Fjala e sekretarit amerikan të Shtetit, Xhejms Bejker
Fjala e sekretarit amerikan të Shtetit, Xhejms Bejker
Falemnderit shumë populli i lirë i Tiranës dhe populli i lirë shqiptar.
Ju falënderoj shumë për këtë mirëseardhje fantastike, të mrekullueshme që na bëtë dhe që është dëshmi e ringjalljes politike, ekonomike e shpirtërore të Shqipërisë.
Në emër të Presidentit Bush dhe në emër të popullit amerikan, unë kam ardhur midis jush që t’ju them “liria” jep rezultate. Më në fund, ju jeni të lirë të thoni atë që dëshironi, më në fund ju jeni të lirë të ushtroni besimin tuaj.
Shqipëria ka vendosur të bashkohet me botën e kombeve të tjera të lira. Shqipëria ka vendosur të marrë pjesë në ndërtimin e një Europe të lirë dhe të bashkuar. Shqiptarët kanë vendosur të bashkohen me popujt e lirë kudo.
Unë sapo u ktheva nga një takim në Berlin, ku ne arritëm shumë rezultate, por, ndër rezultatet më të rëndësishme, ishte pranimi i Shqipërisë si anëtare me të drejta të plota e KSBE.
Ju falemnderit.
Ne e morëm këtë vendim në përgjigje të kërkesës dhe të dëshirës suaj që të jeni pjesë e Europës dhe sot, këtu, mund të pohoj se Shqipëria nuk do të gjendet prapa, ndërkohë që ne po ndërtojmë një Europë të re. Prania juaj këtu sot dëshmon përsëri vendimin tuaj për vendosjen e lirisë së një kombi, vendosjen e lirisë së një populli, lirisë së çdonjërit prej jush. Mirëpo, miq të dashur, unë nuk kam ardhur këtu që t’ju jap mësime mbi lirinë dhe demokracinë, për arsye se ju e dini më mirë se shumica e popujve të tjerë se sa çnjerëzore janë mënyrat e qeverisjes totalitare. Ju e dini se sa e vështirë është të çlirohesh nga tirania. Ju e dini më mirë se shumica e popujve të tjerë edhe se ç’do të thotë të jesh i ndarë nga bota tjetër, për thuajse një gjysmë shekulli.
Miq të dashur,
Një perde e hekurt e ndau në mënyrë mizore këtë kontinent, por tani kjo perde e hekurt u zhduk, ashtu si u zhdukën edhe diktatorët, që ishin përgjegjës për ndarjen e Europës. Kjo ndodhi për arsye se popujt vepruan. Burra e gra të thjeshtë, me shpresa e trimëri të jashtëzakonshme e hoqën perden e tiranisë dhe detyruan tërheqjen e tankeve që kishin ndarë Europën dhe, në vend të tyre, ju, popujt, keni ndërtuar ura tolerance dhe besimi, ura tolerance të ndërtuara mbi demokracinë dhe mbi të drejtat universale të njeriut. Puna juaj nuk ka qenë dhe nuk do të jetë e lehtë, por dëshiroj t’ju siguroj se ne jemi të vetëdijshëm për punën e madhe që keni bërë dhe për vështirësitë që keni përjetuar.
Por fjalët tuaja i shprehën më mirë këto ndjenja, sesa mund t’i shprehja unë. Më lejoni të lexoj një letër që kam marrë nga populli i Beratit, drejtuar zotit Xhejms Bejker, në ambasadën amerikane:
“Shpirti demokratik i popullit të Beratit, i trashëgimisë qytetare 2400-vjeçare, gjen te ju një qytetar nderi të shumëpritur. Këtë gjysmë shekulli të skëterrës staliniste populli ynë e ka përjetuar me dhimbje të thellë dhe, megjithatë, ka luftuar, nuk është nënshtruar dhe ka thirrur shpresë. Në vazhdim, në letër thuhet: Jeni ju dhe vendi juaj, tempulli i lirisë dhe i demokracisë, që shumë shpejt do të plotësoni këtë boshllëk, që do t’i jepni krahë për fluturim shpresës së sfiduar dhe do të bëheni një Uillson i kohëve moderne për Shqipërinë. Qoftë e bardhë dita juaj!”.
Kësaj letre unë i përgjigjem: Rroftë populli i Beratit! Rroftë populli i Tiranës! Rroftë populli i Shqipërisë!
Unë, të dashur miq, kam ardhur këtu sot t’ju përcjell një mesazh nga një popull tjetër, një popull i lirë, nga populli amerikan. Mesazhi im është ky:
Mirë se erdhët në radhët e popujve të lirë, që po ndërtojnë një Europë të bashkuar dhe të lirë!
Ju jeni me ne dhe ne jemi me ju.
Mirë se erdhët në komunitetin e demokracisë, që po ndërton një të ardhme të bazuar në vullnetin e të gjithë qytetarëve!
Ju jeni me ne dhe ne jemi me ju.
Mirë se erdhët në radhët e burrave dhe të grave të lira kudo në botë, ashtu siç kishte paraparë për ne të gjithë krijuesi ynë!
Ju jeni me ne dhe ne jemi me ju.
Më në fund: Gëzuar lirinë, qytetarë të lirë të Shqipërisë!
Falemnderit, falemnderit, falemnderit!”