Projekti i strategjisë së sigurisë nacionale

Nga Romeo Gurakuqi, botuar në Panorama Online, 25 gusht 2014

Është një nga projektaktet e aprovuara me nxitimin e datës 31 korrik 2014, që pret gjykimin, firmën, heshtjen ose veton e Presidentit, ndërkohë që Kryeministri, në datën 21 gusht 2014, duke thyer çdo normë të dëgjesës publike, të nevojës për thithje të ekspertizës, përkundrejt frymës së Kushtetutës, përsëriti frikshëm, njëlloj si kryeministrat që ëndërronin autoritet suprem në fillim shekullit XX: “Do ia kthejmë çdo gjë mbrapsht”. Një ditë e rëndë për shoqërinë shqiptare: British style of governement is dead, Republika Parlamentare e kërcënuar nga një dorë tjetër e fortë e radhës, që s’pyet për Kushtetutën dhe detyrimin për të dëgjuar zërin e publikut, të shoqërisë civile dhe për të bashkëpunuar me kreun e shtetit.

Problemi i parë në analizën e projektit të strategjisë, gjithsesi është ai i impostimit: Profesor Sami Repishti, në një bisedë gjithmonë të vlefshme me Atë, me thotë: “Siguria kombëtare” ma e mirë dhe ma efektive asht forcimi i frontit të brendshëm, kohezionit të shoqnisë shqiptare, bindja e qytetareve se ky sistem dhe ky regjim qeverisjeje meriton me u mbrojtë, me u zhvillue, me u përforcue përmes reformave”. Vetëm kështu Shqipëria do të jetë një vend me shtet të fortë, të qëndrueshëm dhe serioz, të europianizuem. Pjesa tjetër asht në duert e NATO-s dhe të sistemeve të tjera ku vendi i jonë bën pjesë dhe detyra jonë është t’u përgjigjemi standardeve dhe përgjegjësive të ngarkueme nga ana e këtyre organizmave ku ne aderojmë.

Bazuar në këtë impostim, në vlerësimin tim për strategjinë jam mbështetur në ato çështje, të cilat, konstatoj se mungojnë, janë të vakëta, ose mungesa e cilësimit të tyre përbën risk të madh për sigurinë shtetërore. Pavarësisht punës së bërë dhe përpjekjes së rëndësishme për t’u orientuar drejt problemeve garantuese të shtetit dhe kombit shqiptar në bashkëkohësi, strategjia e sjellë për firmë në Presidencë nuk arrin dot të vendosë shënjestrën e veprimit parandalues, mbrojtës dhe korrigjues në sistem dhe, mbi të gjitha, lë mënjanë, duke fshehur, një numër fenomenesh shkatërruese të shtetit liberal, të unitetit nacional, kohezionit të shoqërisë shqiptare, rrjedhojë e politikave sistematike të ndërmarra në 50 vite diktaturë dhe 23 vitet e tranzicionit parademokratik shqiptar. Strategjia përmban një analizë do ta quaja formale dhe jo aq reale të risqeve të sigurisë shtetërore të lidhura me paqen sociale, duke mos hyrë dot në brendësinë e sistemit të krijuar nga pingpongu politik, që vepron përkundrejt interesave publike dhe që e ka çuar vendin në pragun e dëmtimit të shtetit, parlamentarizmit, demokracisë dhe cenimit të lirisë.

