Çfarë është Kushtetuta?
Kushtetuta është, në kuptimin e gjerë të fjalës, një grup rregullash që kërkon të vendosë detyrimet, pushtetet dhe funksionet e institucioneve të ndryshme shtetërore, të rregullojë marrëdhëniet midis tyre dhe të përcaktojë marrëdhëniet midis shtetit dhe individit. Ekuilibri midis rregullave ndryshon nga një sistem në tjetrin.
Epoka e kushtetutave fillon me hartimin e kushtetutave të para të shkruara: Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara në 1787 dhe Deklarata franceze e të drejtave të njëriut në 1789. Ato shërbyen si model për krijuesit e kushtetutave të mëvonëshme, pasi ato hodhën dritë në mënyrën se pse dhe si formohen kushtetutat. Krijimi i kushtetutës përbën një ngjarje madhore në historinë politike të një vendi, që shënon krijimin e një rendi të ri politik, që pason dështimin e një rendi të vjetër.
Kushtetutat mund të klasifikohen në mënyra të ndryshme në përputhje me kriteret e zgjedhura:
- Forma e kushtetutës dhe statusi i rregullave të saj, domethënë nëse kushtetuta është e shkruar ose e pashkruar, e kodifikuar ose e pakodifikuar.
- Lehtësia me të cilën kushtetuta mund të ndryshohet, pra, nëse është e ngurtë, strikte, apo elastike.
- Mënyra me të cilën kushtetuta zbatohet në praktikë, pra, nëse është kushtetutë efikase, nominale apo kushtetutë fasadë.
- Përmbajtja e kushtetutës dhe e strukturës institucionale që krijon, për shembull, monarkiste ose republikane, federale ose unitare, presidenciale ose parlamentare.
Shumica dërrmuese e shteteve kanë kushtetutë. Është e vështirë, mbase e pamundur, të imagjinosh një shtet pa kushtetutë.
Kushtetutat kanë një numër funksionesh, më të rëndësishmit po i përmendim këtu më poshtë:
Të fuqizojë shtetet. Kushtetutat shënojnë ekzistencën e shteteve dhe institucionalizojnë sovranitetin dhe autoritetin e tyre të pavarur.
Të sanksionojë krijimin e shteteve të reja. Krijimi i shteteve të reja gjithmonë shoqërohet nga dekretimi i kushtetutës. Ato mund të ekzistojnë vetëm pasi të kenë një kushtetutë, sepse pa kushtetutë atyre u mungon ose juridiksioni formal mbi një territor të dhënë, ose një aparat qeverisës, i cili mund të ushtrojë me efikasitet atë juridiksion.
Të krijojë vlera dhe qëllime unifikuese. Kushtetuta mishëron një varg të gjërë vlerash politike, idesh dhe qëllimesh. Kushtetutat nuk mund të jenë neutrale. Krijuesit e kushtetutave synojnë që nëpërmjet hartimit të kushtetutës të portretizojnë formën e regjimit, duke i dhënë një tërësi vlerash unifikuese, që në mënyrë të pashmangshme përmbajnë qëllime ideologjike. Këto ideale, që zakonisht shpallen në preambulat e kushtetutave, shkojnë nga një angazhim për demokraci, liri ose për shtetin e mirëqenies sociale, deri tek një besim në socializëm, federalizëm ose në islamizëm.
T’i japi qeverisjes stabilitet. Duke shpërndarë detyra, pushtete dhe funksione ndërmjet institucioneve të ndryshme të shtetit, kushtetutat formalizojnë dhe rregullojnë marrëdhëniet midis tyre, duke u bërë kështu një mekanizëm rregullator, nëpërmjet të cilit konfliktet mund të gjykohen dhe të zgjidhen. Pavarësisht se ka ndryshime për sa i përket shkallës së detajimit dhe të efikasitetit, të gjitha kushtetutat kryejnë funksionin e stabilitetit të qeverisjes së vendit. “Qeveria pa kushtetutë është si Pushteti pa të Drejtë” thoshte një nga baballarët e kushtetutës amerikane, Thomas Pain. (1737-1809).
Të mbrojë lirinë. Kushtetutat vendosin marrëdhënien midis shtetit dhe individit, duke përcaktuar sferat përkatëse të autoritetit qeverisës dhe të lirisë personale. Liria e fjalës, liria e fesë, liria për t’u mbledhur dhe liria për të lëvizur, të cilat njihen si “liritë themelore” të njeriut. Në kushtetutat e mjaft vendeve përfshihen edhe një gamë e gjerë të drejtash ekonomike, sociale dhe kulturore, si e drejta për sigurimin shëndetësor, e drejta për edukim, madje dhe e drejta për punë. Sigurisht që sigurimi i tyre varet nga burimet ekonomike dhe sociale që shteti ka në dispozicion.
Të legjitimojnë regjimet. Procesi i legjitimitetit ka dy dimensione: legjitimiteti ndërkombëtar dhe legjitimiteti brenda vendit. Kushtetuta është thuajse një parakusht për anëtarësimin e shtetit në komunitetin ndërkombëtar dhe për njohjen e tij nga shtetet e tjera. Kushtetuta vesh sistemin qeverisës me vellon e legjitimitetit, prandaj shpesh bëhen shumë përpjekje për të promovuar respektin për vetë kushtetutën ose si një dokument me rëndësi historike, ose si një simbol i qëllimit dhe identitetit kombëtar.
Ekzistenca e një kushtetute nuk është siguri se qeveria vepron në mënyrë kushtetuese apo se sistemi demokratik është funksional. Shpesh, në mjaft vende, akte ligjore të miratuara nga qeveritë dhe parlamentet vlerësohen jo në përputhje me kushtetutën nga gjykatat kushtetuese. Në fakt, kushtetutat “funksionojnë” në disa rrethana, në varësi të mbështetjes nga një sërë kushtesh kulturore, politike, ekonomike dhe sociale. Në veçanti, që kushtetutat të jenë të suksesshme, ato duhet të mbështeten nga tradita dhe kultura politike, sepse ato janë produkte të kulturës politike, ashtu si dhe krijuesit e tyre. Kjo është arsyeja pse kushtetutat me përmbajtje demokratike nuk arrijnë të hedhin rrënjë në vende ku kjo mbështetje mungon apo nuk është e plotë. Një fenomen i tillë ka ndodhur veçanërisht kur asistenca e huaj, e përdorur në hartimin e kushtetutës, nuk ka pasur mirë në konsideratë rrethanat e traditës dhe kulturës së vendit. Edhe kur kushtetutat janë kryesisht produkt i elitave politike të një vendi, në kushtet kur ato nuk kanë konsideruar në masën e duhur kulturën politike të vendit, modeli i zgjedhur nuk ka rezultuar të jetë funksional. Kur vlerësohet se sistemi demokratik i një vendi nuk është funksional, veç problemeve që lidhen me lidershipin, duhet analizuar edhe nëse modeli i kushtetutës të zgjedhur ka nevojë për përmirësime apo korrigjime që do të përmirësonin funksionalitetin e sistemit demokratik.