Alfred Moisiu

Lindi më 1 dhjetor 1929, në qytetin e Shkodrës. Alfred Moisiu ka marrë pjesë në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Në vitet 1946-1948 kreu studimet në Shkollën e Inxhinierisë Ushtarake në Petersburg, Rusi, dhe u laureua në Akademinë e Inxhinierisë Ushtarake në Moskë me Medalje të Artë në vitet 1952-1958. Në vitet 1948-1949 ka qenë Komandant toge në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në Tiranë; Instruktor në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në vitet 1949-1951; ka punuar në Drejtorinë e Xhenios të Ministrisë së Mbrojtjes në vitet 1958-1966.

Kursin e Lartë të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura e kreu në vitet 1967-1968 në Akademinë e Mbrojtjes në Tiranë.

Zoti Moisiu shërbeu si zëvendësministër i Mbrojtjes, nga viti 1981 deri në tetor 1982. Në vitet 1982-1984 ka qenë Komandant i Kompanisë së Xhenjos në Burrel dhe në vitin 1985 doli në pension.

Në vitin 1991 zoti Moisiu u emërua Ministër i Mbrojtjes së Qeverisë Teknike, post të cilin e mbajti deri në vitin 1992. Në vitet 1992-1994 ai punoi si Këshilltar i Ministrit të Mbrojtjes; në vitet 1994-1997 ishte zëvendësministër për Politikën e Mbrojtjes.

Alfred Moisiu themeloi më 1994-ën Shoqatën Shqiptare të Atlantikut, ku u zgjodh President.

Në vitin 1995 kreu Kursin për Personalitete të Larta në Kolegjin Ushtarak të NATO-s, në Romë. Zoti Moisiu është autor i mjaft shkrimeve, artikujve dhe studimeve të botuara në shtypin shqiptar e të huaj, për problemet e artit ushtarak, të politikës së mbrojtjes, të sigurisë rajonale si dhe për zhvillimet në Kosovë. Alfred Moisiu mban titullin shkencor “Doktor i Shkencave Ushtarake”.

Dr. Alfred Moisiu më 24 qershor të vitit 2002 zgjidhet President i Republikës së Shqipërisë.

Ish-Presidenti Alfred Moisiu i mbetur i ve pas ndarjes nga jeta të bashkëshortes ka trashëguar katër fëmijë, tri vajza dhe një djalë, i cili humbi jetën në një aksident tragjik gjatë mandatit të tij si President.

Zoti Moisiu është njohës i tri gjuhëve, ruse, italiane dhe angleze

    Bamir Topi

    Lindi në Tiranë më 24 prill 1957 në një familje autoktone tiranase me tradita intelektuale e qytetare.

    Pas përfundimit me rezultate të larta të studimeve në Universitetin Bujqësor të Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare, Prof. Dr. Bamir Topi nisi punën në Petrelë, në Tiranë, ku spikati për përkushtimin dhe aftësitë e tij në fushën e Toksikologjisë dhe Farmakologjisë. Në vitin 1984 emërohet bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Kërkimeve Shkencore Veterinare, ku qëndroi deri në vitin 1995. Në vitet 1987-1990 kreu studimet pasuniversitare në Itali në fushën e Biologjisë molekulare, studime që i përfundon me marrjen e gradës Doktor i Shkencave. Pas kthimit nga Italia, u emërua Drejtor i Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe të Veterinarisë, pozicion që e mbajti deri në fund të vitit 1995.

    Krahas punës si kërkues shkencor, Prof. Dr. Bamir Topi ka kryer edhe një aktivitet të ngjeshur akademik, në përgatitjen e programeve mësimore të Lëndës së Toksikologjisë dhe Farmakologjisë për studentët dhe pasuniversitarët e Fakultetit të Mjekësisë Veterinare; ka qenë gjithashtu lektor i këtyre lëndëve për një periudhë gati dhjetë vjeçare. Z. Bamir Topi merr titullin Profesor në vitin 1995. Krahas aktivitetit shkencor e pedagogjik, Bamir Topi ka edhe një aktivitet të gjerë politik, i cili daton që me fillimet e lëvizjes demokratike në vitin 1990. Në vitin 1996 u zgjodh për herë të parë deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe u emërua Ministër i Bujqësisë dhe Ushqimit deri në vitin 1997, kur Partia Demokratike kaloi në opozitë.

    Bamir Topi është zgjedhur tri herë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, dy herë N/Kryetar i Partisë Demokratike dhe Kryetar i Grupit të saj Parlamentar.

    Zoti Topi ka spikatur duke u vlerësuar si një politikan me profil të moderuar, mjaft aktiv në zgjidhjen e krizave politike mes pozitës e opozitës dhe protagonist i marrëveshjeve politike e i nismave të ndryshme parlamentare.

    Z. Bamir Topi ka qenë vazhdimisht i pranishëm në mass median shqiptare e të huaj me qëndrimet e tij konstante dhe koherente me realitetet e ndryshme të vendit.

    Prof. Dr. Bamir Topi mori detyrën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë më 24 korrik 2007, mandat të cilin e mbajti deri më 24 korrik 2012. Pas mbarimit të mandatit si President i Republikës, aktualisht është rikthyer në politikën aktive.  Prof. Dr. Bamir Topi është i martuar dhe ka dy vajza.

      Bujar Nishani

      Zoti Bujar Nishani u lind më 29 shtator 1966 në qytetin e Durrësit.

      Studimet e larta i kreu në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, në vitin 1988. Ka kryer studimet pasuniversitare në Kaliforni, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për “Menaxhimin e Resurseve të Mbrojtjes”, në vitin 1996. Studioi për Jurispudencë në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua si jurist në vitin 2004. Në vitin 2005 merr titullin “Master”, në Studimet Evropiane, në Shkollën e Studimeve Evropiane, pranë Universitetit të Tiranës.

      Karrierën profesionale e nisi si pedagog në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në vitin 1988. Më pas, në vitin 1993 punoi në Drejtorinë për Marrëdhëniet me Jashtë në Ministrinë e Mbrojtjes, duke vazhduar në vitin 1994 në Ministrinë e Jashtme në Drejtorinë e Marrëdhënieve me NATO-n dhe në vitin 1996 në Kabinetin e Ministrit të Mbrojtjes. Në vitin 1997 kthehet në profesion të lirë si Kryetar i Forumit të Ushtarakëve Euro-Atlantikë.

      Karriera politike e zotit Bujar Nishani ka kaluar nëpër këto etapa: në vitin 1991 anëtarësohet në Partinë Demokratike; në vitin 2001 zgjidhet Sekretar i Degës së Partisë Demokratike për Tiranën; në vitin 2003 zgjidhet anëtar i Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë nga lista e Partisë Demokratike; në vitin 2005, zgjidhet anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe më pas anëtar i Kryesisë Qendrore të kësaj partie.

      Në korrik të vitit 2005, zoti Nishani zgjidhet deputet në zonën elektorale 34, në Tiranë si përfaqësues i Partisë Demokratike.

      Nga marsi 2007 – shtator 2009 mbajti portofolin e Ministrit të Brendshëm; nga shtatori 2009 – prill 2011 kreu detyrën e Ministrit të Drejtësisë; për t’u rikthyer përsëri në prill të vitit 2011 si Ministër i Brendshëm, detyrë të cilën e mbajti deri në qershor të vitit 2012, kohë në të cilën Kuvendi i Shqipërisë e zgjodhi në detyrën e Kreut të Shtetit.

      Në 24 korrik 2012, zoti Bujar Nishani betohet në Kuvendin e Shqipërisë si President i Republikës.

      Zoti Nishani flet rrjedhshëm gjuhën angleze.

      Zoti Bujar Nishani është i martuar me Zonjën Odeta Nishani dhe kanë dy fëmijë, Ersi dhe Fiona Nishani.

        Bledi Çuçi

        Z. Bledi Çuçi lindi në Tiranë, më 14 Nëntor 1970. Ai ka një djalë, Endi Çuçi.

        Z. Çuçi përfundoi studimet pasuniversitare (Master) për menaxhim në Universitetin Hasselt në Belgjikë (1998); studimet e larta për Drejtësi në Universitetin e Tiranës (1995) dhe studimet në shkollën e mesme të përgjithshme “Petro Nini Luarasi” në Tiranë (1989).

        Z. Çuçi ka shërbyer në disa funksione drejtuese ndër të tjera, si Kancelar i Gjykatës së Rrethit Tiranë në vitet 2000 -2 001. Ka qenë Këshilltar i Ministrit, Dre­jtor i Drejtorisë Juridike dhe Integrimit dhe Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Pushtetit Vendor deri në fund të vitit 2005. Gjatë kësaj kohe z. Çuçi ka qenë edhe përfaqësues i qeverisë shqiptare në Komitetin për Demokracinë Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, Strasburg (2003 – 2005); anëtar i Grupit Ne­gociator të Shqipërisë lidhur me nënshkrimin e Mar­rëveshjes së Stabilizim Asociimit mes Shqipërisë dhe Komunitetit Evropian (2003 – 2006) dhe anëtar i Bordit të Drejtorëve të Institutit për Trajnimin e Adminis­tratës Publike në Shqipëri (2003 – 2005).

        Gjatë viteve 2006 – 2010, ai ka punuar si ekspert i pavarur për çështje të administratës publike, të re­formës në drejtësi dhe të kuadrit ligjor për biznesin në programe të financuara nga USAID, Departamenti për Zhvillim Ndërkombëtar i Mbretërisë së Bashkuar (DfID), Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvil­lim (UNDP) dhe BE-së Shqipëri dhe Kosovë. Në vitet 2010 – 2011, z. Çuçi ka qenë Drejtori Ekzekutiv i Sho­qatës për Autonominë Vendore.

        U aktivizua me strukturat drejtuese të PS-së që prej vitit 2007, kur u zgjodh anëtar i Asamblesë Kom­bëtare të PS-së dhe kryetar i Komisionit të Asam­blesë për Çështjet e Pushtetit Vendor. Ai u rizgjodh anëtar i Asamblesë së partisë edhe në vitin 2011. Në vitet 2011 – 2012, z. Çuçi ishte ekspert i PS-së në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Që prej Shkurtit 2012, ai mban detyrën e Nënsekretarit për Çështjet Zgjedhore në PS.

        Ai ka ndjekur një seri kursesh e trajnimesh profe­sionale lidhur me administrimin e sistemit gjyqësor, prokurimet publike, mbrojtjen e mjedisit dhe menax­himin e administratës publike, të organizuara nga Ban­ka Botërore, Bashkimi Evropian, USAID dhe qeveria italiane në Shqipëri, Lituani, Greqi, Itali e disa vende të tjera.

          Ilirian Çelibashi

          Z. Ilirjan Celibashi u lind më 2 Tetor 1969, në Çorovodë, Skrapar. Ai është i martuar me znj. Ardiana Celibashi dhe kanë një vajzë, Telmën.

          Studimet e larta i kreu në Universitetin e Tiranës dhe në përfundim të tyre, në vitin 1992, u diplomua “Ju­rist”.

          Në Korrik të vitit 1992, ai u emërua Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Fier, e më pas u emërua Kryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë, Mallakastër, funksion të cilin e ushtroi deri në Janar të vitit 1998. Gjithashtu, ai ka shërbyer si Gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit, Durrës.

          Në Tetor 1998, u emërua Zëvendësministër i Rendit Publik. Në periudhën 2001 – 2006, ai u zgjodh Kryetar i Komi­sionit Qendror të Zgjedhjeve. Nën drejtimin e z. Ilirjan Celibashi, KQZ përgatiti dhe administroi Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2001 dhe 2005, si dhe Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore të vitit 2003.

          Në zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e Shqipërisë, të 23 Qershorit 2013, z. Celibashi u zgjodh deputet i Qarkut të Fierit, për Partinë Socialiste. Z. Il­irjan Celibashi ka marrë pjesë në një sërë kursesh dhe seminaresh për specializim në fushën e së drejtës.

          Ai ka qenë pjesëmarrës dhe referues në takime dhe ak­tivitete të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, si gjatë periudhës kur ai ushtronte funksionin e gjyqtarit, po ashtu edhe në periudhën kur ai ishte Kryetar i KQZ-së.

          Z. Celibashi, zotëron shumë mirë gjuhën angleze dhe atë italiane.

            Edmond Panariti

            Z. Edmond Panariti, lindi në Tiranë, më 1 Qershor të vitit 1960 dhe është i martuar me znj. Narin Panariti, me të cilën ka dy djem, Klajd dhe Bjorn Panariti.

            Prof. Dr. Edmond Panariti, ka përfunduar studimet universitare në Universitetin Bujqësor të Tiranës, në vitin 1984. Ai mban gradën shkencore “Doktor i Shkencave” dhe titullin Profesor. Prof. Edmond Panariti ka kryer Studime të thelluara pasuniversitare gjatë viteve 1989 – 1992, pranë Shkollës Politeknike Federale (ETH) dhe Universitetit të Zyrihut në Zvicër. Në vitet 1995 – 2000, është fitues i dy bursave Fulbright për kërkim shkencor dhe ligjërim në Universitetet e Kentakit dhe të Misisipit në SHBA. Në vitet 1994 – 1998 dhe 2004, kryen studime të thelluara pasuniversitare në Universitetin Veterinar të Hanoverit në Gjermani. Z. Edmond Panariti ka një karrierë të gjatë profesionale në Institutin e Kërkimeve dhe Fakultetin e Mjekësisë Veterinare. Edmond Panariti ka shërbyer si drejtues projekti në Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe aktualisht është Profesor titullar në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë.

            Z. Panariti, është anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim që prej vitit 2004. Ai ka mbajtur funksionet e Kryetarit të Komitetit Drejtues Kombëtar dhe të Sekretarit për Bujqësine dhe Mjedisin. Në vitin 2011, Prof. Panariti zgjidhet anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe më pas emërohet Zëvendëskryetar i Bashkisë së Tiranës. Në vitin 2012, emërohet Ministër i Jashtëm i Shqipërisë dhe njëkohësisht mbajti edhe postin e Presidentit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.

            Prof. Edmond Panariti flet rrjedhshëm gjuhët angleze, gjermane, frënge dhe italiane.

              Lefter Koka

              Z. Lefter Koka lindi në qytetin e Durrësit, më 4 Gusht 1964. Ai është i martuar me znj. Brunilda Koka, me të cilën ka edhe tre fëmijë, Arbin, Rinën dhe Anën.

              Z. Koka ka përfunduar studimet universitare pranë Fakultetit Ndërkombëtar të Shkencave Juridike në Strugë.

              Në vitin 2000, pas një angazhimi të gjatë në sektorin privat, z. Koka zgjidhet anëtar i Këshillit Bashkiak të Qytetit të Durrësit. Gjatë periudhës 2003 – 2007, z. Koka ka qenë Kryetar i Bashkisë Durrës e gjatë së njëjtës periudhë shërbeu edhe si anëtar i Këshillit të Qarkut Durrës.

              Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, z. Koka për­faqësoi votuesit e Qarkut Durrës në legjislaturën XVIII të Parlamentit Shqiptar, nën siglën e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

              Si deputet në legjislaturën XVIII të Parlamentit Shqiptar, z. Koka shërbeu njëkohësisht si Kryetar i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe si anëtar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave.

              Nga viti 2009 e në vazhdim z. Koka ka shërbyer si Kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, dega Durrës dhe si anëtar i Kryesisë qendrore të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

              Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, z. Koka u rizgjodh si përfaqësues i Qarkut Durrës në legjis­laturën XIX të parlamentit shqiptar, nën siglën e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

              Z. Koka është njohës shumë i mirë i gjuhës italiane dhe njohës i gjuhës angleze.

                Damian Gjiknuri

                Z. Damian Gjiknuri lindi më 25 Maj 1972, në qytetin e Tiranës. Ai banon në Tiranë dhe është i martuar me Rovena Gjiknurin (Agollin), me të cilën ka një djalë, Aleksin.

                Ai është i diplomuar në Drejtësi në vitin 1994, në Universitetin e Tiranës dhe zotëron gradën Master në Politikat Publike dhe Ligj të lëshuar nga “NPS School” të Monterey, Kaliforni, SHBA (2004) dhe Kolegji i Ligjit Londër, Britani e Madhe (1996). Ai ka kryer edhe disa studime pasuniversitare në Qëndrën për Politikat e Sigurisë në Gjenevë (2000) dhe të Drejtë Ndërkombëtare në Universitetin e Leidenit, Holandë (1994).

                Gjatë aktivitetit profesional ka kryer dhe kurse të ndryshme profesionale në institucione të ndryshme arsimore dhe profesionale në SHBA dhe BE, në fushat e sigurisë, mjetet speciale te hetimit, hetimi penal, kontratat publike, koncesionet, politika publike, ligjet zgjedhore etj.

                Z. Gjiknuri është anëtar i Partisë Socialiste që nga viti 2005 dhe është zgjedhur Deputet në Qarkun e El­basanit (Gramsh) në vitin 2009 dhe 2013. Ai është anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste dhe Sekretar për Çështjet Zgjedhore që nga viti 2011. Më parë, në vitin 2007 ai u zgjodh Nënsekretar për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore dhe bashkëautor i Kodit Zgjedhor 2008.

                Gjiknuri ka qenë anëtar i Komisionit të Ligjeve të Ku­vendit të Shqipërisë (2009 – 2013), si dhe bashkëkryetar i Komisionit të Reformës Zgjedhore 2011 – 2012.

                Përpara zgjedhjes si deputet në vitin 2009, Z. Gjiknuri ka punuar si drejtues i një zyre ligjore dhe këshilltar ligjor për reformat rregullatore ekonomike në vend dhe rajon, financuar nga BE, USAID, GTZ, etj. Deri ne vitin 2005, Z. Gjiknuri ka ushtruar funksi­one të ndryshme publike si: Drejtor i Kabinetit të Ministrit të Rendit Publik (2005), Sekretar i Përgjith­shëm i Ministrisë së Mbrojtjes (2001 – 2005), Drejtor i Bashkëpunimit Ndërkombetar dhe Marrëveshjeve në Ministrinë e Rendit Publik dhe koordinator kombëtar për çështjet e drejtësisë dhe ato të brendshme, për nego­cimin e hapjes së negociatave me KE (1999 – 2001), Drejtues i Planizim – Drejtimit në SHISH (1998), Gjy­qtar i Shkallës së Parë (1995-1996), jurist në instituci­one të ndryshme (1994-1995).

                Ai zotëron shumë mirë gjuhën angleze dhe mirë gjuhën italiane.

                  Ilir Beqaj

                  Z. Ilir Beqaj u lind në Tiranë, më 18 shkurt 1968. Është i martuar me znj. Adriana Beqaj dhe ka një vajzë që quhet Deborah.

                  Në vitin akademik 1999 – 2000, ka kryer studimet pasuniversitare për Administrim Ndërmarrje, në In­stitutin Francez të Menaxhimit pranë Universitetit Po­liteknik Tiranë.

                  Ka kryer studimet e larta universitare në Universitetin e Tiranës, në periudhën 1985 – 1990, ku është diplo­muar për informatikë.

                  Në vitet 1990 – 1993 ka punuar në Bankën e Shqipërisë në detyrën e Specialistit të Informatikës e gjithashtu gjatë viteve 1993 – 1994 ka punuar në Njësinë e Informacionit Fiskal po në këtë Bankë. Gjatë periudhës 1994 – 2006, z. Beqaj ka punuar në Institutin e Sigurimeve Shoqërore në detyra të ndryshme. Gjatë viteve 2003-2006, ka punuar në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Institutit.

                  Është zgjedhur Deputet i Kuvendit të Shqipërisë në Qarkun e Shkodrës në legjislaturën 2009 – 2013. Në zgjedhjet e fundit Parlamentare të 2013-s zgjidhet Deputet i Kuvendit të Shqipërisë i Qarkut Durrës.

                  Prej 2007-s është anëtar i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste.

                  Në periudhën 2007 – 2011 ka kryer detyrën e nënsek­retarit për programin në Partinë Socialiste.

                  Nga viti 2011 është anëtar i Kryesisë së kësaj partie, si dhe Sekretar për programin në Partinë Socialiste.

                  Zotëron shumë mirë gjuhën angleze, frënge dhe atë italiane.

                    Milena Harito

                    Znj. Milena Harito u lind më 4 Tetor 1966, në Tiranë.

                    Ajo është e martuar me z. Isidor Shteto dhe ka dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë.

                    Në vitin 1997 ka mbrojtur Doktoraturën në Teknolog­jitë e Informacionit dhe Komunikimit, në Universitetin Paris VI, në Francë. Diplomën e Masterit në të njëjtën fushë (DESS – Diplôme d’études supérieures spécialisées) e ka kryer pranë të njejtit universitet, Paris VI, në vitin 1993. Ndërkaq, studimet e larta pesëvjeçare i ka kryer në Tirane, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, me rezultate të shkëlqyera, nga viti 1984 në vitin 1989. Ka përfunduar studimet parauniversitare me Medalje Ari në shkollën e mesme të përgjithshme ”Sami Frashëri” në Tiranë.

                    Karrierën e saj, znj. Harito e ka filluar në Institutin e Informatikës në Tiranë si bashkëpunëtore shkencore në vitin 1989, për ta vazhduar më pas në Francë që nga Prilli i vitit 1991 deri në Shtator 1992, pranë një ndërmarjeje private në fushën e informatikës. Pas doktoraturës, u punësua në qendrën më të madhe kërkimore ne Evropë në fushën e telekomunikacione­ve, CNET, pranë operatorit France Telecom, në Paris. Karrierën e mëtejshme e vazhdoi brenda operatorit France Telecom – Orange, në drejtorinë e strategjisë e ngarkuar me marrdhëniet me rregullatorin francez dhe evropian, më pas si drejtore departamenti në disa sektorë, që nga inovacioni deri tek implementimi i pro­dukteve.

                    Znj. Harito u zgjodh deputete në Parlamentin Shqiptar në Zgjedhjet e Përgjithshme të vitit 2013.

                    Znj. Harito flet shumë mirë frengjishten dhe mjaft mirë anglishten e italishten.

                      Thënie për Shtetin

                      • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
                        - Georges Pompidou
                      • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
                        - Otto von Bismarck
                      • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
                        - Jean Cocteau
                      • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
                        - Alcide de Gasperi
                      • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
                        - Montesquieu
                      • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
                        - Cardinal de Richelieu
                      • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
                        - Aristotele
                      • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
                        - Woodrow Wilson
                      • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
                        - Charles Maurras
                      • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
                        - Ruggiero Bonghi