Organizimi i pushtetit gjyqësor

Kushtetuta ka sanksionuar ekzistencën e tri shkallëve kryesore të gjykimit dhe ka përcaktuar vetë parimet dhe institutet më të rëndësishëm të organizmit e funksionimit të pushteti gjyqsor. Ndërsa ligji “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” (nr. 9877, datë 18.9.2008) përcakton krijimin, organizimin dhe kompetencat e gjykatave, kushtet dhe procedurat për emërimin e gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit, të drejtat dhe detyrimet e gjyqtarëve, masat disiplinore dhe shkarkimin e tyre, si dhe çështje të tjera të lidhura me funksionimin e gjykatave, ndërsa Gjykata e Lartë dhe gjykatat administrative rregullohen sejcila nga një ligj organik i veçantë.

Gjykatat e shkallës së parë janë gjykatat e rretheve gjyqësore dhe gjykatat e krimeve të rënda. Gjykatat e shkallës së dytë janë gjykatat e apelit dhe gjykatat e apelit të krimeve të rënda. Gjykata e Lartë është autoriteti më i lartë gjyqësor, i cili ka juridiksion fillestar dhe rishikues.  Gjykatat e rretheve gjyqësore organizohen dhe funksionojnë në rrethe gjyqësore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Gjykatat për krimet e rënda organizohen dhe funksionojnë në një ose më shumë rrethe gjyqësore. Kompetencat tokësore të gjykatave  dhe gjykatave të apelitdhe qendra e ushtrimit të veprimtarisë për secilën prej tyre caktohen me dekret nga Presidenti i Republikës, me propozimin e Ministrit të Drejtësisë, i cili ka marrë më parë mendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Emërimi i gjyqtarit në gjykatën e shkallës së parë, në gjykatën e apelit dhe në  gjykatën për krimet e rënda bëhet nga Presidenti i Republikës, me propozimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, të paktën një herë në tre vjet bën vlerësimin e aftësive profesionale të gjyqtarit, në përputhje me kriteret e vlerësimit të caktuara prej tij. Për efekt të karrierës profesionale, Këshilli i Lartë i Drejtësisë mban një regjistër të përhershëm të renditjes së gjyqtarëve për rezultatet e punës në vijimësi, e cila përditësohet çdo gjashtë muaj.

Kryetari i gjykatës së shkallës së parë dhe kryetari i gjykatës së apelit emërohen nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në bazë të konkurrimit. Ata qëndrojnë në detyrë për katër vjet, me të drejtë riemërimi.

Kancelari i gjykatës drejton dhe përgjigjet për shërbimet ndihmëse në gjykatë. Kancelari emërohet dhe shkarkohet nga Ministri i Drejtësisë. Ai mbikëqyr procesin e organizimit dhe të dokumentimit të ndarjes së çështjeve gjyqësore nëpërmjet shortit, të përcjelljes së praktikës së çështjes gjyqësore te gjyqtari i caktuar si dhe ndjek ecurinë e dorëzimit të dosjeve gjyqësore të përfunduara në sekretarinë gjyqësore, në përputhje me afatet procedurale.  Pushteti gjyqësor ka buxhet të veçantë, i cili administrohet prej tij, sipas kritereve të përcaktuara me ligj të veçantë.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi