Çfarë janë Institucionet?

 

Fjala institucion (institutum in.), rrjedh prej latinishtes instituo (krijoj, formoj). Zakonisht, sidomos në këtë web, fjala institucion  ka kuptimin politik dhe atë juridik, por shpesh ajo ka edhe kuptime të tjera, sidomos fetar, ekonomik, sociologjik, filozofik apo akademik. Në kuptimin politik, fjala institucion përcakton tërësinë e strukturave politike që rezultojnë prej sistemit politik dhe që funksionojnë sipas Kushtetutës, ligjeve, rregulloreve dhe zakoneve. Në kuptimin juridik përcakton  institucionet  e drejtësisë, domethënë gjykatat, etj. Në planin sociologjik një institucion përcakton një strukturë sociale (ose një sistem raportesh sociale) e qëndrueshme në kohë.

Sipas një përkufizimi më sintetik,  një institucion është një “rregull loje” e pranuar shoqërisht. Sejcili institucion nënkupton një tërësi normash, të cilat individët duhet ti zbatojnë. Të tilla norma mund të jenë me natyrë morale, zakone të vendit dhe norma të shtetit. Gjithashtu ato janë parime themelore juridike të shtetit dhe janë organizmat politike kushtetuese që i shprehin ato. Kur është fjala për struktura dhe mekanizma të rregullit shoqëror, institucionet janë objekt i studimit të shkencave shoqërore: të sociologjisë, shkencave politike dhe ekonomike.

Historikisht, dallimi midis epokave ose periudhave të ndryshme, nënkupton një ndryshim të madh dhe themelor në sistemin e institucioneve që qeverisin shoqërinë. Ngjarjet politike dhe ushtarake vlerësohen me rëndësi historike nëse shoqërohen me ndryshime të institucioneve. Në historinë evropiane një rëndësi të veçantë ka patur tranzicioni i gjatë të institucioneve feudale të Mesjetës në institucionet moderne, që qeverisin jetën bashkëkohore.

Institucionet formale grupohen në dy kategori: institucionet ekonomike dhe institucionet politike. Institucionet ekonomike përcaktojnë rregullat që rregullojnë bashkëveprimet njërzore në fushën ekonomike, ndërsa institucionet politike përcaktojnë këto rregulla në fushën politike.

Për sa i përket institucioneve politike, zakonisht pranohet përkufizimi që lidhet me institucionet demokratike:  ato janë rregullime institucionale përgjithësisht të pranuara në një sistem politik që lejojnë të marrin vendime politike dhe në të cilat personat drejtues e marrin pushtetin e vendimarrjes nëpërmjet garave elektorale. Në praktikë institucionet demokratike janë të lidhura me ekzistencën e zgjedhjeve të lira dhe të drejta, përgjegjësinë e politikanëve kundrejt zgjedhsve dhe me pjesmarrjen e lirë të qytetarëve në aktivitetet politike.

Në kuptimin juridik, një institucion publik është një person juridik i cili në veprimtarinë e vet financohet nga fonde publike dhe kontrollohet nga shteti. Drejtimi i një institucioni publik mund të bëhet nëpërmjet një personi të vetëm ose prej një bordi apo Këshilli Administrativ, anëtarët e të cilit janë të gjithë nënpunës të shtetit dhe të emëruar prej tij për një periudhë kohe të caktuar. Veprimtaria e institucioneve politike është objekt i së drejtës kushtetuese, ndërsa veprimtaria e institucioneve publike është objekt i së drejtës civile.

“Institucionet Publike kanë një vlerë jashtëzakonisht të madhe për një komb. Nëqoftëse ato përdoren në mënyrë të përshtatshme për hartimin e politikave, për zbatimin dhe administrimin e tyre, atëhere institucionet publike do të jenë po aq të rëndësishme për zhvillimet dhe perspektivën kombëtare, sa ç’janë edhe burimet ekonomike natyrore. Problemi shtrohet se sa saktë ndërtohen këto istitucione me qëllim që të funksionojnë në mënyrë sa më efektive perspektivat administrative dhe manaxheriale” (Dwight Waldo)

Më shumë për këtë temë:
Diagrama e institucioneve të shtetit
Çfarë është Kushtetuta?
Çfarë është Sistemi Politik?

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi