Fjala e kryeministrit Ylli Bufi

Nga libri “Në fillimet e tranzicionit” të Ylli Bufit

 

I nderuar zoti Bejker,

Motra dhe vëllezër të kryeqytetit,

Bashkatdhetarë, që me mendje dhe zemër jeni të pranishëm në këtë festë të veçantë,

Dëshiroj që në emrin tuaj, këtu përpara jush, të uroj edhe një herë mirëseardhjen në Shqipëri të Zotit dhe Zonjës Bejker. Më shumë se nga fjalët e mira, ky urim shprehet në mendjet dhe në zemrat tona të mbushura me besim dhe bujari, në fytyrat e ndriçuara sot nga drita e shpresës për të ardhmen, në sytë plot dashuri e fisnikëri shqiptare për mikun e nderuar.

Mirë se erdhët në Shqipëri, Zoti Sekretar amerikan i Shtetit! Ju jeni përfaqësuesi i parë më i lartë i popullit amerikan, që me vizitën tuaj futeni në historinë e Shqipërisë. Ky urim i fuqishëm i popullit në këtë manifestim madhështor është mesazhi i miqësisë, i mirënjohjes dhe i respektit që ky popull i lashtë dhe i vogël u dërgon, nëpërmjet jush, popullit amerikan dhe presidentit Xhorxh Bush. Me këtë rast, kam një kënaqësi të veçantë, që në emër të popullit të Tiranës dhe të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, të shpall zotin Bejker, Qytetar Nderi të Tiranës.

Ky manifestim i bujarisë dhe i mikpritjes shqiptare, që po shpaloset në këtë shesh historik, i japin kësaj dite të shënuar emrin tuaj, zoti Bejker.

Mikpritja shqiptare sot është vërtet e veçantë, sepse ajo bart dhe gëzimin e madh dhe legjitim mbarëpopullor që solli pranimi i Shqipërisë me të drejta të plota në gjirin e familjes europiane. Tanimë, Shqipëria nuk është vetëm gjeografikisht në Europë, por edhe politikisht e, së shpejti, edhe ekonomikisht.

Vizita juaj e sotme, zoti Bejker, nuk është koincidencë e rastit me këtë ngjarje historike për popullin tonë.

E ndiej si obligim që, në emër të këtij populli dhe të Qeverisë që kryesoj, të falënderoj SHBA dhe personalisht ju, Zoti Bejker, për kontributin e madh dhe të veçantë që dhatë për pranimin e Shqipërisë në KSBE. Për popullin dhe shoqërinë shqiptare, të etur për demokraci e përparim, SHBA dhe Europa janë simbole të përparimit dhe të garancisë së një lirie e demokracie të vërtetë.

Aspirata e vjetër e shqiptarëve për të qenë pjesëtarë të familjes së kombeve të qytetëruara demokratike nuk pati gjetur deri më sot mundësinë dhe kushtet për t’u realizuar, ashtu siç e dëshironte ky popull, nga më të vjetrit në Ballkan dhe në Europë. Politika antikombëtare e vetizolimit, që ndoqi për një kohë të gjatë regjimi stalinist në Shqipëri, e thelloi ndarjen e këtij vendi nga bota. Nuk është rasti të përmend tani pasojat e këtij vetizolimi absurd. Sot është ditë feste, që kurorëzon përfundimin e vetizolimit të Shqipërisë. Vetë vizita juaj, zoti Bejker, kurorëzon gëzimin e ligjshëm të shqiptarëve dhe fillimin e një epoke të re në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.

Shqiptarët besojnë te ju, zoti Bejker, te diplomati i shquar që ka kontributin në zgjidhjet e shumë problemeve e konflikteve të popujve të botës që aspirojnë për liri dhe demokraci. Në mënyrë të veçantë ne i jemi mirënjohës diplomacisë amerikane, me ju në krye, për mbështetjen që i keni dhënë çështjes shqiptare në Kosovë dhe në Jugosllavi për mbrojtjen e të drejtave të tyre legjitime të marra nëpër këmbë nga shovinistët serbë.

Shqiptarët vazhdimisht kanë ditur të çmojnë rolin e SHBA në civilizimin e përbotshëm, duke i mbajtur të gjalla shpresat për një bashkëpunim të frytshëm shqiptaro-amerikan. Vëllezërit tanë shqiptarë në Amerikë pa dyshim do të jenë ura të fuqishme lidhjeje midis vendeve tona.

I nderuar zoti Bejker,

Dëshiroj t’ju them se këta të rinj e të reja, që shihni këtu përpara jush, ky popull entuziast, janë forca e gjallë që përshpejtoi proceset demokratike në Shqipëri. Dhe kjo rini e ky popull, të mbrujtur me ideale demokratike, e meritojnë një jetë më të bukur, një mirëqenie të denjë, një integrim të vërtetë shpirtëror e kulturor të shqiptarëve kudo që janë.

Kjo është dhe detyra historike e Qeverisë së Stabilizimit të vendit, e të gjitha partive dhe forcave politike. Këtë shans të madh historik ato do të dinë ta shfrytëzojnë e ta meritojnë. Rruga që kemi nisur për ndërtimin e një shoqërie të vërtetë demokratike është e pakthyeshme.

Dëshiroj t’ju përcjell besimin e shqiptarëve se në këtë rrugë do të kemi mbështetjen tuaj dhe të presidentit Bush, për të kapërcyer gjendjen e vështirë që kemi trashëguar dhe, më tej, për një bashkëpunim të frytshëm e të pandalshëm. Ky besim na forcohet edhe më shumë nga kjo vizitë juaja në vendin tonë, e cila do të mbetet historike.

Rroftë miqësia midis popullit shqiptar dhe atij amerikan!

Ju falemnderit.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi