Ditmir Bushati

Z. Ditmir Bushati, lindi në Shkodër, më 24 Mars 1977. Ai është i martuar me znj. Aida Bushati (Gugu). Ata kanë dy fëmijë, Hera dhe Martin.

Z. Bushati është zgjedhur deputet në Qarkun e Tiranës në 2009-n dhe u rizgjodh sërish në të njëjtin qark në zgjedhjet e 23 Qershorit 2013. Ai ka shërbyer si Kryetar i Komisionit Parlamentar për Integrimin Europian (2011-2013) dhe anëtar i Komitetit të Përbashkët Parlamentar BE-Shqipëri (2009-2013). Prej 2011, ai është zgjedhur Anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Z. Bushati është diplomuar me medalje të artë nga Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës (1999). Ai ka kryer studimet për Master në të Drejtën Ndërkombëtare Publike (LL.M.) në Universitetin e Leidenit, Holandë (2001). Z. Bushati ka qenë përfitues i bursave të programeve të ndryshme të studimit dhe kërkimit si: TEMPUS, NUFFIC, Victor Felsom, Kokalis. Ai ka qenë kërkues shkencor në të Drejtën Ndërkombëtare Publike pranë Institutit TMC Asser, Hagë, Holandë (2003) dhe kërkues shkencor në Çështjet Europiane, pranë Universitetit të Athinës, Greqi (2000). Ai ka kryer një sërë specializimesh për çështjet ndërkombëtare në disa institucione prestigjioze si: Universiteti i Harvardit; Akademia e së Drejtës Ndërkombëtare në Dallas, SHBA; Akademia Universitare Abo, Finlandë.

Përpara përfshirjes në politikë, z. Bushati ka qenë aktivist i shoqërisë civile. Ai ka drejtuar Lëvizjen Europiane në Shqipëri. Ka ushtruar gjithashtu funksionin e Drejtorit të Përafrimit të Legjislacionit në Ministrinë e Integrimit Europian, duke qenë njëkohësisht pjësë e ekipit negociator të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA); këshilltar i Zëvendëskryeministrit për Çështjet Europiane; këshilltar ligjor në Gjykatën Kushtetuese; Zyrën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë; Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish Jugosllavinë, Hagë, Holandë.

Z. Bushati ka shërbyer si analist i Freedom House (2007-2008) për Raportin “Kombet në Tranzicion” (Nations in Transit); reporter kombëtar për Shoqatën Europiane të së Drejtës Ndërkombëtare (ESIL); koordinator kombëtar i Fondacionit për Shoqëri të Hapur (OSF) për monitorimin e ecurisë së Shqipërisë në procesin e integrimit evropian (2006-2008). Ai ka shërbyer si konsulent në projekte të ndryshme të BE, BB, USAID, GIZ, OSI, Fondacionit Friedrich Ebert, IOM, SNV.

Z. Bushati gjithashtu është lektor në të Drejtën Europiane dhe Procesin e Zgjerimit të BE-së pranë institucioneve të ndryshme universitare e kërkimore në Shqipëri e Kosovë. Ai ka botuar punime shkencore dhe artikuj në fushat e lidhura me procesin e zgjerimit të BE-së, të Drejtën Ndërkombëtare Publike dhe të Drejtën Europiane.

Z. Bushati është zotërues i gjuhës angleze dhe italiane e njohës i frengjishtes.

    Mimi Kodheli

    Znj. Mimi Kodheli ka lindur në Tiranë, më 11 Shtator 1964. Ajo është e martuar me Lekën dhe kanë një djalë, Mikelin.

    Znj. Kodheli është Doktorante e Shkencave Ekono­mike nga Universiteti i Veronës, Itali, në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, prej vitit 2007. Ka një Master në Administrim Biznesi nga Universiteti i Lincoln, Nebraska, SHBA, në bashkëpun­im me Universitetin e Tiranës prej vitit 2000, si dhe është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, Dega Financë në vitin 1986.

    Znj. Mimi Kodheli ka hyrë në politikë në vitin 2002, kur edhe u bë Nënkryetare e Bashkisë së Tiranës. Në vitin 2005, ajo u emërua Prefekte e Qarkut të Tiranës dhe në vitin 2009 u zgjodh Deputete e Kuvendit të Shqipërisë, duke mbajtur pozicionin e Nënkryetares së Komisionit të Ekonomisë dhe Financës përgjatë gjithë legjislaturës. Që prej vitit 2007 e në vazhdim është Anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste.

    Ajo është trajnuar në fusha të ndryshme si ato të treg­jeve ndërkombëtare dhe të letrave me vlerë, tregjet e punës dhe të investimeve, trajnim për ndërmarrjet të vogla e të mesme, ekzaminim dhe menaxhim bankar. Ajo ka marrë pjesë në një program të Departamentit Amerikan të Shtetit, të titulluar “Gratë në Politikë” si dhe atë të titulluar “Politikat e Sigurisë Kom­bëtare” nga Qendra Evropiane e Sigurisë, Marshall.

    Znj. Kodheli zotëron gjuhën angleze dhe italiane, si dhe njeh mjaftueshëm gjuhën frënge dhe spanjolle.

      Niko Peleshi

      Z. Niko Peleshi ka lindur në Korçë, më 11 Nëntor 1970. Ai është i martuar me znj. Amarda Peleshi dhe kanë tre fëmijë, Aleksian, Stivin dhe Johanin..

      Ka kryer studimet e larta për Inxhinieri Elektronike në Universitetin Politeknik të Tiranës me rezultate të shkëlqyera duke marrë titullin Inxhinier Elektronik. Në vitin 1989 ka përfunduar shkollën e mesme të përgjithshme “Raqi Qirinxhi” në Korçë, me Medalje të Artë.

      Z. Peleshi ka patur një angazhim të gjatë në fushën e biznesit privat në qytetin e Korçës, si dhe në vitet 2001-2004, ka drejtuar me sukses Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Korçë.

      Karriera politike e Z. Peleshi fillon në Tetor të 2004-ës, kur emërohet Prefekt i Qarkut Korçë dhe e ushtron këtë funksion për rreth një vit. Në vitin 2005, zgjidhet Kryetar i Partisë Socialiste të qytetit të Korçës. Në zg­jedhjet lokale të Shkurtit 2007 zgjidhet Kryetar Bash­kie i Korçës, për t’u rikonfirmuar edhe njëherë si Kryetar Bashkie në zgjedhjet lokale të 2011-s. Prej vitit 2012 është anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste.

      Në vitin 2013 zgjidhet anëtar me të drejta të plota i Komitetit të Monitorimit të Kongresit të Autoriteteve Vendore dhe Rajonale të Këshillit të Evropës.

      Zotëron shumë mirë gjuhën angleze. Flet rrjedhshëm gjermanisht dhe greqisht.

        Edi Rama


        Edi Rama ka lindur në Tiranë, më 4 korrik 1964. Ai është i martuar me zonjën Linda Rama dhe kanë dy fëmijë, Gregun dhe Rean.

        Edi Rama ka një karrierë të larmishme në arte, sport, mësimdhënie, publicistikë dhe politikë. Ka qenë pedagog i pikturës në Akademinë e Arteve, lojtar i ekipit kombëtar të basketbollit, autor i librave “Refleksione” në bashkëpunim me Ardian Klosin, botuar fill pas rënies së diktaturës, dhe “Kurban”, botuar në vitin 2011. Po ashtu, Edi Rama ka botuar edhe dy libra arti me krijimet e tij në bashkëpunim me artistin e njohur Anri Sala, si dhe është autor e pjesëmarrës i shumë ekspozitave nëpër botë

        Përfshirja e Edi Ramës në jetën publike dhe politike zë fill me lëvizjen për demokraci që rrëzoi regjimin komunist në Shqipëri, ku ai ishte një nga zërat më të spikatur publikë, por edhe një drejtues i njohur i lëvizjes studentore në Akademinë e Arteve.

        Pas një largimi disa vjeçar jashtë Shqipërie ku iu përkushtua jetës artistike, por kritik aktiv në shtyp i qeverisjes së parë post-komuniste, Edi Rama hyri në politikë si Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në vitin 1998. Gjatë periudhës që drejtoi këtë ministri, ai fitoi mbështetjen dhe vlerësimin e publikut shqiptar për mënyrën kreative dhe të efektshme të promovimit të artit dhe kulturës në Shqipëri.

        Në vitin 2000, Edi Rama kandidoi për Bashkinë e Tiranës me mbështetjen e Partisë Socialiste, duke shënuar një fitore të thellë ndaj rivalit të tij. Pas fitores, ai ndërmori një fushatë transformimi dhe rigjenerimi të kryeqytetit duke rikthyer hapësirat publike të pastruara nga ndërtimet pa leje, duke shtuar hapësirat e gjelbra dhe përgjithësisht duke sjellë një vizion dhe frymë të re administrimi të punëve të kryeqytetit. Nën lidershipin e Edi Ramës, Bashkia e Tiranës u kthye në një institucion modern evropian. Projektet e tij për futjen e ngjyrës në hapësirën publike përmes fasadave të rrënuara të banesave popullore të periudhës komuniste, rehabilitimi i shtratit të Lumit Lana, shtimi i parqeve dhe hapësirave të gjelbra në kryeqytet dhe rindërtimi me standarde të reja projektimi i rrjetit rrugor të Tiranës janë vlerësuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare, ku mund të përmenden, World Mayor Award (2004) dhe European Hero Award i revistës Time. Edi Rama u rizgjodh sërish Kryetar i Bashkisë Tiranë në vitin 2003 dhe 2007 dhe për 11 vjet drejtoi kryeqytetin e Shqipërisë.

        Në vitin 2005, Edi Rama u zgjodh Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, të cilën e udhëhoqi gjatë viteve të vështira në opozitë dhe në fitoren plebishitare të 23 qershorit 2013.Edi Rama

          Thënie për Shtetin

          • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
            - Georges Pompidou
          • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
            - Otto von Bismarck
          • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
            - Jean Cocteau
          • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
            - Alcide de Gasperi
          • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
            - Montesquieu
          • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
            - Cardinal de Richelieu
          • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
            - Aristotele
          • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
            - Woodrow Wilson
          • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
            - Charles Maurras
          • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
            - Ruggiero Bonghi