Ligji Nr. 9000, datë 30.1.2003 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”.
L I G J Nr.9000, datë 30.1.2003
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KUVENDI
L I G J
Nr.9000, datë 30.1.2003
PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN
E KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Në mbështetje të neneve 6, 81 pika 2 shkronja “a” dhe 83 pika 1 të
Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
K U V E N D I
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
Ky ligj rregullon organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave,
të Kryeministrit, të Zëvendëskryeministrit, të ministrit, të
institucioneve në varësi të tyre, të Sekretarit të Përgjithshëm të
Këshillit të Ministrave, marrëdhëniet ndërmjet tyre, si dhe aktet
nënligjore, që nxjerrin këto organe.
KREU II
ORGANIZIMI I KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Neni 2
Kryeministri
1. Kryeministri, përveç kompetencave të parashikuara në Kushtetutë
dhe në ligje të veçanta, ushtron edhe këto kompetenca:
a) përfaqëson dhe drejton Kryeministrinë;
b) u kërkon ministrave përgjegjës shpjegime, relatime dhe verifikime
administrative, për çështje të fushës që ata mbulojnë;
c) pezullon zbatimin e akteve të ministrave, të drejtuesve të
institucioneve qendrore, në varësi të tij ose të ministrave, me nismën
e vet ose me kërkesë të subjekteve të interesuara, kur konstaton
shkelje të Kushtetutës, të ligjeve, ose të akteve të Këshillit të
Ministrave.
2. Me miratimin e Këshillit të Ministrave, Kryeministri mund të marrë
përsipër edhe detyra të tjera.
Neni 3
Kryeministria
1. Kryeministria është person juridik, publik, që mbështet veprimtarinë
e Këshillit të Ministrave, të Kryeministrit, të Zëvendëskryeministrit dhe
të Ministrit të Shtetit.
2. Kryeministria e ka selinë në Tiranë.
Neni 4
Struktura dhe përbërja
1. Kryeministria përfshin: aparatin e Këshillit të Ministrave, kabinetin e
Kryeministrit, kabinetin e Zëvendëskryeministrit dhe kabinetin e
Ministrit të Shtetit.
2. Struktura dhe organika e Kryeministrisë përcaktohen me urdhër të
Kryeministrit, me propozimin e Sekretarit të Përgjithshëm.
3. Emërimi, lirimi ose shkarkimi i të punësuarve të kabineteve, bëhet
me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e kryesuesit të kabinetit.
Të punësuarit e kabineteve gëzojnë statusin e funksionarit politik.
Neni 5
Zëvendëskryeministri
1. Zëvendëskryeministri zëvendëson Kryeministrin, në kuptimin e
pikës 1 të nenit 34 të Kodit të Procedurave Administrative.
2. Zëvendëskryeministri kryen detyra, që parashikohen në ligje të
veçanta, si dhe ato që i ngarkohen nga Këshilli i Ministrave ose nga
Kryeministri.
Neni 6
Ministri dhe zëvendësministri
1. Ministri, përveç kompetencave ose detyrave që parashikohen në
Kushtetutë dhe në ligje të veçanta, ushtron edhe detyra të tjera, që i
ngarkohen nga Këshilli i Ministrave ose nga Kryeministri.
2. Zëvendësministri zëvendëson ministrin, në kuptimin e pikës 1 të
nenit 34 të Kodit të Procedurave Administrative. Zëvendësministri
emërohet dhe lirohet nga detyra nga Këshilli i Ministrave, me propozim
të Kryeministrit. Me urdhër të ministrit, zëvendësministrit i caktohen
edhe detyra të tjera.
Neni 7
Ministria
1. Ministria është person juridik, publik, që përfaqësohet dhe
drejtohet nga ministri. Ministria mbështet, në aspektin teknik,
veprimtarinë e ministrit.
2. Fusha e veprimtarisë shtetërore, që përfshihet brenda një ministrie,
përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të
ministrit.
3. Struktura dhe organika e ministrisë përcaktohen me urdhër të
Kryeministrit, me propozimin e ministrit përkatës.
4. Rregullat e hollësishme të organizimit dhe funksionimit të ministrisë
përcaktohen në rregulloren e brendshme, që miratohet nga ministri.
5. Emërimi, lirimi ose shkarkimi i funksionarëve politikë të ministrisë
bëhet me urdhër të ministrit.
Neni 8
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave
1. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave është nëpunësi më i
lartë civil i Këshillit të Ministrave.
2. Sekretari i Përgjithshëm emërohet në detyrë sipas procedurave të
parashikuara në nenin 13 të ligjit nr.8549, datë 11.11.1999 “Statusi i
nëpunësit civil”. Sekretari i Përgjithshëm lirohet ose largohet nga
detyra sipas përcaktimeve të parashikuara në nenet 21, 24 dhe 25 të
ligjit nr.8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil”.
Neni 9
Kompetencat e Sekretarit të Përgjithshëm
1. Sekretari i Përgjithshëm ushtron këto kompetenca:
a) organizon dhe asiston në mbarëvajtjen e mbledhjeve të Këshillit të
Ministrave;
b) ndjek procesin e vendimmarrjes së Këshillit të Ministrave të
Ministrave, që nga paraqitja e projektakteve për shqyrtim e derisa
aktet marrin fuqi ligjore, në kuptim të Kushtetutës;
c) kthen, në bazë të argumenteve ligjore, projektaktet e paraqitura
për shqyrtim, kur ato bien në kundërshtim me Kushtetutën ose me
ligjin;
ç) i parashtron Kryeministrit përputhshmërinë e projektakteve të
propozuara me legjislacionin në fuqi dhe me programin politik të
Këshillit të Ministrave;
d) përgatit, pas këshillimit me Kryeministrin, programet afatshkurtra
dhe afatmesme të veprimtarisë së Këshillit të Ministrave;
dh) drejton aparatin e Këshillit të Ministrave për të përmbushur
funksionin mbështetës të veprimtarisë së Këshillit të Ministrave;
e) administron buxhetin dhe është titullar i entit prokurues të
Kryeministrisë.
2. Këshilli i Ministrave ose Kryeministri mund t’i caktojnë Sekretarit të
Përgjithshëm edhe detyra të tjera.
Neni 10
Institucionet qendrore
1. Institucionet qendrore, në varësi të Kryeministrit ose të ministrit,
janë persona juridikë, publikë, që krijohen me vendim të Këshillit të
Ministrave, për të ushtruar veprimtarinë shtetërore në një fushë të
caktuar.
2. Statusi, objekti i veprimtarisë, organizimi i brendshëm, emërimi,
lirimi ose shkarkimi i drejtuesit të institucionit qendror dhe çështje të
tjera për to, parashikohen në vendimin e Këshillit të Ministrave, me të
cilin ato krijohen.
3. Struktura dhe organika e tyre, përveç rasteve kur ato rregullohen
me ligj, përcaktohen me urdhër të Kryeministrit, përkatësisht për
institucionet në varësi të Kryeministrit, me propozimin e Sekretarit të
Përgjithshëm, ndërsa për institucionet në varësi të ministrit me
propozimin e këtij të fundit.
Neni 11
Komitetet ndërministrore
1. Komitetet ndërministrore janë organe konsultative të Këshillit të
Ministrave, ku diskutohen paraprakisht politikat, çështjet e
rëndësishme të veprimtarisë ekzekutive, si dhe projektaktet e një
rëndësie të veçantë.
2. Komitetet ndërministrore kryesohen nga Kryeministri. Në raste të
veçanta dhe me miratimin e tij mund të kryesohen nga
Zëvendëskryeministri ose ministri i fushës përkatëse. Ngritja, përbërja,
fusha e veprimtarisë që shqyrtojnë dhe të ftuarit në mbledhjet e tyre,
përcaktohen me urdhër të Kryeministrit.
Neni 12
Grupet e punës me ekspertë
1. Grupet e punës me ekspertë për hartimin e strategjive, të
politikave, të studimeve ose të projektakteve të veçanta krijohen me
urdhër të Kryeministrit ose të ministrit për ministritë përkatëse.
2. Ekspertë mund të caktohen edhe persona, që nuk punojnë në
administratën shtetërore. Shpërblimi i ekspertëve të grupeve të punës
përballohet nga fondet e Buxhetit të Shtetit ose të ndihmës së huaj për
atë qëllim, ndërsa masa dhe mënyra e pagesës së shpërblimit
përcaktohen me urdhrin përkatës të Kryeministrit.
KREU III
FUNKSIONIMI I KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Neni 13
Mbledhjet e Këshillit të Ministrave
1. Mbledhja e Këshillit të Ministrave thirret nga Kryeministri ose, në
mungesë dhe me porosi të tij, nga Zëvendëskryeministri.
2. Në mbledhjet e Këshillit të Ministrave shqyrtohen projektaktet dhe
çështjet e parashikuara në rendin e ditës. Me miratimin e Kryeministrit
në mbledhje shqyrtohen edhe çështje të tjera, që nuk kanë lidhje me
shqyrtimin dhe miratimin e projektakteve, të cilat nuk janë të përfshira
në rendin e ditës.
3. Mbledhja e Këshillit të Ministrave është e vlefshme kur janë të
pranishëm më shumë se gjysma e anëtarëve të tij.
4. Kur, për shkaqe të arsyeshme, ministri nuk mund të marrë pjesë në
mbledhjen e Këshillit të Ministrave, atëherë ai duhet të njoftojë
paraprakisht Kryeministrin dhe në vend të tij, me miratimin e këtij të
fundit, merr pjesë, pa të drejtë vote, zëvendësministri.
5. Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave merr pjesë rregullisht, pa të
drejtë vote, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave.
Në raste të veçanta, sipas rëndësisë dhe problematikës së çështjeve të
përfshira në rendin e ditës, mund të ftohen të marrin pjesë edhe
persona të tretë, ekspertë.
Neni 14
Mbledhjet e jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave
1. Në raste të veçanta, Këshilli i Ministrave thirret në mbledhje të
jashtëzakonshme nga Kryeministri ose, në mungesë dhe me porosi të
tij, edhe nga zëvendëskryeministri.
2. Në rastet e thirrjes së mbledhjes të jashtëzakonshme nuk zbatohen
rregullat e parashikuara në nenin 15 të këtij ligji.
Neni 15
Rendi i ditës
1. Rendi i ditës i mbledhjeve të Këshillit të Ministrave përgatitet nga
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, pasi këshillohet me
Kryeministrin.
2. Në rendin e ditës përfshihen projektaktet, që plotësojnë kërkesat e
parashikuara në nenet 23, 24, 25 dhe 26 të këtij ligji, të propozuar
nga anëtarët e Këshillit të Ministrave dhe çështje të tjera, që
Kryeministri i çmon se duhen shqyrtuar.
3. Rendi i ditës dhe projektaktet, që do të paraqiten për shqyrtim në
mbledhjen e Këshillit të Ministrave, duhet t’u dërgohen anëtarëve të
Këshillit të Ministrave të paktën 2 ditë përpara datës së caktuar për
thirrjen e mbledhjes.
Neni 16
Shfaqja e mendimit
Çdo anëtar i Këshillit të Ministrave ka të drejtë të shfaqë në mbledhje
mendimin e vet dhe të ushtrojë të drejtën e votës për projektaktet,
objekt shqyrtimi.
Neni 17
Besueshmëria dhe solidarësia
1. Anëtarët e Këshillit të Ministrave duhet t’i respektojnë
vendimet e marra në mbledhjet e Këshillit të Ministrave. Ata duhet të
mënjanojnë në mënyrë të veçantë çdo shprehje mospajtimi dhe të
mbrojnë ose të përkrahin vendimet e lartpërmendura, pavarësisht nga
fakti nëse kanë marrë pjesë ose jo në mbledhje, ose nëse kanë votuar
pro ose kundër tyre.
2. Vlerësimet, debatet dhe raportimet mbeten kofidenciale.
Neni 18
Garantimi i paanshmërisë së anëtarëve të Këshillit të Ministrave
1. Anëtari i Këshillit të Ministrave nuk mund të marrë pjesë në
shqyrtimin e një çështjeje, nëse ka interes personal ndaj saj, ose në
çdo rast tjetër, kur vërtetohen arsye serioze njëanshmërie.
2. Kërkesa për të mos marrë pjesë në vendimmarrje për çështjen,
objekt shqyrtimi, i paraqitet Kryeministrit, kur anëtari ka dijeni,
përpara mbledhjes së Këshillit të Ministrave ose drejtpërdrejt në
mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kur gjatë shqyrtimit të çështjes ai
çmon se paraqitet njëri nga shkaqet e parashikuara më lart.
3. Kërkesa që një anëtar i Këshillit të Ministrave të mos marrë pjesë në
vendimmarrjen e një çështjeje, për të cilën ka interes personal, bëhet
edhe nga Kryeministri, kur ai ka dijeni për këtë gjë, ose kur
propozohet nga një anëtar tjetër i Këshillit të Ministrave.
Neni 19
Shqyrtimi i projektakteve
1. Këshilli i Ministrave, pas shqyrtimit të projektaktit në
mbledhje, vendos miratimin, miratimin me ndryshime, shtyrjen për
shqyrtim të mëvonshëm ose mosmiratimin.
2. Projektakti mund të tërhiqet nga propozuesi në çdo kohë, deri
para votimit të tij.
Neni 20
Vendimmarrja
Aktet e Këshillit të Ministrave miratohen me shumicën e votave
të anëtarëve të Këshillit të Ministrave, me votim të hapur.
Neni 21
Procesverbali i mbledhjes
1. Në mbledhjet e Këshillit të Ministrave mbahet procesverbal,
ku shënohen data, vendi i mbledhjes, anëtarët që morën pjesë,
çështjet që u diskutuan, aktet që u shqyrtuan, diskutimet e
pjesëmarrësve, si dhe forma e rezultati i votimit.
2. Procesverbali u paraqitet, përpara mbledhjes pasardhëse,
anëtarëve të Këshillit të Ministrave, nëse një gjë e tillë kërkohet nga
vetë ata. Në këtë rast, ata kanë të drejtë të paraqesin vërejtje për
përmbajtjen e tij, kur nuk është pasqyruar saktësisht qëndrimi i tyre
në mbledhje.
3. Procesverbali nënshkruhet nga Sekretari i Përgjithshëm i
Këshillit të Ministrave.
4. Rregullat e hollësishme për përmbajtjen e procesverbalit
caktohen nga Këshilli i Ministrave.
Neni 22
Njoftimi
1. Pas çdo mbledhjeje të Këshillit të Ministrave, Sekretari i
Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave harton një raport përfundimtar
për problemet e përgjithshme, të shqyrtuara në mbledhje, i cili bëhet
publik.
2. Rregullat e hollësishme për mënyrën e ndërtimit dhe formën e
raportit përfundimtar caktohen nga Këshilli i Ministrave.
Neni 23
Procesi i hartimit të projektakteve
1. Hartimi i projektakteve, që shqyrtohen nga Këshilli i
Ministrave, ose i materialeve të tjera, me karakter raportues e
njoftues, bëhen nën mbikëqyrjen e Kryeministrit,
Zëvendëskryeministrit, ministrit ose titullarit të institucionit qendror
përkatës.
2. Rregullat dhe procedurat e hollësishme për hartimin e
projektakteve caktohen nga Këshilli i Ministrave.
Neni 24
Bashkërendimi
1. Propozuesit e projektakteve jua dërgojnë për mendim
ministrive dhe institucioneve të tjera të interesuara projektaktin dhe
një relacion shpjegues për objektin, qëllimin dhe përmbajtjen e tij.
2. Në çdo rast projektaktet, përveç atyre me karakter individual,
i dërgohen për mendim Ministrit të Drejtësisë, i cili shprehet për
ligjshmërinë e formës dhe të përmbajtjes së tyre.
3. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, jua kthen për
plotësim ministrave propozues projektaktet, kur ato nuk përmbushin
kriteret dhe kushtet e paraqitjes së tyre, të përcaktuara në këtë ligj
dhe në aktet e Këshillit të Ministrave, në bazë e për zbatim të tij.
4. Rregullat dhe procedurat e hollësishme për bashkërendimin e
projektakteve caktohen nga Këshilli i Ministrave.
Neni 25
Përmbajtja e projektakteve
1. Propozimet e projektakteve, që paraqiten për shqyrtim e
miratim në Këshillin e Ministrave, duhet të përmbajnë projektaktin,
relacionin, mendimet ose vërejtjet e ministrive ose të institucioneve të
interesuara, dokumentacionin që shoqëron projektaktin, në varësi të
kërkesave të ligjit ose të përmbajtjes së tij, si dhe përmbledhjen që do
të përfshihet në komunikatën për mediat.
2. Relacionet duhet të përmbajnë:
a) objektivat që synohen të arrihen, lidhjen ose jo me programin
politik të Këshillit të Ministrave;
b) argumentin që objektivat e projektaktit nuk mund të arrihen
me instrumentet ekzistuese ligjore;
c) përmbledhjen e përmbajtjes së projektaktit;
ç) përputhshmërinë me Kushtetutën dhe harmonizimin me
legjislacionin në fuqi. Në rastin e projektligjeve, të akteve normative
me fuqinë e ligjit dhe të akteve normative edhe shkallën e
përputhshmërisë së projektaktit me të drejtën ndërkombëtare të
detyrueshme për Republikën e Shqipërisë;
d) shpjegimin për marrjen ose jo parasysh të vërejtjeve dhe të
mendimeve të ministrive ose të institucioneve të tjera të interesuara.
3. Për projektaktet me karakter financiar-ekonomik, relacioni
duhet të përmbajë edhe efektet e pritshme financiare, që rrjedhin nga
zbatimi i tyre.
4. Rregullat dhe procedurat e hollësishme për përmbajtjen e
projektakteve, të parashikuara në këtë nen, caktohen nga Këshilli i
Ministrave.
Neni 26
Paraqitja e projektakteve
Projektaktet, që u përkasin institucioneve të tjera qendrore, në
varësi të Kryeministrit ose të ministrit përkatës, paraqiten për
shqyrtim në Këshillin e Ministrave, me propozimin e Kryeministrit ose
të ministrave përkatës.
Neni 27
Programimi dhe raportimi
1. Anëtarët e Këshillit të Ministrave dhe titullarët e institucioneve
qendrore, në varësi të Kryeministrit, dërgojnë pranë Sekretarit të
Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave propozimet për programet
analitike vjetore, të ndara në katërmujorë, të projektakteve që do të
paraqesin për shqyrtim në Këshillin e Ministrave.
2. Në bazë të propozimeve të dërguara, hartohen programet vjetore të
Këshillit të Ministrave, të bashkërenduara me programin e
përgjithshëm të tij dhe me programin ligjvënës të Kuvendit. Këto
programe miratohen në mbledhjet e Këshillit të Ministrave.
3. Njëri nga anëtarët e Këshillit të Ministrave, i caktuar nga
Kryeministri, bashkërendon programin ligjvënës të Kuvendit me
programin politik të Këshillit të Ministrave.
4. Anëtarët e Këshillit të Ministrave, periodikisht dhe në fund të
çdo viti, u paraqesin Kryeministrit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të
Këshillit të Ministrave një raport për zbatueshmërinë e akteve, të
miratuara nga Këshilli i Ministrave, për fushat që mbulojnë dhe
veprimtarinë që ata drejtojnë, në zbatim të programit politik të
Këshillit të Ministrave.
KREU IV
AKTET
Neni 28
Llojet e akteve
Llojet e akteve të institucioneve të pushtetit ekzekutiv janë:
a) akti normativ, që është akti që nxjerr Këshilli i Ministrave në zbatim
të nenit 116 të Kushtetutës;
b) vendimi me karakter normativ, që është akti nënligjor i Këshillit të
Ministrave që rregullon marrëdhënie të përcaktuara me ligj, duke
vendosur rregulla të përgjithshme sjelljeje;
c) vendimi me karakter individual, që është akti nënligjor i Këshillit të
Ministrave, që rregullon një marrëdhënie konkrete, ose që u drejtohet
një ose disa subjekteve, individualisht të përcaktuara, të së drejtës;
ç) udhëzimi, që është akti nënligjor i Këshillit të Ministrave, i ministrit
ose drejtuesit të institucionit qendror, në varësi të Kryeministrit ose të
ministrit, me karakter shpjegues, që shtjellon me hollësi të gjitha
urdhërimet e ligjit ose të vendimit të Këshillit të Ministrave;
d) urdhri, që është akti nënligjor i Kryeministrit, i ministrit ose
drejtuesit të institucionit qendror, në varësi të Kryeministrit ose
ministrit, që ka karakter të brendshëm, që mund të vendosë rregulla
sjelljeje, të përgjithshme, ose mund të rregullojë një marrëdhënie
konkrete.
Neni 29
Hyrja në fuqi e akteve
1. Aktet normative, me fuqinë e ligjit, të Këshillit të Ministrave
botohen menjëherë në Fletoren Zyrtare.
2. Vendimet e Këshillit të Ministrave marrin fuqi juridike pas
botimit në Fletoren Zyrtare. Për vendimet me karakter normativ mund
të caktohet si datë hyrjeje në fuqi një datë tjetër nga ajo e botimit në
Fletoren Zyrtare, ndërsa vendimet me karakter individual hyjnë në fuqi
menjëherë, por botohen në Fletoren Zyrtare.
3. Udhëzimet e Këshillit të Ministrave dhe të ministrit marrin fuqi
juridike pas botimit në Fletoren Zyrtare.
4. Urdhrat e Kryeministrit, të ministrit ose të drejtuesit të
institucionit qendror, në varësi të Kryeministrit ose të ministrit, hyjnë
në fuqi menjëherë, u njoftohen të interesuarve dhe shpallen, për të
paktën 3 ditë, në një vend të dukshëm të institucionit përkatës.
Neni 30
Ankimi ndaj akteve
1. Subjekti, që i është cenuar një e drejtë ose një interes i
ligjshëm, ka të drejtë të ankohet te Kryeministri, kundër aktit të
ministrit ose të drejtuesit të institucionit qendror, në varësi të
Kryeministrit, sipas procedurave të parashikuara në nenet 135-146 të
Kodit të Procedurave Administrative.
2. Subjektet, që gëzojnë statusin e funksionarit politik, nuk kanë
të drejtë të paraqesin ankim kundër aktit të ministrit ose drejtuesit të
institucionit qendror në varësi të Kryeministrit, me pretendimin se u
është cenuar një e drejtë ose interes i ligjshëm.
KREU V
DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 31
Marrëdhëniet me të tretët
1. Projektligjet dhe aktet normative me fuqinë e ligjit, që
propozohen për shqyrtim dhe miratim në Kuvend, mbrohen në emër të
Këshillit të Ministrave nga anëtarët e Këshillit të Ministrave, propozues
të këtyre projekteve.
2. Aktet e Këshillit të Ministrave, të Kryeministrit, të ministrit ose
të drejtuesit të institucionit qendror, në varësi të Kryeministrit, që janë
objekt shqyrtimi gjyqësor ose në Gjykatën Kushtetuese, mbrohen nga
Avokati i Shtetit.
Neni 32
Aktet nënligjore
Ngarkohet Këshilli i Ministrave, që, në zbatim të pikës 4 të nenit
21, të pikës 2 të nenit 22, të pikës 2 të nenit 23, të pikës 4 të nenit 24
dhe të pikës 4 të nenit 25, të miratojë Rregulloren e Këshillit të
Ministrave, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
Neni 33
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
K R Y E T A R I
Servet Pëllumbi