Rënia historike e social-demokracisë

Philippe Marliere

Nga Libri La Democratie, Entre defis et menaces

Në fjalorin politik, termi “social-demokraci” shfaqet për herë të parë menjëherë pas revolucionit të shkurtit 1848. Përballë partisë së Rendit, deputetët borgjezë republikan,  demokratë dhe socialistë futen në një aleancë. Karl Marx vlerësoi se partia e punëtorëve dhe partia e borgjezisë së vogël formonte Partinë Social Demokrate. Me bindje socialdemokrate, Internacionalja e Parë (1864-1876), është organizata e parë politike e lëvizjes së punëtorëve, që pretendon marrjen e pushtetit politik. Nga 1896, marksizmi u bë doktrina zyrtare e Internacionales së Dytë (veçanërisht në Evropën Qendrore), në kundërshtim me idetë anarkiste dhe reformiste.

Të luftohet Shteti borgjez

Rrymat e ndryshme të socialdemokracisë grindeshin para së gjithash për mënyrat e luftës kundër Shtetit borgjez: a duhet të reformohet apo të shkatërrohet? Sipas qasjeve të ndryshme, të gjithë insistonin në shoqërizimin e mjeteve të prodhimit që duhet të zëvendësohen në sistemin kapitalist.

Marksizmi përbën bazën tyre doktrinare. Megjithatë, ka shumë interpretime që çojnë në kundërshtimin midis reformistëve dhe revolucionarëve. Linja e vërtetë e ndarjes lidhet me çështjen e demokracisë politike. Disa pranojnë kornizën e demokracisë parlamentare të regjimeve kapitaliste. Të tjerë, përkundrazi, besojnë se liberalizmi politik është i huaj për lëvizjen e punëtorëve dhe duhet të refuzohet. Në vitet 1875-1914, midis udhëheqësve të SPD gjermane vihet re një gamë e gjerë orientimesh ideologjike: Ferdinand Lassalle, një ish-liberal i kthyer në socialist, por jo marksist; marksisti August Bebel; Wilhelm Liebknecht, themeluesi i Lidhjes Spartakiste me Rosa Luksemburgun, e cila u shndërrua në një Parti Komuniste në 1918. Spartakistët luftojnë “revizionizmin reformist” të Eduard Bernstein i cili, sipas tyre, vë në dyshim natyrën revolucionare të SPD .

Demokracia dhe pluralizmi

Dy ngjarje të para luftës vënë në dyshim ekuilibrat doktrinorë. Nga njëra anë, Lufta e Parë Botërore minon internacionalizmin proletar, duke nënvizuar lidhjen e partive socialdemokrate në kuadër nacional. Nga ana tjetër, revolucioni bolshevik shkakton një këputje të papajtueshme midis socialistëve dhe komunistëve; këta të fundit bashkohen me Internacionalen Komuniste të krijuar nga Lenini. Prirja reformiste social-demokrate reflekton një bazë të re teorike midis liberalizmit të partive borgjeze dhe komunizmit. Demokracia dhe pluralizmi politik bëhen dy koncepte kryesore orjentuese në mendimin sociademokrat.

Duke u dalluar gradualisht nga marksizmi, socialdemokracia u konsiderua si një “doktrinë liberale borgjeze” nga denigruesit e saj komunistë (Lenin, La Révolution prolétarienne et le renégat Kautsky, 1918). Në Kongresin e Tours në vitin 1920, Léon Blum e sheh komunizmin si një ndërmarrje diktatoriale e ngritur si një sistem i përhershëm i qeverisjes. Ai beson se kjo mënyrë e qeverisjes është e huaj për trashëgiminë e iluminizmit, burimi i socializmit francez.

Pas Luftës së Dytë Botërore, vjen koha për rindërtimin e ekonomive nën udhëheqjen dhe ndërhyrjet e Shtetit. Partitë socialdemokrate në pushtet shtetëzojnë një pjesë të madhe të ekonomive kombëtare. Këto politika bëjnë të mundur kthimin në praktikë të objektivit të vjetër të shoqërizimit të mjeteve të prodhimit dhe të transformimit të brendshëm të kapitalizmit. Duke ardhur nga tradita liberale, ekonomisti John Maynard Keynes i dha social-demokracisë një bazë të rëndësishme teorike (La Théorie générale de l’emploi, de l’intérêt et de la monnaie, 1936). Politikat keynesiane bazohen në stimulimin e aktivitetit ekonomik përmes financimit publik të investimeve dhe të politikave fiskale që nxisin kërkesën.

Lufta e Ftohtë dhe sukseset e ekonomisë së përzier (mikste) nxiti shumë parti të shkëputeshin nga radikalizmi politik, i cili tashmë ekzistonte veçse në formë retorike. Anthony Crosland, një laburist britanik, ripërcakton idealin socialist duke këmbëngulur në bashkëjetesën harmonike midis sektorit privat dhe publik (The Future of Socialism, 1956). Ky libër rindez debatin mbi rishkrimin e klauzolës IV të statuteve të partisë që përcakton si fund të socializmit pronësinë e përbashkët të mjeteve të prodhimit.

Ky revizionizëm doktrinor dështon. Në Gjermani, një përpjekje e ngjashme është e suksesshme. Në kongresin e saj në Bad-Godesberg në 1959, SPD pushoi t’i referohej kryesisht marksizmit, duke përmendur edhe ndikime të tjera filozofike, etikën kristiane ose humanizmin e filozofisë klasike. Ekonomia private, në disa raste, inkurajohet, ekonomia e përzier vlerësohet.

Epoka e artë e social demokracisë

Në tre dekadat që pasojnë përfundimin e Luftës së Dytë Botërore (1945-1973), socialdemokracia evropiane (sidomos ajo në Evropën Veriore) njeh një periudhë të begatë, një “epokë të artë”, duke shënuar fitore të konsiderueshme elektorale dhe marrjen e pushtetit. “Modeli socialdemokrat” u imponohet forcave konservatore në Evropë. Kjo mënyrë e menaxhimit të marrëdhënieve socio-ekonomike vendos një bazë midis idesë barazitiste socialiste dhe pranimit të mënyrës së prodhimit kapitalist si krijues i pasurisë.

Deri në vitet 1970, socialdemokracia arriti t’i bënte punëdhënësit evropian të pranonin politikat publike që synonin uljen e pabarazive në Evropë, pa vënë në pikëpyetje rritjen ekonomike të vendeve në fjalë ose pronën private. Socializmi, i kuptuar si përtej kapitalizmit, këtu nuk është më në axhendë.

Me lidhjet e saj të privilegjuara me klasën punëtore (përmes sindikatave) duke promovuar integrimin e saj në regjimet kapitaliste, socialdemokracia e Evropës Veriore (SAP suedez, SPD gjermane ose Partia Laburiste Britanike në veçanti) mishëron tipin krysor socialdemokratik. Partitë e Evropës Jugore shpesh kanë devijuar nga ky lloj ideali: PS franceze dhe italiane ose PSOE spanjolle kanë marrëdhënie më të largëta me sindikatat dhe kanë një elektorat më borgjez.

Kthesa social-liberale

Nga vitet 1970, kompromisit socialdemokratik i është dhënë një shtyrje e fortë nga kriza ekonomike dhe shfaqja e pikpyetjeve të reja në fushën e ideve të majta. Socialdemokracia u përgjigjet këtyre sfidave me një bosht të trefishtë programor: një bosht klasik ka të bëjë me rritjen ekonomike, drejtësinë sociale dhe punësimin; një bosht i dytë përpiqet të përvetësojë temat më të njohura post-materialiste dhe anti-autoritare në opinionin publik (mbrojtja e mjedisit, siguria ushqimore, liria seksuale, barazia gjinore); boshti i tretë frymëzohet nga vala neoliberale e mishëruar në politikat që ndoqën Margaret Thatcher dhe Ronald Reagan në Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara (stabiliteti monetar, shkurtime të shpenzimeve publike, privatizime, taksa më të ulta, Shtet social i kufizuar por “aktiv”[1].

Pas përvojave të shkurtra neokeyneziane të PS Franceze (1981-1982) dhe të PASOK në Greqi (1981-1984), partitë socialdemokrate në pushtet në Evropën Jugore ndjekin politikat e dezinflacionit konkurrues nën presionin e konkurencës ndërkombëtare. Kostoja e tyre sociale është shumë e rëndë (papunësia e lartë, përkeqësimi i Shtetit social dhe shërbimeve publike). Shndërrimi de facto në neoliberalizëm fillimisht u kalua në heshtje, madje u mohua (Lionel Jospin foli për “parantezat e ashpërsisë” në 1982[2]). Me ardhjen në pushtet të një brezi udhëheqësish që nuk trashëgonin kulturën tradicionale socialdemokrate (Tony Blair, Gerhard Schröder), një kurs i ri socialdemokrat fillon të pretendohet[3].

Në mesin e viteve 1990, Blair, quan “rruga e Tretë”programin e ri socialdemokrat[4]. Anthony Giddens, frymëzuesi i tij, e pozicionon atë në distancë të barabartë midis neoliberalizmit dhe socialdemokracisë “së vjetër” keynesiane. Nëse e veçon vehten nga ultraliberalizmi Hayekian, ky kompromis i ri hedh poshtë ndërhyrjen shtetërore dhe politikat rishpërndarëse të demokracisë sociale të viteve 1960 -1970. Në të kundërt, ai rivlerëson rolin e tregut[5].

rrugën e Tretë mund të identifikohen tre tema qendrore: shanse të barabarta, përgjegjësi dhe komunitet.

Nocioni i shanseve të barabarta nënkupton që secili individ, në teori, mund të ketë qasje në të drejtat dhe shërbimet themelore (arsimi, aftësimi profesional). Është një ndarje thelbësore me nocionin tradicional sociademokrat të “barazisë së rezultatit”, (equality of outcome) i cili shqetësohej prej pabarazive tepër të thella ekonomike midis klasave shoqërore; një shqetësim që nuk shprehet më me nocionin e “barazisë së mundësive” (equality of outcome).

Përgjegjësia thekson detyrat e individëve ndaj komunitetit (lokal ose kombëtar). Ky parim u përmblodh nga Toni Bler si më poshtë: “Asnjë e drejtë pa përgjegjësi!” Në praktikë, nocioni “detyrë” ka marrë përparësi të qartë ndaj nocionit “e drejtë” (punë, shëndet publik, arsim).

Më në fund, komuniteti përbën hapësirën sociale në të cilën mund të zhvillohen marrëdhëniet “qytetare”. Shteti lejon individët të kenë akses në informacion, njohuri dhe burime ekonomike (tema e  « empowerment », e zhvilluar nga Amitai Etzioni dhe Anthony Giddens). Në realitet me «empowerment » në modë, New Labour tenton të zvogëlojë raportin e komuniteteve ndaj shërbimeve publike në transaksionet midis konsumatorëve dhe shërbimeve publike të privatizuara ose janë në procesin e privatizimit.

Qeveria e së majtës pluraliste të Lionel Jospin (1997-2002), pavarësisht një diskursi dhe politikash më tradicionale të majta të kundërshtuara nga ithtarët e ortodoksisë neoliberale (zvogëlimi i orëve të punës), nuk devijoi dukshëm nga blerizmi. Kjo qeveri vlerësoi virtytet e modernitetit, kompetencës dhe përgjegjësisë dhe kërkoi mbështetjen e kategorive të ndryshme shoqërore përmes politikave “kap të gjitha”[6]: java 35 orë, krijimi i vendeve të punës, mbulimi mjekësor universal, barazi midis burrave dhe grave, taksa më të ulëta, privatizime, pranimi i paktit evropian të stabilitetit.

Qorrsokaku i Rrugës së Tretë

Pasi numëroi midis 1997 dhe 2002 deri në dymbëdhjetë qeveri në Bashkimin Evropian (BE), socialdemokracia qysh atëhere mbeti e paqartë. Disa vende skandinave, zemra historike e socialdemokracisë, qeverisen nga grupe konservatore. Në Gjermani, SPD shpesh ka bashkëqeverisur vendin me Demokracinë kristiane nga 2005. Kjo aleancë është kundërshtuar gjithnjë e më ashpër nga elektorati deri në atë pikë sa ambientalistët përfaqësojnë sot partinë kryesore të së majtës gjermane. Në pushtet midis 1997 dhe 2010, Partia britanike e laburistëve u mund nga një koalicion konservator-liberal në maj 2010. Me këtë rast, laburistët regjistruan një nga rezultatet më të dobta në historinë e tyre (29%) . Në Francë, PS pësoi një nga humbjet më të rënda në historinë e saj, duke humbur presidencën dhe shumicën në asamblenë kombëtare. Prandaj, rënia socialdemokrate është e thellë dhe duket se është e qëndrueshme.

Ky diskreditim prek mbi të gjitha projektin liberal teknokratik të tipit të Rrugës së tretë. “Rruga bleriste” e çoisocialdemokracinë në një ngërç politik, ideologjik dhe elektoral[7]. Socialdemokracia e viteve 1990 bëri një zgjedhje që shkëputej me idetë dhe politikat e saj tradicionale: miratimi i politikave neoliberale ekonomike dhe fiskale (privatizimi i vazhdueshëm, mbështetja për çrregullimin e tregut të komunitetit, dumping fiskal për të tërhequr investime); çmontimi i Shtetit social (fleksibiliteti i tregut të punës, kufizimet në politikat industriale, ulja e përfitimeve sociale); politikat gjithnjë e më kufizuese të imigracionit dhe forcimi i sigurisë për shkelësit e ligjit.

Këto orjentime kanë kontribuar në rritjen e pabarazive në Evropë. Që nga vitet 1980, përqindja e pagave në të ardhurat kombëtare ka kaluar nga 72.1% në 68.4%. Që nga vitet 1990, shkalla e aktivitetit ka shkuar nga 61.2% në 64.5%, që do të thotë se më shumë njerëz që punojnë, ndajnë më pak pasuri. “Evropa Sociale” nuk ka shkuar përtej fazës së sloganit midis formacioneve që i përkasin Partisë së Socialistëve Evropianë. BE është një zonë thellësisht e pabarabartë: 20% e më të varfërve marrin 4.5% të PBB-së, krahasuar me 8.1% në Indi dhe 5.1% në Shtetet e Bashkuara.

Një rënie historike

Mund të flasim për një rënie historike nëse vëzhgojmë zhvillimin elektoral të partive socialdemokrate për një periudhë afatgjatë[8]. Pavarësisht nga një ringjallje modeste në mes të 1990[9], socialdemokracia ka humbur vazhdimisht votat gjatë pesëdhjetë viteve të fundit. Kulmi i rezultateve të saj elektorale në vitet 1990 (29.7%) ishte nën mesataren e viteve 1980 (31.1%), dhe ai ishte dukshëm më të ulëta se mesatarja e viteve 1950 (33.2%)[10]. Pozicioni dominues i socialdemokracisë në vitet 1997-2002 nuk lejoi ndalimin e rënies së saj elektorale. Kjo brishtësi në votime shpjegon pjesërisht pse ky dominim ishte i përkohshëm. Rënia vazhdoi në vitet 2000-2010 me një mesatare elektorale prej 26.6%.

Rënia elektorale u përshpejtua nga vitet 1970, u konfirmua në dekadat pasuese dhe ka tendencë të intensifikohet që nga viti 2010. Midis viteve 1950-1960 dhe sot, partitë socialdemokrate në veri të Evropës kanë humbur rreth 20% të votave të tyre. Ky erozion elektoral ka të bëjë me të gjitha partitë pa përjashtim, edhe nëse partitë e Jugut duket se rezistojnë më mirë se ato të Veriut (PASOK në Greqi, PSOE në Spanjë ose PS në Portugali). Kjo rënie nuk është lineare (ne kemi përmendur ripërtëritjen e efektshme të viteve 1997-2002), por, kur flitet për një kohë të gjatë, trendi është konfirmuar. Janë partitë me numrin më të lartë të atributeve socialdemokrate që janë më të goditurat (SPD në Gjermani, SAP në Suedi, PS në Belgjikë, PvDA në Hollandë, SD në Norvegji ose ADN-ja në Danimarkë). Situata është shqetësuese për partitë që ranë nën 20% të votave (PvDA mori 12% të votave në zgjedhjet Evropiane të 2009).

Partitë socialdemokrate kanë qenë humbësit e mëdhenj në zgjedhjet evropiane që nga viti 2009. Sidoqoftë, situata politike dukej se ishte e favorshme për ta (kriza e kapitalizmit, jopopullarizmi i qeverive konservatore). Le të nënvizojmë gjithashtu se kjo krizë socialdemokrate po intensifikohet në të njëjtën kohë kur partitë e djathta janë gjithashtu në rënie.

Një forcë konservatore

Në vitet 1990, socialdemokracia u bë një forcë konservatore si nga ana politike dhe kulturore. Në qershor 2002, laburisti Peter Mandelson i bërtiti një auditori “progresistësh” përfshirë Bill Clinton: “Ne jemi të gjithë Thatcherites sot!”. Askush nuk e kontestoi atë. Ithtarët e Rrugës së Tretë blairiste argumentuan se një version i zbutur i neoliberalizmit do ta lejonte që social demokracia të modernizohej. Kjo strategji ishte e dështuar. Duhet të mbahet mend se me blairizmin dhe sukseset e tij evropiane, socialdemokracia për herë të parë në historinë e saj huazoi shumë nga idetë dhe politikat e saj nga e djathta, pa arritur të prodhonte ide të reja “progresive”.

Deri në vitet 1990, socialdemokracia ishte e lidhur në mënyrë të padiskutueshme me të majtën; si e tillë, ajo përfaqësonte një forcë që kundërshtohej në mënyrë të vendosur nga e djathta. Veprimi i partive socialdemokrate bëri të mundur arritjen e disa betejave të rëndësishme shoqërore: futjen e votës universale, dhënien e të drejtave politike dhe shoqërore të klasës punëtore, krijimin e shteteve sociale ose, pas majit 1968, miratimin e politikave post-materialiste dhe anti-autoritare.

Sidoqoftë, sot është e qartë se politikat aktuale socialdemokrate nuk dallojnë më nga politikat e propozuara nga neoliberalët dhe konservatorët. Deri në vitet 1990, çdo përditësim ideologjik i socialdemokracisë bënte të mundur propozimin e një alternative për zgjidhjet e mbrojtura nga e djathta. Nuk është këtu çështja e rishkrimit të historisë së social demokracisë në dritën e një radikalizmi antikapitalist të braktisur prej kohësh, por e theksimit të rënies graduale të ambicieve të saj në drejtim të rishpërndarjes së pasurisë.

Në këtë kuptim, rruga e Tretë ka qenë më shumë një ushtrim pastrimi postmodern për Reaganomics[11] sesa një modernizim i ideve socialdemokrate. Theksi i vënë në çështjet e rendit publik është gjithashtu befasues. Zhvendosja autoritare e laburistëve britanik është emblematike për një parti që ka menaxhuar me forcë mosfunksionimet shoqërore të krijuara nga largimi prej Shtetit të mirëqenies (mbikëqyrja video, dyshimi kundrejt aplikantëve për ndihmat social, diskutimet moralizuese mbi familjet me një prind). Në planin ndërkombëtar, Toni Bler ishte aleati i pakushtëzuar i një Presidenti neokonservator të Shteteve të Bashkuara (ligje anti-terrorizëm, luftë në Irak kundër mendimit të popullit të tij[12]).

Një peizazh socialdemokratik i përçarë

Nga vitet 2000, rënia e nisur në vitet 1970 u intensifikua në favor të partive mjedisore dhe të një të majte radikale post-komuniste dhe nganjëherë populiste[13]. Partitë që përbënin socialdemokracinë kanë njohur fate të ndryshëm. Disa partitë janë shembur keq: PASOK për shkak të menaxhimit katastrofik të një krize ekonomike të paparë në Greqi; PS në Francë pas presidencës Holland të kontestuar dhe jopopullore, ose SPD në Gjermani e ngatërruar në qeveritë e koalicionit me CDU të Angela Merkel.

Sidoqoftë, socialdemokracia ka ngritur kokën në disa vende. Në Mbretërinë e Bashkuar, zgjedhja në krye të partisë laburiste të Jeremy Corbyn nga krahu i majtë i Partisë, ka ripozicionuar partinë në të majtë. Fitoret elektorale të socialistëve portugezë dhe spanjollë u mundësuan këtyre partive të mbanin një nivel të lartë. Këto parti kanë treguar se synojnë të shkëputen nga idetë socialdemokrate e viteve 1990, e cila kishte pranuar qartësisht politikat neoliberale.

Ky peisazh i dhëmbëzuar social-demokratik evropian (i partive dominuese, partive të dobësuara dhe partive të rrezikuara të zhduken) sugjeron shfaqjen e një peisazhi të ri social-demokratik që i nënshtrohet tronditjeve politike kombëtare. Dikush mund të hipotezojë se në vendet ku socialdemokracia duket se po zhduket, ajo tani mishërohet nga forcat ekologjike (Franca ose Gjermania) ose nga një e majtë radikale “social-demokratizuese” (Franca ose Greqia).

________________

[1] G. Moschonas, In the Name of Social Democracy : The great transformation, 1945 to present, Verso, 2002,

[2] P. Marlière, « Le modèle social-démocrate en question », in collectif, Universalia, 2003, Encyclopædia Universalis, 2003.

[3] Fondation Jean-Jaurès, « Blair-Schröder, le texte du manifeste et analyses critiques », Les Notes de la fondation Jean-Jaurès, n° 13, août 1999.

[4] A. Giddens et T. Blair, La Troisième Voie. Le renouveau de la social-démocratie, Seuil, 2002.

[5] P. Marlière, « Manifestes pour une social-démocratie de marché : Anthony Giddens, Tony Blair et le débat sur la Troisième voie », Les Temps modernes, n° 605, août-sept.-oct. 1999.

[6]  “Attrape-tout” fr. Thuhet për një parti ose një politik që kërkon të bashkoj mbi një program shumë të gjërë zgjedhësit me horizonte më të ndryshme

[7] P. Marlière, La Social-démocratie domestiquée. La voie blairiste, Aden, 2008.

[8] P. Marlière, « The decline of Europe’s social democratic parties », openDemocracy, 16 mars 2010, http://www.opendemocracy.net/philippe-marliere/decline-of-europessocial- democratic-parties.

[9] Cette analyse repose sur l’Union européenne des 12; ce qui exclut l’Espagne, le Portugal et la Grèce, pays pour lesquels il n’existe pas de données électorales ininter- rompues sur toute la période concernée.

[10] Je reprends ici les données fournies par G. Moschonas: «Le grand recul de la social-démocratie et la défaite du projet réformiste », Michel Vakaloulis Website. Theory, politics, collective action, 18 novembre 2009, http://vakaloulis.ëordpress. com/2009/11/18/1001/#more-1001.

[11] Fjalë që përcakton parimet e programit ekonomik të përdorur në vitet e presidencës Reagan.

[12] P. Marlière, « De la guerre blairiste », Le Monde, 10 février 2010.

[13]  J.-N. Ducange, P. Marlière, L. Weber, La Gauche radicale en Europe, Éditions du Croquant, 2013.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi