Politikat Bujqësore
Politikat bujqësore përcaktojnë objektivat, masat dhe programimin e zhvillimit bujqësor dhe rural, të shërbimeve publike bujqësore, të kërkimit dhe trajnimit profesional, si dhe bazën e të dhënave dhe informacionin për politikat në sektorët e bujqësisë dhe të zhvillimit rural.Në përgjithësi objektivat e politikave bujqësore dhe të zhvillimit rural synojnë:
a) në rritjen e të ardhurave për popullsinë rurale, duke rritur mirëqenien e saj, nëpërmjet përmirësimit të kushteve të punës dhe të jetesës, si dhe duke krijuar mundësi të barabarta për burrat dhe gratë;
b) në rritjen e prodhimit nëpërmjet nxitjes së konkurrueshmërisë dhe të progresit teknik, si dhe garantimit të një përdorimi optimal të faktorëve të prodhimit dhe në veçanti të punës;
c) në stabilitetin e tregut, duke garantuar qëndrueshmëri në prodhimin bujqësor;
ç) në cilësinë dhe sigurinë ushqimore, duke garantuar që zinxhiri ushqimor të ketë një cilësi të qëndrueshme dhe të mos shkaktojë pasoja të dëmshme në shëndetin e njerëzve;
d) në mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit, duke garantuar që bujqësia të ruajë burimet natyrore;
dh) në uljen e varfërisë, në zvogëlimin e pabarazive ndërmjet niveleve të zhvillimit të rajoneve të ndryshme, si edhe të prapambetjes së zonave rurale, më pak të favorizuara, duke zhvilluar veprimtari alternative dhe plotësuese, që gjenerojnë punësim, me synim ngadalësimin e largimit të popullsisë nga fshatrat, si dhe duke fuqizuar biznesin e vogël dhe të mesëm.
Këto objektiva zakonisht përcaktohen në dokumentin “Strategjia e bujqësisë dhe strategjia e zhvillimit rural” dhe zbatohen nëpërmjet hartimit të dokumenteve “Plani i veprimit” dhe “Masat e politikave bujqësore dhe të zhvillimit rural”.
“Strategjia e bujqësisë dhe strategjia e zhvillimit rural” është dokumenti që përcakton objektivat afatmesme të politikave bujqësore dhe të zhvillimit rural, programimin, masat dhe mënyrat se si Qeveria planifikon mbështetjen financiare në një periudhë kohore të dhënë, në të mirë të bujqësisë dhe zonave rurale. Ajo është pjesë e Planit Kombëtar për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, së bashku me Strategjinë Ndërsektoriale të Zhvillimit Rural. Ajo ka për qëllim të vendosë lidhjen midis objektivave strategjikë, me një perspektivë shtatë vjeçare, si dhe programeve të shpenzimeve të hartuara në kuadrin e PBA-së.
“Plan veprimi” është dokumenti i programimit, që përshkruan se si Qeveria do të zbatojë strategjitë në zona të ndryshme dhe periudha të ndryshme kohore.
“Masat e politikave bujqësore dhe të zhvillimit rural” janë instrumentet ligjore dhe financiare për arritjen e objektivave, në përputhje me dokumentet programuese.
Në Shqipëri dispozitat ligjore për hartimin dhe zbatimin e politikave bujqësore përcaktohen në ligjin Nr.9817, datë 22.10.2007 “Për bujqësinë dhe zhvillimin rural”.
Në Bashkimin Evropian, politika bujqësore e përbashkët (PAC) është një prej politikave më të vjetra dhe më të rëndësishme të politikave të përbashkëta të BE (rreth 35 % e buxhetit evropian, nga e cila 45% përdoret për xhvillimin rural), megjithëse aktualisht këto shifra janë në ulje. Ajo synon të rris produktivitetin e bujqësisë, të sigurojë një nivel jetese të drejtë të popullsisë që merret me bujqësi, të stabilizojë tregjet, të garantojë sigurinë e furnizimeve, të sigurojë çmime të arësyeshme për konsumatorët. Këtyre u shtohen dhe parimet e respektimit të mjedisit dhe të zhvillimit të qëndrueshëm.- që të rris besimin dhe bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar.