Politikat e territ që qeverisin shqiptarët

Nga Mirjan Topi, botuar në Panorama, 2 nëntor 2017

Jo rrallëherë në vendin tonë ndodh që politika dhe strategji të rëndësishme në nivel kombëtar, hartohen dhe miratohen mbi bazën e të dhënave të pakta dhe të cekëta. Shpesh domosdoshmëria për të dhëna solide të cilat duhet të grumbullohen mbi bazën e metodologjive standarde, të pranuara dhe testuara, zëvendësohet me opinionet e një ose disa ekspertëve. Ndjekja e një rruge të tillë, sjell mangësi të theksuara në analizën e kontekstit në të cilin hasen problematikat.

Njohja e kontestit është elementi primar dhe më thelbësor i hartimit të një politike, strategjie apo plan veprimi. Për të mbarëvajtur, parandaluar apo korrigjuar problematika të caktuara, parimi bazë është të studiohen mjaftueshëm shkaqet dhe rrethanat në të cilat manifestohen problematikat dhe mbi bazën e tyre të hartohen plane veprimi, strategji apo politika për t’i trajtuar me efikasitet ato. Neglizhimi i këtij parimi bazë nuk mundëson njohjen e plotë dhe vlerësimin e shkallës së problematikave duke nxjerrë në fund, një produkt që nuk u përgjigjet kërkesave të realitetit.

Hartimi i politikave dhe strategjive të dobëta (bazuar në të dhëna të pamjaftueshme), në shumë raste jo vetëm që nuk përmirëson problematikat, por i përkeqë- son ato, duke sjellë kosto të mëdha ekonomike dhe sociale për vendin, si dhe në ndonjë rast edhe të paripërtëritshme. Shembuj për të ilustruar një situatë të tillë besoj që mund të gjenden plot. Megjithatë në kësi rastesh nuk është e nevojshme të përmenden shumë apo disa. Mjafton të përmendet një rast për të vërtetuar që fenomeni ekziston.

Këtë rast dëshiroj ta marr nga sektori i ruajtjes së natyrës dhe biodiversitetit, fushë në të cilën punoj. Për shembull, “Dokumenti i Politikave Strategjike për Mbrojtjen e Biodiversitetit”, bazohet konsiderueshëm në “Listën e Kuqe të Florës dhe Faunës së Egër të Shqipërisë”, miratuar në fund vitit 2013, nga Ministria e Mjedisit e asaj kohe. Nëse vërehet me kujdes kjo listë, atëherë menjëherë kuptohet që është përpiluar mbi qasjen e përshkruar më lart (pa konsultuar të dhëna të konfirmuara).

Të marrim një rast konkret: Kali i qyqes, një ndër llojet më të rralla të faunës së Shqipërisë, i cili mbart statusin “I rrezikuar” në nivel global, në Shqipëri mbart statusin “i ndjeshëm” ose “i përkeqësuar”. Sigurisht që fakti se në nivel global mbart statusin “i rrezikuar” nuk mund të jetë domosdoshmërisht argument që i njëjti status t’i jepet edhe në nivel kombëtar.

Argument për këtë duhet të jenë të dhënat. Nëse bazohemi në të dhëna të botuara për këtë lloj, mësohet se vetëm që nga viti 2004 popullata e këtij lloji është më shumë se përgjysmuar në vetëm më pak se 10 vite dhe nëse marrim në konsideratë të dhëna më të hershme, popullata e këtij lloji ka një rënie më të madhe se 80% në 100 vite (ose afro jeta e tre gjeneratave të këtij lloji). Në bazë të kritereve të Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN-së), ky lloj në Shqipëri duhet të mbante statusin i “Rrezikuar në mënyrë kritike” dhe jo “i ndjeshëm”.

Edhe sikur në nivel kombëtar statusi i llojit do të rezultonte “i ndjeshëm”, bazuar në kriteret e IUCN-së, statusi duhet të rritej në të paktën “i rrezikuar” krahasuar me gjendjen e popullatës së llojit në të gjithë rajonin. Për habi, status më të lartë mbrojtjeje në Shqipëri e mbajnë lloje të cilat hasen rëndom pothuajse në të gjithë territorin e vendit dhe që në nivel global nuk mbartin asnjë status rreziku (si p.sh. gargulli). Dokumenti i sipërpërmendur të udhëzon që përpjekjet (fondet etj.) më të mëdha të orientohen në ruajtjen e gargullit dhe jo atë të kalit të qyqes, i cili është në kufijtë kritikë të zhdukjes në Shqipëri.

Pra, një keqorientim që nuk i përgjigjet realitetit. Rasti i sipërpërmendur është më i lehti për t’u korrigjuar pasi fatmirësisht për këtë lloj (kalin e qyqes) ekzistojnë të dhëna. Por për shumë lloje të tjera nuk ekzistojnë fare. Kjo gjë ndodh dhe në shumë sektorë dhe fusha të veprimtarisë së vendit. Pashmangërisht, politikat dhe strategjitë e veprimit për këto sektorë shkruhen formalisht dhe të painformuara nga studimet e kontekstit. Politika të shkruara në terr që më tej zbatohen për të keqqeverisur vendin.

Por përse ndodh kjo? Mund të ketë disa arsye, por më kryesorja dhe e pamohueshmja është që në Shqipëri nuk i kushtohet vëmendja e duhur kërkimit shkencor, i cili mundëson informimin e politikave. Për më tepër, kërkimi shkencor në Shqipëri është pothuajse i ndaluar që prej afro katër vitesh tashmë me mbylljen e shkollës së doktoraturës.

Shkolla e doktoraturës u mbyll në Shqipëri nga qeveria e kaluar me arsyetimin e reformimit të këtij sistemi, i cili prodhonte tituj të pamerituar. Megjithatë një vonesë e tillë për të realizuar këtë reformim është tërësisht e pajustifikueshme dhe ka arsyetime që është e qëllimshme dhe për interesa të ngushta. Nuk dua të hyj në shpjegimin e këtyre arsyetimeve për të cilat kam dyshim të fortë, por jo besim në vërtetësinë e tyre. Ajo që dua të theksoj është se në fushatën e vitit 2013, kreu i opozitës së asaj kohe e cilësoi “liberalizimin e universiteteve si një nga tradhtitë më të mëdha që i është bërë vendit në 25 vitet e fundit”.

Pohim të cilin e mbështes. Megjithatë, mbyllja e universiteteve për të gjithë (e kam fjalën për shkollën e doktoraturës) vazhdon të mbetet një nga tradhtitë më të mëdha që po i bëhen vendit dhe kjo e fundit është akoma më e pajustifikueshme. Qeveria duhet të mbështesë dhe t’i hapi rrugën kërkimit shkencor në vend, së paku, si e vetmja formë që garanton hartimin e strategjive dhe politikave të mirinformuara. Janë pikërisht këto të fundit që kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin dhe përparimin e vendit.

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan