Gjykata e Lartë
Gjykata e Lartë organizohet dhe funksionon mbi bazën e Kushtetutës, të ligjit të vet organik, të disa dispozitave të ligjit Nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor” si dhe në ligje të tjera proceduriale.
Gjykata e lartë ka juridiksion rishikues dhe fillestar. Ajo gjykon në shkallë të tretë çështje që ankimohen nga palët ndaj vendimeve të dhëna nga gjykatat e Apelit.
Gjykata e Lartë gjykon çështje të juridiksionit të përgjithshëm dhe të posaçëm. Ajo shqyrton çështje lidhur me kuptimin dhe zbatimin e ligjit për të siguruar njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore.
Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës, me propozim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi. Dekreti i Presidentit të Republikës për mosemërimin e kandidatit humbet fuqinë kur kundër tij votojnë shumica e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Në këtë rast, si dhe kur Presidenti nuk shprehet, kandidati shpallet i emëruar dhe fillon detyrën brenda 15 ditëve nga data e vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Gjykata e Lartë organizohet në Kolegjin Civil, Kolegjin Penal dhe Kolegjin Administrativ. Kolegji Civil shqyrton rekurse ndaj vendimeve të gjykatave me juridiksion të përgjithshëm për çështje tregtare, civile dhe familjare, si dhe çështje të tjera të caktuara në kompetencë me ligj. Ai gjykon në trupa gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë. Kolegji Penal shqyrton rekurse ndaj vendimeve të gjykatave me juridiksion të përgjithshëm dhe gjykatave të posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar për çështje penale, si dhe çështje të tjera të caktuara në kompetencë me ligj. Ai gjykon në trupa gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë. Çështjet penale të gjykuara nga gjykatat e posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar gjykohen nga një trup gjykues i përbërë nga pesë gjyqtarë. Kolegji Administrativ shqyrton rekurse ndaj vendimeve të gjykatave administrative. Trupat gjykues të Kolegjit Administrativ përbëhen nga tre gjyqtarë dhe për çështje që gjykojnë ligjshmërinë e akteve normative nënligjore trupat gjykues përbëhen nga pesë gjyqtarë.
Gjykata e Lartë gjykon në Kolegje të Bashkuara për çështje civile, penale ose administrative, të cilat, me vendim të një prej trupave gjykues ose të Kryetarit të Gjykatës së Lartë, paraqiten për shqyrtim për ndryshimin e praktikës gjyqësore. Kolegjet e Bashkuara shqyrtojnë rastet kur e njëjta çështje juridike nuk është interpretuar në mënyrë të njëjtë nga kolegje të ndryshme të Gjykatës së Lartë, ose në rast se ekziston rreziku për interpretim jo të njëjtë nga kolegje të ndryshme të Gjykatës së Lartë. Kolegjet e Bashkuara kryesohen nga Kryetari i Gjykatës së Lartë ose në mungesë të tij nga zëvendëskryetari. Kolegjet e Bashkuara gjykojnë kur në to marrin pjesë jo më pak se dy të tretat e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Vendimi merret me shumicën e votave të gjyqtarëve që marrin pjesë në gjykim.
Vendimi i Gjykatës së Lartë është i detyrueshëm edhe për gjykatën të cilës çështja i kthhet për shqyrtim. Vendimet e saj, të shoqëruara edhe nga mendimet e pakicës, botohen. Vendimet për njësimin dhe ndryshimin e praktikës gjyqësore duhet të zbatohen nga të gjitha gjykatat e shkallëve më të ulta, me qëllim që të sigurohet unifikimi i praktikës gjyqësore.