ORI in English
Mbështetur në prioritetet e politikës së saj të jashtme, Shqipëria i kushton një vëmendje të veçantë bashkëpunimit rajonal në gjithë tërësinë e tij. Shqipëria e konsideron bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë si shtylla të rëndësishme që garantojnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe si parakushte për proceset integruese evropiane dhe euro-atlantike në rajon.
Shtrirja e bashkëpunimit rajonal synon rritjen dhe intensifikimin e bashkëpunimit midis vendeve të rajonit, duke përfshirë dialogun politik, zgjerimin e shkëmbimit të mallrave dhe shërbimeve, krijimin e një rrjeti rajonal të energjisë, transportin dhe telekomunikacionin, lehtësimin e qarkullimit të njerëzve, kulturave, etj.,forcimin e lidhjeve arsimore, shkencore e kulturore, luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, terrorizmit, etj.
Që prej përfundimit të luftës së Kosovës në 1999, Bashkimi Evropian (BE) ka kërkuar të promovojë rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkan si një mjet për të arritur dy objektiva: stabilitet më të madh politik dhe rritje më të shpejtë ekonomike. Për këtë arësye dy mekanizma të rinj institucionale u krijuan për të adresuar keto objektiva:
1. Pakti i Stabilitetit për Evropën Juglindore;
2. Procesi i Stabilizim Asocimit
Pakti i Stabilitetit për Evropën Juglindore lindi si një strategji tërësore e parandalimit të konflikteve dhe u promovua nga komuniteti ndërkombëtar në fund të viteve 1990. Objektivat kryesore të nismës, e cila u paraqit në Sarajevë në verën e vitit 1999, nuk qenë shumë të ndryshme nga idetë e ndryshme të mëparshme të parandalimit të konfliktit për rajonin, por Pakti i Stabilitetit ofroi një dimension të ri premtues: zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin rajonal.
Pas tetë vjetëve të bashkëpunimit të afërt rajonal, Evropa Juglindore u pergatit për një “ndërmjetës” të ri midis vendeve të saj dhe komunitetit ndërkombëtar. Nisma e re, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), ka marrë përsipër detyrat e Paktit dhe do të jetë plotësisht i pavarur në marrjen e vendimeve. Këshilli do të bashkëpunojë me institucionet evropiane si një i barabartë me to.
Nevoja për të përkrahur stabilitetin ekonomik e politik në Europën Juglindore, si edhe për të nxitur reformat për vendosjen e shtetit ligjor, institucioneve të qëndrueshme dhe ekonomisë së lirë në vendet e rajonit nëpërmjet hapjes së perspektivës potenciale të anëtarësimit në BE dhe përkrahjes së thellimit të marrëveshjeve dypalëshe në rajon, e shtynë Bashkimin Europian të propozonte Procesin e Stabilizim Asocimit. Ky proces, i cili përfundon me nënshkrimin e Marrëveshjeve të Stabilizim-Asocimit nga vendet e përfshira në iniciativë – Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia, Serbia e Mali i Zi dhe Kroacia bazohet në krijimin gradual të një zone të tregtisë së lirë dhe në zbatimin e reformave të gjithanshme, të cilat kanë për synim përqafimin e standardeve europiane, për t’u afruar më tej me BE-në.
Në vetvete, Marrëveshja e Stabilizim Asocimit nuk përbën një premtim për integrim. Ajo e vë theksin në stabilizimin e situatës në vendet përkatëse, për të arritur më tej në vendosjen e një marrëdhënieje speciale me Bashkimin Evropian.
Një nga karakteristikat kryesore të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit gjendet në paragrafët qe vënë theksin në krijimin dhe forcimin e parimeve demokratike, si dhe në bashkëpunimin rajonal.
Bashkëpunimi rajonal ka të bëjë me vendosjen e një rrjeti marrëveshjesh dy dhe shumëpalëshe ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor në fushën tregtare, ekonomike, ligjore dhe lloje të tjera bashkëpunimi.
Kjo përqasje synon të krijojë e forcojë lidhjet mes vendeve ballkanike, duke sjellë frymën e bashkëpunimit e pajtimit, për të mënjanuar tensionet dhe për të nxitur zhvillimin reciprok.
Sipas strategjisë së zgjerimit të BE-së, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë “elemente thelbësore të procesit të Stabilizim Asociimit ” …” dhe, si të tilla, monitorohen ngushtësisht nga Komisioni në të gjitha fazat e procesit të anëtarësimit”. Strategjia thekson se “Bashkëpunimi rajonal përforcon dhe rrit pajtimin në një rajon, që pësoi konflikte të mëdha në të kaluarën e afërt. Bashkëpunimi rajonal dhe tregtar mund të sjellë përfitime të mëtejshme ekonomike në rajon. Ai është gjithashtu një pjesë integrale e procesit të integrimit në BE, i cili shpesh bën të nevojshme qasje dhe masa rajonale”.