Ligji Nr.9936, datë 26.6.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”.

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KUVENDI
L I G J Nr.9936, datë 26.6.2008
PËR MENAXHIMIN E SISTEMIT BUXHETOR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
Në mbështetje të neneve 78, 83 pika 1, 111 e 157 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, K U V E N D I I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË V E N D O S I:
KREU I PARIMET E PËRGJITHSHME Neni 1
Objekti i ligjit
Ky ligj rregullon sistemin buxhetor në Republikën e Shqipërisë, strukturën, parimet dhe bazat e procesit buxhetor, marrëdhëniet financiare ndërqeveritare dhe përgjegjësitë për zbatimin e legjislacionit buxhetor në tërësi.
Neni 2
Fusha e zbatimit të ligjit Ky ligj zbatohet nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme në të gjitha fazat e procesit buxhetor, që do të thotë:
a) përgatitjen, shqyrtimin dhe miratimin e buxhetit;
b) zbatimin, ndjekjen dhe rishikimin e buxhetit;
c) të drejtat dhe kufizimet për huamarrjen, garancitë, si dhe format e tjera, të rrjedhura prej tyre;
ç) kontrollin, kontabilitetin, raportimin, inspektimin dhe auditimin e buxhetit.
2 Neni 3
Përkufizime
Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Buxhet” është tërësia e të ardhurave, shpenzimeve dhe financimeve të qeverisjes qendrore e vendore dhe të fondeve speciale, të cilat miratohen me ligj nga Kuvendi i Shqipërisë, më poshtë “Kuvendi” ose me vendim të këshillit të njësisë së qeverisjes vendore.
2. “Ligj i buxhetit vjetor” është ligji që miraton të ardhurat, shpenzimet dhe financimet e Buxhetit të Shtetit, fondet speciale qendrore dhe transfertat nga Buxheti i Shtetit për njësitë e qeverisjes vendore, për vitin buxhetor.
3. “Fond special” është fondi i krijuar me ligj, i cili ka si burime të ardhurat tatimore ose jotatimore, që përdoren vetëm për financimin e funksioneve apo të veprimtarive të veçanta të qeverisjes qendrore apo vendore.
4. “Qeverisje e përgjithshme” është tërësia e njësive të qeverisjes qendrore, vendore dhe të fondeve speciale.
5. “Njësi të qeverisjes qendrore” janë njësitë e pushtetit ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor, të krijuara me Kushtetutë, ligj ose vendim të Këshillit të Ministrave, që kanë si veprimtari të tyre parësore përmbushjen e funksioneve të qeverisjes qendrore.
6. “Njësi të qeverisjes vendore” janë njësitë e niveleve të ndryshme vendore, të krijuara me ligj, që kanë si veprimtari të tyre parësore përmbushjen e funksioneve të qeverisjes vendore, brenda një territori të caktuar.
7. “Njësi e fondeve speciale” është njësia e krijuar me ligj për të ushtruar funksione specifike të qeverisjes qendrore dhe vendore.
8. “Njësi shpenzuese” është njësia më e vogël organizative e njësive të qeverisjes së përgjithshme, për të cilën janë detajuar fondet buxhetore.
9. “Fond i  miratuar” është kufiri maksimal i miratuar me ligjin të buxhetit vjetor ose me vendim të organeve vendimmarrëse të njësive të qeverisjes vendore, brenda të cilit njësitë e qeverisjes së përgjithshme kanë të drejtë të bëjnë shpenzime.
10. “Fond i shpërndarë” është fondi i miratuar sipas klasifikimit buxhetor dhe i vënë në dispozicion të njësisë së qeverisjes së  përgjithshme.
11. “Fond i detajuar” është fondi i shpërndarë sipas klasifikimit buxhetor, i detajuar në nivel njësie shpenzimi.
12. “Fond i rishpërndarë” është fondi, që rezulton nga shtesa dhe pakësime të balancuara të fondit të detajuar më parë.
13. “Plan i arkës” është parashikimi i të hyrave dhe të dalave të mjeteve monetare të njësive të qeverisjes së përgjithshme.
14. “Shumë e autorizuar për shpenzim” është kufiri maksimal periodik i shpenzimeve në nivel njësie shpenzuese.
15. “Fond rezervë” është fondi, që krijohet për të financuar shpenzime jo të përhershme dhe të paparashikuara, në fazën e përgatitjes së buxhetit.
16. “Fond kontingjence” është fondi i pashpërndarë, që krijohet për të mbuluar risqet e mundshme, për të ardhurat dhe shpenzimet, gjatë zbatimit të buxhetit.
17. “Shpenzim” është pakësimi i pasurisë neto, e cila përfundon me kryerjen e pagesave kapitale ose korrente, të pakthyeshme, me ose pa detyrim kthimi.
18. “E ardhur” është rritja e pasurisë neto, e cila përfundon me arkëtime kapitale ose korrente, me ose pa detyrim kthimi.
3
19. “Grant” është e ardhura, e përftuar në formën e dhurimit, për një qëllim të përcaktuar ose jo, pa kusht kthimi dhe pa interes, që përdoret për financimin e veprimtarive ekonomike.
20. “Borxh” është shuma e huave të marra në tregun bankar, financiar dhe nga palë të treta, persona fizikë, juridikë ose individë, me kusht kthimi, me ose pa interes, për financimin e projekteve të caktuara të investimeve, mungesës së përkohshme të likuiditeteve dhe të deficitit fiskal buxhetor.
21. “Hua afatgjatë vendore” është borxhi në monedhë kombëtare ose të huaj i njësisë së qeverisjes vendore, që duhet të shlyhet për një periudhë kohe të barabartë ose më të gjatë se një vit.
22. “Detyrim kontingjent” është detyrimi që mund t’i lindë njësisë së qeverisjes së përgjithshme në raport me të tretë, në të ardhmen, si rezultat i risqeve të mundshme, të lidhura me ngjarje apo nisma, të drejtpërdrejta ose të tërthorta, të viteve të mëparshme.
23. “Përdorim me ekonomi” është përdorimi i një sasie dhe cilësie të dhënë të inputeve në një kohë të dhënë dhe me koston më të ulët.
24. “Efektivitet” është madhësia, me të cilën një produkt kontribuon në arritjen e objektivave të politikës apo të qëllimeve të politikës buxhetore.
25. “Efiçencë” është lidhja ndërmjet produkteve të një programi dhe burimeve financiare dhe njerëzore të përdorura.
26. “Program buxhetor afatmesëm” është parashtrimi për tre vjet i planeve të shpenzimeve të buxhetit, përmes lidhjes së drejtpërdrejtë të programeve me veprimtaritë, produktet, objektivat dhe qëllimet e politikës.
27. “Program buxhetor” është një grup veprimtarish të njësisë së qeverisjes së përgjithshme, që administrohen efektivisht dhe kontribuojnë së bashku në prodhimin e produkteve të identifikueshme dhe të matshme, të cilat ndihmojnë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, në arritjen e objektivave dhe të qëllimeve të politikës buxhetore së tij.
28. “Qëllim i politikës së programit buxhetor” është rezultati i dëshirueshëm dhe i matshëm, që arrihet në një periudhë afatgjatë nga veprimtaritë e njësive të qeverisjes së përgjithshme.
29. “Objektiva të politikës së programit buxhetor” janë rezultatet specifike të matura saktësisht në kohë, sasi dhe kosto, të cilat realizohen në një periudhë afatshkurtër deri afatmesme dhe që përbëjnë hapa të ndërmjetëm drejt arritjes së qëllimit të politikës së programit buxhetor.
30. “Inpute” janë burimet financiare, njerëzore dhe fizike, të përdorura për kryerjen e veprimtarive, që nevojiten për ushtrimin e funksioneve të caktuara dhe që finalizohen me prodhimin e produkteve të caktuara.
31. “Veprimtari të programeve buxhetore” janë tërësia e veprimtarive, që kryhen në kuadër të një programi, për realizimin e një produkti.
32. “Produkte” janë mallrat dhe shërbimet e siguruara nga kryerja e veprimtarive buxhetore të programit buxhetor.
33. “Tavan i programit buxhetor afatmesëm” është kufiri i sipërm i shpenzimeve, brenda të cilit njësitë e qeverisjes së përgjithshme përgatisin kërkesat buxhetore të këtij programi.
34. “Menaxhim financiar” është tërësia e përgjegjësive të menaxhimit, që ushtrojnë njësitë e qeverisjes së përgjithshme, për miratimin dhe zbatimin e rregullave dhe të procedurave, që sigurojnë përdorim efiçent, efektiv dhe ekonomik të burimeve financiare publike, në dispozicion.
4
35. “Kontroll i brendshëm financiar publik” është tërësia e sistemit menaxherial, financiar dhe të kontrolleve të tjera, përfshirë strukturën administrative, metodat, procedurat, si dhe auditimin e brendshëm, të ngritur për realizimin e objektivave të drejtimit, me parim transparencën, ligjshmërinë, përdorimin me ekonomi, efiçencën dhe efektivitetin.
36. “Auditim i brendshëm” është një veprimtari e pavarur, brenda njësisë së qeverisjes së përgjithshme, që siguron, në mënyrë të arsyeshme, nëpunësit autorizues për përdorimin efektiv të fondeve dhe përmirësimin e ushtrimit të funksioneve të këtyre njësive.
37. “Sistem i thesarit” është tërësia e rregullave dhe e procedurave, si dhe struktura organizative përkatëse, e ngarkuar për ekzekutimin e buxhetit, administrimin e mjeteve monetare, mbajtjen e llogarive dhe raportimin financiar të qeverisjes së përgjithshme.
38. “Angazhim buxhetor” është marrja përsipër e detyrimeve financiare, në formë të shkruar, përmes hyrjes në marrëdhënie kontraktuale.
39. “Veprimtari pothuajse fiskale” është veprimtaria me natyrë fiskale, e kryer nga njësitë e sektorit publik, jo njësi të qeverisjes së përgjithshme.
40. “Shpenzim i taksave” është masa e efekteve nga përjashtimet ose lehtësitë fiskale, që ndërmerren për të nxitur veprimtari të caktuara.
41. “Nëpunës i parë autorizues” është nëpunësi i nivelit më të lartë sipas ligjit për shërbimin civil në ministrinë përgjegjëse për financat, përgjegjës për përgatitjen, zbatimin, kontrollin e brendshëm financiar, monitorimin, raportimin, kontabilitetin dhe auditimin e brendshëm të Buxhetit të Shtetit.
42. “Nëpunës autorizues” është nëpunësi i nivelit më të lartë i njësive të qeverisjes së përgjithshme, përgjegjës për përgatitjen, zbatimin, kontrollin e brendshëm financiar, monitorimin, raportimin, kontabilitetin dhe auditimin e brendshëm të buxhetit të tyre, që përgjigjet përpara nëpunësit të parë autorizues.
43. “Nëpunës autorizues i nivelit të dytë” është nëpunësi i administratës publike në secilën nga njësitë vartëse të njësisë së qeverisjes së përgjithshme, përgjegjës për përgatitjen, zbatimin, kontrollin e brendshëm financiar, monitorimin, raportimin, kontabilitetin dhe auditimin e brendshëm të buxhetit të tyre, që përgjigjet përpara nëpunësit autorizues.
44. “Nëpunës zbatues” është punonjësi i administratës publike në njësinë e qeverisjes së përgjithshme, përgjegjës për zbatimin e rregullave të menaxhimit financiar, mbajtjen e llogarive dhe për përgatitjen e pasqyrave financiare, që përgjigjet përpara nëpunësit autorizues të nivelit përkatës.
Neni 4
Parimet e funksionimit të sistemit buxhetor
Parimet e funksionimit të sistemit buxhetor janë:
a) transparenca, parashikueshmëria, gjithëpërfshirja, uniteti dhe universaliteti në menaxhimin e sistemit buxhetor e të fondeve speciale;
b) disiplina fiskale, në përputhje me stabilitetin makroekonomik dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social;
c) shpërndarja e burimeve, në përputhje me objektivat strategjikë të Këshillit të Ministrave;
5
ç) përdorimi ekonomik, efiçent dhe efektiv i burimeve publike;
d) përgjegjësi të qarta për menaxhimin operacional;
dh) respektimi me rreptësi i tërësisë së procesit.
Transparenca është parimi, që siguron për Kuvendin, këshillat e njësive të qeverisjes vendore dhe publikun e gjerë të dhëna lehtësisht të disponueshme, të shpejta, të kuptueshme e të krahasueshme, në nivel ndërkombëtar, integriteti i të cilit mund të verifikohet në mënyrë të pavarur, në lidhje me:
a) funksionet, mënyrën e organizimit, veprimtaritë, rolet dhe përgjegjësitë e njësive të qeverisjes së përgjithshme;
b) produktet për objektivat dhe qëllimet e politikës;
c) procesin e përgatitjes së buxhetit;
ç) parashikimin makroekonomik dhe fiskal;
d) pasqyrat financiare.
KREU II
SISTEMI BUXHETOR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
Neni 5
Buxheti i Shtetit
Buxheti i Shtetit përfshin të gjitha të ardhurat, shpenzimet dhe financimet e qeverisjes qendrore.
Buxheti i Shtetit përfshin një fond rezervë dhe një fond kontingjence të pashpërndarë, i cili miratohet nga Kuvendi në ligjin të buxhetit vjetor, deri në masën 3 për qind të vlerës totale të fondeve të miratuara.
Fondi rezervë përdoret vetëm për rastet e financimit të shpenzimeve, të cilat nuk njihen dhe janë të pamundura të parashikohen gjatë procesit të përgatitjes së buxhetit. Miratimi i përdorimit të tij bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Fondi i kontingjencës përdoret sipas përcaktimit në ligjin e buxhetit vjetor, për të përballuar efektet e mosrealizimit të të ardhurave, nevojën e kryerjes së financimeve të reja dhe shtimin e financimeve mbi fondet e miratuara të programeve ekzistuese.
Buxheti i Shtetit nuk mund të trashëgohet nga njëri vit në tjetrin, përveç rasteve të përcaktuara në këtë ligj.
Buxheti i Shtetit është i balancuar në termat e arkëtimeve dhe të pagesave.
Të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e Buxhetit të Shtetit janë në terma bruto.
Neni 6
Buxheti vendor
Buxheti vendor përfshin të gjitha të ardhurat, shpenzimet dhe financimet e njësisë së qeverisjes vendore.
Buxheti vendor përfshin një fond rezervë dhe një fond kontingjence, të pashpërndarë, i cili miratohet nga këshilli i njësisë së qeverisjes vendore në vendimin e 6 buxhetit vjetor, deri në masën 3 për qind të vlerës së përgjithshme të fondeve të miratuara, duke përjashtuar transfertat e kushtëzuara.
Fondi rezervë përdoret vetëm për rastet e financimit të shpenzimeve, të cilat nuk njihen ose janë të pamundura të parashikohen gjatë procesit të përgatitjes së buxhetit. Përdorimi i tij bëhet me vendim të këshillit të njësisë së qeverisjes vendore.
Fondi i kontingjencës përdoret sipas përcaktimit në vendimin për buxhetin vjetor të këshillit të njësisë së qeverisjes vendore, për të përballuar efektet e mosrealizimit të të ardhurave, nevojën e kryerjes së financimeve të reja dhe shtimin e financimeve mbi fondet e miratuara, të programeve ekzistuese. Buxheti vendor është i balancuar, përveç rasteve kur merret hua për financimin e projekteve të investimeve. Buxheti vendor është i balancuar në termat e arkëtimeve dhe të pagesave.
Të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit vendor janë në terma bruto.
Neni 7
Fondet speciale
Fondi special i njësive të qeverisjes qendrore ose vendore krijohet me ligj të veçantë, të propozuar nga Këshilli i Ministrave, me nismën e ministrit përgjegjës për financat, që në vijim do të quhet Ministri i Financave. Fondet speciale të qeverisjes vendore i propozohen Ministrit të Financave nga këshilli i njësisë së qeverisjes vendore.
Ligji për krijimin e fondit special të qeverisjes qendrore apo vendore përcakton:
a) qëllimin e krijimit të fondit special;
b) njësinë administrative të fondit special, që mund të jetë një njësi e qeverisjes qendrore ose vendore e pavarur ose e kontrolluar nga një njësi tjetër;
c) mënyrën e financimit dhe balancimit të fondit special;
ç) mënyrën e konsolidimit në llogaritë e qeverisjes qendrore ose vendore;
d) kohëzgjatjen dhe mënyrën e mbylljes së fondeve speciale.
Fondi special përfshin të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e një njësie të fondit special.
Procedurat e propozimit dhe të miratimit të buxhetit të fondit special të qeverisjes qendrore apo vendore janë të njëjta me Buxhetin e Shtetit.
Fondet speciale të njësive të qeverisjes qendrore paraqiten në Kuvend, së bashku me Buxhetin e Shtetit.
Fondet speciale të njësive të qeverisjes vendore paraqiten në këshillin e qeverisjes vendore, së bashku me buxhetin vendor.
Asnjë fond ekstrabuxhetor nuk krijohet, nëse nuk është një fond special.
7
Neni 8
Menaxhimi i mjeteve monetare të qeverisjes së përgjithshme
Arkëtimet dhe pagesat e qeverisjes së përgjithshme kryhen nëpërmjet llogarisë së unifikuar të thesarit, e mbajtur në lekë dhe në valuta të huaja. Llogaria e unifikuar e thesarit mbahet në Bankën e Shqipërisë.
Ministri i Financave, në rast se kërkohet, për fondet speciale, për financimet e projekteve ose për qëllimet e menaxhimit efiçent të mjeteve monetare, mund të mbajë një numër të kufizuar llogarish në Bankën e Shqipërisë.
Ministri i Financave është i autorizuar të nënshkruajë marrëveshje me Bankën e Shqipërisë dhe me bankat e nivelit të dytë, për kryerjen e operacioneve bankare dhe menaxhimin e mjeteve monetare të qeverisjes së përgjithshme.
Teprica e mjeteve monetare, përkohësisht të lira, të llogarive të qeverisjes së përgjithshme në Bankën e Shqipërisë investohet sipas procedurave të përcaktuara me udhëzim të Ministrit të Financave.
Njësitë e qeverisjes vendore gëzojnë të drejtën e përfitimit të interesit për mjetet e tyre monetare, përkohësisht të lira, në llogarinë e unifikuar të thesarit. Kushtet dhe masa e përfitimit të interesave përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Financave.
Neni 9
Arkëtimet
Arkëtimet përfshijnë, por nuk kufizohen në:
a) arkëtime, që lidhen me transaksione të ndërsjella:
i) të ardhurat nga shitja e mallrave dhe shërbimeve;
ii) të ardhurat nga shitja e aktiveve afatgjata;
b) arkëtime, që lidhen me transaksione joreciproke:
i) të ardhurat nga tatimet, taksat dhe tarifat;
ii) të ardhurat nga aktivet në pronësi;
iii) të ardhurat nga grantet;
iv) të ardhurat nga kontributet e detyrueshme;
c) arkëtime, që lidhen me transaksionet financiare:
i) të ardhura nga interesat;
ii) arkëtime nga huatë;
iii) të ardhura të tjera, nga ekzekutimi i sanksioneve administrative dhe penale;
ç) arkëtimet e kujdestarisë, garancitë dhe mjete të tjera në ruajtje.
Neni 10
Pagesat
Pagesat përfshijnë, por nuk kufizohen vetëm në:
a) pagesa, që lidhen me transaksione të ndërsjella:
i) shpenzime për blerjen e mallrave dhe shërbimeve;
ii) shpenzime për blerjen ose krijimin e aseteve afatgjata;
iii) pagesa për huamarrje;
8
b) pagesa, që lidhen me transaksione joreciproke:
i) transferta qeveritare;
ii) grante, kontribute dhe donacione;
iii) shpenzime për qiramarrje;
c) pagesa financiare:
i) shpenzime për interesa;
ii) shpenzime për qira financiare;
iii) pagesa të principaleve të borxhit;
vi) pagesa kujdestarie.
Neni 11
Klasifikimet buxhetore
Klasifikimet buxhetore miratohen nga Ministri i Financave, në bazë të propozimit të nëpunësit të parë autorizues, në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Klasifikimet buxhetore përfshijnë, minimalisht:
a) klasifikimin administrativ, i cili përfaqëson klasifikimin e njësive të qeverisjes së përgjithshme deri në nivel njësie shpenzuese;
b) klasifikimin ekonomik, i cili përfaqëson klasifikimin e transaksioneve, sipas natyrës ekonomike;
c) klasifikimin funksional, i cili përfaqëson një klasifikim të detajuar, sipas funksioneve ose objektivave ekonomiko-socialë, që njësitë e qeverisjes së përgjithshme synojnë të përmbushin/arrijnë;
ç) klasifikimin, sipas programeve, i cili përfaqëson programet, nënprogramet dhe projektet, në përputhje me objektivat e njësive të qeverisjes së përgjithshme;
d) klasifikimin, sipas burimeve të financimit.
Klasifikimi i buxhetit vendor dhe i fondeve speciale është i njëjtë me klasifikimin e Buxhetit të Shtetit.
Kodet dhe emërtimet e klasifikimeve buxhetore dhe të llogarive kontabël janë unike për të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme.
Neni 12
Deficiti dhe suficiti buxhetor
Deficiti buxhetor, në një vit buxhetor, është diferenca ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve, kur shpenzimet janë më të mëdha se të ardhurat. Suficiti buxhetor, në një vit buxhetor, është diferenca ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve, kur të ardhurat janë më të mëdha se shpenzimet.
Ligji i buxhetit vjetor përcakton përdorimin e një suficiti buxhetor apo mënyrat e financimit të një deficiti buxhetor. Deficiti i Buxhetit të Shtetit financohet nga huatë e brendshme ose të huaja dhe, si rregull, masa e tij nuk mund të tejkalojë masën e shpenzimeve kapitale të parashikuara në ligjin e buxhetit vjetor. Buxheti vendor është i balancuar. Përjashtimisht, buxheti vendor mund të ketë deficit vetëm për shpenzimet kapitale, të financuara me hua, sipas dispozitave të përcaktuara në këtë ligj ose në ligj të veçantë.
Fondet speciale janë gjithmonë të balancuara dhe nuk mund të kenë deficit.
9
Neni 13
Viti buxhetor
Viti buxhetor, për të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme, fillon nga data 1 janar dhe përfundon më 31 dhjetor të çdo viti.
KREU III
ROLI DHE PËRGJEGJËSITË E ORGANEVE NË PROCESIN BUXHETOR
Neni 14
Kompetencat e Kuvendit
Kuvendi, me ligj të veçantë, miraton të ardhurat dhe fondet buxhetore vjetore për njësitë e qeverisjes qendrore, transfertat e pakushtëzuara për njësitë e qeverisjes vendore dhe fondet speciale, me qëllim kryerjen e shpenzimeve për ushtrimin e funksioneve të
tyre, si dhe burimet e financimit të deficitit buxhetor.
Neni 15
Kompetencat e këshillit të njësisë së qeverisjes vendore Këshilli i njësisë së qeverisjes vendore, me vendim të veçantë, miraton të ardhurat dhe fondet buxhetore vjetore për njësitë e qeverisjes vendore dhe fondet speciale të tyre, me qëllim kryerjen e shpenzimeve për ushtrimin e funksioneve që kanë, si dhe huamarrjen, për financimin e projekteve të investimeve.
Neni 16
Kompetencat e Këshillit të Ministrave
Këshilli i Ministrave miraton drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore dhe, në bazë të tyre, i propozon Kuvendit ligjin e buxhetit vjetor. Ministri i Financave është autoriteti përgjegjës për hartimin dhe miratimin e një sistemi rregullash, standardesh dhe procedurash, që sigurojnë administrimin ekonomik, efiçent dhe efektiv të burimeve financiare publike.
Neni 17
Kompetencat e kryetarit të njësisë së qeverisjes vendore
Kryetari i njësisë së qeverisjes vendore propozon drejtimet kryesore të politikës së njësisë së qeverisjes vendore dhe projektbuxhetin në këshillin përkatës të njësisë së qeverisjes vendore.
10
Neni 18
Nëpunësi i parë autorizues
Sekretari i përgjithshëm i ministrisë përgjegjëse për financat është nëpunësi i parë autorizues për buxhetin e njësive të qeverisjes qendrore, për fondet speciale të qeverisjes qendrore dhe transfertat e njësive të qeverisjes vendore. Nëpunësi i parë autorizues përgjigjet te Ministri i Financave për menaxhimin e sistemit buxhetor dhe kontrollin e brendshëm financiar publik, sipas këtij ligji, ligjit të buxhetit vjetor dhe akteve nënligjore. Nëpunësi i parë autorizues paraqet në komisionin përkatës parlamentar raporte
periodike, pasqyra financiare dhe raportin vjetor për zbatimin e buxhetit në Republikën e Shqipërisë. Me kërkesë të komisionit raporton gjatë vitit edhe për çështje të tjera, që kanë lidhje me zbatimin e buxhetit dhe kontrollin e brendshëm financiar publik.
Neni 19
Nëpunësi autorizues
Nëpunës autorizues në njësitë e qeverisjes qendrore është punonjësi i administratës publike i nivelit më të lartë të shërbimit civil. Për ministrinë përgjegjëse për financat, nëpunësi i parë autorizues emëron një punonjës të nivelit të lartë ose të mesëm të administratës publike si nëpunës autorizues. Në njësitë e qeverisjes së përgjithshme, që nuk janë pjesë e pushtetit ekzekutiv, nëpunës autorizues është punonjësi i nivelit më të lartë menaxhues. Nëpunës autorizues në njësitë e qeverisjes vendore është kryetari i njësisë ose zëvendësi i tij, nëse kryetari vendos ta delegojë këtë përgjegjësi. Titullari i njësisë së qeverisjes së përgjithshme njofton nëpunësin e parë autorizues për nëpunësin autorizues të njësisë së vet. Nëpunësi autorizues i njësisë shpenzuese është titullari i kësaj njësie.
Nëpunësi autorizues është përgjegjës për menaxhimin financiar në njësinë e qeverisjes së përgjithshme, ku është caktuar, në përputhje me parimet e përcaktuara në nenin 4 të këtij ligji.
Përgjegjësitë për menaxhimin financiar përfshijnë, por nuk kufizohen, në:
a) përgatitjen, zbatimin, kontrollin e brendshëm financiar, monitorimin, kontabilitetin, raportimin dhe auditimin e brendshëm të buxhetit të njësisë së qeverisjes së përgjithshme;
b) sigurimin e përdorimit me efiçencë, efektivitet dhe ekonomi të burimeve publike.
Nëpunësi autorizues vepron në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe të akteve nënligjore në zbatim të tij.
Nëpunësi autorizues i njësive të qeverisjes së përgjithshme udhëzon dhe informon nëpunësit zbatues të njësive shpenzuese të varësisë dhe garanton zbatimin e udhëzimeve të dhëna prej tij nga nëpunësit zbatues të njësive shpenzuese që ka në juridiksion.
Nëpunësi autorizues i njësive të qeverisjes qendrore dhe i njësive të fondeve speciale të qeverisjes qendrore raporton dhe përgjigjet përpara nëpunësit të parë autorizues për përgatitjen, zbatimin, kontrollin e brendshëm financiar, monitorimin, raportimin, kontabilitetin dhe auditimin e brendshëm të buxhetit të tyre.
11
Nëpunësi autorizues i njësisë së qeverisjes qendrore, me miratim të titullarit, cakton punonjës të administratës publike si nëpunës autorizues të nivelit të dytë në secilën nga njësitë vartëse të njësisë së qeverisjes qendrore.
Nëpunësi autorizues i njësive të qeverisjes vendore përgjigjet dhe raporton përpara nëpunësit të parë autorizues për përgatitjen, zbatimin, kontrollin e brendshëm financiar publik, monitorimin, raportimin dhe kontabilitetin e buxhetit të njësisë përkatëse të
qeverisjes vendore, në ushtrimin, nga njësitë e qeverisjes vendore të funksioneve të përbashkëta dhe të deleguara, nga një njësi e qeverisjes qendrore.
Nëpunësi autorizues i njësisë së qeverisjes vendore dhe i fondeve speciale të qeverisjes vendore përgjigjet dhe raporton përpara komitetit të financës dhe këshillit të njësisë së qeverisjes vendore për përgatitjen, zbatimin, kontrollin e brendshëm financiar
publik, monitorimin, raportimin, kontabilitetin dhe auditimin e brendshëm të buxhetit ose të fondeve speciale, për të gjitha funksionet e njësive të qeverisjes vendore dhe të fondeve speciale.
Nëpunësi autorizues i njësisë së qeverisjes vendore mund të caktojë një punonjës të administratës publike si nëpunës autorizues të nivelit të dytë në njësitë e qeverisjes vendore.
Neni 20
Nëpunësi zbatues
Nëpunësi zbatues është punonjës i administratës publike, i nivelit të lartë, të shërbimit civil të njësisë së qeverisjes së përgjithshme. Nëpunësi zbatues caktohet nga nëpunësi autorizues për zbatimin e rregullave të menaxhimit financiar, mbajtjen e llogarive dhe për përgatitjen e pasqyrave financiare.
Neni 21
Dokumentimi dhe raportimi i urdhrave, në kundërshtim me dispozitat
Urdhri gojor ose i shkruar i titullarit apo i të autorizuarit prej tij, të një njësie të qeverisjes së përgjithshme, që rregullon menaxhimin operacional, i nxjerrë në kundërshtim me dispozitat për menaxhimin financiar, drejtuar nëpunësve autorizues ose zbatues, kundërshtohet me shkrim nga këta të fundit te lëshuesit e urdhrit apo titullarët, sipas varësisë.
Kundërshtimi është në formën e një raporti me shkrim, i cili përmban:
a) shpjegime për bazën ligjore për kundërshtimin e urdhrit;
b) kërkesë për anulimin ose konfirmimin e tij.
Në rastet kur urdhri nuk anulohet por konfirmohet me shkrim, nëpunësi autorizues procedon me zbatimin e urdhrit dhe një kopje të raportit të kundërshtimit e dërgon te nëpunësi i parë autorizues, i cili vë në dijeni Ministrin e Financave. Me konfirmimin me shkrim të urdhrit, në rastin e komunikimeve ndërmjet Ministrit të Financave dhe nëpunësit të parë autorizues, një kopje e raportit dërgohet në Kontrollin e Lartë të Shtetit.
Rregullat e përshkruara në paragrafin e parë dhe të dytë të këtij neni zbatohen edhe për marrëdhëniet ndërmjet niveleve të ndryshme të nëpunësve autorizues dhe nëpunësve zbatues.
12
KREU IV
PËRGATITJA, SHQYRTIMI DHE MIRATIMI I BUXHETIT TË SHTETIT
Neni 22
Përgatitja e kalendarit të menaxhimit të shpenzimeve publike
Ministri i Financave përgatit dhe i propozon Këshillit të Ministrave kalendarin e menaxhimit të shpenzimeve publike, duke përcaktuar me hollësi afatet e procesit të menaxhimit të shpenzimeve publike.
Kalendari i menaxhimit të shpenzimeve publike miratohet, si pjesë përbërëse e kalendarit të planifikimit strategjik, nga Këshilli i Ministrave dhe bëhet efektiv në ditën e parë të çdo viti.
Neni 23
Vlerësimet dhe parashikimet makroekonomike dhe buxhetore
Brenda muajit janar, Ministri i Financave, paraqet për shqyrtim dhe miratim në Këshillin e Ministrave raportin për vlerësimet dhe parashikimet makroekonomike për:
a) 2 vitet përpara vitit buxhetor;
b) vitin buxhetor;
c) 3 vitet e ardhshme buxhetore.
Në këtë raport përfshihen:
a) supozimet dhe mënyrat e përdorura për vlerësimin e parashikimin makroekonomik dhe fiskal, përfshirë dhe identifikimin e vlerësimin e riskut për qëndrueshmërinë e stabilitetit makroekonomik të vendit;
b) vlerësimet më të fundit të situatës ekonomike, në bazë të të dhënave zyrtare, si dhe krahasimin me parashikimet e mëparshme;
c) parashikimin për të ardhurat e qeverisjes së përgjithshme, në bazë të politikave ekzistuese dhe të propozimeve të politikave të reja apo ndryshimeve të atyre ekzistuese;
ç) parashikimin për shpenzimet e qeverisjes së përgjithshme, në bazë të politikave  ekzistuese dhe propozimeve për politika të reja apo ndryshimeve në politikat ekzistuese;
d) parashikimin për deficitin e qeverisjes së përgjithshme dhe financimin e tij, duke respektuar dhe garantuar disiplinën dhe qëndrueshmërinë fiskale;
dh) propozimet për tavanet përgatitore të shpenzimeve për tre vitet e ardhshme buxhetore, ku shpjegohen ndryshimet nga limitet e përcaktuara në programin buxhetor afatmesëm paraardhës;
e) informacion të hollësishëm për stokun e borxhit, të brendshëm dhe të jashtëm, për çdo sektor të qeverisjes së përgjithshme.
Vlerësimi dhe parashikimi makroekonomik miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe i dërgohen Kuvendit brenda datës 10 mars. Me kërkesë të komisionit parlamentar përgjegjës për financat publike, Ministri i Financave mund të japë shpjegime para tij për vlerësimet dhe parashikimet e miratuara nga Këshilli i Ministrave.
13
Neni 24
Udhëzimi për përgatitjen e buxhetit Ministri i Financave, pas miratimit nga Këshilli i Ministrave të vlerësimeve dhe parashikimeve makroekonomike dhe buxhetore, brenda muajit shkurt miraton dhe dërgon për zbatim në njësitë e qeverisjes së përgjithshme udhëzimin për përgatitjen buxhetit.
Udhëzimi përmban:
a) tavanet përgatitore të shpenzimeve të programit buxhetor afatmesëm;
b) transfertat e pakushtëzuara për njësitë e qeverisjes vendore;
c) procedurat dhe afatet e përgatitjes së programit buxhetor afatmesëm dhe të
projektbuxhetit vjetor;
ç) rregulla për ndarjen apo delegimin e funksioneve ndërmjet njësive të qeverisjes
qendrore dhe njësive të qeverisjes vendore;
d) mënyrat e llogaritjes së transfertave, të pakushtëzuara dhe të kushtëzuara, për
njësitë e qeverisjes vendore.
Nëpunësit autorizues të njësive të qeverisjes së përgjithshme përgatisin dhe
dorëzojnë kërkesat për programin buxhetor afatmesëm dhe kërkesat shtesë, në përputhje
me kërkesat dhe afatet e parashikuara në udhëzimin përkatës të Ministrit të Financave.
Neni 25
Projekti i programit buxhetor afatmesëm
Njësia përgjegjëse për buxhetin në ministrinë përgjegjëse për financat, nën
drejtimin e nëpunësit të parë autorizues, analizon dhe vlerëson kërkesat e buxhetit
afatmesëm dhe kërkesat shtesë, si dhe përgatit një raport me konkluzione dhe
rekomandime për secilën njësi të qeverisjes qendrore. Ky raport paraqitet në seancat
dëgjimore, që organizohen në ministrinë përgjegjëse për financat, me secilën njësi të
qeverisjes qendrore, sipas një kalendari të paracaktuar. Pas reflektimit të konkluzioneve
të seancave dëgjimore, nëpunësi i parë autorizues i paraqet projektin e dokumentit të
programit buxhetor afatmesëm Ministrit të Financave.
Ministri i Financave shqyrton projektin e dokumentit të programit buxhetor
afatmesëm dhe pas këshillimeve me nëpunësin e parë autorizues bën miratimin e
projektit, që do të paraqitet për miratim.
Brenda muajit qershor të çdo viti, Ministri i Financave i paraqet për miratim
Këshillit të Ministrave projektin e dokumentit të programit buxhetor afatmesëm, së
bashku me propozimin e tavaneve të shpenzimeve të këtij programi, komentet për
pranimin e kërkesave të shpenzimeve të programit buxhetor afatmesëm dhe të
kërkesave shtesë.
Këshilli i Ministrave miraton me vendim projektin e dokumentit të programit
buxhetor afatmesëm dhe tavanet përfundimtare të shpenzimeve.
Brenda muajit korrik të çdo viti, Ministri i Financave i dërgon për informacion
Kuvendit një kopje të dokumentit të programit buxhetor afatmesëm, të miratuar nga
Këshilli i Ministrave dhe, me kërkesë të komisionit parlamentar përgjegjës për financat
publike, jep shpjegime në komision për aktin e miratuar.
14
Neni 26
Programi buxhetor afatmesëm
Hartimi i programit të buxhetit afatmesëm pasqyron kërkesat për buxhetin
afatmesëm të njësive të qeverisjes së përgjithshme, të cilat paraqiten në përputhje me
kërkesat dhe brenda afateve të parashikuara në udhëzimin përkatës të Ministrit të
Financave.
Programi buxhetor afatmesëm shoqërohet edhe me një aneks, i cili përmban:
a) mënyrën e llogaritjes dhe shumën e transfertës së pakushtëzuar të njësive të
qeverisjes vendore;
b) shumën dhe qëllimin e transfertës së kushtëzuar, që Buxheti i Shtetit jep për
njësitë e qeverisjes vendore;
c) taksat kombëtare, të ndara me qeverisjen vendore dhe pjesën e ndarë për tri
vitet pasardhëse buxhetore.
Programi buxhetor afatmesëm mund të përmbajë edhe fondin rezervë të Buxhetit
të Shtetit, për përballimin e nevojave për shpenzime të paparashikuara.
Neni 27
Udhëzimi plotësues për përgatitjen e buxhetit
Pas miratimit nga Këshilli i Ministrave të tavaneve përfundimtare të shpenzimeve
të programit buxhetor afatmesëm, Ministri i Financave nxjerr udhëzimin plotësues për
përgatitjen e buxhetit, brenda datës 10 të muajit korrik, për nëpunësit autorizues të
njësive të qeverisjes së përgjithshme. Udhëzimi plotësues për përgatitjen e buxhetit
përfshin:
a) tavanet përfundimtare të shpenzimeve të programit buxhetor afatmesëm, të
miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave;
b) rregullat për rishikimin e kërkesave të shpenzimeve të programit buxhetor
afatmesëm, në bazë të tavaneve përfundimtare të shpenzimeve.
Brenda datës 1 shtator të çdo viti, nëpunësit autorizues të njësive të qeverisjes
qendrore dhe të njësive të fondeve speciale të qeverisjes qendrore paraqesin te nëpunësi
i parë autorizues kërkesat e rishikuara të programit buxhetor afatmesëm dhe kërkesat
shtesë, me argumentet përkatëse.
Nëpunësit autorizues të njësive të qeverisjes vendore dhe të njësive të fondeve
speciale të tyre i paraqesin këshillit përkatës projektin e buxhetit për vitin buxhetor
pasardhës, brenda afateve të përcaktuara në udhëzimin plotësues.
Njësia përgjegjëse për buxhetin në ministrinë përgjegjëse për financat, nën
drejtimin e nëpunësit të parë autorizues, analizon dhe vlerëson kërkesat e rishikuara të
buxhetit afatmesëm dhe kërkesat shtesë dhe përgatit një raport me konkluzione dhe
rekomandime për secilën njësi të qeverisjes qendrore. Ky raport paraqitet në seancat
dëgjimore, që organizohen në ministrinë përgjegjëse për financat me secilën njësi të
qeverisjes, sipas një kalendari të paracaktuar. Pas reflektimit të konkluzioneve të
seancave dëgjimore, nëpunësi i parë autorizues i paraqet projektin e dokumentit të
programit buxhetor afatmesëm, të rishikuar, Ministrit të Financave.
15
Neni 28
Programi buxhetor afatmesëm, i rishikuar
Ministri i Financave e miraton projektin e programit buxhetor afatmesëm, të
rishikuar, vetëm kur kërkesat e këtij programi janë në përputhje me udhëzimin plotësues
për përgatitjen e buxhetit. Projekti i miratuar paraqitet në Këshillin e Ministrave, së
bashku me projektligjin e buxhetit vjetor.
Ministri i Financave i dërgon për informacion Kuvendit një kopje të programit
buxhetor afatmesëm, të miratuar nga Këshilli i Ministrave.
Neni 29
Projektbuxheti vjetor
Nëpunësi i parë autorizues përgatit projektbuxhetin vjetor, si pjesë përbërëse e
programit buxhetor afatmesëm dhe ia paraqet Ministrit të Financave, i cili e paraqet për
miratim në Këshillin e Ministrave, së bashku me programin buxhetor afatmesëm, të
rishikuar, siç përcaktohet në nenin 28 të këtij ligji.
Projektbuxheti vjetor, për çdo njësi të qeverisjes qendrore, shoqërohet me:
a) misionin apo qëllimin e njësisë së qeverisjes qendrore;
b) përshkrimin e programeve dhe veprimtarive të kësaj njësie;
c) paraqitjen e politikave, të qëllimeve dhe objektivave të politikës së
programeve;
ç) standardet e politikave, që arrihen nga secila njësi dhe për çdo program;
d) informacion për kontributin e produkteve të çdo programi, në arritjen e
qëllimeve dhe të objektivave të programit përkatës;
dh) treguesit faktikë për dy vitet buxhetore paraardhëse, fondet buxhetore të
planifikuara për vitin buxhetor në vazhdim, ndryshimet e bëra me anë të
rishpërndarjeve, të kërkesave të miratuara për fonde shtesë, si edhe shpërndarjen e
vlerës totale të tavaneve të programit buxhetor afatmesëm, sipas programeve për tri vitet
e ardhshme buxhetore;
e) shpenzimet kapitale, listën e projekteve të investimeve për çdo program me:
i) koston e plotë të projektit;
ii) vlerën e financuar deri në fund të vitit buxhetor paraardhës;
iii) vlerën e parashikuar për t’u financuar në vitin buxhetor;
iv) vlerën e mbetur për t’u financuar në vitet pasardhëse buxhetore, burimet e
financimit;
ë) një shpjegim për qëllimin dhe kostot e veprimtarive pothuajse fiskale, të
ndërmarra nga njësitë jo të qeverisjes së përgjithshme; një parashtrim të shpenzimeve të
taksave.
Brenda datës 25 tetor, Këshilli i Ministrave miraton, me vendim, projektbuxhetin
vjetor dhe programin buxhetor afatmesëm, të rishikuar.
Nëpunësi i parë autorizues, brenda 10 ditëve pas miratimit nga Këshilli i
Ministrave të buxhetit vjetor dhe programit buxhetor afatmesëm, të rishikuar, njofton
çdo njësi të qeverisjes vendore dhe çdo njësi të fondeve speciale të qeverisjes vendore
për transfertat nga njësitë e qeverisjes qendrore dhe pjesën e madhësinë e taksave
kombëtare, të ndara në projektbuxhet.
16
Brenda datës 1 nëntor, Kryeministri, në emër të Këshillit të Ministrave, i paraqet
Kuvendit projektbuxhetin vjetor.
Ministri i Financave paraqet në Kuvend informacionin për:
a) listën e njësive shpenzuese, sipas njësive të qeverisjes së përgjithshme, nga të
cilat varen;
b) respektimin dhe zbatimin korrekt të parimeve, të parashikuara në nenin 4 të
këtij ligji, në projektbuxhetin vjetor dhe në programin buxhetor afatmesëm;
c) harmonizimin e gjendjes dhe të parashikimeve të borxhit me objektivat e
qëndrueshmërisë fiskale;
ç) risqet fiskale dhe masat për mbrojtjen ndaj tyre;
d) detyrimet kontingjente të qeverisjes së përgjithshme dhe mundësinë e shfaqjes
së tyre si detyrime në vitin buxhetor pasardhës.
Neni 30
Miratimi i projektligjit të buxhetit vjetor
Projektligji i buxhetit vjetor miratohet nga Kuvendi brenda datës 31 dhjetor, në
nivel programi buxhetor për çdo njësi të qeverisjes së përgjithshme. Këshilli i
Ministrave mund të propozojë miratimin e Buxhetit vjetor të Shtetit nga Kuvendi edhe
në nivel më të detajuar se programi buxhetor, në përputhje me parimet e përcaktuara në
nenin 4 të këtij ligji.
Neni 31
Publikimi i buxhetit vjetor dhe i programit buxhetor afatmesëm
Ligji i buxhetit vjetor të shtetit, me të gjitha pjesët përbërëse të tij, publikohet në
Fletoren Zyrtare.
Në muajin janar të çdo viti, pas miratimit të ligjit të buxhetit vjetor nga Kuvendi,
nëpunësi i parë autorizues pasqyron ndryshimet në dokumentin përfundimtar të
programit buxhetor afatmesëm.
Ministri i Financave publikon, brenda muajit shkurt, dokumentin përfundimtar të
programit buxhetor afatmesëm.
Neni 32
Përgatitja dhe miratimi i buxheteve vendore
Brenda muajit nëntor të vitit buxhetor, kryetarët e njësive të qeverisjes vendore të
të gjitha niveleve paraqesin për miratim buxhetet e këshillave të tyre.
Këshilli i qeverisjes vendore, brenda datës 31 dhjetor, miraton buxhetin vendor në
bazë të vlerësimit të të ardhurave dhe të transfertave të pakushtëzuara, të përcaktuara në
ligjin e buxhetit vjetor.
17
Neni 33
Publikimi i buxheteve vendore
Buxhetet e njësive të qeverisjes vendore publikohen në Buletinin e Njoftimeve
Publike përkatës 15 ditë pas miratimit nga këshillat e njësive përkatëse.
Neni 34
Hyrja në fuqi dhe zbatimi i ligjit të buxhetit vjetor
Në rast se Kuvendi e miraton ligjin e buxhetit vjetor brenda vitit buxhetor, por ligji
nuk mund të hyjë në fuqi në datën 1 janar, ose koha e mbetur për përfundimin e
procedurave të fillimit të zbatimit të buxhetit nuk është e mjaftueshme, Ministri i
Financave nxjerr një udhëzim të posaçëm, që rregullon procesin buxhetor deri në hyrjen
në fuqi të ligjit të buxhetit vjetor dhe të përfundimit të procedurave të zbatimit të tij.
Udhëzimi i posaçëm siguron vazhdimin e ofrimit të mallrave dhe shërbimeve,
përfshirë zbatimin e projekteve të investimeve, të filluara në vitin buxhetor paraardhës,
që parashikohet të vazhdojnë edhe në atë vit buxhetor.
Neni 35
Buxheti i i përkohshëm
Në rast se Kuvendi nuk miraton buxhetin e propozuar deri në fillim të vitit
buxhetor, Këshilli i Ministrave, me vendim, para ditës së parë të fillimit të vitit
buxhetor, autorizon zbatimin e buxhetit të përkohshëm për një periudhë, që fillon nga
dita e parë e vitit buxhetor deri në fund të muajit të tretë të tij.
Shpenzimet buxhetore në buxhetin e përkohshëm, për çdo muaj dhe për çdo
program, të çdo njësie të qeverisjes së përgjithshme, nuk mund të tejkalojnë 1/12 e
shpenzimeve faktike të programit të financuar nga buxheti në vitin buxhetor paraardhës.
Nëse të ardhurat e siguruara me ligj janë të pamjaftueshme për të mbuluar
shpenzimet e parashikuara në buxhetin e përkohshëm, Ministri i Financave merr hua,
çdo muaj, deri në 1/12 e huasë së përgjithshme, të përdorur për financimin e deficitit
buxhetor në vitin buxhetor paraardhës.
Fondet e miratuara në buxhetin e përkohshëm sigurojnë:
a) ushtrimin, në përputhje me ligjin, të funksioneve dhe përgjegjësive të njësive të
qeverisjes së përgjithshme;
b) vazhdimësinë e ofrimit të të mirave dhe shërbimeve, përfshirë zbatimin e
projekteve të investimeve, të filluara në Buxhetin e Shtetit të vitit buxhetor paraardhës
dhe që parashikohet të vazhdojnë në vitin buxhetor.
18
Neni 36
Buxheti pas periudhës së buxhetit të përkohshëm
Kryeministri, gjatë periudhës së buxhetit të përkohshëm, paraqet projektbuxhetin
në Kuvend, me procedurë të përshpejtuar, për miratimin e tij deri në ditën e fundit të
periudhës së buxhetit të përkohshëm.
Në rast të mosmiratimit të projektbuxhetit brenda periudhës së buxhetit të
përkohshëm, Këshilli i Ministrave, me vendim, autorizon kryerjen e shpenzimeve
buxhetore për çdo program, të çdo njësie të qeverisjes së përgjithshme, në masën që nuk
tejkalon 1/12 e shpenzimeve faktike të programit të financuar nga buxheti në vitin
buxhetor paraardhës dhe për çdo muaj deri në miratim të projektbuxhetit nga Kuvendi.
Paragrafi i dytë, i tretë dhe i katërt të nenit 35 të këtij ligji mund të zbatohen edhe
në periudhën pas buxhetit të përkohshëm.
Neni 37
Buxhetet e përkohshme vendore
Në rast të mosmiratimit nga këshilli i njësisë së qeverisjes vendore të buxhetit
vendor deri në ditën e parë të vitit buxhetor, kryetari i njësisë së qeverisjes vendore
autorizon të kryhen çdo muaj shpenzime deri në 1/12 e shpenzimeve faktike të buxhetit
vendor në vitin buxhetor paraardhës, për të siguruar vazhdimin e ofrimit të të mirave
dhe të shërbimeve, përfshirë zbatimin e projekteve të investimeve, të filluara në vitin
buxhetor paraardhës dhe që vazhdojnë në vitin buxhetor.
KREU V
ZBATIMI I BUXHETIT
Neni 38
Udhëzimi për zbatimin e buxhetit
Ministri i Financave nxjerr udhëzim për zbatimin e buxhetit, ku përcaktohen
rregullat, procedurat dhe afatet, që duhet të përmbushin nëpunësit, autorizues dhe
zbatues, të të gjitha niveleve, në procesin e zbatimit të buxhetit. Ky udhëzim është në
formën e një udhëzimi të përhershëm ose përgatitet e miratohet për secilin vit buxhetor.
Në rastet kur udhëzimi është i përhershëm, një udhëzim plotësues miratohet për secilin
vit buxhetor, ku përcaktohen rregullat, procedurat dhe afatet specifike ose të
papërcaktuara në udhëzimin e përhershëm, për zbatimin e Buxhetit të Shtetit. Udhëzimi,
i cili përgatitet për secilin vit buxhetor, duhet të miratohet dhe të hyjë në fuqi para datës
së fillimit të vitit buxhetor dhe, në rast të miratimit me vonesë të ligjit të buxhetit vjetor,
jo më vonë se 10 ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit të buxhetit vjetor.
19
Neni 39
Mbledhja dhe ruajtja e mjeteve monetare publike
Të ardhurat e miratuara në ligjin e buxhetit vjetor përbëjnë kufirin minimal për t’u
arkëtuar gjatë vitit buxhetor.
Njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të ngarkuara me mbledhjen e tyre, përgjigjen
për mbledhjen në kohë të këtyre të ardhurave.
Të gjitha mjetet monetare, të arkëtuara nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme,
menjëherë pas pranimit të tyre, depozitohen në llogaritë e thesarit, sipas rregullave e
procedurave të përcaktuara në nenin 8 të këtij ligji. Të njëjtat rregulla e procedura janë
të detyrueshme për të gjitha të ardhurat e arkëtuara gjatë vitit buxhetor, pavarësisht se
ato mund të mos jenë parashikuar e miratuar në ligjin e buxhetit vjetor ose vendimin e
miratimit të buxhetit të këshillit të njësisë së qeverisjes vendore.
Këshilli i Ministrave, me propozimin e Ministrit të Financave, rregullon
marrëdhëniet dhe procedurat ndërmjet ministrisë përgjegjëse për financat dhe njësive të
qeverisjes së përgjithshme, për nënshkrimin, lëvrimin dhe raportimin e granteve.
Të ardhurat e arkëtuara në llogaritë e thesarit regjistrohen dhe raportohen si të
ardhura të atij viti buxhetor, gjatë të cilit janë arkëtuar.
Të ardhurat e buxhetit vendor, të arkëtuara në llogaritë e thesarit nga taksat
vendore, taksat kombëtare dhe transfertat e pakushtëzuara nga Buxheti i Shtetit, të
papërdorura gjatë vitit buxhetor, trashëgohen në vitin buxhetor pasardhës.
Neni 40
E drejta për të kryer shpenzime
Fondet e miratuara për njësitë e qeverisjes qendrore në ligjin e buxhetit vjetor
përbëjnë kufirin maksimal të shpenzimeve, brenda të cilit Këshilli i Ministrave është i
autorizuar të marrë përsipër angazhime dhe të kryejë shpenzime. Këshilli i Ministrave e
ushtron këtë autoritet i përfaqësuar nga Ministri i Financave.
Fondet e miratuara në vendimin për buxhetin e njësisë së qeverisjes vendore
përbëjnë kufirin maksimal të shpenzimeve, brenda të cilit kryetari i njësisë së qeverisjes
vendore është i autorizuar të marrë përsipër angazhime dhe të kryejë shpenzime.
Si rregull, e drejta për të kryer shpenzime, brenda kufirit të fondeve të miratuara,
skadon ditën e fundit të vitit buxhetor, pavarësisht nëse kontrata njëvjeçare ose
shumëvjeçare mund të vazhdojë edhe në vitin buxhetor pasardhës. Për kontratat
shumëvjeçare, e drejta për të kryer shpenzime mund të zgjatet përtej vitit buxhetor, por
jo më shumë se 3 vjet pas përfundimit të vitit buxhetor. Kontratat dhe afatet e zgjatjes së
të drejtës për të kryer shpenzime përcaktohen me dispozitë të veçantë në ligjin e
buxhetit vjetor për vitin buxhetor pasardhës.
Shpenzimet e kryera në vitin buxhetor, për llogari të fondeve të miratuara në vitin
buxhetor paraardhës, regjistrohen dhe raportohen të ndara nga ato të kryera për llogari të
fondeve të miratuara në vitin buxhetor.
20
Neni 41
Informimi për fondet e miratuara nga Kuvendi
Brenda 5 ditëve nga dekretimi i ligjit të buxhetit vjetor nga Presidenti, Ministri i
Financave informon, me shkrim, nëpunësin e parë autorizues për buxhetet e miratuara
nga Kuvendi, për çdo njësi të qeverisjes së përgjithshme.
Menjëherë pas informimit me shkrim nga Ministri i Financave, nëpunësi i parë
autorizues informon, me shkrim, nëpunësit autorizues të çdo njësie të qeverisjes së
përgjithshme për fondet e miratuara nga Kuvendi në ligjin e buxhetit vjetor, si dhe për të
ardhurat e parashikuara për secilën njësi të qeverisjes së përgjithshme, të ngarkuar me
mbledhjen e të ardhurave.
Neni 42
Shpërndarja e fondeve buxhetore
Nëpunësi i parë autorizues i propozon Ministrit të Financave që shpërndarja e
fondeve buxhetore për njësitë e qeverisjes së përgjithshme, për programe dhe zëra
shpenzimesh, të mund të jetë më pak se totali i fondeve të miratuara nga Kuvendi për
ato njësi dhe për periudha më pak se 1 vit.
Shpërndarja e fondeve buxhetore bazohet në parashikimin e fluksit të hyrjeve të
parasë dhe të angazhimeve e duhet të sigurojë një përdorim efiçent të burimeve
financiare, si dhe të ruajë stabilitetin makroekonomik e fiskal.
Pas miratimit nga Ministri i Financave, nëpunësi i parë autorizues informon, me
shkrim, nëpunësit autorizues të çdo njësie të qeverisjes qendrore për shpërndarjen e
fondeve buxhetore, sipas klasifikimit buxhetor, brenda 10 ditëve nga dekretimi i ligjit të
buxhetit vjetor nga Presidenti.
Në të njëjtën kohë, nëpunësi i parë autorizues informon, me shkrim, njësitë e
qeverisjes vendore për shpërndarjen e fondeve për transfertat e pakushtëzuara.
Autoriteti i Ministrit të Financave për shpërndarjen e fondeve buxhetore dhe të
fondeve speciale nga fondet e miratuara nga Kuvendi skadon në fund të vitit buxhetor.
Neni 43
Detajimi i fondeve buxhetore
Nëpunësit autorizues detajojnë fondet për njësitë shpenzuese të qeverisjes së
përgjithshme, në përputhje me shpërndarjen e fondeve buxhetore, të miratuara nga
Ministri i Financave dhe përparësitë e njësive të qeverisjes së përgjithshme.
Nëpunësit autorizues të njësive të qeverisjes qendrore i paraqesin nëpunësit të
parë autorizues propozimin për detajimin e fondeve buxhetore, të shpërndara për çdo
njësi shpenzuese në përputhje me udhëzimin për zbatimin e buxhetit.
Nëpunësi i parë autorizues miraton detajimin e fondeve buxhetore, të shpërndara
për çdo njësi shpenzuese dhe është përgjegjës që kjo të reflektohet në kohë në sistemin e
thesarit.
21
Pas miratimit të detajimit të fondeve buxhetore, të shpërndara për çdo njësi
shpenzuese, nëpunësit autorizues të njësive të qeverisjes së përgjithshme marrin
angazhime dhe bëjnë pagesa, brenda limiteve dhe afateve të përcaktuara.
Neni 44
Rishpërndarja e fondeve buxhetore
Të drejtat dhe limitet për rishpërndarjen e fondeve të shpërndara dhe të detajuara
më parë, kur buxheti miratohet në nivel programi nga Kuvendi, sipas nenit 30 të këtij
ligji janë si më poshtë:
Për njësitë e qeverisjes qendrore:
a) rishpërndarjet e fondeve ndërmjet programeve, brenda së njëjtës njësi të
qeverisjes qendrore dhe për njësi të ndryshme të qeverisjes qendrore, miratohen nga
Këshilli i Ministrave dhe nuk tejkalojnë 10 për qind të totalit të programit të miratuar;
b) rishpërndarjet e fondeve të projekteve të investimeve brenda të njëjtit program
të njësisë së qeverisjes qendrore miratohen nga Ministri i Financave;
c) rishpërndarjet ndërmjet zërave të shpenzimeve korrente brenda të njëjtit
program, miratohen nga nëpunësi i parë autorizues;
ç) rishpërndarjet brenda të njëjtit program dhe zërit të shpenzimeve korrente,
ndërmjet njësive të ndryshme shpenzuese, miratohen nga nëpunësi autorizues i njësisë
së qeverisjes qendrore, nga e cila varet njësia shpenzuese.
Për njësitë e qeverisjes vendore, kur buxheti miratohet në nivel programi:
a) rishpërndarjet ndërmjet programeve miratohen nga këshilli i njësisë së
qeverisjes vendore;
b) rishpërndarjet e projekteve të investimeve, brenda të njëjtit program, miratohen
nga kryetari i njësisë së qeverisjes vendore;
c) rishpërndarjet ndërmjet zërave të shpenzimeve korrente, brenda të njëjtit
program, miratohen nga kryetari i njësisë së qeverisjes vendore;
ç) rishpërndarjet brenda të njëjtit program dhe zërit të shpenzimeve korrente,
ndërmjet njësive të ndryshme shpenzuese, miratohen nga nëpunësi autorizues i njësisë
së qeverisjes vendore, nga e cila varet njësia shpenzuese.
Nëpunësit autorizues, që kërkojnë të kryejnë rishpërndarje, sipas paragrafit të parë
të këtij neni, shkronjat “a”, “b” e “c”, paraqesin te nëpunësi i parë autorizues, me
shkrim:
a) arsyet e rishpërndarjes;
b) masën e rishpërndarjes;
c) ndryshimet në shpërndarjen e fondeve, që kërkohen nga rishpërndarja e fondeve
buxhetore.
Për rishpërndarjet e bëra sipas paragrafit të parë të këtij neni, shkronja “ç”,
nëpunësit autorizues të njësive të qeverisjes qendrore vënë në dijeni nëpunësin e parë
autorizues në fund të muajit, gjatë së cilit është marrë vendimi për rishpërndarjen.
Nëpunësit autorizues, që kërkojnë të kryejnë rishpërndarje, sipas paragrafit të dytë
të këtij neni, shkronjat “a”, “b” e “c”, vënë në dijeni këshillin e njësisë së qeverisjes
vendore, me shkrim, për:
a) arsyet e rishpërndarjes;
b) masën e rishpërndarjes;
22
c) ndryshimet në shpërndarjen e fondeve, që kërkohen nga rishpërndarja e
fondeve buxhetore.
Nëpunësi i parë autorizues siguron, që rishpërndarjet e miratuara, sipas paragrafit
të parë të këtij neni, të reflektohen në sistemin e thesarit.
Nëpunësit autorizues të njësive të qeverisjes vendore, pas miratimit nga këshilli i
njësisë së qeverisjes vendore, vënë në dijeni, zyrtarisht, sistemin e thesarit për
rishpërndarjet, i cili siguron reflektimin në kohë.
Në rastet e miratimit të buxhetit nga Kuvendi në nivel më të hollësishëm se ai i
programit, sipas nenit 30 të këtij ligji, të drejtat dhe limitet për rishpërndarjen e fondeve,
të shpërndara dhe të detajuara, përcaktohen në ligjin e buxhetit vjetor.
Neni 45
Kërkesat për fonde shtesë
Nëpunësit autorizues të njësive të qeverisjes qendrore paraqesin pranë nëpunësit të
parë autorizues kërkesë për fonde shtesë, për mbulimin e shpenzimeve të
paparashikuara në kohën e përgatitjes së buxhetit dhe që nuk mund të shtyhen për vitin
buxhetor pasardhës.
Nëpunësit autorizues të njësive të qeverisjes vendore paraqesin kërkesa të tilla
pranë këshillit të njësisë përkatëse.
Kërkesa për fonde shtesë shoqërohet me justifikimin e paraqitjes së kërkesës, duke
argumentuar:
a) arsyet e mosplanifikimit në kohën e përgatitjes së buxhetit;
b) produktet, që përfitohen nga veprimtaritë, që do të financohen nga kërkesat
shtesë;
c) kontributin në qëllimet dhe objektivat e politikave;
ç) zërat e tjerë të fondeve buxhetore të miratuara, që mund të reduktohen për të
siguruar fondin e nevojshëm, si dhe pasojat që një reduktim i tillë do të kishte mbi
arritjen e objektivave të tjerë.
Nëpunësi i parë autorizues shqyrton kërkesat për fonde shtesë të njësive të
qeverisjes qendrore dhe i rekomandon Ministrit të Financave refuzimin ose pranimin e
kërkesave për fonde shtesë të argumentuara.
Në rast se kërkesa për fonde shtesë plotësohet, duke respektuar të drejtat dhe
limitet e përcaktuara në paragrafin e parë të nenit 44 të këtij ligji, atëherë propozimi dhe
miratimi i tyre bëhen sipas përcaktimeve të bëra në këtë nen.
Në rast se kërkesa për fonde shtesë nuk mund të plotësohet, duke respektuar të
drejtat dhe limitet e përcaktuara në nenin 44 të këtij ligji, atëherë Ministri i Financave
mund t’i propozojë Këshillit të Ministrave plotësimin e saj, nëpërmjet përdorimit të
fondit rezervë të Buxhetit të Shtetit.
Ministri i Financave vë në dijeni, me shkrim, në mënyrë periodike, Kuvendin për
kërkesat për shtesë fondesh, të miratuara nga Këshilli i Ministrave, nëpërmjet
përdorimit të fondit rezervë të Buxhetit të Shtetit dhe, në bazë të kërkesës së bërë nga
kryetari i komisionit parlamentar përgjegjës për financat publike, u përgjigjet pyetjeve
të këtij komisioni rreth kësaj çështjeje.
Nëpunësit autorizues të njësive të qeverisjes vendore shqyrtojnë kërkesat për
shtesë fondesh të njësive shpenzuese dhe i japin rekomandimet e tyre këshillit të njësisë
përkatëse për refuzimin ose pranimin e kërkesës.
23
Në rast se kërkesa për fonde shtesë plotësohet, duke respektuar të drejtat dhe
limitet e përcaktuara në paragrafin e dytë të nenit 44 të këtij ligji, atëherë propozimi dhe
miratimi i tyre bëhen sipas përcaktimeve të bëra në këtë nen.
Në rast se kërkesa për fonde shtesë nuk mund të plotësohet, duke respektuar të
drejtat dhe limitet e përcaktuara në nenin 44 të këtij ligji, atëherë kryetari i njësisë së
qeverisjes vendore mund t’i propozojë këshillit përkatës plotësimin e saj, nëpërmjet
përdorimit të fondit rezervë të njësisë së qeverisjes vendore.
Neni 46
Rishikimi i zbatimit të buxhetit
Në muajin qershor të çdo viti, por jo më vonë se dita e paraqitjes së programit
buxhetor afatmesëm në Këshillin e Ministrave, Ministri i Financave paraqet përpara
Këshillit të Ministrave një analizë për zbatimin e buxhetit të vitit në vazhdim. Kjo
analizë përmban:
a) një vështrim për situatën makroekonomike dhe parashikimet;
b) krahasimin e treguesve të buxhetit të miratuar me ata faktikë, si dhe shpjegimin
e mospërputhjeve;
c) propozime për ndërmarrjen e veprimeve brenda kompetencave të Këshillit të
Ministrave, të përcaktuara me këtë ligj, nëse është e nevojshme;
ç) propozimin për ndryshimin e ligjit të buxhetit vjetor, të shoqëruar me një
shpjegim, se përse ndryshimet e kërkuara nuk mund të parashikoheshin në buxhetin e
propozuar, nëse është e nevojshme.
Në rast se Këshilli i Ministrave vendos për ndryshimin e ligjit të buxhetit vjetor,
procedura e ndryshimit të tij është e njëjtë me procedurat e përcaktuara në nenin 29 të
këtij ligji, për miratimin e Buxhetit të propozuar të shtetit.
Në rast se miratimi i ndryshimeve nuk bëhet brenda muajit korrik, atëherë
propozimi për ndryshimin e ligjit të buxhetit vjetor votohet me procedurë të
përshpejtuar.
Neni 47
Rishikimi i zbatimit të buxhetit vendor
Kryetari i njësisë së qeverisjes vendore bën një analizë të plotë të zbatimit të
buxhetit brenda muajit qershor të çdo viti dhe, në rast se është e nevojshme, edhe
propozimet përkatëse për ndryshimin e vendimit të këshillit të njësisë së qeverisjes
vendore, që ka miratuar buxhetin e vitit. Procedura e shqyrtimit, miratimit dhe zbatimit
të ndryshimeve të vendimit të këshillit të njësisë së qeverisjes vendore është e njëjtë me
atë të vendimit për miratimin e buxhetit vjetor.
Neni 48
Afati për rishpërndarjen e fondeve buxhetore
E drejta e njësive të qeverisjes së përgjithshme për rishpërndarjen e fondeve, të
miratuara për vitin buxhetor, ushtrohet deri në datën 15 nëntor të çdo viti buxhetor.
24
Neni 49
Plani i flukseve të arkës së buxhetit
Çdo njësi e qeverisjes së përgjithshme përgatit planin e arkës, mbështetur në
fondet e miratuara për vitin buxhetor.
Projekti i parë i planit të arkës depozitohet në ministrinë përgjegjëse për financat,
së bashku me projektbuxhetin vjetor dhe përfshin:
a) fluksin e të ardhurave, të parashikuara për t’u mbledhur dhe arkëtimet e tjera;
b) planin e prokurimeve dhe angazhimet e tjera të planifikuara;
c) pagesat e parashikuara, që rrjedhin nga angazhimet.
Pas miratimit të projektbuxhetit nga Këshilli i Ministrave, njësitë e qeverisjes
qendrore rishikojnë planin e arkës, të ndarë në muaj ose për periudha të tjera kohore,
sipas përcaktimit në udhëzimin për zbatimin e buxhetit. Plani i rishikuar depozitohet për
rishikim dhe miratim te nëpunësi i parë autorizues, brenda 10 ditëve pas daljes së
vendimit të Këshillit të Ministrave për miratimin e projektbuxhetit.
Nëpunësi i parë autorizues miraton planet e arkës së njësive të qeverisjes qendrore
dhe të transfertave të pakushtëzuara të njësive të qeverisjes vendore menjëherë pas
dekretimit nga Presidenti të ligjit të buxhetit vjetor. Ky miratim bëhet bazuar në
shqyrtimin, që u është bërë planeve të arkës, të rishikuara dhe duhet të respektojë:
a) kufirin vjetor të fondeve të miratuara;
b) politikat e qeverisjes;
c) praktikat më të mira financiare;
ç) efektet në menaxhimin e likuiditeteve.
Nëpunësi i parë autorizues është përgjegjës për reflektimin në kohë në sistemin e
thesarit të planeve të arkës, të miratuara për njësitë e qeverisjes së përgjithshme.
Sistemi i thesarit kontrollon angazhimet, kryerjen e shpenzimeve dhe tepricat e
likuiditeteve të qeverisjes së përgjithshme kundrejt fondeve të shpërndara të buxhetit
dhe të planit të arkës dhe planifikon emetimin e borxhit afatshkurtër ose afatgjatë, për të
siguruar gjendje të mjaftueshme të likuiditeteve për likuidimin e detyrimeve financiare
të qeverisjes së përgjithshme.
Nëpunësi i parë autorizues, me ose pa propozim të nëpunësve autorizues të njësive
të qeverisjes së përgjithshme, rishikon planin e arkës gjatë vitit buxhetor, bazuar në
monitorimin e vazhdueshëm të zbatimit të planit të arkës dhe të politikave të
menaxhimit të likuiditeteve.
Nëpunësi autorizues është përgjegjës për respektimin e planit të arkës të miratuar
dhe për argumentimin e çdo rishikimi ose moszbatimi të tij, sipas kritereve të vendosura
në udhëzimin e zbatimit të buxhetit.
Neni 50
Angazhimet buxhetore
Ministri i Financave miraton udhëzime për nëpunësit autorizues për procedurat e
regjistrimit të angazhimeve.
25
Nëpunësit autorizues të njësive të qeverisjes së përgjithshme mbajnë të dhëna për
angazhimet financiare dhe nuk lejojnë ndërmarrjen e angazhimeve të reja, përtej kufirit
të fondeve buxhetore të shpërndara.
Për shpenzimet, që mbulohen me hua në ligjin vjetor të Buxhetit të Shtetit dhe në
vendimin e këshillit të njësisë së qeverisjes vendore, nëpunësi i parë autorizues,
nëpërmjet sistemit të thesarit, nuk lejon marrjen përsipër të angazhimeve dhe kryerjen e
pagesave deri në transferimin nga huadhënësi në llogarinë e thesarit të fondeve të marra
hua.
Përjashtimisht, nëpunësi i parë autorizues lejon marrjen përsipër të angazhimeve
ose kryerjen e shpenzimeve kundrejt disbursimeve të pritshme nga huatë e nënshkruara
vetëm në rastet kur moskryerja ose shtyrja e tyre sjell pasoja të rënda për realizimin e
qëllimeve të qeverisjes së përgjithshme. Në këtë rast, marrja përsipër e angazhimeve ose
kryerja e shpenzimeve bëhet në përputhje me gjendjen e mjeteve monetare në llogaritë e
thesarit dhe brenda kufirit të miratuar të deficitit buxhetor vjetor.
Neni 51
Menaxhimi i angazhimeve
Mjetet monetare, të krijuara bazuar në angazhimet e vitit korrent dhe të papaguara
në fund të vitit buxhetor, mbarten në vitin buxhetor pasardhës, sipas periudhës së
përcaktuar në ligjin e buxhetit vjetor, përveç rasteve kur angazhimi është anuluar ose
është bërë inaktiv, sipas kritereve të përcaktuara në udhëzimin për zbatimin e buxhetit.
Mjetet monetare, të lidhura me angazhimet e viteve të mëparshme, që anulohen
gjatë vitit buxhetor, kthehen në llogarinë unike të thesarit për përfshirjen e tyre në
buxhetin e vitit në vijim.
Angazhimet e anuluara gjatë të njëjtit vit buxhetor mund të riaktivizohen nga
njësia shpenzuese për të njëjtat qëllime, për të cilat janë buxhetuar, në përputhje me
paragrafin e parë të nenit 43 të këtij ligji.
Angazhimet e ndërmarra nga njësitë shpenzuese jashtë fondeve të parashikuara në
ligjin e buxhetit vjetor dhe në vendimin e këshillit të njësisë së qeverisjes vendore për
buxhetin ose në kundërshtim me këtë akt ose akte të tjera ligjore, nuk përfshihen si pjesë
e detyrimeve financiare të qeverisjes së përgjithshme.
Kur nëpunësi autorizues i njësisë së qeverisjes së përgjithshme merr përsipër
angazhime jashtë fondeve të parashikuara në buxhet ose në kundërshtim me këtë akt
apo akte të tjera ligjore është përgjegjës për shlyerjen e detyrimit.
Neni 52
Kryerja e shpenzimeve
Procesi dhe përgjegjësitë për autorizimin dhe kryerjen e shpenzimeve publike
përcaktohen në ligjin për kontrollin e brendshëm financiar publik.
Shpenzimet e njësive të qeverisjes së përgjithshme verifikohen në bazë të
dokumentacionit të plotë, që vërteton kryerjen e shpenzimit përkatës, sipas ligjit për
kontrollin e brendshëm financiar publik.
Kryerja e shpenzimeve bëhet vetëm nëse masa e shpenzimit nuk kalon fondet e
angazhuara për këtë qëllim.
26
Shpenzimet, që rezultojnë nga angazhime të marra përsipër gjatë viteve të
mëparshme, në përputhje me dispozitat e veçanta të ligjit të buxhetit vjetor, përfshihen
në buxhetin e vitit pasardhës.
Shpenzimet e fondeve të miratuara të Buxhetit të Shtetit dhe të buxhetit vendor
realizohen deri në fund të vitit buxhetor.
Shlyerja e angazhimeve, me përfundimin e afatit të parashikuar në paragrafin më
lart, realizohet me fondet e miratuara për vitin buxhetor pasardhës, me përjashtim të
rasteve kur shpenzimi është kryer përpara mbarimit të vitit buxhetor. Në këtë rast,
pagesa kryhet brenda datës 31 janar të vitit buxhetor pasardhës. Kjo periudhë shërben
për përgatitjen e dokumentacionit bazë dhe për kryerjen e pagesës.
Neni 53
Rimbursimi i shpenzimeve
Nëse gjatë vitit buxhetor njësia e qeverisjes së përgjithshme merr një rimbursim
për një shumë, që është paguar në kufirin vjetor të fondeve të shpërndara, për të njëjtin
vit buxhetor, shpenzimi fillestar reduktohet me shumën e rimbursuar.
Nëse gjatë vitit buxhetor njësia e qeverisjes së përgjithshme merr një rimbursim
për një shumë, që është paguar në kufirin vjetor të fondeve të shpërndara në vitin
buxhetor paraardhës, rimbursimi trajtohet si arkëtim në atë vit buxhetor.
Neni 54
Kryerja e pagesave
Angazhimet dhe detyrimet financiare të njësive të qeverisjes së përgjithshme
paguhen vetëm nga llogaritë e thesarit, nëpërmjet sistemit të thesarit nga personat e
autorizuar, nga nëpunësi i parë autorizues me propozimin e nëpunësve autorizues të
njësive të qeverisjes së përgjithshme.
Përpara kryerjes së pagesave, sistemi i thesarit kontrollon:
a) ekzistencën e angazhimit;
b) dokumentacionin bazë, që vërteton shërbimin e kryer;
c) ekzistencën e mjeteve monetare të mjaftueshme për kryerjen e pagesës.
Pagesat e kryera gjatë vitit buxhetor, pavarësisht kohës së kryerjes së shpenzimeve
publike, regjistrohen si pagesa të këtij viti.
Neni 55
Mbyllja e buxhetit
Buxheti vjetor zbatohet deri më 31 dhjetor të vitit buxhetor.
27
Neni 56
Raporti për mbylljen e llogarive
Nëpunësi i parë autorizues përgatit një raport për Ministrin e Financave për
mbylljen e llogarive të mjeteve monetare dhe të buxhetit vjetor të konsoliduar, brenda
ditës së fundit të muajit shkurt.
KREU VI
HUAMARRJA DHE GARANCITË NË SEKTORIN PUBLIK
Neni 57
Autoriteti për të marrë hua
Këshilli i Ministrave është i vetmi autoritet në nivel qendror që ka të drejtën e
marrjes së huave për financimin e projekteve të investimeve nga institucionet
ndërkombëtare, shtetet ose personat juridikë, në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe
me ligjet në fuqi. Ai është i vetmi autoritet që jep garanci shtetërore të huasë. Kuvendi
bën ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që kanë të bëjnë me marrjen përsipër të
detyrimeve financiare.
Ministri i Financave përfaqëson Këshillin e Ministrave në marrëveshjet e huave
dhe të garancive shtetërore ndërkombëtare.
Ministri i Financave është i vetmi autoritet, që ka të drejtën e marrjes së huave,
brenda limiteve të përcaktuara në ligjin e buxhetit vjetor nga persona juridikë dhe/ose
fizikë.
Ministri i Financave është autoriteti, që emeton instrumentet e huasë dhe negocion
në marrëveshje huaje shtetërore dhe garancie shtetërore të huasë.
Ministri i Financave ka të drejtën e zgjedhjes së llojit të instrumenteve financiare,
të karakteristikave dhe kushteve të tyre. Për marrëveshjet e huasë, që parashikojnë
politika monetare, merret, paraprakisht, mendimi i Bankës së Shqipërisë.
Këshilli i njësisë së qeverisjes vendore është autoriteti, që ka të drejtën e marrjes
së huave dhe dhënien e garancive, brenda dhe jashtë vendit, për huanë vendore.
Huaja afatgjatë vendore miratohet, paraprakisht, nga Ministri i Financave lidhur
me procedurat, limitet dhe efektet e saj.
Neni 58
Kufijtë e borxhit publik
Borxhi publik përbëhet nga borxhi shtetëror dhe borxhi vendor.
Në ligjin të buxhetit vjetor vendoset kufiri për:
a) borxhin e ri shtetëror, për t’u marrë në vitin buxhetor;
b) totalin e borxhit shtetëror;
c) garancitë e reja për t’u lëshuar gjatë vitit buxhetor;
ç) totalin e shumës së garancive.
Njësitë e qeverisjes vendore marrin hua dhe lëshojnë garanci në rastet kur:
28
a) raporti i tepricës operative, të llogaritur si diferenca e të ardhurave operative,
gjithsej (nga burimet e veta, taksat e ndara dhe transferta e pakushtëzuar) me
shpenzimet jo të kushtëzuara operative të njësisë së qeverisjes vendore, përfshirë
shërbimin e borxhit dhe kostos së shërbimit të borxhit, që duhet të paguhet në çdo vit
për borxhin afatgjatë, është jo më pak se 1,4:1;
b) raporti i stokut të borxhit ndaj të ardhurave operative, gjithsej, nga burimet e
veta, taksat e ndara dhe transferta e pakushtëzuar, është jo më shumë se 1,3:1;
c) kufiri maksimal vjetor i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave mesatare të tri
viteve të mëparshme fiskale të njësisë së qeverisjes vendore nuk e kalon masën 20 për
qind.
Borxhi total publik, përfshirë garancitë, nuk duhet të tejkalojë limitin 60 për qind
të produktit të brendshëm bruto.
Neni 59
Menaxhimi i të dhënave të huave
Ministri i Financave është përgjegjës për evidentimin, regjistrimin dhe
menaxhimin e të gjitha huave, garancive shtetërore në regjistrin e borxhit publik.
Ministri i Financave është përgjegjës për evidentimin dhe regjistrimin e të gjitha
huave, garancive vendore në regjistrin e borxhit publik. Ministri i Financave miraton
formatin dhe afatin e raportimit të të dhënave të borxhit publik nga njësitë e qeverisjes
vendore.
Neni 60
Shërbimi i borxhit
Për nevojat e shërbimit të borxhit, çdo shumë e interesit dhe principalit për
borxhin publik dhe garancinë e tij kryhet nëpërmjet llogarisë së unifikuar të thesarit.
Për nevojat e shërbimit të borxhit duhet të sigurohet likuiditeti i nevojshëm, në
mënyrë që të realizohet shlyerja e detyrimeve, në përputhje me kushtet dhe afatet e
kontraktuara për detyrime të tilla.
KREU VII
KONTABILITETI I SISTEMIT BUXHETOR
Neni 61
Standardet dhe procedurat e kontabilitetit
Ministri i Financave është përgjegjës për krijimin e sistemit të kontabilitetit të
detyrueshëm për të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme, në përputhje me
standardet ndërkombëtare të pranuara.
Ministri i Financave përcakton njësinë përkatëse të qeverisjes së përgjithshme dhe
njësitë shpenzuese, të cilat janë të detyruara të mbajnë kontabilitet dhe të raportojnë
sipas standardeve të përcaktuara.
29
Sistemi i thesarit mban kontabilitetin e shtetit dhe është pjesë e kontabilitetit
publik. Ai është përgjegjës për mbajtjen e llogarive të shtetit dhe përgatitjen e raporteve
periodike dhe vjetore të zbatimit të buxhetit.
Kontabiliteti dhe raportimi në sektorin publik rregullohen me ligj të veçantë dhe
Ministri i Financave nxjerr udhëzim për standardet dhe procedurat e kontabilitetit, për
njësitë e qeverisjes së përgjithshme.
Nëpunësi i parë autorizues dhe nëpunësit autorizues të njësive të qeverisjes së
përgjithshme përgjigjen për funksionimin e sistemit të kontabilitetit, në përputhje me
këtë ligj dhe aktet e tjera në zbatim të tij dhe me udhëzimet e Ministrit të Financave.
Metoda e shpenzimeve dhe e të ardhurave, për qëllim të këtij ligji, ka të bëjë me:
a) njohjen e shpenzimeve korrente dhe kapitale të vitit buxhetor në çastin e
ndodhjes së tyre, pavarësisht nga data e pagesës;
b) njohjen e të ardhurave tatimore, jotatimore, përfshirë edhe të ardhurat nga shitja
e aktiveve, në çastin e arkëtimit të tyre.
Neni 62
Përgatitja e llogarive vjetore të buxhetit
Ministri i Financave nxjerr, për të gjithë nëpunësit autorizues të njësive të
qeverisjes qendrore, vendore dhe të fondeve speciale udhëzim për mbylljen e vitit
buxhetor dhe për publikimin e pasqyrave financiare.
Nëpunësit autorizues të njësive të qeverisjes së përgjithshme, në fund të vitit
depozitojnë në sistemin e thesarit raporte financiare, sipas përcaktimeve të nëpunësit të
parë autorizues, për përgatitjen e pasqyrave financiare vjetore të qeverisjes së
përgjithshme.
Nëpunësit autorizues të njësive të qeverisjes së përgjithshme finalizojnë dhe
konfirmojnë përfundimisht me nëpunësin e parë autorizues pasqyrat financiare vjetore
të buxhetit, brenda datës 31 mars.
Ministri i Financave paraqet brenda muajit maj për miratim në Këshillin e
Ministrave raportin vjetor të konsoliduar të zbatimit të buxhetit, të shoqëruar nga një
informacion për arritjen e objektivave, situatën e menaxhimit dhe të kontrollit të
brendshëm financiar dhe auditimit të brendshëm. Një kopje e këtij raporti i dërgohet
Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili auditon llogaritë vjetore të buxhetit.
Neni 63
Miratimi i raportit vjetor të konsoliduar të zbatimit të buxhetit
Këshilli i Ministrave, brenda muajit qershor, dërgon në Kuvend raportin vjetor të
konsoliduar të zbatimit të buxhetit, i cili përmban:
a) llogaritë e konsoliduara vjetore për transaksionet financiare të shtetit;
b) raportin për zbatimin e buxhetit vjetor në nivelin e fondeve të miratuara;
c) raportin për borxhin publik dhe përbërjen e tij;
ç) raportin për përdorimin e fondit rezervë dhe të kontingjencës;
d) informacion për arritjen e objektivave, situatën e menaxhimit dhe të kontrollit të
brendshëm financiar dhe të auditimit të brendshëm.
30
Raporti vjetor i konsoliduar i zbatimit të buxhetit, i miratuar në Kuvend, brenda
muajit tetor të çdo viti, publikohet në Fletoren Zyrtare.
Neni 64
Arkivimi i të dhënave financiare
Nëpunësi autorizues i njësive të qeverisjes së përgjithshme është përgjegjës për
ruajtjen dhe arkivimin e dokumenteve financiare, në përputhje me dispozitat ligjore në
fuqi.
Ministri i Financave nxjerr udhëzim për zbatimin e dispozitave ligjore në fuqi për
ruajtjen dhe arkivimin e të dhënave financiare.
KREU VIII
MONITORIMI, AUDITIMI I SISTEMIT BUXHETOR DHE INSPEKTIMI
Neni 65
Monitorimi
Nëpunësit autorizues të njësive të qeverisjes qendrore i paraqesin, sa herë që
kërkohet, por jo më pak se katër herë në vit, nëpunësit të parë autorizues raportet e
monitorimit të zbatimit të buxhetit për performancën financiare, produktet dhe
objektivat e realizuar për çdo program të përcaktuar në vitin e parë të dokumentit
përfundimtar të programit buxhetor afatmesëm. Për njësitë e qeverisjes vendore këto
raporte paraqiten në këshillin përkatës.
Forma, përmbajtja dhe afatet e raporteve të monitorimit përcaktohen në udhëzimin
e Ministrit të Financave për zbatimin e buxhetit.
Ministri i Financave i paraqet për informim Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit
një kopje të raporteve të monitorimit dhe të zbatimit të buxhetit, brenda një muaji pas
përfundimit të periudhës së raportimit.
Kryetari i njësisë së qeverisjes vendore i paraqet për informim këshillit përkatës
një kopje të raportit të monitorimit dhe të zbatimit të buxhetit të njësisë së qeverisjes
vendore.
Raportet e monitorimit dhe të zbatimit të buxhetit publikohen nga nëpunësi i parë
autorizues në faqen zyrtare të ministrisë përgjegjëse për financat, sipas afateve të
përcaktuara nga Ministri i Financave.
Neni 66
Kontrolli i brendshëm financiar publik
Ministri i Financave është përgjegjës për paraqitjen e sistemit të kontrollit të
brendshëm financiar publik për të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme, që
përfshin:
a) një sistem të menaxhimit dhe kontrollit financiar;
31
b) funksionin e pavarur, të decentralizuar të auditimit të brendshëm;
c) njësitë qendrore të harmonizimit, në ministrinë përgjegjëse për financat, për
harmonizimin dhe bashkërendimin e zbatimit dhe të funksionimit të sistemeve të
menaxhimit dhe të kontrollit financiar e të auditimit të brendshëm.
Të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme janë përgjegjëse për ngritjen e një
sistemi të qëndrueshëm të menaxhimit dhe kontrollit financiar dhe të një funksioni të
pavarur të auditimit të brendshëm.
Në ministrinë përgjegjëse për financat krijohen njësia qendrore e harmonizimit për
menaxhimin dhe kontrollin e brendshëm financiar dhe njësia qendrore e harmonizimit
për auditimin e brendshëm, të cilat raportojnë te Ministri i Financave.
Ministri i Financave i dërgon një raport, çdo vit, Këshillit të Ministrave dhe
Kontrollit të Lartë të Shtetit për zbatimin dhe funksionimin e sistemeve të menaxhimit
dhe kontrollit financiar dhe të funksionimit të auditimit të brendshëm në njësitë e
qeverisjes së përgjithshme, përfshirë edhe gjetjet e rëndësishme dhe rekomandimet për
auditimin e brendshëm.
Neni 67
Menaxhimi dhe kontrolli financiar
Menaxhimi dhe kontrolli financiar përcaktojnë përgjegjshmërinë menaxheriale për
planifikimin, zbatimin dhe kontrollin e buxhetit, kontabilitetin dhe raportimin, për të
arritur objektivat dhe për të shmangur shpërdorimin, keqpërdorimin dhe vjedhjen e
pasurisë.
Menaxhimi dhe kontrolli financiar në sektorin publik rregullohen me ligj të
veçantë.
Neni 68
Auditimi i brendshëm
Auditimi i brendshëm, si një shërbim në funksion të nëpunësve autorizues të
njësive të qeverisjes së përgjithshme, siguron, në mënyrë të arsyeshme, që burimet
publike, në dispozicion të njësisë së qeverisjes së përgjithshme:
a) janë shpenzuar, dokumentuar dhe raportuar, në bazë të një informacioni të
besueshëm dhe të shpejtë;
b) kanë kontribuar maksimalisht në arritjen e qëllimeve dhe të objektivave të
politikës;
c) janë përdorur në mënyrë efiçente, ekonomike dhe efektive;
ç) nuk janë vjedhur, keqpërdorur apo shpërdoruar.
Të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme dhe shoqëritë tregtare, ku shteti
zotëron mbi 50 për qind të kapitalit, që përfitojnë fonde publike, pavarësisht nga forma
e organizimit, janë subjekt i auditimit të brendshëm.
Njësia e decentralizuar e auditimit të brendshëm në çdo njësi të qeverisjes së
përgjithshme i raporton nëpunësit autorizues dhe është e pavarur në kryerjen e
funksionit të saj auditues, si nga pikëpamja funksionale ashtu edhe nga ajo organizative.
Ajo nuk është pjesë e strukturave operative.
Auditimi i brendshëm në sektorin publik rregullohet me ligj të veçantë.
32
Neni 69
Inspektimi financiar
Nëpunësi i parë autorizues, në çdo kohë, ka të drejtë të inspektojë çdo dokument
dhe sistem financiar:
a) të çdo njësie të qeverisjes së përgjithshme;
b) të çdo ndërmarrjeje ekonomike publike, organizate jofitimprurëse publike,
autoriteti të përbashkët që kontrollohet, financohet ose sigurohet me garanci financiare
nga një njësi e qeverisjes së përgjithshme; ose në të cilën një njësi e qeverisjes së
përgjithshme, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, zotëron apo kontrollon një
pjesë të pasurisë, e cila i jep pronarit të drejtën e kontrollit;
c) të çdo përfituesi fondesh nga buxheti apo në bazë të një marrëveshjeje
ndërkombëtare në lidhje me këto fonde.
Kur nëpunësi i parë autorizues nis një inspektim financiar, merr parasysh:
a) informacionin, ankesat dhe prova të tjera të shkeljes së procedurave të
menaxhimit financiar, të nxjerra nga Ministri i Financave;
b) raportet e menaxhimit dhe të kontrollit financiar;
c) raportet e auditimit të brendshëm;
ç) raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit;
d) kërkesat e Ministrit të Financave;
dh) kërkesat e nëpunësve autorizues;
e) kërkesat e Prokurorit të Përgjithshëm.
Inspektimet financiare në sektorin publik rregullohen me ligj të veçantë.
Inspektimet financiare kryhen nga një ose më shumë ekspertë të kualifikuar
profesionalisht, të caktuar, rast pas rasti, (ad hoc) nga Ministri i Financave, në përputhje
me kualifikimet e përcaktuara në ligjin për inspektimet financiare.
Inspektimi financiar nuk mund të kufizojë, pengojë apo të ndalojë funksionet e
Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Nëpunësi i parë autorizues i paraqet një kopje të të gjitha raporteve të
inspektimeve financiare Ministrit të Financave dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Nëpunësi i parë autorizues mund t’i dërgojë një kopje të raporteve të inspektimeve
financiare strukturave të tjera përgjegjëse për zbatimin e ligjshmërisë.
Neni 70
Auditimi i jashtëm
Njësitë e qeverisjes së përgjithshme i nënshtrohen, pa asnjë lloj kufizimi, auditimit
të jashtëm, i cili kryhet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
33
KREU IX
SHKELJET DHE SANKSIONET
Neni 71
Kundërvajtjet administrative
Çdo shkelje e detyrimeve të përcaktuara në këtë ligj, kur nuk përbën vepër penale,
përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë si më poshtë:
a) kur nëpunësi autorizues dhe/ose nëpunësi zbatues i një njësie shpenzuese të
njësisë së qeverisjes së përgjithshme përdorin paratë publike për qëllime të pamiratuara,
dënohen me gjobë nga nëpunësi i parë autorizues, e cila varion nga 5-7 paga mujore;
b) kur nëpunësi autorizues i një njësie shpenzuese të njësisë së qeverisjes së
përgjithshme merr angazhime, pa pasur në dispozicion fondet, në kundërshtim me nenin
50 të këtij ligji, dënohet me gjobë nga nëpunësi i parë autorizues me 7 paga mujore;
c) kur nëpunësi autorizues dhe/ose nëpunësi zbatues i një njësie shpenzuese të
njësisë së qeverisjes së përgjithshme apo nëpunësi i thesarit lejojnë tejkalimin e fondeve
të shpërndara buxhetore, në kundërshtim me nenin 42 të këtij ligji, ose kryejnë pagesa,
që tejkalojnë fondet e angazhuara në kundërshtim me nenin 54 të këtij ligji, dënohen me
gjobë nga nëpunësi i parë autorizues, e cila varion nga 3-7 paga mujore;
ç) kur nëpunësi autorizues i njësisë së qeverisjes vendore merr hua ose lëshon
garanci jo në përputhje me paragrafin e dytë të nenit 58 të këtij ligji, dënohet me gjobë
nga nëpunësi i parë autorizues, e cila varion nga 5-7 paga mujore;
d) kur nëpunësi autorizues i njësisë së qeverisjes së përgjithshme nuk dorëzon në
kohë dhe sipas kërkesave, në kundërshtim me nenet 24 dhe 27 të këtij ligji, kërkesat dhe
kërkesat shtesë të programit buxhetor afatmesëm, dënohet nga nëpunësi i parë
autorizues me masë administrative ose me gjobë në masën 1-3 paga mujore;
dh) kur nëpunësi zbatues nuk zbaton planin e arkës, në kundërshtim me paragrafin
e fundit të nenit 49 të këtij ligji, dënohet nga nëpunësi i parë autorizues me masë
administrative ose me gjobë në masën 1-3 paga mujore.
e) kur nëpunësi autorizues dhe/ose nëpunësi zbatues i njësisë së qeverisjes së
përgjithshme nuk përmbushin detyrimet për mbylljen e vitit buxhetor dhe nxjerrjen e
llogarive vjetore të buxhetit, në kundërshtim me nenin 62 të këtij ligji, dënohen nga
nëpunësi i parë autorizues me masë administrative ose me gjobë në masën 1-3 paga
mujore.
ë) kur nëpunësi zbatues i njësisë së qeverisjes së përgjithshme kryen regjistrime në
kontabilitet, pa dokumentacionin ligjor justifikues për ngjarjet dhe transaksionet
ekonomike, dënohet nga nëpunësi i parë autorizues me masë administrative ose me
gjobë në masën 1-3 paga mujore.
34
Neni 72
Ankimimi i vendimeve
Për vendimet për vendosjen e sanksioneve ndëshkuese për shkelje bëhet ankimim
te Ministri i Financave, ndaj vendimit të nëpunësit të parë autorizues, që e ka nxjerrë
atë, brenda afateve të përcaktuara në Kodin e Procedurës Administrative.
Vendimi i Ministrit të Financave mund të ankimohet në gjykatë, në përputhje me
Kodin e Procedurës Administrative.
KREU X
DISPOZITA TË FUNDIT DHE KALIMTARE
Neni 73
Nxjerrja e akteve nënligjore
Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore, në zbatim të neneve
25, 28, 29, 35, 36, 39 dhe 63, sipas afateve të përcaktuara në këtë ligj.
Ngarkohet Ministri i Financave të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 24,
27, 34, 38, 61, 62 dhe 64, sipas afateve të përcaktuara në këtë ligj.
Neni 74
Dispozita kalimtare
Titullarët e njësive të qeverisjes qendrore, nëse e gjykojnë të arsyeshme, mund të
kryejnë funksionet e nëpunësit të parë autorizues ose të nëpunësve autorizues për një
periudhë jo më shumë se 3 vjet pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Njësitë e auditimit të brendshëm raportojnë te titullarët e njësive të qeverisjes së
përgjithshme për një periudhë jo më shumë se 3 vjet pas hyrjes në fuqi të këtij ligji ose
deri në ditën kur nëpunësi i parë autorizues ose nëpunësit autorizues të njësive të
qeverisjes së përgjithshme ushtrojnë funksionet e tyre në përputhje me nenet 18 dhe 19
të këtij ligji.
Aktet nënligjore, që bien ndesh me këtë ligj, zbatohen në masën që janë në
përputhje me të, deri në çastin e ndryshimit të tyre, por jo më vonë se 1 vit nga data e
hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Neni 75
Shfuqizimet
Ligji nr.8379, datë 29.7.1998 “Për hartimin dhe zbatimin e Buxhetit të Shtetit të
Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe çdo akt tjetër ligjor dhe nënligjor, që bie
në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.
35
Neni 76
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
ZËVENDËSKRYETARI
Fatos Beja

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi