Biseda me J. Baker në selinë e Këshillit të Ministrave
Pas mitingut në sheshin “Skënderbej”, u zhvillua pritja që unë i bëra mysafirit në selinë e Këshillit të Ministrave. Në këtë pritje ishin të pranishëm edhe zëvendëskryetari i Këshillit të Ministrave dhe ministër i Ekonomisë, Gramoz Pashko; zëvendëskryetari i Këshillit të Ministrave, Zyhdi Pepa, dhe ministri i Punëve të Jashtme, Muhamet Kapllani. Pas përshëndetjeve të rastit, u zhvillua kjo bisedë midis meje dhe z. Bejker:
Ylli Bufi: Pas këtij mitingu madhështor, zoti Bejker, ku populli shprehu ndjenjat e tij për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për Ju, personalisht, dhe për Presidentin Bush, kam nderin në këtë takim në Këshillin e Ministrave t’ju uroj edhe një herë mirëseardhjen tuaj në Shqipëri dhe vizitën tuaj ta konsideroj një mbështetjeje të fuqishme, që i bëhet Shqipërisë në këto momente historike kur ajo po bën transformime të thella politike, shoqërore dhe ekonomike. Ajo është edhe një mbështetje për qeverinë, të cilën unë kam nderin ta kryesoj. Kjo qeveri është formuar nga bashkimi i të gjitha forcave politike të vendit, bashkim ky shumë i nevojshëm për të çuar përpara procesin e demokratizimit.
Gjithashtu, me këtë rast, desha t’ju falënderoj edhe për kontributin personal tuajin dhe të qeverisë amerikane për pranimin e Shqipërisë në KSBE.
Xhejms Bejker: Zoti Kryeministër, ju falemnderit shumë. Para se të largohen përfaqësuesit e shtypit, dëshiroj të jap një përgjigje, për arsye se jam shumë i prekur nga pritja që na u bë. Unë e di që kjo pritje ishte shprehje nga ana e popullit të Shqipërisë e shpresës së tij për reforma politike, ekonomike dhe shpirtërore. Si përfaqësues i qeverisë amerikane, unë jam shumë i prekur nga kjo pritje, që dëshmon për mua dhe për ne të gjithë simbolin e shpresës që Amerika përfaqëson sot për popujt anembanë botës, të cilët kanë etje për demokraci, për liri dhe për përparim ekonomik. Gjithashtu, kjo dëshmon që modeli i tregtisë së lirë ka dhënë rezultate.
Dëshiroj t’ju falënderoj ju, qeverinë e Shqipërisë, personalisht popullin e Shqipërisë për fuqinë, spontanitetin dhe për ndjenjat që treguan gjatë pritjes që m’u bë tani. Kurrë në jetën time nuk kam parë një gjë të tillë. Dëshiroj t’ju falënderoj përsëri që më thatë mirëseardhjen sot në aeroport në mëngjes, për mirëpritjen e kolegëve të mi, anëtarë të delegacionit që unë kryesoj. Gjithashtu, dëshiroj të theksoj se ne jemi të vetëdijshëm që procesi i reformave nuk është i lehtë. Ne kemi pasur të bëjmë edhe me vende të tjera që kanë kaluar një fazë të tillë, por përderisa ju, populli shqiptar, jeni të angazhuar të zbatoni parimet e Helsinkit, parimet e demokracisë, të respektoni të drejtat e njeriut dhe ekonominë e tregut të lirë, ju do të gjeni mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Unë do të përfundoja duke theksuar me kënaqësi që ne mbështetëm kërkesën e Shqipërisë për t’u bërë anëtare në KSBE. Përveç pritjes që na u bë këtu, pranimi i Shqipërisë në KSBE dëshmon që qeveria dhe populli shqiptar janë të gatshëm të zbatojnë reforma dhe të respektojnë parimet e Helsinkit.
Ylli Bufi: Ju faleminderit edhe një herë, zoti Sekretar i Shtetit. Dua t’ju them që historia na ka bërë një popull të fortë, që ka kaluar rrugë të vështirë, por tani ndodhemi në një nga momentet më historike të jetës së këtij populli, në momentin historik të transformimit të këtij vendi nga një vend me sistem totalitar, me ekonomi të centralizuar, në një vend demokratik, me ekonomi sipas parimeve të ekonomisë së tregut, ku do të respektohen të drejtat e njeriut si në të gjitha vendet demokratike që kanë kaluar këtë proces. Në këtë moment është detyrë e vështirë e Qeverisë që të realizojë në praktikë konkretisht zgjidhjen politike që ndërmorën partitë politike dhe që të gëzojmë mbështetjen e të gjitha vendeve përparimtare demokratike, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe tuajin personalisht.
Ndër problemet e shumta që kemi aktualisht, unë do të thosha që detyra më e rëndësishme është të kapërcejmë krizën e besimit, që aktualisht është krijuar në vend. Kriza e besimit është e thellë, sepse ajo i ka rrënjët në dështimet e deritanishme të rrugës gjysmëshekullore, por edhe në atë pasiguri dhe paqartësi për të ardhmen. Unë një gjë kam të qartë dhe më shton besimin në forcat e Qeverisë: se këtë krizë do ta kapërcejmë, sepse do të bazohemi në besimin që ka populli për demokracinë. Me këtë besim për demokracinë them që do të mundim ta kapërcejmë këtë krizë. Ne kemi, gjithashtu, mbështetjen e të gjitha forcave politike. Tani po realizojmë një sërë ndryshimesh në legjislacion për të bërë transformimet e nevojshme në planin politik, ekonomik dhe juridik.
Edhe një herë desha t’ju uroj Gëzuar! (Pihet dollia e propozuar)
Xhejms Bejker: Ju falemnderit, zoti kryeministër. U njoftova se kemi kohë të mjaftueshme, të paktën, 45 minuta. Do të bëj vetëm disa komente, në qoftë se më lejon.
Ne jemi të vetëdijshëm për ndryshimet e mëdha që janë kryer në këtë vend dhe asgjë nuk e pasqyron këtë më mirë, sesa turma e sotme e njerëzve. Njëkohësisht, keni pasur ndryshime pozitive në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Me rëndësi ishte edhe gjatë takimit në Berlin, kur ministrit tuaj të Jashtëm i ra të rrinte afër meje, për arsye të alfabetit. Ne kemi përvojë në një proces të tillë, si ky që po kalon vendi juaj, me vendet e Europës Lindore, si Polonia, Bullgaria etj. Të gjitha këto vende, ku po zbatohen reformat, po shkojnë drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut të lirë, pas shumë vitesh me një sistem të ndryshëm, të ekonomisë së centralizuar. Disa kanë pasur më shumë suksese, sesa të tjerët, por, siç ju thashë më parë në veturë, ne jemi të vetëdijshëm se sa vështirë ka qenë. Megjithatë, ne do të ushtrojmë trysni që ju të bëni atë që duhet bërë. Ne e bëmë këtë me një punë ndërtuese dhe miqësie.
Unë ju përmenda listën e të burgosurve politikë që ia paraqita ministrit tuaj të Jashtëm në Berlin. Ju më thatë që këtë do ta shikoni si një angazhim personal. Veprime dhe masa të tilla do të sigurojnë mbështetjen ndërkombëtare për qeverinë tuaj, domethënë vetëm në rast se qeveria ndërmerr masa që duhen ndërmarrë, siç është lirimi i të burgosurve politikë, miratimi i ligjeve në përputhje me sistemin e shtetit juridik, respektimi i të drejtave njerëzore, si edhe të drejtave të pakicave, zhvillimi i zgjedhjeve me të vërtetë të lira dhe të drejta.
Do të keni vëzhgues nga të gjitha anët e botës me rastin e zgjedhjeve të ardhshme. Dhe është shumë me rëndësi të merrni masa herët që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të drejta. Çdo njeri ka të drejtë të barabartë të përdorë mjetet e informacionit, që instrumentet e represioneve e të frikës të zhduken. Në këtë rast, e kam fjalën për policinë e brendshme sekrete, sigurimin.
Ylli Bufi: Siç ju thashë edhe në makinë, zoti Sekretar i Shtetit, ne si qeveri jemi duke përgatitur amnistinë politike, e cila, pa dyshim, do të ndikojë në arritjen sa më shpejt të asaj paqeje sociale të nevojshme. Gjithashtu, jemi duke paraqitur dhe duke përmirësuar gjithë legjislacionin tonë juridik për të garantuar në të vërtetë liritë dhe të drejtat e njeriut.
Xhejms Bejker: Në veturë unë ngrita dy çështje. Një ndër to ishte edhe çështja që unë kisha dëgjuar se ishte miratuar një ligj që ndalon krijimin e partive të reja politike. Ju më siguruat se kjo nuk është e vërtetë. Pastaj ngrita edhe çështjen nëse shqiptarët kanë të drejtë të emigrojnë ku të dëshirojnë. Tani kjo gjë është ligj dhe e drejtë e tyre që të shkojnë.
Do ta ritheksoj edhe një herë, besoj se ju do ta merrni parasysh mundësinë e shpërbërjes së Sigurimit. Në Rumani, Sigurimi po pengon zbatimin e reformave dhe po bllokon sigurimin e ndihmave ekonomike nga jashtë. Kjo është vazhdimësia e ndikimit të Sigurimit.
Ylli Bufi: Këtë javë miratuam në Qeveri një projektligj të veçantë për çështjen e Sigurimit. Ne do ta veçojmë nga Ministria e Rendit Publik, duke e ristrukturuar plotësisht si një organ që siguron shërbimet e nevojshme duke respektuar të drejtat e njeriut. Së shpejti, këtë projektligj ne do t’ia paraqesim për miratim parlamentit.
Xhejms Bejker: Ky është një lajm i mirë. Natyrisht, nuk ka nevojë të theksoj se forcat ushtarake kurrë nuk duhet të përdoren si instrument politik dhe duhet të jetë nën kontrollin e civilëve.
Ylli Bufi: Dy masa të tjera që morëm në këtë kuadër është që në qeverinë e re të dy ministrat: i Mbrojtjes dhe i Rendit Publik janë civilë.
Xhejms Bejker: Na vjen mirë. Në qoftë se nuk keni ndonjë kundërshtim, dëshiroj që të ndalemi në këtë pikë dhe, në qoftë se kolegët tuaj dhe kolegët e mi kanë ndonjë çështje që dëshirojnë ta shtrojnë para se të shqyrtohen çështjet ekonomike.
Ylli Bufi: Në çështjet politike desha të theksoj nevojën e vazhdimit të kontakteve të personaliteteve të larta shtetërore të vendit, me bindjen që këto do të ndikojnë në forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve tona.
Xhejms Bejker: Është e vërtetë. Ne do të jemi në gjendje që të vazhdojmë t’i përmirësojmë këto kontakte, në qoftë se ne jemi në gjendje, në qoftë se mund të dëshmojmë se me të vërtetë Shqipëria po arrin rezultate drejt zbatimit të reformave rrënjësore.
Ne e kuptojmë krizën ekonomike, me të cilën po ballafaqohet Shqipëria. Siç e dini, për afro 3 vjet e gjysmë unë kam qenë ministër i Financave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tani, si ministër i Jashtëm, unë kam një përvojë të gjerë duke parë ish – ekonomitë e centralizuara, duke kaluar fazën kalimtare drejt ekonomisë së tregut. Dhe e di që nuk ju pohoj ndonjë gjë të re, në qoftë se them se do të jetë shumë e vështirë. Vende të ndryshme kanë pasur rezultate të ndryshme. Ato vende që kanë pasur rezultate më të mëdha janë vende që kanë marrë masa rrënjësore të forta, hapa dramatikë, për arsye se çdo hap është i dhimbshëm politikisht. Kur ndërmerrni hapa shkallë – shkallë, ngadalë, e vetmja gjë që bëni është se e vazhdoni ose e zgjatni periudhën kalimtare. “Shock-Therapy” është e vetmja mënyrë për të arritur atje ku dëshironi të arrini. Populli i Polonisë, ai i Hungarisë dhe i Mongolisë kanë vepruar shumë shpejt dhe në mënyrë dramatike. Ju duhet të veproni para se të zhduket mbështetja politike për ju, duke ndërmarrë një hap radikal. Ndërmarrja e një veprimi shkallë – shkallë është me pasoja. Disa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ende nuk janë të bindur se Shqipëria me të vërtetë është e angazhuar që të zbatojë reforma politike dhe ekonomike. Sigurisht, kjo ka të bëjë edhe me faktin se këto ndryshime ndodhën shumë vonë dhe nuk keni pasur një kohë që ju të provoni që me të vërtetë keni zbatuar këto reforma. Unë kam marrë letra nga anëtarë të Kongresit para se të vija këtu, në të cilat thuhet se nuk janë arritur rezultate të mjaftueshme dhe “nuk duhet që ju t’i ofroni ndihma ekonomike Shqipërisë”. Ne jemi gati të ndërmarrim disa hapa tani, pa marrë parasysh këto letra e shqetësime nga Kongresi. Ndoshta, këto veprime ose këto hapa që ne i masim, do t’i marrim të kufizuara, por ne jemi gati të shqyrtojmë veprime plotësuese ndërkohë që ju vazhdoni të zbatoni reforma të mëtejshme.
Mendoj se ne e kemi treguar besimin politik ndaj jush, duke mbështetur kërkesën tuaj për t’u bërë Shqipëria anëtare me të drejta të plota në KSBE. Këtë e tregon edhe fakti që ministri i parë i Jashtëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës vjen për vizitë në vendin tuaj. Dhe, duke vazhduar ju me zbatimin e reformave, edhe ne do të tregohemi më të afërt.
Ylli Bufi: Desha të theksoj që vërtet Shqipëria është vendi i fundit në Europën Lindore që u fut në rrugën e reformave politike dhe ekonomike, por, për një kohë shumë të shkurtër, për afro 6 muaj, kemi bërë mjaft reforma në planin politik dhe ekonomik. Kjo është garanci që edhe në të ardhmen me këtë ritëm do të vazhdojmë në rrugën e reformave politike dhe ekonomike.
Xhejms Bejker: Tani për tani ne jemi gati dhe do të bashkëpunojmë edhe me organizatat ndërkombëtare, do të punojmë me Grupin e 24 vendeve të industrializuara, do t’ju mbështesim për nevojat tuaja, veçanërisht për nevojat humanitare, në formën e ndihmave humanitare. Ne ju kemi njoftuar për disa rezerva ushqimore që kishim në Gjirin Persik, të cilat do t’i dërgojmë këtë verë, ndoshta, në muajin korrik. Përveç këtyre ndihmave, unë jam gati t’ju ofroj, megjithëse nuk e di nëse keni nevojë, 3 milionë dollarë qumësht pluhur, të cilin mund ta dërgojmë shumë shpejt në Shqipëri. Kjo është një ndihmë që ju mund ta përdorni.
Ylli Bufi: Unë ju thashë në makinë që, në përgjithësi, ne kemi një krizë ushqimore. Qumështi pluhur është artikulli më problematik që kemi aktualisht në furnizimin e tregut. Deri në fund të vitit, për të mbuluar nevojat me ushqime do të duheshin rreth 200 milionë dollarë, kur ne sot kemi siguruar afërsisht rreth 40 milionë dollarë. Natyrisht, ne do të bëjmë përpjekje edhe me forcat tona për të vënë në lëvizje të gjitha strukturat, duke vënë njerëzit në punë etj. Megjithatë, na është krijuar një deficit i ndjeshëm valutor.
Xhejms Bejker: Do të kërkoj që ju të bashkëpunoni me njerëzit dhe me përfaqësuesit tanë këtu, se ato ndihma do të dërgohen me faza. Ne jemi të gatshëm t’ju ofrojmë, në qoftë se dëshironi, 1 milion e 250 mijë kg oriz dhe fasule, të cilat do të shpërndahen nëpërmjet programit amerikan. Përveç këtyre, ne kemi 250 mijë dollarë ndihmë për Kryqin e Kuq, për t’i ndihmuar në punën që po bëjnë tani. 1 milion dollarë janë ndihma me ilaçe. Vlera e të gjitha ndihmave arrin në afro 6 milionë dollarë. Natyrisht, ky është vetëm fillimi. Ne do të shikojmë se si do të veproni ju.
Po kështu, do të jemi në kontakt me vendet anëtare të Grupit-24, që Shqipëria të përfshihet në listën e atyre vendeve që ndihmohen nga kjo organizatë.
Ne biseduam pak lidhur me Kushtetutën, për strukturën ligjore, për krijimin e një demokracie pas një sistemi totalitar. Ne kemi një ndihmë teknike që mund t’jua ofrojmë nga Amerika për drejtues, ekspertë mbi ligjin kushtetues, për ekspertë lidhur me ndërtimin e institucioneve demokratike, në qoftë se dëshironi edhe ju. Në qoftë se nuk e dëshironi, ne nuk kemi asnjë dëshirë, nuk jemi të interesuar që të ndërhyjmë në punët tuaja ose në procesin tuaj të brendshëm. Kam një letër ose dokument në anglisht, ku përshkruhen të gjitha llojet e ndihmave teknike që mund t’ju japim. Këtu përfshihet, për shembull, një shumë prej 50 mijë dollarë për libra lidhur me procesin demokratik, me shkëmbimet, ku shqiptarët mund të shkojnë për studime në Shtetet e Bashkuara me pagesën tonë etj. Kemi një program, ku mund të jenë 6 – 8 anëtarë të parlamentit tuaj për 30 ditë vizitë në Shtetet e Bashkuara me shpenzimet amerikane, kemi një program 1 javë për gazetarë, në qoftë se dëshironi. Këto janë gjëra që mund t’ju ndihmojnë gjatë fazës kalimtare.
Ndërkohë që zbatimi i programit tuaj vazhdon, ne jemi gati të mbështesim kërkesën tuaj për anëtarësim në Fondin Monetar. Ajo do të varet nga programi juaj ekonomik, sepse kjo organizatë e Fondit Monetar Ndërkombëtar e shqyrton atë. Ata do të kërkojnë hollësi lidhur me programin tuaj, të cilat ju, ndoshta, nuk i keni tani. Shumë ekonomi që nuk kanë një treg të lirë, nuk i kanë këto. Edhe ju duhet ta krijoni një gjë të tillë. Ata kërkojnë të shohin një plan realist për zbatimin e reformave.
Kam edhe diçka lidhur me Grupin–24. Mendoj se ata do të dërgojnë një mision apo një delegacion, siç na kanë informuar. Ndoshta, do ta dërgojnë delegacionin pas vizitës së zotit Gramoz në Bruksel.
Më lejoni të shpjegoj standardet e Grupit-24 për ndihma për vende të tjera, që janë për procesin e shndërrimit në një ekonomi tregu. Ky grup do të kërkojë progres-rezultatet në 5 fusha: shtetin juridik, respektimin e të drejtave të njeriut, krijimin e një sistemi shumëpartiak, të cilin ju tani e keni, zgjedhje të lira dhe të drejta dhe, ç’është më me rëndësi, ekonominë e tregut. Në qoftë se ju arrini rezultate në këto fusha, do të jetë shumë e lehtë për Grupin-24 që t’ju mbështesë financiarisht. Aty do të përqendrohet edhe pjesa kryesore e ndihmës, megjithëse ne mund të caktojmë që ta bëjmë edhe në mënyrë dypalëshe, por ende nuk kemi vendosur. Kjo do të varet nga ju, se çfarë rezultatesh do të arrini në reformat.
Ylli Bufi: Ju falemnderit, zoti Sekretar i Shtetit. Ne i vlerësojmë të gjitha ndihmat që ju na jepni. Veçanërisht në fushën ekonomike, megjithëse jemi të ndërgjegjshëm se kemi mjaft vështirësi për të kapërcyer. Në mënyrë të veçantë, mbështes kontributin tuaj për pranimin e Shqipërisë në institucionet ndërkombëtare financiare, në Fondin Monetar Ndërkombëtar, në Bankën Botërore etj., ku, pa dyshim, kontributi juaj është shumë i madh.
Gjithashtu, për ne janë shumë të nevojshme edhe të gjitha ndihmat që ju përmendët për kualifikimin e personelit tonë në ekonomi dhe në fushën e drejtësisë me ekspertë amerikanë këtu ose dhe me specializim të personelit tonë në Amerikë, në bazë të protokolleve që do të nënshkruajmë për këtë rast.
Po ashtu, e gjej të drejtë edhe sugjerimin tuaj që ne të vlerësojmë drejt marrëdhëniet me Grupin-24, natyrisht, duke plotësuar edhe të tëra kushtet, për të cilat ju na folët në anët politike, të reformës politike, të anës juridike, për të mbështetur reformën ekonomike në Shqipëri.
Unë desha t’ju them që, pa dyshim, ne do ta bëjmë reformën ekonomike me një ndihmë financiare të Europës Perëndimore dhe të Amerikës, ndryshe, është shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur.
Do t’ju them se, aktualisht (jua thashë edhe pak në makinë), që 1/3 deri gjysmën e buxhetit e kemi deficit. Ju keni qenë vetë ministër i Thesarit dhe e dini se ç’do të thotë në çfarë gjendje e marrim ne drejtimin e këtij vendi. Prandaj na e kuptoni drejt kërkesën tonë për ndihma financiare.
Xhejms Bejker: Jo vetëm që kam qenë ministër i Financave, por kam qenë ministër i Financave i Shteteve të Bashkuara. Dhe kam shumë përvojë lidhur me deficitet. Ju e keni deficitin më të madh në botë, 300 milionë dollarë.
Ylli Bufi: Fondi Monetar Ndërkombëtar ka sjellë dy misione në Shqipëri, edhe Banka Botërore, gjithashtu. Ne tani kemi një raport paraprak të Bankës Botërore. Të dyja këto rekomandime të Fondit Monetar dhe të Bankës Botërore, pa dyshim, do të jenë në bazën e reformës që po përgatit qeveria jonë. Edhe ndihma e ekspertëve tuaj, pa dyshim, është e dobishme. Po ne kemi bindjen se e vetmja alternativë për të nxjerrë këtë vend është ekonomia e tregut. Stabilizimi i vendit do të ndodhë nëpërmjet futjes së strukturave të reja të ekonomisë së tregut.
Xhejms Bejker: Kjo detyrimisht kërkon pranimin dhe zbatimin e parimeve të demokracisë e të ekonomisë së tregut, veçanërisht, nisma, konkurrenca, pronësia private, rreziku dhe shansi, sistemi i çmimeve.
Edhe një gjë, zoti kryeministër, në qoftë se më lejoni. Ne kemi një organizatë, që quhet “Korpusi për Paqe”. Nuk e di nëse keni ndonjë interesim në këtë program. Nuk jam i autorizuar që sot t’ju premtoj që të mund të krijohet një program, ndryshe, në qoftë se qeveria juaj është e interesuar që kjo çështje të shqyrtohet, ne do ta shqyrtojmë. Mund të dërgojmë mësues për gjuhën angleze për të ndihmuar në sektorin shëndetësor, nëpër fshatra, qytete, dhe disa ekspertë për reforma në bujqësi. Në bazë të këtij programi, amerikanët do të vinin në Shqipëri dhe do të shfrytëzonin dollarë amerikanë duke banuar këtu. Kjo është një gjë që ju duhet ta mendoni. Në qoftë se është një gjë e përshtatshme për ju, na njoftoni.
Ylli Bufi: Nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme do t’ju paraqesim një kërkesë për këtë.
Xhejms Bejker: Ju falemnderit, zoti Kryeministër!
Ylli Bufi: Ju falënderoj edhe unë, zoti Bejker, dhe të gjithë zotërinjtë, për gjithçka që biseduam. Edhe një herë dua t’ju siguroj që qeveria shqiptare do të vazhdojë rrugën e reformave politike dhe ekonomike në Shqipëri. Ju falemnderit!
Xhejms Bejker: Ju falemnderit të gjithëve për këtë pritje shumë, shumë miqësore! Ju falemnderit!
Nga kjo bisedë krijova bindjen se mbështetja politike e SHBA për Shqipërinë nuk do të mungonte, por ndihma ekonomike dukej që do të ishte më e ngadaltë dhe e kushtëzuar me ecurinë e proceseve demokratike dhe të reformës ekonomike, si dhe me zgjedhjet e parakohshme. Kjo ishte, me sa dukej, edhe kuptimi i shumës prej 6 milionë dollarë, që Bejker deklaroi si ndihmë të qeverisë amerikane.
Sekretari amerikan i Shtetit pati takim edhe me presidentin Alia dhe mbajti një fjalim në Kuvend.
Në përfundim të vizitës, së bashku me Pashkon, e përcollëm zotin Bejker në aeroportin e Rinasit. Na bëri shumë përshtypje se rrugët, tashmë, ishin të zbrazura nga njerëzit dhe binin në sy mbeturinat e shumta që ata kishin lënë nëpër trotuaret dhe rrugët.
Për mua qe një ditë e bukur dhe, njëkohësisht, e lodhshme.