceseve politike etj. Në shëmbullin e praktikës europiane, në kuadrin e komisioneve parlamentare veprojnë edhe struktura të përhereshme, që kryejne funksione te vlerësimit apo të dhënies së mendimit për çeshtje legjislative, që lidhen me funksionimin dhe vendimarrjen e vet Parlamentit. Ato konsiderohen si komisione të përhershme jolegjislative. Në këtë aspekt, kanë gjetur pasqyrim në Projekt-rregullore edhe dy komisione të përhershme jolegjislative dhe pikerisht:
– Këshilli për Rregulloren, Mandatin dhe Imunitetin
– Këshilli për Legjislacionin.
Këshilli për Rregulloren, Mandatin dhe Imunitetin, do të ketë për objekt pune, atë që sot realizohet nga Komisioni i Mandateve. Këshilli për Legjislacionin, do të realizoj një vlerësim të projektligjeve që hyjnë në procesin legjislativ. Ai do të vihet në lëvizje me kërkesë të Kryetarit të Kuvendit, apo të Komisioneve parlamentare. Tipar dallues i këtyre organizmave të rinj parlamentarë të propozuar, do të jetë një përfaqësim i të gjithë grupeve parlamentare që përbëjnë Kuvendin.
3. Në kuadrin e reformimit të organizimit të Kuvendit, ndryshimet e propozuara, sjellin edhe krijimin e strukturave të reja, midis të cilave parashikohet edhe krijimi i një hallke, të quajtur “Sekretariati i Buxhetit”, i cili do të hartojë buxhetin e detajuar të Kuvendit. dhe do të mbikqyr zbatimin e tij nga njësitë administrative të caktuara në organigramën e Kuvendit.
4. Situata aktuale e Parlamentit Shqiptar, ku numri i deputeteve në komisione është i pakët, ka ndikuar herë-herë negativisht në punën që bëhet nga vetë komisionet për shqyrtimin e projektligjeve. Për këtë arsye, në Rregulloren e re reflektohet një reduktim i numrit të komisioneve parlamentare. Propozohet që Komisionet parlamentare të jenë vetëm 7, ose 6 komisione më pak se sa kanë egzistuar deri më sot.
5. Rregullorja e re fokusohet veçanërisht tek roli që duhet të luajnë komisionet parlamentare në procesin legjislativ. Përvoja e deritanishme, ku një projektligj shoqërohet me paraqitjen në seance plenare të disa raporteve të komisioneve, të cilët shpesh herë kanë qënë kontradiktor, ka vështirësuar punën e Parlamentit. Për këtë arsye në Rregulloren e re propozohet që një komision të ketë rolin përcaktues në raportin që duhet t’i bashkëngjitet një projektligji për të kaluar në seancë plenare, (përcaktohët kështu më mirë roli i komisionit përgjegjës) kurse komisionet e tjera të japin vlerësimin e tyre për nene të caktuara të projektit apo për çështje konkrete të tij. Në këtë kuadër gjithashtu përcaktohet më mirë edhe puna e deputetëve relatorë, në pregatitjen e raporteve që miratohen nga komisioni përgjegjës për projektligjin në shqyrtim.
6. Ndryshimet e propozuara, prekin edhe punën e Parlamentit në seancë plenare. Një moment i ri, i cili ka gjetur reflektim në dispozitat e propozuara, është se amendamentet e propozuara nga çdo deputet, fillimisht duhet të paraqiten në komisionin parlamentar përgjegjës. Amendamentet që paraqiten në seancë plenare, si rregull duhet të regjistrohen 24 orë para fillimit të seances plenare. Keëo ndryshime i japin fund një praktike disavjecare, ku amendimet propozoheshin direkt në seance plenare, çka e vështirësonte punën e Kuvendit.
7. Rregullorja e re sjell risi edhe në rolin kontrollues që duhet të luaj Kuvendi. Ndryshimet e propozuara bëjnë një ndarje të qartë të kontrollit që ushtrojnë komisionet e Kuvendit mbi ekzekutivin, sipas fushave përkatëse, standartizon në mënyrë bashkëkohore pyetjet dhe interpelancat dhe sjell një trajtim të ri kushtetues të mocioneve të besimit dhe mosbesimit. E reja në këtë pjesë është sanksionimi në praktikën e parlamentit shqiptar i një seance të përjavshme pyetje-përgjigjesh, me anetarë të Keshillit të Ministrave, praktikë e mirënjohur në parlamentet e një sërë vendesh demokratike.
Për arsyet që përmenda, drafti i ri i Rregullores synon të përmirësojë veprimtarinë e legjislativit shqiptar, duke e bërë atë sa më bashkëkohor dhe koherent, në përputhje me zhvillimet e vet realitetit shqiptar dhe me angazhimet e tij ndërkombëtare.
Së fundi, më lejoni të shpreh bindjen se fryma e bashkëpunimit dhe e konsensusit që dominoi punën e Komisionit të hartimit të Rregullores, do të mbizotërojë edhe në procesin e miratimit të tij në Parlament.