“Të drejta specifike” për opozitën

Nga Ylli Bufi

Kontribut në Forumin CuriaWeb:”Reforma Kushtetuese-një domosdoshmëri e kohës?

Demokracia është një e drejtë themelore e qytetarit, që duhet të ushtrohet në kushtet e lirisë, të barazisë, të transparencës dhe të përgjegjësisë. Ajo bazohet në të drejtën e sejcilit për të marrë pjesë në menaxhimin e punëve publike. Në fushën politike duhet, për rrjedhim, që opozita, dmth partitë dhe individët që nuk bëjnë pjesë në shumicën qeverisëse, të jetë në gjëndje të marri pjesë në mënyrë sinjifikative në procesin demokratik.

Në ushtrimin e funksionit legjislativ dhe të kontrollit të qeverisë, Parlamenti është institucioni që mishëron shoqërinë në diversitetin e saj dhe që e kanalizon këtë diversitet në procesin politik. Parlamenti ka prirje të arbitroj tensionet dhe të mbaj ekuilibrat midis alternativave konkurruese. Ai konsideron diversitetin dhe uniformitetin, individualitetin dhe kolektivitetin, me qëllim që të forcoj kohezionin dhe solidaritetin social.

Demokracitë e sotme parlamentare karakterizohen nga mënyra se si vendimmarrja politike ndahet midis parlamentit dhe qeverisë. Ndonëse funksionet tradicionale të këtyre dy degëve të qeverisjes janë të strukturuara formalisht në kushtetutën e një vendi, realiteti është më shumë një ndërveprim midis tyre. Në çdo rast baraspesha e këtij ndërveprimi përmbledh gjykimin normativ mbi nevojën për përfaqësim dhe për dhënie llogarie, nga njëra anë, dhe për udhëheqje dhe qeverisje të fortë, nga ana tjetër.
Opozita në parlament është një mekanizëm i nevojshëm dhe i domosdoshëm për demokracinë. Që opozita të jetë në gjëndje të plotësoj misionet e saj me efikasitet, duhet që pushteti dhe shoqëria në tërësinë e saj të pranojnë dhe të respektojnë parimet kryesore të demokracisë parlamentare. Opozita ka si funksion kryesor të përbëjë një alternativë të besueshme përkundrejt shumicës qeverisëse. Duke marrë pjesë në kontrollin dhe kritikën e veprimit të qeverisë, ajo ndihmon në sigurimin e transparencës, integritetit dhe të efikasitetit të menaxhimit të punëve publike dhe në parandalimin e abuzimeve nga ana e autoriteteve publike dhe të individëve të saj, duke mbrojtur kështu interesat publike. Ajo mund të luaj një rol veçanërisht të rëndësishëm në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njëriut dhe të lirive themelore.

Në kontekstin e ideve të mësipërme, respektimi i lirisë së shprehjes dhe i informacionit është thelbësore për parlamentarët, sidomos të atyre të opozitës, në mënyrë që ata të lejohen të kryejnë përgjegjësitë e tyre parlamentare. Përfaqësuesit e opozitës duhet të denoncojnë lirisht në parlament dhe para opinionit publik abuzimet që ata konstatojnë dhe të insistojnë që ato të korrigjohen dhe abuzuesit të ndëshkohen në përputhje me ligjin. Opozita duhet gjithashtu të disponojë akses të njëjtë, si shumica, në mjetet e komunikimit të Shtetit, për të shfaqur pikëpamjet e tyre, për të kritikuar veprimin e qeverisë dhe për të propozuar zgjidhje alternative me ato të qeverisë. Duke qënë se këto të drejta dhe të drejta të tjera themelore janë të fiksuara përmes legjislacionit, parlamentarët, sidomos ata të opozitës, duhet të kenë disa prerogativa, të drejta, suplementare apo specifike, që realisht ata të jenë në gjëndje të bashkëpunojnë me shumicën qeverisëse apo të kontrollojnë dhe kritikojnë veprimin qeveritar. Këto prerogativa ose të drejta specifike, që do ti përmëndim këtu, duhet të bëhen objekt i një kodifikimi të përshtatshëm si nëpërmjet dispozitave kushtetuese dhe/apo procedurave parlamentare.

  1. Prerogativat që mundësojnë kontributin e opozitës në procesin demokratik në të njëjtat kushte si shumica qeverisëse.Parlamenti duhet të informohet rregullisht nga qeveria mbi problemet e mëdha dhe të rëndësishme të vendit si dhe me politikat e ndjekura nga qeveria. Ky informim duhet të jetë i institucionalizuar në mënyrë që opozitës ti krijohen mundësitë për përfshirjen efektive të saj në debatet parlamentare, në mënyrë që ajo të kontribuojë dhe të bëhet realisht pjesë e vendimarrjes politike. E rëndësishme është përfshirja reale e opozitës në debatet për reformat e ndryshme të shtetit nëpërmjet konsiderimit të propozimeve të saj. Opozita duhet të ushtrojë të drejtën të denoncojë mosfunksionimin e pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor.
  2. Prerogativat që përfshijnë realisht opozitën në organizimin e veprimtarisë parlamentare.Organi drejtues i parlamentit (zakonisht Byroja) duhet të pasqyrojë përbërjen politike të parlamentit; opozita duhet të zgjedh një zëvëndëskryetar nga rradhët e saj, që duhet të drejtoj seancat në alternim me të zgjedhurit nga shumica. Kushtet e grupeve parlamentare të opozitës dhe të shumicës duhet të jenë të njëjta. Opozita duhet të drejtoj një numër komisionesh parlamentare, preferohen sidomos ato që ushtrojnë kontroll të drejpërdrejtë ndaj ekzekutivit, si psh komisioni i buxhetit. Opozita duhet të jetë e përfshirë në të gjitha komisionet parlamentare. Opozita duhet të ketë të drejtën e drejtimit të komisioneve hetimore.
  3. Prerogativat që mundësojnë rolin aktiv të opozitës në funksionimin e parlamentit.Për të siguruar barazinë e trajtimit të anëtarëve të opozitës dhe të shumicës, kryetari i parlamentit duhet të ushtrojë funksionet e tij pa manifestuar njëanshmëri. Të gjithë parlamentarët, të shumicës dhe të opozitës, kanë të drejtën e përfitimit të një informacioni të njëjtë nga ana e qeverisë dhe prej shërbimeve të specializuara të informacionit. Të gjithë parlamentarët kanë të drejtën e depozitimit të një projektligji apo amendamenti. Të gjithë ata kanë të drejtën për pyetje me shkrim apo interpelanca për anëtarët e qeverisë dhe opozita duhet të sigurojë kohën e përshtatashme për të marrë pjesë në këto seanca. Programi i punës dhe rendi i ditës vendosen prej vetë parlamentit në seancë plenare, por duhet të jetë e drejtë e çdo grupi parlamentar të përfshijë nismat e tij në veprimtarinë e parlamentit. Për të fuqizuar rolin e opozitës si dhe për të inkurajuar parimin e gjithëpërfshirjes, dialogut dhe të konsensusit, në mjaft parlamente caktojnë procedura apo struktura të të posaçme. Në Francë në reformën kushtetuese të vitit 2008 dhe atë parlamentare në vitin 2009 u përcaktuan disa “të drejta specifike” për grupet e opozitës dhe partive të vogla, që në njëfarë mënyrë, kundërbalancojnë predominimin e shumicës në procesin legjislativ. Në ligjin kushtetues të 23 korrikut 2008 Asambleja Kombëtare në Francë vendosi futjen në Kushtetutë të nenit 51-1 me këtë përmbajtje: “Rregullorja e çdo asambleje përcakton të drejtat e grupeve parlamentare prej të cilavë ato përbëhen. Rregullorja njeh të drejtat specifike për grupet e opozitës si dhe të grupeve të vogla”. Pra, kushtetuta mundëson që disa grupeve, jo të gjithave, t’u jepen të drejta të veçanta. Këto “të drejta specifike” për partitë dhe grupet e opozitës i ndihmojnë ato në ushtrimin e funksionit të kontrollit ndaj ekzekutivit, i kërkojnë qeverisë që të japë llogari si dhe të propozojnë opsione politike alternative me debate publike.

Në sistemet parlamentare ku qeveria ka nismën e debatit dhe të projektligjeve për shkak të shumicës së saj, mbetet e rëndësishme që opozita të ketë të drejtën për të regjistruar në rendin e ditës të pikave që lidhen me projektligje dhe debate dhe për kohën e fjalës. Në Dhomën e Deputetëve italianë ka një rregullore shumë preçize për kohën e fjalës, ku grupet e opozitës mund të rregjistrojnë një numër minimun çështjesh në rendin e ditës, me një proporcion të garantuar të kohës së fjalës për çdo çështje. Në rastin e projektligjeve të propozuara nga qeveria, koha e fjalës së dhënë grupeve të opozitës është më e madhe se ajo për partitë e mazhorancës. Në Seimas-in lituanez, grupeve të opozitës u akordohet një kohë e garantuar, për t’i lejuar që ato të propozojnë projektligje dhe «rend dite» dhe i jep prioritet shefit të opozitës gjatë seancave të çështjeve me ministrat dhe në debatet mbi programin e qeverisë, apo raportin e saj vjetor. Dhoma e Ulët britanike cakton 20 ditë gjatë çdo sesioni për debate mbi çështje të propozuara nga opozita, nga të cilat, 17 ditë në dispozicion të shefit të grupit më të rëndësishëm opozitar. Shëmbuj të tillë mund të sillen shumë.Kuvendi i Shqipërisë ndodhet shpesh para situatave të mungesës së dialogut midis forcave politike dhe për pasojë, të mosgjetjes së zgjidhjeve konsensuale. Në kushtet e një konfliktualiteti të lartë partiak, imponimi numerik i shumicës dhe mungesa e konstruktivitetit të opozitës futen në rrethin vicioz të mosbesimit reciprok. Njohja dhe institucionalizimi i disa “të drejtave specifike” të grupeve të opozitës dhe të partive të vogla, do të sillte efekte pozitive në gjithpërfshirjen dhe vendosjen e dialogut. Gjithëpërfshirja është e rëndësishme jo vetëm për forcat politike, por dhe për parlamentarët e thjeshtë, që nuk kanë përgjegjësi të veçantë në gjirin e grupeve të tyre politike, ndaj që të mos e ndjejnë veten të përjashtuar, u duhet garantuar mundësia e pjesmarrjes në të gjitha aktivitetet e parlamentit.

 

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi