Erion Veliaj

Z. Erion Veliaj lindi në Tiranë, më 17 Dhjetor 1979.

Studimet Bachelor i ka kryer për Shkenca Politike në Grand Valley State University në Miçigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Më pas ai përfundoi studi­met Master në Mbretërinë e Bashkuar pranë University of Sussex, me fokus tek Integrimi Europian.

Ai hyri në politikë pas një angazhimi të gjatë në sho­qërinë civile, organizata ndërkombëtare dhe media. Në vitin 2003, z. Veliaj themeloi lëvizjen “MJAFT”, një organizatë që unifikoi frymën aktiviste e protestuese të rinisë shqiptare e që në vitin 2004 mori dhe çmimin e Kombeve të Bashkuara për shoqërinë civile. Z. Erion Veliaj drejtoi lëvizjen “MJAFT” deri në nëntor të vitit 2007. Më pas Veliaj iu bashkua Iniciativës për Stabi­litetin Evropian, një organizëm kyç në promovimin e zgjerimit të BE-së.

Në vitin 2011, z. Veliaj iu bashkua kryesisë së Partisë Socialiste së Shqipërisë si Sekretar për Rininë dhe Em­igracionin. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 ai u zgjodh deputet i Qarkut Gjirokastër.

Z.Veliaj flet shumë mirë gjuhët angleze dhe italiane, si dhe njeh mirë gjuhën gjermane dhe atë frënge.

    Mirela Kumbaro

    Znj. Mirela Kumbaro Furxhi ka lindur në Tiranë, në vitin 1966.

    Ajo është e martuar me z. Aleksandër Furxhi dhe është nënë e dy fëmijëve, Sarës dhe Tomit.

    Ajo mban titullin Profesore e Asociuar, të fituar në vitin 2012 në Universitetin e Tiranës, në fushën e gjuhësisë. Në vitin 2009 ka mbrojtur titullin Doktor i Shkencave në fushën e Studimeve Përkthimore pranë Universitetit të Tiranës. Ka mbrojtur Diplomën për Master në Përkthim dhe Komunikim Ndërkulturor në vitin 1994, në E.S.I.T – Paris III, Universiteti i Sor­bonne – Nouvelle, në Paris, Francë. Ka kryer studimet universitare dhe është diplomuar në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, në fushën e letrave frënge, në vitin 1988.

    Znj. Mirela Kumbaro Furxhi nuk vjen nga radhët e politikës, por nga karriera akademike dhe nga një angazhim i gjatë e aktiv në shoqërinë civile ku ka kon­tribuar në fushat e kulturës, arsimit dhe problemeve sociale.

    Znj. Kumbaro është përkthyese, publiciste dhe eksperte ndër­kombëtare për projekte ndërkulturore dhe për pro­grame kërkimore universitare, të ndërmarra nga organizatat ndërkombtare si Bashkimi Evropian, Or­ganizata Ndërkombtare e Frankofonisë.

    Ajo zotëron shumë mirë frëngjishten dhe italishten, si dhe mjaftueshëm anglishten.

      Nasip Naço

      Z. Nasip Naço lindi në Skrapar, më 5 Prill 1961. Ai është i martuar me znj. Theodhora Naço, dhe kanë dy fëmijë, Betinën dhe Frankon.

      Ai është diplomuar për Drejtësi në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, në vitin 1992.

      Në vitet 2008 – 2009, ai ka qënë Sekretar Politik i LSI-së, për Qarkun e Beratit.

      Në legjislaturën XVIII, zgjidhet deputet i Qarkut te Beratit, për Grupin Parlamentar të LSI-së, dhe në periudhën 2009 – 2011, ushtron detyrën e Zëvendëskryetarit të Kuvendit të Shqipërisë.

      Në vitet 2011 – 2012, ai ushtron detyrën e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës. Më pas rizgjidhet Zëvendëskryetar i Kuvendit të Shqipërisë në Korrik 2012.

      Z. Naço ka ushtruar disa detyra të rëndësishme shtetërore si: Prokuror në Prokurorinë e Rrethit Berat, Drejtor i Shërbimit Informativ në Ministrin e Brendshme, Prokuror pranë zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, Shef Sektori kundër Akteve Terroriste dhe Krimeve kundër Personit, pranë Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, Drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.

      Z. Nasip Naço ka marrë pjesë në disa seminare dhe kurse trajnuese, të organizuara nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, nga Shkolla e Magjistraturës dhe jashtë vendit në Itali, Poloni, SHBA, Danimarkë, Gjermani, me tematika të ndryshme në fushën e së drejtës penale e procedurës penale, të përmbarimit gjyqësor, të policisë, etj.

      Ai është njohës i gjuhës angleze dhe asaj italiane.

        Lindita Nikolla

        Znj. Lindita Nikolla lindi në Tiranë, më 22 Tetor 1965. Ajo është e martuar me z. Ligor Nikolla dhe ka një vajzë që quhet Livia.

        Znj. Nikolla, në Korrik 2010, ka kryer studimet Mas­ter në Administrim Publik, drejtimi Pushtet Ekzeku­tiv pranë Albanian University dhe në vitin 1989 ka përfunduar studimet universitare pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, dega Matematikë, Universiteti i Tiranës.

        Ajo ka hyrë në politikë në vitin 2003. Gjatë viteve 2003 – 2006 është zgjedhur si Këshilltare e Këshillit të Njësisë Bashkiake Nr.1, Tiranë. Është zgjedhur për dy mandate në periudhën 2007- 2011 dhe 2011-2013, Kryetare e Njësisë Bashkiake Nr.1 Tiranë. Në zgjed­hjet e 23 Qershorit 2013, zgjidhet deputete e qarkut të Tiranës. Nga shtatori i vitit 2007 znj. Nikolla është anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste.

        Në vitin 2006 ka përfunduar Akademinë për Udhëheqë­si dhe Reformë pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (NDI) në Tiranë dhe në Qershor të vi­tit 2008 ka kryer Akademinë mbi Policimin Komunitar dhe Qeverisjen Vendore në Universitetin e Pitsburgut, SHBA. Znj. Nikolla ka kryer gjithashtu një sërë kualifi­kimesh në menaxhimin e shkollës dhe mësimdhënien e matematikës, si dhe për fuqizimin e gruas në ven­dimmarrje.

        Znj. Nikolla zotëron gjuhën angleze dhe njeh gjuhën frënge e atë italiane.

          Arben Ahmetaj

          Z. Arben Ahmetaj, ka lindur më 28 qershor të vitit 1969, në qytetin e Gjirokastrës. Ai është i martuar me znj. Albina Mançka, dhe ka dy vajza, Livia dhe Kejsi.

          Z. Ahmetaj mban titullin Doktor i Shkencave në fus­hën e Sigurisë Energjitike, Siguri Ndërkombëtare, prej Universitetit të Bukureshtit (2005-2009). Ai është diplomuar prej Universitetit të Tiranës për Gjuhë Angleze, i Specializuar në Literaturë Amerikane dhe Angleze në vitin 1991. Ka kryer në vitin 1996, Master për Tregti Ndërkombëtare dhe Diplomaci në Patterson, Universi­teti i Kentucky, SHBA.

          Z. Arben Ahmetaj është Anëtar i Parlamentit Shqip­tar, i zgjedhur në Legjislaturën XVIII-XIX, Qarku Korçë – Gjirokastër. Është pjesë e Grupit Parlam­entar të Partisë Socialiste dhe anëtar në Komisionin për Ekonominë dhe Financat. Në karrierën e tij të mëparshme ka mbajtur rolin e Zëvendësministrit në Minis­trinë e Integrimit Evropian, (2004-2005) dhe rolin e Zëvendësministrit në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, (2003-2004).

          Ka kryer Funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Tatimeve të Shqipërisë dhe ka qënë përg­jegjës për hartimin e politikave të reja dhe të legjisla­cionit të ri (Kodi i ri Fiskal, akcizat dhe legjislacioni i ri për taksën e drejtpërdrejtë). Në vitet 1992-1993, ka kryer funksionin e Këshilltarit të Ministrit të Finan­cave si dhe asistent i thesarit të SHBA.

          Gjithashtu z. Ahmetaj ka marrë pjesë dhe ka kryer projekte studimi me Universitetin e Georgetown, Ed­mund Walsh School of Foreign Service, Uashington, SHBA, Universiteti Harvard, Menaxhimin e Konf­likteve në Kohën e Teknologjisë së Informacionit (Athinë). Ai është autor i një sërë punimesh shken­core.

          Ai zotëron shumë mirë gjuhët angleze, italiane, greke, si dhe është njohës i gjuhës ruse.

            Eglantina Gjermeni

            Znj. Eglantina Gjermeni ka lindur në qytetin e Krujës, në vitin 1968. Ajo është e martuar me z. Marian Gjermeni dhe kanë 2 fëmijë, Erik dhe Megi.

            Aktualisht znj. Gjermeni mban titullin e Doktorit të Shkencave në Punë Sociale.

            Titullin Master në Punë Sociale e mori në Universitetin Grand Valley State University në Michigan, SHBA në vitet 1997-1998. Studimet pasuniversitare për degën Punë Sociale i kreu në Fakultetin e Shkencave Sociale, në Universitetin e Tiranës në vitet 1993-1994.

            Studimet e larta i kreu në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë në degën Histori, në vitet 1986 – 1990.

            Në vitin 2009 Eglantina Gjermeni u zgjodh për herë të parë deputete e Partisë Socialiste në legjislaturën XVIII të Kuvendit të Shqipërisë. Rizgjidhet në mandatin e saj të dytë në legjislaturën XIX, në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura në vitin 2013.

            Në vitin 2011, znj. Gjermeni zgjidhet si Anëtare Kryesie e Partisë Socialiste të Shqipërisë. Gjatë mandatit të saj të parë si deputete, ka qënë anëtare e Komisionit të Shëndetit dhe Çështjeve Sociale.

            Për dhjetë vite me radhë ka drejtuar në mënyrë të suksesshme Qendrën “Aleanca Gjinore për Zhvillim”. Është një nga ekspertet më të njohura në vend për fushën e barazisë gjinore dhe çështjeve sociale. Znj. Gjermeni është autore e shumë botimeve dhe publikimeve në këtë fushë brenda dhe jashtë vendit.

            Përgjatë karrierës së saj, znj. Gjermeni ka marrë pjesë dhe është kualifikuar në një sërë trajnimesh brenda dhe jashtë vendit në tematika si: Barazia Gjinore, Menaxhim Projektesh, Lidership, Gratë në Politike. Çështjet Sociale, të organizuara nga institute prestigjoze ndërkombëtare si: Qëndra e Trajnimit ILO në Torino, Qëndra e Trajnimit për Zhvillimet Gjinore në Holandë, Grand Valley State University në SHBA, Central European University në Hungari, Fondacioni Soros,etj.

            Prej vitit 1995 vijon të jetë Pedagoge pranë Departamentit të Punëve Sociale, në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës.

            Zotëron shumë mirë gjuhën angleze dhe atë italiane.

              Edmond Haxhinasto

              Z. Edmond Haxhinasto lindi në Tiranë, më 16 Nëntor 1966. Ai është i martuar me znj. Enkeleida Haxhinasto dhe kanë një vajzë, Elizën.

              Eshtë diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, në degën Anglisht, në vitin 1989. Në vitin 1996, mori titullin Master në Administrim Biznesi për nivelet Ekzekutive, në Slloveni, ndërsa në vitin 2000, kreu Master në Politikë Publike, nga Shkolla “Woodrow Wilson” e Universitetit Princeton, në SHBA.

              Në vitin 2004 ishte ndër themeluesit e Levizjes So­cialiste për Integrim, ku ka mbajtur pozicionet e Sek­retarit për Marrëdheniet Ndërkombëtare, Kryetarit të Komitetit Drejtues Kombëtar, si dhe postin e Zëvëndëskryetarit. Z. Haxhinasto është anëtar i Krye­sisë së LSI-së, Sekretar Politik për Qarkun e Elbasanit.

              Gjatë viteve 2009 – 2010 ka shërbyer si Zëvëndësministër i Punëve Publike dhe Transporteve. Më pas gjatë periudhës 2010-2012 ka mbajtur postin e Ministrit të Jashtëm të Re­publikës së Shqipërisë. Nga viti 2012 deri në vitin 2013 ka mbajtur postin e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë.

              Nga Janari 2011 deri në Prill 2013 ka mbajtur postin e Zëvëndëskryeministrit të Republikës së Shqipërisë.

              Ai ka shërbyer në disa detyra të tjera të rëndësishme si: Përfaqësuesi i Qeverisë në Grupin e Menaxhimit të Emergjencave të ngritur për situatën e Refugjatëve kosovarë në Shqipëri, Këshilltar Diplomatik i Kryemi­nistrit të Shqipërisë, i Ngarkuar me Punë i përhershëm në Ambasadën Shqiptare në Beograd.

              Z. Edmond Haxhinasto zotëron shumë mirë anglishten dhe italishten.

                Shkëlqim Cani

                Z. Shkëlqim Cani është lindur më 6 Maj 1956, në qyte­tin e Tiranës. Ai është i martuar me znj. Merita Cani.

                Z. Cani, që nga vitit 2003, mban titullin “Profesor”. Në vitin 1991 fitoi gradën shkencore “Doktor në Ekonomi”, Universiteti i Tiranës, për studime të spe­cializuara në fushën bankare. Në periudhën 1981 – 1983 ka përfunduar Kursin e Plotë Pasuniversitar të Tregtisë Ndërkombëtare pranë Fakultetit të Ekon­omisë, Universiteti i Tiranës. Studimet universitare i përfundoi në vitin 1980, në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, dega Financë.

                Karriera e tij politikë fillon në vitin 1991 si Zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave. Ka qenë Deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë në Legjislaturën XII (1991- 1992) dhe në Legjislaturën XIII (1992-1996), ku ka qenë anëtar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financës. U zgjodh Deputet në Legjislaturën e XV në vitin 1997, ku ka qenë anëtar i Komisionit të Lartë Parlamentar të Ekonomisë, Financës dhe Privatizimit, por që e dorëzoi mandatin për shkak të emërimit Gu­vernator i Bankës së Shqipërisë (1997-2004), ku për këtë periudhë, ka mbajtur edhe detyrën e Guvernatorit të FMN-së dhe MIGA-s për Shqipërinë. U zgjodh De­putet në Legjislaturën XIX në vitin 2013.

                Z. Cani ka kryer detyra të rëndësishme shtetërore, si: Anëtar i Komisionit Ndërministror të Politikave Ekonomike (1998-2004); Anëtar i Klubit të Gu­vernatorëve të Bankave Qendrore të Azisë Qen­drore, Rajonit të Detit të Zi dhe të Ballkanit dhe Zëvendëskryetar i këtij Klubi; Zëvendëskryetar i Komitetit Qeveritar të Borxhit të Jashtëm (1997-2004); Kryetar i Bordit të Bursës së Tiranës (1997-2002); Anëtar i Bordit Ekzekutiv të Lion’s Club (1994-1997) Drejtor i Përgjithshëm i Bankës Tregtare të Shqipërisë (1990-1991); Drejtor i Departamentit të Jashtëm dhe Anëtar i Bordit i Bankës së Shtetit Shqiptar (1985- 1990).

                Nga kolegji Heidelbergense Tiffinae, Ohioensis, SHBA, ka fituar certifikatë për studime në fushën politike dhe në politikat qeveritare (Qershor 1994) dhe certifikatë të studimeve në Administrim Biznes (Maj 1994). Në periudhën Janar – Mars 1989 ka ndjekur kursin e thelluar për Politikat e Analizës së Kreditit, kuadrin ligjor dhe institucional të garancive financiare të eksportit pranë Deutsche Bundesbank dhe KfW, Gjermani. Kurse në periudhën Shkurt – Maj 1985 ka ndjekur kurs për politikat dhe instrumentet bankare pranë Laenderbank, Vjenë, Austri.

                Njeh shumë mirë gjuhën angleze. Ka njohuri të gjuhëve italiane, frënge, gjermane dhe ruse.

                  Klajda Gjosha

                  Znj. Klajda Gjosha lindi në Tiranë, më datë 28 Korrik 1983. Ajo është e martuar me z. Ardian Gjoni.

                  Znj. Gjosha u diplomua në vitin 2006 me titullin Mas­ter, në degën Studime Europiane, në Universitetin e Reading, në Mbretërinë e Bashkuar.

                  Në vitin 2005 përfundoi sudimet Bachelor, në degën Politikë dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universi­tetin e Reading, në Mbretërinë e Bashkuar.

                  Gjithashtu në vitin 2002, znj. Gjosha përfundoi shkollën e mesme në nivelin e avancuar pranë Kolegjit Strode në Mbretërinë e Bashkuar.

                  Znj. Gjosha ka shërbyer si Zëvendësministre e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta (2012 – 2013). Prej vitit 2012 ajo është Nënkryetare e Lëvizjës Socialiste për Integrim, Kryetare e Forumit të Gruas të LSI-së dhe anëtare Kryesie e kësaj partie.

                  Znj. Gjosha ka ushtruar disa funksione drejtuese në institucione të tjera si: Bashkia e Tiranës, Drejtoria Rajonale e Punësimit Tiranë dhe Agjensia Kombëtare e Turizmit.

                  Gjithashtu, znj. Klajda Gjosha ka kryer disa trajnime dhe internshipe pranë disa organizmave si: Agjencia Ndërkombëtare e Bashkëpunimit Japonez, Parlamenti Evropian, pranë zyrës së znj. Doris Pack, Bruksel.

                  Ajo zotëron shumë mirë gjuhën angleze dhe në nivel mesatar gjuhën italiane.

                    Saimir Tahiri

                    Z. Saimir Tahiri u lind më datë 30 Tetor 1979, në Ti­ranë. Është i martuar me Fatlindën dhe ka një djalë me emrin Drini.

                    Vazhdon studimet për mbrojtjen e Gradës Doktor Shkencash, në fushën e së Drejtës Parlamentare në Shqipëri. Ka përfunduar studimet Master për të Drejtë Publike pranë Departamentit të së Drejtës Publike në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë. Është diplomuar për Jurisprudencë në Universitetin e Ti­ranës, Fakulteti i Drejtësisë.

                    Në vitin 2009, zgjidhet përfaqësues në Parlament i Partisë Socialiste për Qarkun Tiranë, në Legjislaturën XVIII të tij. Gjatë kësaj legjislature ka mbajtur funk­sionin e Nënkryetarit të Grupit Paralmentar. Që prej vitit 2011, Saimir Tahiri zgjidhet dhe ushtron detyrën e Kryetarit të Partisë Socialiste për Tiranën. Gjatë periudhës 2009 – 2013 ka qënë Anëtar i Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

                    Që prej vitit 2008 mban titullin Avokat. Në vitet 2006 – 2008 ka qenë pedagog i jashtëm pranë Fakulte­tit të Drejtësisë dhe në disa institucione arsimore të larta.

                    Ka njohuri shumë të mira të gjuhës angleze dhe ital­iane.

                      Thënie për Shtetin

                      • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
                        - Georges Pompidou
                      • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
                        - Otto von Bismarck
                      • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
                        - Jean Cocteau
                      • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
                        - Alcide de Gasperi
                      • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
                        - Montesquieu
                      • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
                        - Cardinal de Richelieu
                      • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
                        - Aristotele
                      • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
                        - Woodrow Wilson
                      • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
                        - Charles Maurras
                      • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
                        - Ruggiero Bonghi