Çfarë është Gjykata Kushtetuese?
Tradicionalisht dallohen dy modele të organizimit të drejtësisë kushtetuese: modeli amerikan dhe modeli evropian. Modeli amerikan është:
– i decentralizuar, sepse kontrolli u besohet të gjitha gjykatave të vendit.
– konkret, sepse gjyqtari vendos përjashtimisht në rastin e zbatimit të një ligji në një çështje individuale,
– a posteriori, sepse ushtrohet mbi një ligj tashmë të shpallur.
Modeli evropian është:
– i centralizuar, sepse ushtrohet nga një gjykatë e vetme dhe e posaçme,
– abstrakt, sepse gjykata vendos me anë të vendimit të drejtuar kundër një ligji pavarësisht nga çdo konflikt,
– mund te jetë a priori kur kontrolli ushtrohet mbi një ligj që ende nuk është shpallur.
Drejtësia kushtetuese në Shqipëri është e organizuar sipas sistemit evropian.
Organizmi i Gjykatave Kushtetuese në vendet evropiane bazohet në disa parime të përbashkëta:
a) Gjykata Kushtetuese janë krijuar si në shtete me rregjim parlamentar, ashtu dhe në shtete me rregjim të përzier (gjysëm presidencial)
b) Drejtësia kushtetuese i është besuar një Gjykate Kushtetuese të pavarur nga çdo autoritet tjetër shtetëror.
c) Drejtësia kushtetuese është e përqëndruar në një institucion të krijuar enkas, që ka monopolin në këtë fushë: kjo do të thotë që gjyqtarët e zakonshëm nuk mund të merren me konflikte që i rezervohen Gjykatës Kushtetuese.
ç) Caktimi i gjyqtarëve bëhet nga autoritetet politike, si parlamenti ose Kryetari i shtetit.
d) Gjykata duhet të jetë një organ i vërtetë gjyqësor. Shpallja e vendimeve të saj duhet të jenë si vendime gjykate.
dh) Ndryshe nga një Gjykatë e Lartë, e cila është në krye të organizmit gjyqësor, Gjykata Kushtetuese është jashtë çdo organizimi të tillë. Ajo përbën një pushtet të pavarur.