Çfarë është Sistemi Politik?
Përkufizimet e shumtë të sistemit politik afirmojnë kompleksitetin semantik të nocionit të sistemit politik. Enciklopedia britanike, për shëmbull, thotë se sistemi politik përcaktohet si “tërësia e institucioneve formale që së bashku përcaktojnë një “qeveri” ose një “shtet”. Kompleksiteti i konceptit konfirmohet edhe në përkufizimin e mëposhtëm të sistemit politik: “Në kuptimin e vet më të përgjithshëm, shprehja sistem politik i referohet një tërësie institucionesh, grupesh dhe procesesh politike të karakterizuara nga një shkallë ndërvarësie reciproke”.
Libri The Political System i David Easton, i publikuar në 1953 do të fillonte një reflektim të gjatë mbi përdorimin teorik të konceptit të “sistemit politik”në studimin e shoqërisë, duke frymëzuar në një farë mënyre kontribute të rëndësishme sociologjike. Para kësaj shkencëtarët ishin përqendruar kryesisht në koncepte më tradicionale, si “elita”, “qeveria”, “pushteti” dhe “shteti”. Këto koncepte sipas teorisë të sistemit politik, ishin qëndrore në analizat dhe duhej të shiheshin si pjesë të një skenari kompleks.
Sipas Easton, sistemi politik duhej studiuar nëpërmjet përbërësve të tij themelorë: komuniteti politik, regjimi politik dhe autoriteti. Komuniteti politik i korrespondon dimensionit horizontal të politikës, ose qytetarëve dhe policy takers, atyre që në kuptimin e gjerë përbëjnë përfituesit dhe marrësit e zgjedhjeve politike. Regjimi politik i korrespondon tërësisë së normave dhe procedurave që bëjnë efektive “shpërndarjen autoritare të vlerave” dhe për rrjedhim vendimet në përputhje me opsionet politike. Autoriteti i korrespondon dimensionit vertikal të politikës, ose tërësisë së subjekteve që marrin vendimet sipas opsioneve politike. Përqasja eastoniane e studimit të sistemit politik i kundërvihet përqasjes etatiste sepse nuk vendos Shtetin si subjekt të politikës, por “politikën siç është”, marrëdhëniet dhe ndërveprimet e saj.
Nuk duhet të ngatërrohet «sistemi politik» me «regjimin politik». Sistemi politik, si një mënyrë e organizimit të shtetit, përfshin regjimin politik, strukturën ekonomike dhe organizimin social, etj. Regjimi politik është forma e organizmit të pushtetit në gjirin e një sistemi politik. Regjimi politik i referohet veçanërisht kushtetutës së një shteti, mënyrës së votimit, organizimit të pushtetit midis përbërësve të ndryshëm politik të sistemit, etj. Për shëmbull, në një sistem politik, si ai demokratik, hasen regjime të ndryshme politike, si regjimi parlamentar ose regjimi presidencial.
Sistemet politike janë të shumta: demokratike, monarkike, feudale, totalitare, autoritare, etj. Aktualisht shumica e vendeve klasifikohen midis regjimeve demokratike dhe regjimeve autoritare, por në praktikë situata nuk është gjithmonë e ndarë në mënyrë të qartë.