Strategjia lë në heshtje faktin e mirënjohur të ekzistencës së një shteti të dobët, një republike të paarrirë, jo e të gjithë shtetasve shqiptarë për rrjedhojë oligarkike, të disbalancuar institucionalisht, administrativisht, krahinarisht në mënyrë periodike. Strategjia e përgatitur lë në heshtje proceset e heshtura diskriminuese ndaj grupimeve kulturore e sociale që kanë vuajtur nën peshën e rëndë të diktaturës komuniste, nuk thotë asnjë fjalë për procesin e dënimit të krimeve të komunizmit, të transparencës së dosjeve të shërbimit të fshehtë, procesin e largimit nga institucionet publike të shërbenjësve të diktaturës, procesin e mbrojtjes ligjore të punësimit në administratë të fëmijëve të disidencës shqiptare, të cilët janë sot nën peshën e rëndë të një goditjeje sistematike, sidomos nga blloku integralist i qeverisjes. Ajo mban syrin mbyllur ndaj plagëve që kanë dëmtuar deri në gangrenizim unitetin nacional të shqiptarëve, pa dallim feje, krahine dhe ideje dhe nuk parashikon objektiva për mbrojtjen dhe ndryshimin e një shteti lehtësisht të destabilizueshëm. Kam krijuar përshtypjen se strategjia qartësisht është e shkruar nga një dorë e vetme, e pandjeshme, e paditur dhe e re e mendimit të majtë, e kuadratuar mbi disa formate të strategjive të vendeve me trashëgimi të ndryshme nga trashëgimia shqiptare. Ky projekt është formalisht në rregull vetëm për ata faktorë që nuk duan të dinë për të nesërmen e këtij kombi, për vuajtjet e djeshme të baballarëve e gjyshërve tanë, vuajtje që kanë lënë pasoja shkatërrimtare në kohezionin e rrugës sonë në Europë dhe konceptimin e qenies sonë të përbashkët në shtet.

Një strategji e mirëfilltë sheh hapur thelbin e gjërave, sado i hidhur është ai, merret me sistemin, përforcimin dhe reformimin e tij dhe jo me formën, gjë që nuk ndodh në projektin e paraqitur.

Së pari, përparësia themelore e strategjisë do të duhet të jetë përforcimi i rendit kushtetues, shekullarizmit në shtet dhe i demokracisë, kurse projekti i paraqitur nuk përmban asnjë paragraf mbi nevojën e përforcimit të konstitucionalizmit dhe të reformës kushtetuese. Kushtetuta shqiptare është një kushtetutë e aprovuar në bashkëkohësi, në vitin 1998, por ajo u ngjan shumë pak simotrave të saj të kësaj epoke: është e paplotë dhe e paartikuluar në detajet e nevojshme që kërkon përvoja ma e fundit e vendeve perëndimore. Produkt i kësaj kushtetute të paplotë është shteti i dobët i krijuar, me një sistem të drejtësisë që vepron i veçuar nga ndjeshmëria publike, një shpërpjesëtim i frikshëm në shpërndarjen e pasurisë së vendit, korrupsion galopant, klientelimin, nepotizëm dhe formalizëm të demokracisë dhe lirisë. Vendi ndodhet para nevojës për një kushtetutë të re, të detajuar, të hollësishme dhe korrigjuese të sëmundjeve që po e bëjnë të vuajë shtetin e Shqipërinë, një kushtetute që rindërton unitetin tonë të brendshëm nacional, kulturor dhe përforcon shekullarizmin dhe laicizmin në shtet. Kushtetuta shqiptare ka nevojë për një rishkrim nga e para, duke zgjedhur më pas midis dy draftimeve të sistemit qeverisës, nga një komision i posaçëm ekspertësh të mirëfilltë, që do të mundësojnë ose përforcimin e sistemit parlamentar, duke garantuar ndarjen, balancën dhe kontrollin mes pushteteve dhe presidentin korrektiv, ose duke sendërtuar një zgjidhje bashkëkohore gjysmëpresidenciale. Dhe strategjia do të duhet ta përmbajë atë në pikën 2, te domosdoshmëritë strategjike, te objektivi i parë i përmirësimit të sundimit të ligjit dhe krijimit të qeverisjes së mirë.

Së dyti, strategjia duhej të përmbante një fjali mbi nevojën e përputhjes permanente të vullnetit të zgjedhësve me trupin zgjedhor, të atdheut real me atdheun legal, me qëllim që të shmangë lojën e vazhdueshme të klasës politike, me ndërtimin e sistemeve zgjedhore absurde dhe të papërshtatshme, kolegjeve zgjedhore të ndërtuar enkas për objektiva parcialë dhe ndarjeve destabilizuese administrative. Ndryshimi i sistemit zgjedhor dhe vendosja e disa kritereve të cilësisë, pastërtisë, shmangies së plotë, të pastër të konfliktit të interesave dhe nepotizmit të kandidatëve për deputet, ndalimi i financimeve jashtë-shtetërore të partive politike, mbetet një mënyrë për të shkatërruar kontrollin nga tre duar të përfaqësisë së Parlamentit shqiptar, që e ka çuar demokracinë në faliment dhe sovranitetin popullor në dështim. Strategjia do të duhej ta artikulonte qartë faktin e mirënjohur të degradimit tragjiko-komik të parlamentarizmit shqiptar sot, dhe do të duhej të përcaktonte mënyrat dhe të linte parashikimet për një reformë të tillë, që para së gjithash do t’u impononte partive politike përzgjedhjen e përfaqësisë nga elita intelektuale e vendit, duke nxjerrë jashtë “biznesmenët” që duan të bëjnë “biznes”, duke mbajtur parasysh balancat krahinore dhe fetare në të gjithë piramidën ndërtimore të shtetit dhe administratës. Pa këtë, pika 2 e strategjisë, që i kushtohet forcimit të institucioneve publike, mbetet tërësisht formale. E kam vendosur në pjesën parësore këtë pikë për shkak të një gjendjeje të rëndë destabilizuese të krijuar në dy rrethe të Shqipërisë Veriperëndimore, nga një dorë e padukshme politike e ndërlidhur me forca të paqarta, që ka ndërtuar një përfaqësi bazuar në forcë, në dhunë, në frikësime dhe në purifikime të kundërligjshme të administratës, si mjet për të mbajtur jashtë dhe mposhtur kundërshtarin, por ndërkohë për të dhunuar qytetarin, intelektualin. Kjo ndodh në vatrën themelore të qytetarisë, e cila, në vend që të mbahet nën kontrollin demokratik të elitave dhe të promovojë rikthimin e bijve të saj të shkolluar jashtë, nxitet kësisoj nga ndërhyrja egoiste e lidershipit politik, drejt shpërbërjes së mëtejshme urbane. Është një mekanizëm i mbështetur në pjesën më fluide të shoqërisë, operon përmes blerjes së votës së tij, blerjes së vendeve të punës, kontrollon ekonominë dhe jetën sociale regjionale, duke vendosur në destabilitet të plotë rendin social aty për shkak të ngushtimit të hapësirës jetësore për qytetarinë dhe njerëzit e thjeshtë. Kam kritikuar dikur në fillimin e këtij fenomeni lidershipin e pozitës së djeshme dhe më duhet të theksoj sot se dy drejtuesit e pozitës së sotme janë përgjegjësit kryesorë të gjendjes së nderë të krijuar në atë zonë.

Së treti, është vendi të kujtoj se shteti shqiptar në fillesë dhe në vijimësinë e tij liberale dhe konstitucionale është ndërtuar në sistem, përveçse prej akteve kushtetuese të shkrueme edhe nga disa konventa kushtetuese, d.m.th. fakte të pashkrueme kushtetuese, të cilat kanë sanksionuar shekullarizmin e kulluar të shtetit dhe reflektimin e kompozitave kulturore në emërimin e përfaqësuesve më të lartë të shtetit, në kabinetin qeveritar, në shërbimin diplomatik e në administratë. Shteti aktual shqiptar nuk mund të injorojë konventat kushtetuese të agimit e të themelit të parë të shtetit, njëlloj sikurse bëri diktatura dhe sikurse janë duke bërë në vijimësi partitë e ekstremit të majtë në këtë vend. Strategjia e sigurisë, në pjesën kushtuar forcimit të kohezionit shoqëror nacional, do të duhet ta ketë objektivin e parë mbështetës këto fakte kushtetuese që do të duhet të kthehen në akte, me çdo ndryshim kushtetues që mund të vendoset në planifikim. Jam i detyruar ta shkruaj unë atë që mungon serish në këtë dokument të strategjisë: riintegrimin në shoqërinë shqiptare me të gjithë përmasën e nevojshme të bashkësisë katolike, që pësoi rrënimin gati total në 50 vite diktaturë, u përfaqësua në mënyrë të pilotuar dhe artificiale në periudhën e tranzicionit dhe sot endet rrugëve të Europës në kërkim të mbijetesës për brezin e ri, duke iu bashkëngjitur kështu me një përmasë të frikshme pjesës së gjakut tonë të shprishur të të gjithë emigracionit shqiptar: Ky riintegrim do të duhet t’i bashkëngjitet riintegrimit të bijve të disidencës shqiptare që kanë emigruar jashtë dhe nuk shohin asnjë shpresë për rikthim për t’i shërbyer atdheut, mbasi vendet e administratës janë mbushur me të “arsimuar” në sistemin arsimor jo fidabel të brendshëm. Përcaktimi në strategji i procesit riintegrues dhe shkrimi i nevojës për hartimin e kuadrit ligjor për këtë riintegrim do të jetë një falje fillestare që shteti demokratik dhe i europianizuem u kërkon atyre dhe një shenjë mirënjohjeje për njërën nga shtyllat e shqiptarisë që ka luajtur rol përcaktues në kulturë-formim, komb-formim dhe shtet-formim. Në këto ditë të rëndësishme të vizitës së Atit të Shenjtë duhet të tregoni me vepra se jeni seriozë dhe jeni në një rrugë të ndryshme nga etërit historikë të së majtës komuniste shqiptare.

Së katërti, vendosja nën kontroll të ligjit të shtetit e sistemit financiar, përforcimi i agjencive të kontrollit të pastrimit të parave, kontrollit të pasurive, mënyrës së financimit të partive politike përmes vendosjes në krye të institucioneve të njerëzve jashtë kontrollit të qeverisë dhe opozitës, të përzgjedhur me kritere strikte, njerëzish me integritet, me arsimim e inteligjencë të spikatur, do të duhet të ishte shkruar qartësisht në pikën që i kushtohet përmirësimit të sundimit të ligjit. Prioritet për publikun e gjerë në Shqipëri mbetet shkarkimi me urgjencë i Guvernatorit aktual për shkak të papërgjegjshmërisë së thellë të shfaqur në administrim. Tërësisht e papranueshme dhe dredharake sentenca e e vetme e Kryeministrit se “nuk mund të kërkojë dorëheqjen”. Ai është i titulluar të kryejë të gjitha veprimet e ngarkuara nga ligja. Ndërsa largimi i partive politike nga ndërhyrja në sistem, thellimi i bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese të brendshme dhe me partnerët tanë strategjikë për skanimin e sistemit të deritanishëm financiar deri në detaje, parandalimi i përsëritjes së kolapsit financiar që këtu rrënon brenda natës shtetin, do të duhej të ishte një objektiv parësor i strategjisë. Kjo do të mundësonte nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, zvogëlimin e informalitetit dhe krimit ekonomik dhe atij të organizuar. Është e qartë që strategjia nuk do merret me emra konkretë, por ajo do të duhet të merret me gjëra konkrete dhe të ndjeshme për publikun. Bëhet fjalë për një dokument të shkruar dhe të firmosur në gusht dhe shtator 2014, ndaj ai do të duhet të përmbajë çështjet e rendit më të nxehtë të ditës sonë të ngarkuar shqiptare.

Së pesti, fuqizimi i sektorit të rendit publik, sigurisë dhe mbrojtjes, i artikuluar në pikën 5, ka menduar me të drejtë ndërtimin e një force të vogël, efikase, e cila jo vetëm do të duhet t’i shërbejë mbrojtjes së sovranitetit të vendit dhe integritetit territorial, angazhimeve në NATO, por do të duhet të theksohet se kjo forcë ka për detyrë mbrojtjen e rendit kushtetues dhe institucioneve nga veprimet terroriste dhe të organizatave që po kërkojnë të ushqehen edhe nga vendi ynë. Përforcimi i trupës elitë të Republikës, trupë e reagimit të shpejtë, trupë policore dhe ushtarake, që mbron shtetin dhe publikun, mbetet një objektiv i pashprehur në strategji që do të duhet të plotësohet. Kësaj do të duhet t’i shtohet edhe: a) ndërtimi i Qendrës Kombëtare Shkencore të Kriminalistikës, rritja e investimeve aty për burime njerëzore të kualifikuara të sjella edhe nga jashtë dhe modernizimi i teknologjisë; b) kontrolli dhe monitorimi elektronik i të gjithë territorit dhe sistemit rrugor të Republikës së Shqipërisë.

Së gjashti, do të duhet të kuptohet se ka ardhur koha për rithithjen e trurit të shqiptarëve, për punësimin e ri në administratën publike dhe sektorin publik, vetëm bazuar në një shkallë hierarkike vlerash të shkollimit, duke filluar nga të diplomuarit në universitetet e BE dhe SHBA dhe më pas universitet e akredituara dhe të rankuara të RSH. Kjo sepse një armatë e tërë diplomash formale, të zhvleftësuara kanë zënë vendet dje dhe sot në administratën e këtij vendi dhe po i bëhen pengesë Shqipërisë në proceset përthithëse integruese të vendit, për shkak të moskuptimit të administrimit modern dhe mungesës së ekspertizës. Universitetet-piramida kanë rënë, ndërkohë që diplomat e marra aty kanë mbushur administratën e re të shqiptare.

Së shtati, strategjia nuk tregon asgjë për qarkullimin elitave, kufizimin e mandateve, bazuar në konkurrencën e lirë, bazuar në vendosjen e mandateve të përcaktuara ligjore, bazuar në lirinë dhe sistemet zgjedhore të ndershme. Vendi ynë nuk do të jetë i sigurt në planin e kohezionit social përderisa ligji nuk do të jetë realisht i barabartë për të gjithë dhe mbi kokën e tij do vazhdojnë të qëndrojnë të njëjtët njerëz, simbole të korrupsionit, nxitjes së kaosit, të zhgënjimit dhe depresionit publik të shoqërisë sonë.

Për të gjitha këto arsye dhe të tjera të pashkrueme dhe të nenkuptueme, unë mendoj se kjo strategji e sigurisë kombëtare nuk ka parasysh nevojat e brendshme të forcimit të kohezionit social, të shmangies së diskriminimeve dhe të ruajtjes së unitetit shtetëror, për rrjedhojë ajo ka nevojë të rishkruhet ose të plotësohet, nga njerëz kompetentë dhe patriotë, mbasi kështu sikurse është mund të konsiderohet vetëm një hartim i bukur i ndërtuar për një vend të lumtur në të cilin çdo gjë ecën mirë, por jo për Shqipërinë me halle të mëdha dhe në target të organizatave dhe shteteve që kanë konstrukte konstitucionale të ndryshme nga vendi ynë. Presidenti i Republikës është i thirrur nga Kushtetuta të kujdeset për garantimin e unitetit shtetëror dhe të sigurisë kombëtare nga faktorët e brendshëm destabilizues. Ndaj, duke qenë se kjo strategji është larg plotësimit të këtyre kërkesave të publikut, jam i mendimit se Presidenti i Republikës do të duhet t’u kërkojë agjencive ekzekutive dhe ligjbërëse, rishkrimin e strategjisë nga një komision gjithëpërfshirës ekspertesh brenda dy javëve të para muajit shtator 2014 dhe të rifutet për shqyrtim në Parlament, ku opozita nuk justifikohet më të jetë munguese.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi