Mid’hat Frashëri

Historia e njërit prej njerëzve më të rëndësishëm të historisë sonë. Djalit të Abdyl Frashërit, nipit të Naimit, firmosësit të pavarësisë shqiptare dhe ministrit të Qeverisë së parë të Vlorës. Biografia e panjohur e themeluesit të Ballit Kombëtar, që nga vitet e para të rinisë, deri në fund të jetës së tij.

Nga Blendi Fevziu

mithat-fvrasheri22

 

Bardhyl Quku, 65 vjeçar, është ndër të vetmit shqiptarë të Nju Jorkut që kujton ende me mall një kohë të largët. Me një shqipe të përmbajtur, ai tregon për kohën kur babai i tij, Faik Quku, Komandant i Ballit Kombëtar, shëtiste në Kampin e Barletës në Itali me një burrë plak dhe fisnik. Burri që mbante për dore djalin e vogël quhej Mid’hat Frashëri dhe e nderonin të gjithë. Fëmijët ishin ata që e donin më shumë, por edhe ai u kushtonte atyre shumë më tepër kohë. 50 e ca vjet më vonë, i shndërruar në një biznesmen i fuqishëm i Wall Street, Bardhyl Quku ka dëshirë të sqarojë akoma më shumë enigmat e një kohe të shkuar. Kuvendon gjatë me një ish drejtues të rinisë balliste, Luan Gashin; ka blerë një pjesë të teksteve të Historisë së Shqipërisë dhe po përpiqet të kuptojë rolin që ka luajtur plaku i fëmijërisë së tij në historinë shqiptare. Gjysmë shekulli më vonë, ai ka kuptuar se njeriu, të cilit i shtrëngonte dorën duke shëtitur në rrugicat e kampit të Barletës, ka qenë një ndër njerëzit më të rëndësishëm të historisë së Shqipërisë.

Por ai e ka shumë të vështirë të kuptojë përmasat reale të angazhimit të tij. Pothuaj të gjithë tekstet historike të kohës së komunizmit janë të censuruar, ndërsa ato të mëpasme nuk kanë studime serioze. Siç ndodh rëndom në këto raste, fati i keq dhe diktatura e gjatë kanë fshirë nga kujtesa e shkruar shumë nga angazhimet e Mid’hat Frashërit, njërit prej njerëzve më të rëndësishëm të historisë së Shqipërisë në gjysmën e parë të shekullit të XX-të. Ose akoma më keq, e kanë redaktuar angazhimin e tij vetëm në një pjesë, atë që lidhet me Ballin Kombëtar gjatë luftës dhe aktivitetin në emigracion pas saj. Pa kujtuar se që nga fillimet, në fund të shekullit të XIX dhe deri më 1940, kur ai u angazhua në Ballin Kombëtar, Mid’hat Frashëri kishte lënë në historinë e Shqipërisë gjurmë të pashlyeshme. Të mjaftueshme për ta renditur atë në librin e madh të kujtesës kombëtare.

Mid’hat Frashëri, fëmijëri e vështirë

Ajo që komunizmi nuk e përmendi kurrë, ose që ju ruajt me mjaft kujdes ishte prejardhja e Mid’hat Frashërit dhe familja e tij. Pak vetë në Shqipëri e dinin se themeluesi dhe ideatori i Ballit Kombëtar ishte djali i Abdyl Frashërit, ideologut të Lidhjes së Prizrenit dhe nipi i Naim e Sami Frashërit, në shtëpinë e të cilëve ishte rritur në Stamboll. Fëmijëria, si edhe gjithë jeta e Mid’hatit kaloi nëpër po ato vështirësi dhe vuajtje që kaloi edhe ndërtimi i Rilindjes Kombëtare dhe më pas i shtetit shqiptar. Mid’hat Frashëri lindi në Janinë, më 25 Mars 1880. Abdyl Frashëri ishte vendosur aty pak vite më parë, si një nëpunës i Perandorisë dhe kishte sjellë me vete gjithë familjen. Por djali i vogël nuk pati mundësi ta njihte të atin që në momentet e para të ndërgjegjësimit të tij. Në ato kohë i ati ishte në krye të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe së bashku me Mehmetali Pashë Vrionin, Iljaz Pashë Dibrën dhe Sulejman Vokshin, po përpiqeshin të kundërshtonin vendimin e Kongresit të Berlinit të ruanin paprekshmërinë territoriale të Shqipërisë. Mid’hati nuk pati mundësi ta shihte të atin as më vonë. Pas dështimit të Lidhjes së Prizrenit, Abdyl Frashëri u arrestua dhe u dënua po në Prizren, ndërkohë që familja u transferua në Stamboll. Ende fëmijë, Mid’hat Frashëri u rrit në familjen e xhaxhait, Naim Frashërit, poetit kombëtar dhe idhullit të të gjithë të rinjve nacionalistë shqiptarë. Më pas, ai ka përshkruar me detaje fëmijërinë e tij pranë të ungjit dhe mjedisin ku po ngjizej ideja e një Shqipërie të pavarur. Fatmirësisht, Mid’hat Frashëri ka lënë shumë shënime, libra, kujtime dhe pjesë letrare, të cilat hedhin dritë mbi angazhimin e tij në lëvizjen nacionaliste. Ishte ende adoleshent, kur filloi letërkëmbimin me disa nga moshatarët e tij që militonin në vende të tjera të Perandorisë, por edhe më gjerë. Më i rëndësishmi ndër ta ishte Ibrahim Temja, një djalë që më pas do të zinte një rol të veçantë në zhvillimet pro pavarësisë. Mid’hati ishte shumë i ri kur i vdiq i ati, patrioti i madh Abdyl Frashëri, dhe nuk kishte mbushur ende 20 vjeç, kur vdiq babai shpirtëror i tij, Naim Frashëri. Në këtë kohë, ai kishte konsoliduar një profil të qartë politik dhe kishte hyrë në lidhje me shumë personazhe, që më pas do të luanin një rol të veçantë, përfshi Ismail Qemalin dhe Faik Konicën. Por angazhimi konkret i tij në lëvizjen kombëtare filloi më 1908, kur ai u bë një ndër ideatorët dhe, më pas, ndër drejtuesit e Kongresit të Manastirit, kongresit që hodhi bazat e alfabetit të gjuhës shqipe dhe që mori vendimin për hapjen e shkollës Normale në Elbasan. Që nga kjo kohë, deri më 1911, ai nuk pushoi së luajturi një rol konkret në zhvillimet poetike në Turqi dhe në kanalizimin e tyre në favor të çështjes shqiptare. Angazhimet e tij krijuan shumë probleme në familjen Frashëri dhe në ato kohë, mund të thuhet se Mid’hat Frashëri nuk kishte më asnjë pasuri mënjanë.

Drejt pavarësisë shqiptare

Ai ishte 32 vjeçar, kur vendosi të largohet nga Stambolli dhe të udhëtojë në brendësi të vendlindjes së tij. Në të vërtetë, ky udhëtim i gjatë u bë edhe fati i tij i madh. Uran Butka, i vetmi studiues serioz që ka shkruar një biografi të detajuar të Mid’hat Frashërit, ka dhënë shumë detaje të këtij udhëtimi. Njeriu, që pak muaj më vonë do të firmoste aktin e pavarësisë së Shqipërisë, udhëtoi nga Kosova në Shkup dhe prej këtej në Elbasan, në prag të luftës Ballkanike. Ai ishte në Elbasan, kur lufta filloi me furi dhe po këtu, mik i Aqif Pashë Elbasanit, ra në kontakt me grupin e patriotëve që po përgatiste pavarësinë. Elbasani qe qyteti i parë që zgjodhi tre delegatë për Kuvendin e Pavarësisë dhe një ndër ta ishte edhe Mid’hat Frashëri. Vite më vonë ai ka përshkruar udhëtimin e tij drejt qytetit të Vlorës, që, pas kontakteve të vazhdueshme, ishte përcaktuar si qyteti ku do të mblidhej kuvendi i pavarësisë. Delegatët e Elbasanit udhëtuan në drejtim të Fierit, kur në Ardenicë ndeshën një karvan të dytë me të njëjtin destinacion. Të hipur në një kalë të vogël, të bardhë, Mid’hati dalloi Ismail Qemalin, njeriu që dy ditë më vonë do të bëhej Kryeministri i parë i Shqipërisë së Pavarur. Duke u endur nëpër balturinat e Myzeqesë, karvani i atyre pak njerëzve që donin të bënin Shqipërinë, mbërriti në Mifol. Eqrem Vlora, një ndër të paktët dëshmitarë që ka përshkruar atë kohë, tregon se si qyteti ishte dehur nga entuziazmi dhe së si Kuvendi i krahinave shqiptare deklaroi menjëherë pavarësinë. Mid’hat Frashëri, 32 vjeçar, u bë jo vetëm firmëtar i pavarësisë shqiptare, por edhe Ministër i Punëve të Përgjithshme në Qeverinë e Ismail Qemalit.

Jeta në Vlorë nuk ishte aspak e lehtë. Uran Butka shkruan se Ministri flinte fillimisht në një dhomë të familjes Vlora, për t’u zhvendosur më pas në shtëpinë e Sharrave. Vendosi aty një tavolinë dhe filloi të ngrinte një strukturë që nuk do të funksiononte kurrë. Shqipëria ishte rrethuar e gjitha dhe territori i Qeverisë së Vlorës përfshinte vetëm qytetin dhe disa fshatra rreth tij. Nuk dihet qartë se cilat qenë problemet dhe kontradiktat e djalit të ri me Kryeministrin plak, por pak muaj më vonë, më 39 mars 1913, Mid’hat Frashëri dha dorëheqjen. Teksti është fare i thatë dhe motivohet vetëm me pamundësinë për të kryer si duhet detyrën e caktuar. Që nga kjo kohë, aktiviteti i Mid’hat Frashërit në Shqipëri është i reduktuar. Në fillim u vendos në Durrës, ku priti me entuziazëm Princ Vidin dhe u vu në shërbim të tij, duke ndihmuar në Ministrinë e Jashtme. Pas fillimit të lëvizjes esadiste dhe ikjes së Princ Vidit, edhe ai vetë u largua nga Shqipëria. Që nga viti 1914 e deri më 1918 u end nëpër Ballkan. Më 1916 mbërriti në Bukuresht, ku krejt papritur, u arrestua dhe më pas u internua në Moldavi. Në këtë qytet rastësisht takoi mikun e tij të vjetër, Ibrahim Temon. Nuk ka të dhëna të qarta për lëvizjet e tij deri më 1918, kur u shfaq në Lozanë, në konferencën që po vendoste krijimin e Jugosllavisë. Kësaj konference ai i dërgoi një promemorie mbi të ardhmen e Ballkanit, e cila, e botuar 81 vjet më pas, ngjan si një dokument i ndonjë prej institucioneve më të rëndësishme të studimeve ndërkombëtare. Në të ai ka bërë deklaratën, e cila do të merrte vlerë të pashembullt në fund të shekullit: Pa zgjidhjen e problemit shqiptar, nuk do të ketë as Jugosllavi të re dhe as një zgjidhje përfundimtare të kufijve në Ballkan.

Më 1920, me qëndrim në Paris, ai përshëndet Kongresin e Lushnjës, Qeverinë e Tiranës dhe niset për llogari të saj në SHBA. Mid’hat Frashëri vendos fillimisht kontakte me komunitetin shqiptar në Amerikë dhe më pas udhëton për Paris si kryetar i Delegacionit të Qeverisë së Tiranës në Konferencën e Paqes. Për më shumë se një vit, ai zhvilloi një aktivitet të ethshëm diplomatik, për t’i kursyer Shqipërisë humbjen e dy krahinave të rëndësishme, asaj të Korçës dhe të Gjirokastrës. Duket se këtë punë e kreu në mënyrë të mrekullueshme përderisa, pas kthimit në Shqipëri më 1922, u caktua po nga Qeveria e Tiranës si Ministër Fuqiplotë i saj në Athinë. Në ato pak muaj qëndrimi, ai refuzoi të merrte përsipër drejtimin e Qeverisë pas dorëheqjes së Kryeministrit, Iliaz Vrioni.

Mid’hat Frashëri u vendos në Athinë më 9 janar 1923. Që nga kjo ditë e deri më 16 Dhjetor 1925, kur i paraqiti Presidentit Ahmet Zogu dorëheqjen e tij, Mid’hat Frashëri ka kryer një nga veprimtaritë e tij më të rëndësishme politike. Jo vetëm në vendosjen për herë të parë të marrëdhënieve diplomatike me Athinën, jo vetëm në njohjen e kufijve të Shqipërisë nga Greqia, por, mbi të gjitha, në ndalimin e përzënies së popullsisë myslimane shqiptare nga ky vend dhe vendosjen e saj në Turqi. Aktiviteti i Frashërit në këtë drejtim është i detajuar dhe ai mund të meritojë një shkrim më vete. Ai ja arriti të ndalojë një gjenocid të hapur, duke shfrytëzuar jo vetëm presionin tek qeveria greke, por edhe tek Lidhja e Kombeve dhe institucione të tjera ndërkombëtare me ndikim. Ky akt do të mbetej deri në fund të jetës së tij një ndër angazhimet, për të cilat ai ishte gjithmonë krenar.

Libraria dhe Balli Kombëtar

Më 1925, Mid’hat Frashëri iu rikthye edhe një herë pasionit të parë të tij, librave dhe studimeve. Që nga viti 1897, ai kishte filluar ngritjen e një biblioteke personale, e cila më 1925 numëronte më shumë se 40 mijë volume. Kishte shkruar shumë libra dhe kishte bërë disa përkthime dhe studime albanologjike. I trishtuar dhe i zhgënjyer nga zhvillimet politike në vend, ky patriot dhe burrë shteti i vjetër, vendosi të tërhiqet në jetën e tij private. Më 1926 ndërtoi në Tiranë, në atë që më pas mori emrin Rruga Mbretërore (më 1945, rruga e Barrikadave), një librari të thjeshtë dhe e shndërroi atë në qendrën intelektuale të Tiranës. Dëshmitë e kohës shënojnë se libraria e tij u bë jo vetëm institucioni kulturor më i rëndësishëm në Tiranë, por edhe vendi ku mblidhej në mënyrë permanente rinia e kulturuar e kryeqytetit. Miti i Mid’hat Frashërit, veshur çdo ditë me frak të zi dhe papion, ka munduar për shumë vite kujtimet e asaj kohe. Ahmet Zogu tentoi disa herë ta joshte për t’u përfshirë në jetën politike, por ai refuzonte me delikatesë. Librarinë e quajti “Lumo Skëndo”, për nder të një vëllait të tij që vuante nga sëmundje mendore.

Gjatë gjithë kësaj kohe, Mid’hat Frashëri nuk i pushoi përpjekjet e tij për të ngritur në Tiranë një Institut Albanologjik. Më 1929, në moshën 49 vjeçare dhe i bindur se tashmë nuk do të martohej më, ai shkroi testamentin e tij. Një testament në të cilin, gjithë fondin e tij të librave dhe gjithë pasurinë që kishte, përfshi edhe mobiliet e shtëpisë, i vinte në dispozicion të ngritjes së këtij instituti. Testamenti i tij pas largimit nga Shqipëria nuk u ekzekutua kurrë, por librat e tij u bënë sidoqoftë pjesë e fondit të Bibliotekës Kombëtare. Pas kërkimeve të Uran Butkës në vitet ’90-të rezultonte se 40 mijë volume të kësaj biblioteke janë nga fondi i Mid’hat Frashërit dhe mbajnë vulën e tij.

Duket se Mid’hat Frashëri kishte vendosur të mos angazhohej më në politikë, por nuk ndodhi kështu. Më 1939, pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, në moshë të shkuar ai rifilloi edhe një herë aktivitetin politik. Aktivitet, fillesat e të cilit datonin në fund të shekullit të XIX-të. Historia e mëpasme e tij, megjithëse e deformuar në vitet e komunizmit, është e njohur. Aq më tepër që, ajo ka marrë më pas vendin e saj real. Në vitin 1941, ai u bë themelues dhe ideator i organizatës së “Ballit Kombëtar” dhe më 1942, publikoi programin e saj, “Dekalogun” e famshëm.

Ithtar i Shqipërisë etnike dhe partizan i demokracive perëndimore, Mid’hat Frashëri tentoi ngritjen e një organizate nacionaliste dhe demokratike. Por kushtet e vështira të vendit, lufta që i bënë komunistët dhe pavendosmëria e një pjese të anëtarëve të partisë së tij sollën dështimin politik të saj. Në shtator 1943, atij i dështoi mundësia më e mirë për të hedhur themelet e një Shqipërie demokratike. Marrëveshja e Mukjes, e nënshkruar fillimisht nga komunistët, u hodh poshtë nga Enver Hoxha pas insistimit jugosllav. Në kujtimet e tij, Petro Marko jep një detaj shumë të thjeshtë, por domethënës të filozofisë së Frashërit. Gjatë një takimi për pajtimin e tij me komunistët, ai vuri një kusht të thjeshtë: “Shko pyeti shokët e tu, janë për bashkimin me Kosovën apo jo? Nëse janë dakord, ne bashkohemi me ta, në të kundërt, nuk ka më rëndësi”. Petro Marko nuk u kthye më.

Dështimi i Mukjes i shoi shanset e Ballit për të fituar më shumë. Pas fillimit të luftës civile forcat e tij humbën dhe në nëntor 1944 drejtuesit e tij, me në krye Mid’hat Frashërin, u larguan nga Shqipëria.

Emigrimi

Jeta e mëtejshme e Mid’hat Frashërit nuk numëron shumë vjet. Ai u vendos fillimisht në Itali, në kampin e Barletës, dhe prej këtej, duke lëvizur nga një vend në tjetrin, u përpoq të ndikonte tek aleatët perëndimorë për të financuar një zbarkim kundër komunistëve në Shqipëri. Punoi mjaft për ngritjen e Komitetit që u quajt “Shqipëria e Lirë” dhe gjatë një vizite në Nju Jork, vdiq atje. Ishte data 3 tetor 1949 dhe Mid’hat Frashëri kishte disa muaj që kishte mbushur 69 vjeç. Vdekja u shkaktua nga infarkti dhe brenda pak orësh u transmetua në gjithë botën. Varrimi u bë gjashtë ditë më vonë në Nju Jork, nën tingujt e muzikës së Bethovenit dhe vajit të bashkatdhetarëve. Atyre që e kishin ndjekur në arratinë politike dhe që do ta nderonin çdo përvjetor në varrezat e Long Islan, ku prehet ende. Nën një pllakë të thjeshtë bronxi, mbishkrimi i vetëm i së cilës është: “Mid’hat Abdyl Frashëri, 1880-1949”.

    Turhan Pashë Përmeti

    Tri herë kryetar qeverie i Shqipërisë, deri në vitin 1920

    Turhan_PashaDokumenti i arkivave që tregon për lidhjet e fuqishme prej diplomati nga Atlantiku, në Rusi e deri në Orient

    Në vitin 1914, në historinë e Shqipërisë së re shfaqet një personalitet i rëndësishëm politik, Turhan Pashë Përmeti, kryeministri i dytë i shtetit shqiptar dhe i pari i njohur ndërkombëtarisht si i tillë. Deri në vitin 1920, ai ka qenë tri herë kryeministër i shtetit shqiptar. Turhan pasha kohësisht i përket gjeneratës së Ismail Qemalit, gjeneratë shqiptarësh që bënë karrierë të spikatur në burokracinë e lartë osmane. Por, ndryshe nga Ismail Qemali, të cilit zyrtarët më të lartë osmanë i nënvizonin kapacitetin e lartë prej politikani, Turhan Pashës i nënvizonin kapacitetin prej diplomati, dhe më shumë akoma aftësinë e tij menaxheriale për zgjidhjen e situatave të vështira. Duke i shërbyer diplomacisë së Perandorisë Osmane, ku tokat shqiptare de jure bënë pjesë deri në nëntor 1912, Turhan Pasha arriti në pozitën e një personaliteti të njohur nga brigjet e Atlantikut e deri në Rusi, nga Deti i Veriut dhe deri në thellësi të Orientit Islam, në Jemen e Iran. Karriera e tij e gjatë në diplomacinë osmane e bën Turhan Pashë Përmetin të ketë një jetëshkrim profesional mjaft të gjatë (BOA: DH, SAID. regjistri 47/165; regjistri 80/137). Ismail Qemali në Kujtimet e tij shprehet qartë se ishte kjo njohje ndërkombëtare që ai gëzonte dhe, siç e dëshmon edhe ky dokument, personaliteti i tij i fuqishëm si menaxhues situatash të vështira cilësitë e spikatura, që e vendosën Turhan Pashën në qendër të zgjedhjes së tij si kryeministër të një shteti në ri, por problematik që po lindte në zemër të Europës. Si nëpunës i perandorisë ishte i pranuar për Stambollin, i cili ende kishte shumë ndikim në tokat shqiptare; po ashtu, falë shërbimit diplomatik në San Petërsburg kishte njohje personale me carin e Rusisë, madje kishte fituar edhe miqësinë e tij. Si koleg i ministrit të Jashtëm austro-hungarez, Berthold, kur të dy ishin diplomatë të lartë në San Petërsburg, ishte ky i fundit që e rekomandoi pranë Fuqive të Mëdha që të ishte kryeministër i Principatës Shqiptare të Princ Vidit. Ndërsa Vidi ishte fryt i kompromisit të sallave të konferencave, Turhan Pasha ishte produkt i njohjeve të tij me krerët më të fuqishëm botërorë, veçse jo brenda sallave të diplomacive. Vidi ishte princi i kompromisit të zhurmshëm, kurse Turhan Pasha njeriu i kompromisit të heshtur. Të dy krijonin balancën e duhur mes Lindjes dhe Perëndimit. Ndërsa Vidi ishte me plot kuptimin e fjalës fasada europiane e Shqipërisë së re postosmane, ashtu siç e kërkonin Fuqitë e Mëdha, Turhan Pasha, ndonëse i kaluar në moshë, ishte caktuar që me përvojën e tij të gjatë të ndihmonte sadopak menaxhimin e situatës së vështirë në Shqipëri.

    JETËSHKRIMI
    Turhan Hysni bej, i biri i Jahja beut, nga familjet e mëdha të qytezës së Përmetit, në vilajetin e Janinës. Ka lindur në qytetin e Tërhallës (sot në Greqi) në vitin 1262 të kalendarit Hixhri [apo] në vitin 1262 sipas kalendarit financiar/ 31.12.1845-19.12.1846. Në medresetë e Janinës mësoi arabisht dhe persisht, kurse në shkollën greke me emrin Zosimea që gjendet në këtë qytet, është diplomuar duke marrë njohuritë themelore të shkencave. Më pas, ka vazhduar Fakultetin e Drejtësisë në Athinë. Nga disa pedagogë privatë ka marrë njohuri mbi të drejtën ndërkombëtare, mbi të Drejtën Romake, mbi historinë e hartimit dhe të nënshkrimit të të gjitha marrëveshjeve duke filluar nga Paqja e Vestfalisë (1648) e deri në vitin 1815 [Kongresi i Vjenës] dhe njohuri mbi ekonominë ndërkombëtare. Shkruan turqisht dhe frëngjisht; di shqip, greqisht, italisht dhe pak spanjisht… Me një pagë prej 2000 groshësh, emërohet sekretar i dytë në Ambasadën Perandorake [Osmane] në San Petërsburg. Më 15.08.1871, me një pagë prej 3300 groshësh, u emërua kryesekretar në ambasadën e lartpërmendur. Nga 22.03.1873 deri më 20.05.1873, me një pagë prej 10.000 groshësh, duke u gjendur në detyrën e të ngarkuarit me punë pranë kësaj ambasade, deri më 25.02.1873, kreu edhe detyrën e sekretarit. Më 23.03.1874, me një pagë prej 3130 groshësh, kaloi si kryesekretar në Ambasadën Perandorake në Berlin. Më 27.12.1876, me një pagë prej 12.000 groshësh, iu shtua edhe detyra e të ngarkuarit me punë pranë kësaj ambasade. Në datën 22.06.1877 iu ndërpre paga e të ngarkuarit me punë [pranë kësaj ambasade]; më 30.08.1877, me një pagë prej 5625 groshësh, u emërua në detyrën e të ngarkuarit me punë në Ambasadën Perandorake në Vjenë. Këtë detyrë e kreu deri në 22.10.1877. Më 8.12.1877, me një pagë prej 20.000 groshësh, kaloi si nëpunës pranë Ambasadës Perandorake në Romë dhe në 9.12.1877 u largua nga kjo detyrë. Më 2.04.1881, me një pagë prej 5.000 groshësh, iu dha posti i guvernatorit të sanxhakut të Tekes [Anadolli Jugor]; më 1.04.1886, me të njëjtën pagë, iu dha posti i guvernatorit të sanxhakut të Urfës [Anadolli Juglindor].
    TITUJT
    Për merita në detyrat e lartpërmendura, më 11.11.1868 iu akordua grada e tretë [diplomatike]; më 23.08.1871, iu dha grada e dytë, klasi i dytë; më 8.03.1874, grada e dytë, klasi i parë; më 2.05.1877, grada e parë, klasi i dytë; në 11.09.1877, grada e parë, klasi i parë; më 16.09.1893, iu dha grada e lartë [diplomatike]. Më 10.06.1870 iu akordua grada e pestë e Medaljes së Lartë Mexhidije; më 24.08.1871, e katërta; më 6.01.1875, e treta; më 26.11.1877, e dyta; më 1.12.1879, iu akordua grada e parë e kësaj medaljeje të lartë. Sipas kalendarit Gregorian, më 30 prill 1871 shteti rus i dha medaljen Shën Ana, klasi i tretë; Më 1 mars 1874 shteti i lartpërmendur i dha medaljen Shën Stanislas, klasi i dytë. Më 19 nëntor 1877 shteti prusian i dha medaljen Pena e Kuqe, klasi i dytë. Më 6 prill 1881 shteti italian i dha medaljen Morris de Lazar, klasi i parë. Më 7 nëntor 1888, qeveria e Portugalisë i dha medaljen Villa Viskoza, klasi i parë… Me ardhjen në Stamboll me leje, personalitetit të lartpërmendur, ashtu siç ishte praktika, iu dha dieta/shpenzime udhëtimi prej 200 florinjsh osmanë në 3.10.1893, dhe iu akordua urdhri sulltanor për mirënjohje [në shërbim të sulltanit]. Personalitetit të lartpërmendur më 23.12.1893 iu akordua Medalja e Lartë Osmane, klasi i parë.
    AMBASADOR NË PARIS
    Personaliteti i lartpërmendur, më 10.04.1894, u emërua ambasador me përfaqësim në Paris, ambasadë e cila qysh prej shumë kohësh ishte në varësi të ambasadës perandorake në Madrid. Për shkak të shpenzimeve në rritje gjatë kohës që qëndronte në Paris, paga e personalitetit të lartpërmendur në cilësinë e ambasadorit të perandorisë në Madrid rezultoi e pamjaftueshme; në datë 12.04.1894, u urdhërua që ai të marrë një rrogë përfaqësimi [si ambasador përfaqësues në Paris] prej 15.000 groshësh shtesë mbi pagën që merr në cilësinë e ambasadorit [osman] në Madrid. Kështu, pagës reale të ambasadorit të perandorisë në Madrid iu bë një rritje prej 15.000 groshësh; ndërkohë, ambasadori i lartpërmendur e ka pagën ekskluzivisht prej 10.000 groshësh; kurse, fondi prej 5.000 groshësh nga fondi special prej 10.000 groshësh, si rregull, do t’i jepet personit që do të ushtrojë detyrën e të ngarkuarit me punë pranë kësaj ambasade; pjesa e mbetur prej 15.000 groshësh që iu shtua 15.000 groshëve, iu dhanë vetë ambasadorit [Turhan Pashës] për shpenzime udhëtimesh. Të gjitha këto veprime u kryen me urdhrin perandorak të datës 9. 05.1894, i cili i referohet dokumentit përkatës lëshuar nga Ministria e Jashtme.
    VEZIRI I SULLTANIT
    Personaliteti i lartpërmendur, ende pa shkuar në Paris për të përmbushur detyrën e ambasadorit përfaqësues në ambasadën perandorake, më 29.07.1894, me një rrogë prej 30.000 groshësh, u emërua në postin e guvernatorit të komanduar të vilajetit të Kretës. Për të shkuar atje iu dhanë si shpenzime udhëtimi posaçërisht 400 florinj osmanë. Për shkak të aftësive dhe të kapacitetit [intelektual] në çështjet administrative dhe politike, personalitetit të lartpërmendur, krahas njoftimit të lartë për emërimin e tij në postin e guvernatorit të komanduar të vilajetit të Kretës, iu dha edhe grada e lartë e vezirit… Shkëlqesisë së tij, personalitetit të lartpërmendur, shteti i Spanjës i ka akorduar medaljen Izabela Katolike, klasi i parë; me pranimin nga ana e tij [Turhan Pashës], siç e kërkon procedura [burokratike osmane], me lejen perandorake lëshuar prej vetë sulltanit, më 17.10.1894, u pa e përshtatshme që ai ta marrë këtë medalje. Shkëlqesia e tij, personaliteti i lartpërmendur, më 3.03.1895, u largua nga kjo detyrë, pasi në postin e guvernatorit të komanduar të Kretës u emërua shkëlqesia e tij, Aleksandër Pasha, ish-guvernatori i ishullit Samos. Shkëlqesia e tij, personaliteti i lartpërmendur, më 11.04.1895 u caktua kryetar i komisionit të nivelit të lartë që u krijua pranë Sarajit Perandorak për të inspektuar dhe verifikuar të ardhurat nga territoret osmane.
    Shkëlqesisë së tij, personalitetit të lartpërmendur, më 9.06.1895, me një rrogë prej 30.000 groshësh, iu akordua posti i inistrit të Punëve të Jashtme, por njëkohësisht duke qëndruar në krye të komisionit të lartpërmendur….
    Më 10.09.1895, Ministria e Financave i ka lidhur një pagë pritjeje prej 20.000 groshësh personalitetit të lartpërmendur, çka tregohet në një dokument-përgjigje të kësaj Ministrie të datës 1.02.1899. Për kapacitetin dhe fuqinë menaxhuese që e karakterizon, personaliteti i lartpërmendur u emërua guvernator i vilajetit të Kretës, me një pagë prej 30.000 groshësh, me vendim të marrë në një mbledhje të posaçme të Këshillit të Ministrave dhe në përputhje me vullnetin e sulltanit, në cilësinë e kreut të Kalifatit Islam, përmes dokumentit përkatës, lëshuar më 4.03.1896. Pagesa e shpenzimeve të udhëtimit prej 500 lirash për personalitetin e lartpërmendur u urdhërua të kryhej me vullnetin e sulltanit, më 5.03.1896. Për shkak se është bërë domosdoshmëri që posti i guvernatorit dhe i komandantit ushtarak të vilajetit të Kretës të ishte në të njëjtën dorë, personaliteti i lartpërmendur u largua nga detyra [e guvernatorit të Kretës] me vendim të marrë në një mbledhje të posaçme të Këshillit të Ministrave dhe në përputhje me urdhrin e sulltanit, të datës 18.05.1896. Më 25.06.1896, personalitetit të lartpërmendur iu caktua një pagë pritjeje prej 20.000 groshësh. Më 19.01.1897, personaliteti i lartpërmendur u emërua anëtar i Zyrës Administrative, pranë Këshillit të Shtetit. Paga e personalitetit të lartpërmendur, më 13.03.1897, zyrtarisht ra në 18.000 groshë. Për shkak të shërbimeve me kompetencë tepër lart, personalitetit të lartpërmendur më 12.11.1898 iu akordua Medalja e Lavdishme e Krenarisë.

    MEDALJET MË TË LARTA
    • Personaliteti i lartpërmendur e pranoi medaljen e Luanit dhe Diellit, të akorduar nga shkëlqesia e tij, Shahu i Iranit, dhe siç e kërkon procedura [burokratike osmane], me lejen perandorake lëshuar prej vetë sulltanit më 2.10.1900 u pa e përshtatshme që ai ta marrë këtë medalje.
    • Personaliteti i lartpërmendur e pranoi medaljen Daniel Doromani, klasi i parë, të akorduar nga shteti i Rumanisë, dhe siç e kërkon procedura [burokratike], me lejen perandorake lëshuar prej vetë sulltanit më 3.10.1900 u pa e përshtatshme që ai ta marrë këtë medalje.
    • Personaliteti i lartpërmendur e pranoi medaljen Aleksandër Fovovski, të akorduar nga shkëlqesia e tij, perandori i madhërishëm i Rusisë, dhe siç e kërkon procedura [burokratike], me lejen perandorake lëshuar prej vetë sulltanit më 13.11.1900, u pa e përshtatshme që ai ta marrë këtë medalje.
    • Për shkak se shërbimet perandorake i ka kryer me një klas tepër të lartë, më 14.02.1901, iu akordua Medalja e Lartë Mexhidije.
    • Personaliteti i lartpërmendur e pranoi Medaljen e Penës, të akorduar nga shkëlqesia e tij, i madhërishmi perandori i Gjermanisë, dhe siç e kërkon procedura [burokratike], me lejen perandorake lëshuar prej vetë sulltanit më 27.03.1901 u pa e përshtatshme që ai ta marrë këtë medalje.
    • Personaliteti i lartpërmendur e pranoi Medaljen e Meritës, klasi i parë, të akorduar nga shkëlqesia e tij, i madhërishmi Duka i Madh i Oldenburgut, Frederik August, dhe siç e kërkon procedura [burokratike], më 6.04.1902, u pa e përshtatshme që ai ta marrë këtë medalje.

      Fan Noli

      Jeta e tij është krejt e veçantë dhe e vrullshme. Lëvizje, studime, lexime, përpjekje atdhetare të pareshtura.  Noli lindi më 6 janar 1882 në Qytezë (turqisht: Ibrik Tepe), një fshat shqiptar në Trakë, jo shumë larg nga Edreneja. Si disa fshatra të tjera të asaj krahine të banuar me shqiptarë, Qyteza kishte ruajtur me kohë gjuhën, doket dhe kostumet e të parëve. Noli e konsideronte fisin e vet me prejardhje nga Qyteza e Kolonjës. I ati i tij, Stiliani, ndonëse trashëgoi tokë si pronë, nuk u mor me bujqësi, por shërbeu si psalt në kishën e fshatit. E ëma, Maria, ishte shtëpiake. Familja u shtua shumë dhe erdhi një kohë që jetesa u bë e vështirë për të. Sa qe i mitur. Noli hoqi sëmundje të rënda, prandaj shkollën e nisi me vonesë. Shkollën fillore dhe të mesme i bëri në gjuhën greke në Heybeliada, Stamboll. Por tek ai ndikoi më shumë krenaria e fshatit shqiptar për të kaluarën historike dhe dashuria për shkrimin shqip kundrejt ndikimit të mbrapshtë politike që donte të kishte Patriarkana Ortodokse tek ortodoksët e kombësive të ndryshme, veçanërisht shqiptarët. Në vitin 1900 shkoi në Greqi me qëllim që të nxirrte jetesën dhe të ndiqte fakultetin e filozofisë. Në Athinë u lidh me një shoqëri belge, e cila zotëronte tramvajet me kuaj. Por nuk i eci mbarë, dhe as studimet nuk i kreu. Atëherë u hodh në punë të tjera si kopist, sufler dhe aktor pranë një trupe greke teatrale shëtitëse që shfaqej dhe në skelën e Galatës.[4] Tek punonte atje, iu ngjall dëshira për t’u marrë me dramaturgji duke shkruar dramën “Zgjimi”, në greqisht, (e cila u ndalua të shfaqej sepse aludonte për lëvizjen shqiptare për liri). Më 1903 shkoi në Egjipt, ku filloi punë si mësues i greqishtes për dy vjet (mars 1903-mars 1905). Kohë kur përkthen në greqisht veprën e Sami Frashërit ”Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” që u botua në shtypshkronjën shqipe në Sofje. Në korrik-gusht të 1903, ai nisi të botojë të parat skica letrare në revistën “Numas”.

      Drejt Amerikës

      Në prill 1906, me një biletë avulloreje të klasit të dytë, paguar nga bashkatdhetari që kishte njohur n’Egjipt Spiro Dine, Fan Noli u nis për në Botën e Re duke kaluar nga Napoli dhe mbërriti në Nju Jork më 10 maj. Për njohuritë e tij gjuhësore do dërgohej në një mision rus në Amerikë. Pasi ndenji tre muaj në Buffalo, ku punoi në një kombinat lënde drusore, Noli shkoi në Boston. Atje botuesi Sotir Peçi i dha një punë si zëvendës-redaktor i gazetës së Bostonit “Kombi”, ku punoi deri në maj 1907 dhe ku botoi artikuj me pseudonimin Ali Baba Qyteza. Tensioni që ndjenin shqiptarët ortodoksë nga ndikimi i Kishës Greke mbërriti kulmin gjatë varrimit të një patrioti shqiptar, të cilit prifti grek nuk pranonte t’i kryente shërbesat e fundme. Me nismën e vet Noli thirri një mbledhje të shqiptarëve ortodoksë nga mbarë Nju Englandi, ku delegatët vendosën të themelojnë Kishën Ortodokse Autoqefale (autonome) Shqiptare, me Nolin si klerikun e saj të parë.

      Në moshën njëzetegjashtë vjeçare, Fan Noli u bë dhjak

      Më 9 shkurt 1908, në moshën njëzetegjashtë vjeçare, Fan Noli u bë diakon (dhjak) në Bruklin, kurse më 8 mars 1908 Platoni, kryepeshkopi ortodoks rus i Nju Jorkut, e shuguroi si prift ortodoks. Vetëm dy javë më vonë, më 22 mars 1908, Noli i ri krenar mbajti për herë të parë liturgji në gjuhën shqipe, në Knights of Honor Hall në Boston. Ky ishte hapi i parë drejt organizimit dhe njohjes zyrtare të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.

      Gazeta “Dielli”

      Nga shkurti 1909 deri në korrik 1911 Noli botoi gazetën “Dielli”, zëdhënëse e bashkësisë shqiptare të Bostonit. Më 10 gusht 1911 ai u nis për në Europë, ku ndenji katër muaj dhe kreu shërbesa kishtare në gjuhën shqipe për kolonitë në Kishinjov, Odesë, Bukuresht dhe Sofje.

      Me Faik bej Konicën

      Më 28 prill 1912, bashkë me Faik bej Konicën është ndër themeluesit kryesor të shoqatës pan-shqiptare “Vatra” (në fillim më 6 janar 1907 shoqatën “Besa-Besë” me sekretar Kol Tromarën, që u shkri me Vatrën) bashkë me organin e saj të shtypit “Dielli” i Bostonit, gjithashtu dhe “Shkopi” i Kairos që lëvizën kundër një artikulli të Mit’hat Frashërit në shtypin e Selanikut. Nga viti 1908 deri më 1912 kryen studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit, të cilat i përfundon me cum laude në Bachelor of Arts. Pas shpalljes së Pavarësisë, Noli përkrahu qeverinë e kryesuar nga Ismail Qemali. Në marsin e vitit 1913 ai mori pjesë, në Kongresin Shqiptar të Triestes, i organizuar nga shoku dhe rivali i tij Faik bej Konica.

      Shërbesa e parë kishtare ortodokse në gjuhën shqipe

      Në korrik 1913 Fan Noli shkoi për herë të parë në Shqipëri ku mbajti shërbesën e parë kishtare ortodokse në gjuhën shqipe në vend më 10 mars 1914, në prani të princit Vilhelm zu Vid, i cili kishte mbërritur në Durrës vetëm tri ditë më parë me një anije austro-hungareze. Në gusht 1914 Noli qëndroi për një farë kohe në Vjenë, por me afrimin e reve të zeza të luftës, u kthye në Shtetet e Bashkuara në maj 1915. Nga 21 dhjetori 1915 deri më 6 korrik 1916, u bë përsëri kryeredaktor i “Diellit” të Bostonit, tashmë gazetë e përditshme. Në korrik 1917 u bë edhe një herë kryetar i FederatësVatra.

      Fondet e Vatrës, për njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Shqipërisë

      Me fondet e Vatrës, të mbledhura nën drejtimin e Nolit, u dërguan në Paris, Londër dhe Uashington delegatë shqiptaro-amerikanë për të promovuar njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Shqipërisë. Më 24 mars 1918, Noli u caktua administrator i Kishës Ortodokse Shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe në fillim të korrikut të atij viti mori pjesë në një konferencë për popujt e shtypur në Mount Vernon, Virxhinia, ku u takua me Presidentin Udrou Uillson, përkrahës i të drejtave të pakicave në Evropë. Më 27 korrik 1919 Noli u emërua peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, që tashmë ishte dioqezë e pavarur. Një vit më pas, duke pasur parasysh rritjen e figurës së Nolit si udhëheqës politik e fetar i bashkësisë shqiptare dhe si shkrimtar, orator dhe komentator politik i talentuar, ishte e logjikshme që ai të zgjidhej kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku arriti ta anëtarësonte Shqipërinë më 17 dhjetor 1920. Gazeta The Manchester Guardian, në një koment më 23 korrik 1924, e përshkruante Nolin si një burrë që do të kishte qenë i shquar në çdo vend. Diplomat i përkryer, ekspert i politikës ndërkombëtare, mjeshtër i debatit, që prej fillimit ai la mbresa të thella në Gjenevë. Me shumë mjeshtëri, por gjithmonë me buzë në gaz, ai i vuri me shpatulla pas murit të gjithë kundërshtarët e tij ballkanas. Ai është një njeri me kulturë të pamasë, që ka lexuar çdo gjë që ia vlen të lexohet në anglishte dhe frëngjishte.

      Jeta Parlamentare

      Me zgjedhjet e mbajtura më 5 prill 1921 zgjidhet deputet i Kolonisë së Amerikës në legjislaturën e dytë (21 prill 1921 – 30 shtator 1923). Shërbeu si ministër i Jashtëm në qeverinë e Xhaferr Ypit, pas pak dha dorëheqjen. Kryetar i Partisë Popullore, e majta e asaj kohe, kundrejt Partisë Përparimtare. Përkrah Luigj Gurakuqit dhe Stavro Vinjaut është ndër oratorët më shpotitës të foltores parlamentare. Më 21 nëntor 1923, u shugurua peshkop i Korçës dhe mitropolit i Durrësit në Durrës. Më 27 dhjetor 1923 zgjidhet deputet i Korçës. Më 12 prill 1937, Nolit iu plotësua ëndrra e madhe për një kishë kombëtare shqiptare kur Patrikana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Noli nuk u mjaftua vetëm me detyrat kishtare dhe filloi studimet pasuniversitare në Universitetin e Bostonit, ku mori doktoratën më 1945 me një disertacion për Skënderbeun. Në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, Noli pati marrëdhënie pak a shumë të mira me regjimin e ri komunist në Tiranë dhe ushtroi ndikimin e vet për ta bindur qeverinë amerikane që ta njihte atë. Më 1953, në moshën shtatëdhjetë e një vjeç, Fan Nolit iu dhurua shuma prej 20 000 dollarësh nga Federata Vatra, me të cilën bleu një shtëpi, në Fort Lauderdale Florida, ku vdiq më 13 mars 1965. Fan Noli është varrosur në Forrest Hill Cemetery, të Bostonit.[3] Kisha Autoqefale që kishte krijuar u bë më vonë Kryedioqeza ortodokse shqiptare në Amerikë e Kishës ortodokse në Amerikë.

        Këshilli i Naltë (25 tetor 1943 – 25 tetor 1944)

        Në historinë e Shqipërisë, janë dy periudha që njohin si kryetar shteti organin kolegjal e quajtur me emrin Këshilli i Naltë. Periudha e parë është ajo e 31 janar 1920 – 21 janar 1925, kur Shqipëria ishte mbretëri dhe Mbreti Wilhelm von Wied nuk ndodhej në vend, dhe periudha e dytë ishte ajo 25 tetor 1943 – 25 tetor 1944, kohë kur pas kapitullimit të Italisë, në Shqipëri u rishpall pavarësia dhe u rinjoh kushtetuta e vitit 1928 dhe kur detyrat e kryetarit të shtetit i ushtroi organi i quajtuar Këshilli i Naltë i Regjencës.

        Zgjedhjet për në organin legjislativ të shtetit, i quajtur ky Kuvendi Kushtetues, përfunduan më 1 tetor 1943. Për shkak të rrethanave të luftës, deputetët u zgjodhën nga këshillat bashkiake përkatëse. Më 22 tetor 1943, Kuvendi Kombëtar miratoi dhe dekretoi 5 vendime të tij që bënë të mundur:

        – Shfuqizimin e vendimeve të Asamblesë së 12 prillit 1939, e cila kishte “votuar” për “bashkimin personal” midis Shqipërisë dhe Italisë.

        – Abrogimin e të gjitha ligjeve që binin në kundërshtim me vendimin e 22 tetorit 1943.

        – Caktimin e institucionit të Këshillit të Naltë të Regjencës për aq kohë sa do të zgjaste lufta, si dhe ushtrimin prej tij të pushtetit ekzekutiv. Po ashtu Këshilli i Naltë i Regjencës ushtronte bashkarisht me Parlamentin pushtetin legjislativ.

        – Rifuqizimin e Statutit Themeltar të Mbretërisë Shqiptare të vitit 1928.

        Pas deklaratës së shpalljes së pavarësisë së 14 shtatorit 1943 nga Komiteti Ekzekutiv i Përkohshëm, kryesia e këtij komiteti, organizoi zgjedhjet e 1 tetorit 1943 për Kuvendin Kombëtar, i cili i mblodh më 16 tetor 1943. Këshilli i Naltë u formua si organ i përkohshëm që zëvendësonte mbretin për aq kohë sa ky nuk ndodhej në Shqipëri.

        Ligji për Këshillin e Naltë u miratua nga Kuvendi Kushtetues më 21 tetor 1943. Ai kishte 15 nene dhe i jepte këtij organi kompetencat e kryetarit të shtetit, si drejtimin e Komandës së Përgjithshme të Fuqive të Armatosura, emërimin e nëpunësve të lartë të shtetit, dekretimin e ligjeve, traktateve, etj. Këshilli i Naltë nuk kishte të drejtë të shpallte luftën pa miratimin e Parlamentit veç në rastin kur kishim të bënim me vetëmbrojtjen e atdheut. Kryetari i Këshillit të Naltë ishte me rotacion për një periudhë 3 mujore. Atributet e tjera, ushtroheshin sipas kushtetutës së miratuar më 1 dhjetor 1928.

        Më 25 tetor 1943, Kuvendi Kombëtar zgjodhi si anëtarë të Këshillit të Naltë, Mehdi Frashërin, Lef Nosin, Fuat Dibrën dhe Padër Anton Harapin. Ky i fundit asistoi në të gjitha mbledhjet e zhvilluara me praninë e Këshillit të Naltë, porse u betua më 13 janar 1944 pasi kishte marrë edhe lejen e Papës.

        Çarja e parë në gjirin e Këshillit të Naltë zë fill me krizën qeveritare. Kryetari i Këshillit të Naltë Mehdi Frashëri, në emër të institucionit të lartë të shtetit, pranoi dorëheqjen e kryeministrit Rexhep Mitrovica më 16 qershor 1944. Pak ditë më vonë, kryeministri Rexhep Mitrovica mori pjesë në kongresin e Kryqit të Kuq Shqiptar. Kriza qeveritare vazhdoi për shumë ditë dhe përfshiu edhe Këshillin e Naltë, duke shtuar mosmarrëveshjet brenda tij, ku Padër Anton Harapi dha dorëheqjen dhe Lef Nosi kërkoi letërdelegimin e kompetencave deri sa të pranohej dorëheqja e tij. Regjenti i parë nuk pranoi të rikthehej më në detyrë, ndërsa Lef Nosi vazhdoi detyrën pasi letërdelegimi u cilësua si i paligjshëm. Megjithatë Parlamenti vazhdoi t’i kërkojë pa sukses Padër Anton Harapit rikthimin e tij në detyrë dhe vendi i tij mbeti bosh e nuk u zëvendësua kurrë.

        Vdekja e regjentit Fuat Dibra më 22 shkurt 1944, la një vend të paplotësuar në këtë organ kolegjal që kryente detyrat e kryetarit të shtetit. Pasi Ibrahim Biçakçiu kishte refuzuar të zinte vendin vakant, Këshilli i Naltë i Regjencës emëroi më 25 qershor 1944 pa pëlqimin e Parlamentit, ish-kryeministrin Rexhep Mitrovica, i cili vazhdonte të mbetej në detyrë deri në zgjedhjen e kryeministrit të ri. Situata në fjalë krijoi një acarim institucional midis Regjencës dhe Parlamentit, aqsa detyroi Rexhep Mitrovicën të jepte dorëheqjen më 10 korrik 1944, për t’i shërbyr në këtë mënyrë zgjidhjes së shpejtë të krizës.

        Në këto rrethana, Cafo Ulqinaku u zgjodh nga Parlamenti më 10 korrik 1944 anëtar i Këshillit të Naltë të Regjencës në vend të Fuat Dibrës, duke pasuar në fakt Rexhep Mitrovicën .

        Qeveria Dine u votëbesua në Parlament më 24 korrik 1944. Kryeministri theksoi se “ndodhja e trupave gjermane në Shqipëri ka karakter të përkohshëm të caktuem nga kushtet e luftës”. Ai tha gjithashtu se qeveria e tij do të kishte vëmendjen tek ideali kombëtar, duke pasur shpëtimi sa të ishte e mundur nga katastrofa. Qeveria Biçakçiu u votëbesua më 14 shtator 1944. Kryeministri tha se në fjalën e tij se qeveria e tij nuk do t’i kërkonte popullit asnjë sakrificë të cilën nuk do ta bënte ajo e para. “Arma jonë më e mirë, tha kryeministri, do të jetë dashunija për atdhe”.

        Hyrja e ushtrisë çlirimtare në Tiranë e detyroi Këshillin e Naltë të Regjencës dhe qeverinë të ndërprisnin veprimet e tyre dhe të vendoseshin në Shkodër, ku më 18 tetor 1944 zhvilluan një mbledhje në bashkinë e qytetit. Në mbledhjen e Shkodrës pati dy grupime: njëri ishte për largimin jashtë atdheut dhe tjetri për të qëndruar në Shqipëri. Cafo Ulqinaku, Lef Nosin, Anton Harapin, Ibrahim Biçakçiun, etj, pëlqyen të mos largohen nga atdheu.

        Enver Hoxha

        Lindi më 16 Tetor 1908 në Gjirokastër. Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes Liceun e nisi në vendlindje më 1924 por më pas e vijoi në Liceun e Korçës më 1927-1930. Vitet e qëndrimit në Korçë luajtën rol të rëndësishëm për formimin dhe edukimin komunist të Enver Hoxhës. Në tetor 1930 Enver Hoxha përfitoi një bursë për të studiuar biologji në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Montpeljesë, Francë. Në mars të vitit 1934 i ndërpritet bursa dhe ai shkon në Paris ku qëndron deri nga fundi i vitit 1935. Gjatë kohës që ndodhej në Paris Hoxha mori pjesë në takimet e Grupit Komunist të Shqiptarëve. Në korrik të vitit 1936 Enver Hoxha kthehet përfundimisht në Shqipëri duke punuar si mësues në Liceun e Korçës. Pas kësaj ai shkon në Tiranë mori pjesë në degën e grupit komunist të Korçës që vepronte në Tiranë. Mbledhja themeluese nga (8-14 nëntor 1941) e zgjodhi Enver Hoxhën anëtar të Komitetit Qendror të Përkohshëm dhe ai u ngarkua me drejtimin e punëve të KQ të Përkohshëm.

        Në krye të KQ të Partisë, Enver Hoxha përpunoi dhe udhëhoqi zbatimin e vijës ushtarake të PKSH për organizimin dhe zgjerimin e kryengritjes së armatosur në të gjitha anët e vendit dhe për krijimin, në luftë e sipër, të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare.

        Disa nga funksionet politike të Enver Hoxhës kanë qënë:

        – Sekretar i Përgjithshëm i KQ të PKSH 1943-1948.

        – Sekretar i Parë i KQ të PPSH-së 1948-1985.

        – Kryeministër i Shqipërisë me mandat nga 22 tetori i vitit 1944 gjer më 10 janar të vitit 1946 si pjesë e kabinetit të parë komunist.

        – Kryetar i Këshillit të Ministrave me mandat nga 22 marsi i vitit 1946 gjer më 30 qershor të vitit 1950.

        – Ministër i Jashtëm i Shqipërisë me mandat nga 22 marsi i vitit 1946 gjer më 30 qershor të vitit 1950.

        – Kryetar i Këshillit të Ministrave me mandat nga 5 korriku i vitit 1950 gjer më 23 korrik të vitit 1953.

        – Ministër i Jashtëm i Shqipërisë me mandat nga 5 shtatori i vitit 1950 gjer më 23 shtator të vitit 1953.

        – Kryetar i Këshillit të Ministrave me mandat nga 23 korriku i vitit 1953 gjer më 19 korrik të vitit 1954.

        Vitet e fundit të jetës së Hoxhës ishin rënduar për shkak të diabetit që i ishte diagnostikuar shumë vite më parë, ai pëson një infarkt në zemër në vitin 1972, më pas një tjetër në vitin 1973, këto dy infarkte e rënduan akoma shumë shëndetin e tij. Fillimi i prillit do të shënojë edhe fundin e jetës së tij, vdes më 11 prill 1985.

         

          Dr. Omer Nishani

          Omer Nishani ka lindur më 1887. Ka qënë diplomuar për mjekësi në Turqi. Në vitet 1920 – 24 ka ushtruar profesionin e mjekut në Shqipëri, por largohet nga vendi pas dështimit të qeverisë të Fan Nolit në dhjetorin e 1924. Në Vjenë ka qënë bashkëthemelues i Komitetit Nacional Revolucionar (KONARE)

          Në kongresin e Përmetit të majit 1944, Omer Nishani u zgjodh kryetar i Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar. Njëkohësisht në Komitetin Antifashist Nacional Çlirimtar që kryesohej nga Enver Hoxha në tetor 1944, Omer Nishani mori postin e ministrit të Punëve të Jashtme, detyrë që e ushtroi deri më 9 shkurt 1946. Në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, u zgjodh deputet i Gjirokastrës. Më 12 janar 1946, pasi Shqipëria ishte shpallur republikë, Nishani u zgjodh President i Presidiumit të Kuvendit Popullor, funksion që embajti deri në deri më 31 korrik 1953. Ai u zgjodh sërish deputet i Gjirokastrës në Kuvendin Popullor, të dalë nga zgjedhjet e datës 28 maj 1950.

          Omer Nishani ka vdekur në 25 maj 1954. Sipas një dosje të Ministrisë së Brendshme autopsia e kryer vërteton se Nishani ishte vetvrarë.

          Haxhi Lleshi

          Haxhi Lleshi lindi më 19 tetor të vitit 1913 në Dibër. Studimet e larta I ka kryer në Universitetin e Beogradit. Ka qënë politikan shqiptar dhe Ministër i Brendshëm i Shqipërisë në kabinetin e Enver Hoxhës me mandat nga 22 tetori i vitit 1944 gjer më 10 janar të vitit 1946 dhe nga 11 janari i vitit 1946 gjer më 18 mars të vitit 1946.

          Haxhi Lleshi ishte pjesëmarrës aktiv dhe njė nga drejtuesit kryesor tė Luftės Antifashiste Nacionalçlirimtare në zonën e Dibrës. Pas çlirimit ai mbajti postin e kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor prej 1 gusht 1953 deri më 21 nëntor 1982. Ka qënë deputet në Kuvendin e Shqipërisë në të gjitha legjislaturat e periudhës komuniste si dhe në legjislaturën e parë që doli nga zgjedhjet pluraliste të vitit 1991.

          Zoti Haxhi Lleshi vdiq më 1 janar të vitit 1998.

            Ramiz Alia

            Lindi më 1925 në Shkodër. I diplomuar në shkollën e Partisë në Moskë (1954), Ramiz Alia ishte një nga figurat më të rëndësishme të Partisë së Punës së Shqipërisë, e cila udhëhoqi Shqipërinë gjatë viteve 1944 – 1990. Gjatë kësaj periudhe Ramiz Alia kreu detyra të larta në drejtimin e PPSH-së, rrjedhimisht edhe të shtetit shqiptar.

            Detyrat e tij më të rëndësishme ishin: Sekretar i Parë i KQBRPSH-së (1949- 1955), Ministër i Arsimit dhe Kulturës (1955-1958), anëtar i Byrosë Politike dhe Sekretar i Komitetit Qendror të PPSH-së për ideologjinë (1961-1985), deputet, Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor (1982-1990), Sekretar i Parë i KQ të PPSH-së (1985-1991) dhe Kryetar i Këshillit Presidencial (1991).

            Pas zgjedhjeve të para shumëpartiake në Shqipëri të zhvilluara më 31 mars 1991, parlamenti i ri pluralist i dominuar nga deputetët e PPSH-së, më 30 prill 1991 me propozim të PPSH-së e zgjodhi zotin Ramiz Alia, President të Republikës. Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 22 marsit 1992 ku fitoi koalicioni i opozitës, më 3 prill 1992 zoti Alia dha dorëheqjen nga posti i Presidentit.

            Ramiz Alia ndërroi jetë më 7 tetor 2011.

            Sali Berisha

            Lindi më 15 tetor 1944 në Tropojë. U diplomua me rezultate të shkëlqyera në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë në vitin 1967. Pasi përfundoi me sukses studimet e avancuara në Paris, në Francë, drejtoi një program kërkimor në Hemodinamikat. Më 1986 u zgjodh anëtar i Komitetit Evropian për Kërkime në Shkencat Mjeksore. Gjatë viteve të mësimdhënies në UT në vitet 1980- 1990, Sali Berisha publikoi libra studimorë, tekste universitare dhe shumë artikuj shkencorë në fushën e kardiologjisë brenda dhe jashtë vendit. Zoti Berisha mban titullin shkencor “Profesor Doktor”.

            Karriera politike e Prof. Dr. Sali Berishës nisi me Lëvizjen Studentore të Dhjetorit 1990. Më parë ai u bë i njohur me kritikat e tij publike ndaj sistemit të vjetër dhe kërkesën për demokratizim të vendit. Më 1991 Sali Berisha u zgjodh Kryetar i Partisë Demokratike, për t’u rizgjedhur edhe më 1997-ën e në vazhdim. Është zgjedhur deputet në Kuvendin e Shqipërisë më 1991, 1992, 1997, 2001, 2005 dhe 2009.

            Pas fitores në zgjedhje të koalicionit opozitar të drejtuar prej tij, Prof. Dr. Berisha më 9 prill 1992 u zgjodh President i Republikës, detyrë në të cilën u rizgjodh edhe më 3 shkurt 1997. Dha dorëheqjen nga posti i Presidentit një muaj pas humbjes në zgjedhje të PD-së dhe fitores së koalicionit të majtë.

            Pas tetë vitesh në opozitë, Prof. Dr. Sali Berisha ne periudhen 2005-2013 është Kryeministër i Shqipërisë, njëherësh Kryetar i PD-së, partisë më të madhe të koalicionit qeverisës.

            Zoti Berisha është i martuar me znj. Liri Berisha dhe kanë dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë.
            Prof. Dr. Sali Berisha zotëron gjuhët angleze, frënge, italiane dhe ruse.

              Prof. Dr. Rexhep Meidani

              Lindi më 17 gusht 1944 në Tiranë. U diplomua në Universitetin e Tiranës në vitin 1966, Fakulteti i Shkencave të Natyrës (FSHN), dega Fizikë, si dhe përfundoi me sukses studimet pasuniversitare në Universitetin e Kanës, në Francë, në vitin 1974. Në fushën profesionale zoti Meidani punoi fillimisht si pedagog, si shef katedre dhe më pas si dekan i FSHN-së në vitet 1966- 1996. Gjatë kësaj periudhe zoti Meidani botoi një numër të madh studimesh, librash dhe artikujsh brenda e jashtë vendit. Zoti Meidani mban titullin shkencor “Profesor, Doktor”.

              Karriera politike e zotit Meidani nisi pas viteve ’90. Ai ishte Kryetar i KQZ-së në zgjedhjet e para shumëpartiake më 1991 dhe anëtar i Këshillit Presidencial në vitin 1991. Gjatë viteve 1992-‘96 u angazhua në shoqërinë civile duke qenë edhe kryetar i bordit të Qendrës Shqiptare për të Drejtat e Njeriut (1994-96). Më 1996 aderoi në Partinë Socialiste duke u zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm i saj (1996-1997).

              Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të qershorit 1997 zoti Meidani u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Pas zgjedhjeve, të cilat u fituan nga koalicioni i majtë i drejtuar nga Partia Socialiste, më 24 korrik 1997 me propozim të PS-së, Kuvendi i Shqipërisë e zgjodhi Prof. Dr. Rexhep Meidanin President të Republikës.

                Thënie për Shtetin

                • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
                  - Georges Pompidou
                • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
                  - Otto von Bismarck
                • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
                  - Jean Cocteau
                • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
                  - Alcide de Gasperi
                • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
                  - Montesquieu
                • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
                  - Cardinal de Richelieu
                • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
                  - Aristotele
                • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
                  - Woodrow Wilson
                • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
                  - Charles Maurras
                • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
                  - Ruggiero Bonghi